Skuadra në të cilën paraqitet mesfushori shqiptar Ervin Skela, ajo e Energie Cottbus, sezonin e ardhshëm do të bëjë gara në Ligën e Dytë gjermane- Bundesliga 2, pasi që është mposhtur edhe në përballjen e dytë të "play off"-it nga Nurnbergu me rezultat prej 2-0.Ndeshja e parë e zhvilluar në shtëpi të Cottbusit, Stadion der Freundschaft, kishte përfunduar me rezultat prej 3-0 në favor të skuadrës tashmë të promovuar në Bundesliga 1, Nurnberg.
Ndërsa ndeshja e dytë e zhvilluar në shtëpi të Nurnbergut, Frankenstadion, përfundoi me fitoren e skuadrës vendase me rezultat prej 2-0, me golat e Eigler (29’) dhe Mintal (37’).
Trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, më në fund ka konfirmuar se do të largohet nga Milani këtë verë, pasi ka arritur marrëveshje për shfuqizimin e kontratës me Rossonerët një vit më herët.“Unë kam një marrëveshje me skuadrën dhe kemi vendosur që ta shfuqizojmë kontratën, dhe kështu koha ime te Milani përfundon një vit më herët (para vitit 2010)”.
“Po e përfundoj qëndrimin tim i gëzuar sepse e arritëm objektivin tonë dhe dëshiroj ta falënderoj skuadrën dhe të gjithë lojtarët, po ashtu edhe presidentin, të gjithë stafin dhe tifozët”.
“Mendoj që koha ime e qëndrimit ka përfunduar në mënyrën më të mirë dhe është mirë për të dyja palët. Këto tetë vite kanë qenë një aventurë e mirë për mua”, ka thënë Ancelotti për “Sky Sport Italia”, duke shtuar se nuk ka arritur marrëveshje me asnjë skuadër duke e përfshirë edhe Chelsean.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë për “Rai” se zëvendësuesi i Ancelottit do të jetë Leonardo.
“Është e vërtetë, Leonardo do të jetë trajner i Milanit sezonin e ardhshëm. Ai do t’i prezantohet shtypit të hënën”, ka thënë Galliani për “Raidue Stadio Sprint” dhe pastaj ka lëvduar punën dhe miqësinë e gjatë me Ancelottin.
Skuadra e Torinos është mposhtur nga Roma në Stadio Olimpico me rezultat prej 3-2 për t’u përshëndetur nga elita e futbollit italian.Mysafirët kaluan të parët në epërsi me anë të Tommaso Vailattit (9’), mirëpo më pas pranuan tre gola nga Giallorossët.
Fillimisht Jeremy Menez barazoi rezultatin (35’), ndërsa golat e Mirko Vucinic (74’) dhe Francesco Tottit nga penalltia (83’) e fundosën Torinon, pasi që krejt çka bënë mysafirët ishte një gol i shënuar nga Nicola Ventola një minutë pa përfunduar koha e rregullt.
Me këtë humbje Torino largohet nga Serie A, pasi që Bologna shënoi fitore kundër Catanias, për të siguruar qëndrimin në Ligën e Parë italiane.
Dy skuadrat tjera të larguara nga Serie A, janë Lecce dhe Reggina.
Kampioni i Italisë, Inter, ka shënuar fitore me rezultat prej 4-3 kundër Atalantas, në ndeshjen dramatike të të dielës të zhvilluar në Giuseppe Meazza.Serinë e golave e filloi Sulley Ali Muntari (6’), ndërsa katër minuta më pas (10’) Cristiano Doni barazoi rezultatin.
Nuk shkoi shumë (12’) dhe sulmuesi Zlatan Ibrahimovic riktheu epërsinë për vendasit, derisa Luca Cigarini barazoi rezultatin për të dytën herë (25’).
Në pjesën e dytë, mysafirët kaluan për herë të parë në avantazh me golin e dytë në ndeshje të Cristiano Donit (53’).
Interi reagoi sërish me anë të Esteban Cambiassos (80’), i cili e barazoi rezultatin, ndërsa një minutë më pas Ibracadabra shënoi golin e tij të dytë në këtë ndeshje dhe të fitores për Interin.
Luis Figo ishte njëri nga legjendat e futbollit, i cili po në ditën e sotme i dha fund karrierës së tij.
Juventusi ka shënuar fitore me rezultat prej 2-0 në ndeshjen e fundit të sezonit, të zhvilluar të dielën në Stadio Olimpico të Torinos kundër Lazios.Sulmuesi në formë Vicenzo Iaquinta ka vazhduar me paraqitjet e tij të mira duke qenë protagonisti kryesor i bardhezinjve në këtë përballje.
