Chelsea ka pohuar sot se mesfushori gjerman Michael Ballack ka vazhduar marrëveshjen me klubin anglez edhe për një vit.Gjermani kishte zbuluar pas finales së Kupës FA se ishte pajtuar për vazhdim njëvjeçar të marrëveshjes, ndërsa sot edhe vetë blutë kanë pohuar këtë. “Chelsea mund të pohojë se ka arritur marrëveshje me Michael Ballack për të vazhduar kontratën deri në vitin 2010. Michael ishte kyç për ekipin tonë gjatë tri viteve të kaluar, dhe në mënyrë të natyrshme jemi të gëzuar që ai është pajtuar të vazhdojë kontratën”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Chelseat. “Jam shumë i lumtur që do të mbetem në Chelsea edhe një vit, pasi kjo gjithmonë ishte dëshirë e imja, të luaj në Londër deri në Kupën Botërore 2010”, ka thënë Ballack.
Menaxheri i ri i Chelseat, Carlo Ancelotti, dëshiron që sulmuesi brazilian Alexandre Pato dhe ish-mbrojtësin e klubin londinez, Glen Johnson, t’i ndihmojnë atij të bëjë një revolucion blu, shkruan The Sun.Dje Chelsea edhe zyrtarisht pohoi se 49-vjeçari italian do të jetë pasues i Guus Hiddink në stolin e trajnerit. Dëshirë e Carlo Ancelottit është triumfi në Ligën e Kampionëve dhe ai beson se dy lojtarët të cilët i dëshiron në përbërje, i kanë kualitet e duhura për ta ndihmuan klubin të ngrejë trofeun evropian. Sipas The Sun, trajneri i ka ofruar ish-klubit të tij 30 milionë funte për të marrë sulmuesin 19-vjeçar, Pato, ndërsa për mbrojtësin e Portsmouthit, Johnson, italiani është i gatshëm të paguajë 12 milionë funte.
Të turpëruar pas humbjes në finalen e vitit të kaluar në NBA nga Boston Celtics, lojtarët e Los Angeles Lakers kërkojnë shpagim këtë finale, ku ata do të takohen me Orlando Magic.Kampioni i Konferencës Perëndimore është kualifikuar për në finale për të 30-tën herë, pasi eliminoi Denver Nuggets, dhe të enjten do të presë në fushë të vet në ndeshjen e parë kampionin e Konferencës Lindore, Orlando Magic, që mposhti Cleveland Cavaliers në finalen e lindjes. “Shpagimi, ne e përdorim këtë fjalë gjithë kohën. Është një fjalë me të cilën jam familjarizuar. Është vështirë për një ekip që shkon në finale, të arrijë atje edhe vitin tjetër. Ne arritëm këtë disi dhe tash dëshirojmë të nxjerrim maksimumin”, ka thënë ylli i Lakers, Kobe Bryant.
Trajneri i ri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, është zotuar se do të vazhdojë ta ndjekë stilin e tij të lojës për t’i realizuar qëllimet në Bernabeu.Strategu kilian sot edhe zyrtarisht u prezantua nga ana e presidentit të ri të klubit spanjoll, Florentino Perez. “Nuk do ta ndryshoj filozofinë time për shkak të Realit, sërish do të jem po ky. Në të njëjtën kohë jam i lumtur dhe ambicioz. Gjithmonë e dija se do të vijë dita kur do ta drejtoj Realin”, ka thënë Pellegrini, i cili ka 23 vite përvojë si trajner. “Pata fat që Florentino më zgjodhi mua për të realizuar atë projekt të madh. Mendoj se do të arrij të dëshmoj se e ka bërë zgjidhjen e duhur. Presioni më jep motiv shtesë për punë dhe kritikat e shtypit nuk do të më ndryshojnë”, ka shtuar kiliani.