Italiani shënoi dy herë këtë takim, me nga një gol në të dyja pjesët (3’ dhe 59’).
Kjo ndeshje ishte e fundit për legjendën çeke Pavel Nedved me fanellën e Juventusit, pasi që mesfushori ka konfirmuar largimin e tij.
Skuadra e Milanit ka shënuar fitore të rëndësishme në xhiron e fundit të Serie A duke e mposhtur Fiorentinën në Stadio Franchi me rezultat prej 2-0.Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa dhjetë minuta brenda pjesës së dytë (55’), superylli brazilian Ricardo Kaka krijoi avantazhin për mysafirët pas një krosimi të Zambrottas.
Lojtari i cili u inkuadrua në pjesën e dytë (68’), Alexandre Pato, rezultoi zëvendësim i suksesshëm, pasi që dyfishoi rezultatin në minutën e 76-të.
Vlen të përmendet se në këtë përballje u inkuadruan dy lojtarët të cilat i kanë munguar një kohë të gjatë Milanit, Alessandro Nesta (77’) dhe Genaro Gattuso (80’).
Po ashtu, ishte kjo ndeshja e fundit e legjendës së futbollit, Paolo Maldini, i cili u nderua me duartrokitje nga tifozët në Firence.
Me këtë fitore Rossonerët sigurojnë kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Përfaqësuesja e Kosovës, grupmosha 20-vjeçe ka mbyllur aventurën në turneun "Monthey 2009" në Zvicër, pasi në gjysmëfinalen e të shtunës ka pësuar humbje nga Hajduku i Splitit dhe atë vetëm pas penalltive.Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 1:1, kurse në gjuajtjet e penalltive më të saktë u treguan kroatët, të cilët fituan 4:2.Kroatët kaluan të parët në epërsi, kurse golin e barazimit në minutën e 62-të e shënoi Florent Sejdiu.
Ndërkaq nga penalltitë ishin të pasaktë Florent Papuçi dhe Kushtrim Lushtaku.
Kësisoj, futbollistët e rinj kosovarë kanë humbur rastin të plasohen në finalen e këtij turneu, por të dielën zhvillojnë ndeshjen për vendin e tretë me humbësin e ndeshjet tjetër gjysmëfinale, Totenhem - Flamengo.
Ndeshja kundër Lazios është e fundit për legjendën e Juventusit, Pavel Nedved, i cili ka konfirmuar se do të largohet nga Juve këtë verë.“Pas tetë sezoneve me Juventusin është koha që t’i falënderoj të gjithë tifozët, bashkëlojtarët dhe skuadrën, për mbështetjen që ma kanë dhënë. Me Juven kam fituar katër tituj dhe Topin e Artë”.
“Nga e hëna do të mendoj për të ardhmen time. Do të vazhdoj ta ruaj dashurinë për Juventusin dhe i falënderohem familjes Agnelli që ma ka dhënë mundësinë të luaj për këtë skuadër”, ka thënë Nedved për faqen zyrtare të klubit.
Sipas "El Mundo Deportivo", dy drejtorët sportivë të skuadrave Barcelona dhe Inter, Txiki Begiristain dhe Lale Oriali, respektivisht, kanë filluar bisedimet për transferimin e sulmuesit të Nerazzurëve, Zlatan Ibrahimovic, drejt Camp Nout.Drejtuesit e Interit janë të vetëdijshëm që Ibracadabra do ta lë Giuseppe Meazzan, mirëpo dëshirojnë që të fitojnë sa më shumë nga largimi i tij. Mësohet se Interi kërkon afër 75-80 milionë euro për të hequr dorë nga suedezi, ndërkohë qe drejtuesit e klubit zikaltër kanë problem me trajnerin Jose Mourinho, i cili me çdo kusht kërkon qëndrimin e Ibras tek Inter. Vetë lojtari ka dëshirë të madhe të luajë për Barcelonën, ndërsa mbetet të shihet nëse Blaugranët janë në gjendje ta paguajnë shifrën e madhe që kërkojnë zikaltrit për njeriun kryesor të skuadrës. Në ndërkohë ekziston edhe një mundësi tjetër ku mund të përfshihet edhe kalimi i Samuel Eto'o në drejtim të kundërt dhe një shumë prej 50-55 milionë euro.
Manchester Unitedi kërkon sulmuesin e Real Madridit, Klaas Jan Huntelaar, i cili konsiderohet si zëvendësues i lojtarit në largim, Carlos Tevez.Tevez sipas të gjitha gjasave do të largohet nga Old Trafford këtë verë, pasi Djajtë e Kuq nuk dëshirojnë të paguajnë 32 milionë funte për argjentinasin, ndërsa “Sunday People” shkruan se United tashmë e ka gjetur zëvendësuesin e tij. Kampioni anglez do të bëjë një ofertë prej 17 milionë eurosh për të provuar transferimin e holandezit Huntelaar, i cili sipas të gjitha gjasave me ardhjen e Florentino Perezit do të largohet bashkë me holandezët tjerë nga Los Blancos.
Tabloidi britanik “Sunday People” shkruan se sulmuesi i Newcastle United, Michael Owen, mund të rikthehet në Anfield, pasi disa lojtarë “të kuq” i kanë kërkuar trajnerit Rafael Benitez që ta kthejë në skuadër lojtarin anglez.Disa nga lojtarët kryesorë të skuadrës mendojnë se Owen është lojtar i cili do të përshtatej shumë mirë në formacionin e ish-skuadrës së tij dhe do të pritej krahëhapur nga bashkëlojtarët e tij të dikurshëm. Owen ka kaluar tetë vite te Liveropooli, duke fituar Kupën FA, dy Kupa të Ligës dhe Kupën UEFA, para se të transferohej te Real Madridi në vitin 2004.
Barcelona do ta forcojë edhe më shumë skuadrën për sezonin e ri, ndërsa sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Forlan, është shënjestra kryesore e Blaugranëve.Sulmuesi uruguaian ka treguar performanca të shkëlqyera me kryeqytetasit duke e përfunduar sezonin me 32 gola në 33 paraqitje dhe njëkohësisht është golashënuesi më i mirë në La Liga këtë sezon. Sipas “Sport”, katalunasit dëshirojnë me çdo kusht shërbimet e 30-vjeçarit, mirëpo ata nuk pajtohen me çmimin prej 36 milionë eurosh që ia ka vënë Atletico.
Ndeshja e sotme kundër Fiorentinës, do të jetë e fundit për brazilianin Kaka me fanellën e Milanit, shkruajnë mediat spanjolle.“AS” njofton se Milani dhe Real Madridi kanë arritur marrëveshje për transferimin e ish-lojtarit më të mirë në botë, për të cilin Mbretërit do të paguajnë 60 milionë euro. Marrëveshja është arritur më 16 maj, mirëpo drejtori ekzekutiv i Milanit, Adriano Galliani, kishte kërkuar që asgjë të mos bëhet publike deri më tani me kusht që Kaka të mbetet i përqendruar në përfundimin e Kampionatit italian me Rossonerët. Njoftohet se Kaka do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Mbretërit, ndërsa do të fitojë diçka më shumë se nëntë milionë euro në vit, ndërsa 50% e përfitimeve nga reklamat do t’i takojnë Realit.
Michael Ballack ka njoftuar se do të qëndrojë edhe një vit te Chelsea pasi ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Blutë.Mesfushori gjerman i ka thënë BBC-së se edhe pse ende nuk është nënshkruar kontrata, ai ka arritur marrëveshje me skuadrën londineze. “Ende nuk kam nënshkruar, mirëpo jam marrë vesh për të qëndruar edhe një vit këtu”, ka thënë Ballack, i cili ka shtuar se pret që trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, ta marrë timonin e Chesleat nga sezoni i ardhshëm. “Asgjë nuk është vendosur ende, mirëpo sipas të gjitha gjasave ai (Ancelotti) do të jetë trajneri i ri”, ka shtuar Ballack.
Falë fitores minimale së të shtunës mbrëma në finalen e Kupës së Gjermanisë-DFB Pokal kundër Bayer Leverkusenit, Werder Bremeni do të mund të luajë në Evropë (Kupën UEFA) sezonin e ardhshëm, ndërsa trajneri Thomas Schaaf është shprehur mjaft i gëzuar për këtë sukses.“Ishte një ndeshje e shkëlqyer nga të dyja skuadrat, mirëpo ju e patë se ne dëshironim ta fitojmë kupën”. “Një lojtar i shkëlqyer si Mesut Oezil (golashënuesi i vetëm në ndeshje) zakonisht nuk shpërblehet, sepse ai nuk godet shpesh në portë, por isha i ngazëllyer me golin e tij. Ai ka arritur shumë këtë sezon dhe unë i jap komplimentet e mia”, ka thënë Schaaf pas ndeshjes.
"Sport" njofton se Liverpooli dhe Real Madridi kanë arritur marrëveshje për transferimin e Xabi Alonsos, i cili javën e ardhshme do të prezantohet para publikut në Santiago Bernabeu.I njëjti burim shkruan se dy klubet kanë arritur në një pikë të përbashkët, ndërsa Reali do të paguajë 25 milionë euro, si edhe ekziston mundësia që Gabriel Heinze të jetë pjesë e marrëveshjes për të lëvizur në drejtim të kundërt. Pritet që Alonso të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me Mbretërit, ndërsa krahas prezantimit të Alonsos, mësohet se Florentino Perez javën e ardhshme do ta prezantojë edhe trajnerin e ri të Los Merengues.
Trajneri i Chelseat, Guus Hiddink, është i kënaqur që do ta përfundojë aventurën e tij të shkurtë me Chelsean me trofe të fituar.Chelsea sot mposhti Evertonin me rezultat 2-1, duke fituar trofeun e fundit për të cilin luftonte, Kupën FA. Ndeshja njëkohësisht ishte edhe e fundit për Hiddink. "Do të ishte perfekte nëse do të ishim në Romë të mërkurën, në finalen e Ligës së Kampionëve. Është e vetmja gjë për të cilën pendohem. Dëshiroja të luajmë me Manchester United, andaj kjo ishte pothuajse një lamtumirë perfekte", ka thënë Hiddink. "Ky klub duhet të fitojë trofe secilin vit dhe nëse nuk arrinim këtë, do të thoshte se nuk e kemi përfunduar punën mirë. Tash pasi e fituam titullin, e kam më lehtë të përshëndetem", ka shtuar holandezi.
Diego Forlan ka shënuar edhe golin e tij të 32-të këtë sezon në La Liga, për të ndihmuar Atletico Madridin të shënojë fitore 3-0 në fushë të vet ndaj Almerias, duke siguruar kështu edhe pozitën e katërt që dërgon në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.Ekipi i trajnerit Abel Resino kishte nevojë për një pikë për të siguruar pozitën e katërt ndaj Villarrealit, që po ashtu shënoi fitore 3-2 në fushë të Real Mallorca. Goli i Forlan iu shtua dy golave të shënuar më herët nga Sergio Aguero (19') dhe Raul Garcia (27'). Uruguajasi, me golin e sotëm shpallet sulmuesi më i mirë në Evropë dhe siguron për të dytën herë Kupucën e Artë Evropiane. Villarreali dhe Valencia do të mbajnë pozitat pesë dhe gjashtë dhe do të garojnë në Kupën UEFA në sezonin e ardhshëm. Vlen të përmendet se David Villa shënoi të dy golat e fitores së fundit të Valencias ndaj Atletic Bilbao, që ishin goli i 27-të dhe 28-të i sezonit për të. Sulmuesi spanjoll megjithatë mbetet i treti në listën e golashënuesve më të mirë në Spanjë, prapa Forlan (32) dhe Eto'o (30).
Kampioni i ri i Spanjës dhe Evropës, Barcelona, nuk ka fituar pikë të plota edhe në ndeshjen e katërt radhazi në La Liga, pasi siguroi titullin, duke barazuar në fushë të Deportivo La Coruna në ndeshjen e fundit të sezonit.Me Barcelonën që ishte ende në emocionet e Ligës së Kampionëve, Deportivo dukej në rrugë për të marrë pikë të plota nga kjo ndeshje e parë.
Vendasit kaluan në epërsi me anë Bodipo pas gjysmë ore lojë, por sulmuesi më i mirë i Barcelonës, Samuel Eto'o, shënoi edhe golin e tij të 30-të të sezonit, për të njerrë një pikë për Barcelonën në minutat e fundit të ndeshjes (89').
Fitorja e fundit për Barcelonën në La Liga ishte ajo e 2 majit, kur mposhti Real Madridin me rezulat 6-2. Deportivo me pikën e fituar siguron pozitën e shtatë në La Liga me 58 pikë, ndërsa Barcelona përfundon sezonin me 87 pikë.
Samuel Eto'o përfundon sezonin si realizatori i dytë në kampionatin spanjoll, prapa sulmuesit të Atletico Madrid, Diego Forlan, i cili sot shënoi golin e 32-të në kampionat.
Ekipi i Bordeaux ka fituar titullin e parë në Ligue 1 në 10 vitete e fundit, pasi ka shënuar fitore minimale në udhëtim tek ekipi Caen.Bordeaux kishte nevojë vetëm për një pikë për të ruajtur kreun, që kërcënohej nga Marseille i Lorik Canës, por i fitoi të tre pikët e ndeshjes së fundit. Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Yoan Gouffran me të filluar pjesa e dytë e ndeshjes (48'). Me tre pikët e reja Bordeaux mbledh 80 pikë dhe ruan epërsinë prej tre pikësh ndaj ekipit ndjekës, Marseillet, që shënoi fitore bindëse prej 4-0 ndaj Rennes, në ndeshjen e fundit. Hera e fundit kur Bordeaux u bë kampion ishte viti 1999. Lyoni, që kishte fituar shtatë titujt e fundit në Ligue 1, përfundoi sezonin i treti dhe do të jetë pjesë e kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
