Udhëheqësi i Dubait përgatitet të blejë 40% të Milanit për rreth 400 milionë euro, edhe pse Berlusconi e ka mohuar.Mediat në Itali shkruan sot se Silvio Berlusconi këtë javë do ta pranojë ofertën për të shtiur 40% të klubit të tij. Oferta nga sheiku Mohammed bin Rashid al-Maktoum (kryeministër dhe zëvendës-president i Emirateve të Bashkuara Arabe) mund të përfshijë edhe një opsion për të blerë të gjithë klubin e Milanit në dy vitet e ardhshme. Megjithatë, Silvio Berlusconi e ka mohuar gjithë këtë. “Ju jeni si gjithë gazetarët tjerë, plotësisht e ndryshoni realitetin”, ka thënë Berluconi në një deklaratë të fundit.
Të hënën Vincenzo Iaquinta iu dha fund spekulimeve për largimin tij nga Juventusi duke e vazhduar kontratën deri në vitin 2013, ndërsa në një intervistë për “Tuttosport”, sulmuesi ka zbuluar se objektivat e Juves për sezonin e ardhshëm janë Kampionati italian dhe Liga e Kampionëve.“Jam i lumtur sepse e dëshiroja shumë këtë marrëveshje. Drejtorët janë duke e ndërtuar një skuadër, e cila do t’u kthehet trofeve”. “Dëshirojmë të jemi konkurrues në të gjitha garat, kështu që objektivat tona janë edhe Scudetto edhe Liga e Kampionëve”, ka thënë italiani.
Superylli i Milanit, Ricardo Kaka, e ka përsëritur dashurinë e tij për Rossonerët duke i siguruar tifozët që nuk dëshiron të largohet nga San Siro.Megjithatë, zëvendëspresidenti Adriano Galliani më herët është shprehur kundër dëshirës së lojtarit, duke deklaruar se kuqezinjtë do ta kenë vështirë ta mbajnë brazilianin nëse bëhet ndonjë mega-ofertë. “Do ta them për herë të fundit: Nuk dua të largohem nga Milan”. “Nuk dëshiroj të them asgjë sepse mund të ndodh të keqinterpretohem ose të manipulohem”. “Vetëm dua t’u them miliona tifozëve Rossonerë se unë e kam marrë vendimin tim: Dëshiroj të qëndroj!”. “Unë dëshiroj të vazhdoj të fitoj me Milanin, do të qëndroj te Milan dhe kjo gjë ka marrë fund”, është cituar Kaka nga “La Gazzetta dello Sport”.
“Corriere dello Sport” njofton se Juventusi do t’ia japë mundësinë sulmuesit argjentinas Julio Cruz që ta zgjatë qëndrimin në elitën e futbollit botëror.Interi ka refuzuar t’ia zgjatë kontratën 34-vjeçarit, e cila përfundon në fund të këtij muaji, ndërsa pas asaj date Cruz do të largohet nga zikaltrit me mundësi të shumta transferimi si lojtar i lirë. Fiorentina, Bologna dhe Parma, janë ndër skuadrat e interesuar për shërbimet e sulmuesit argjentinas, mirëpo sipas gazetës italiane, Juve dëshiron që ta ketë Cruzin si zëvendësues të Amaurit.
I porsacaktuari drejtor gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, ka hedhur poshtë pretendimet se legjenda e Los Blancos, Raul, nuk është më lojtar i vlefshëm për Mbretërit.Gines Carvajal, agjenti i kapitenit, kishte deklaruar javën e kaluar se simboli i Los Merengues ishte i gatshëm të largohej nga Bernabeu nëse nuk përshtatet në projektin e udhëheqësisë së re të klubit. “Asnjëherë nuk do të kemi problem me Raulin. Ai e ka zëvendësuar (legjendën Alfredo) Di Stefanon”. “Unë kam shumë simpati për të, e shoh vazhdimisht dhe e kam përcjellë karrierën e tij me kujdes të madh”. “Ne 15 vitet e qëndrimit të tij këtu, ai ka kontribuar gjithmonë duke ofruar zgjidhje. Ai është një njeri inteligjent, është entuziast dhe është një madridist”, ka thënë Valdano në një intervistë për “El Larguero”.
Manchester Unitedi do të bëjë një tentativë të fundit për ta mbajtur sulmuesin argjentinas Carlos Tevez.Sipas tabloidit britanik “The Daily Mirror”, shefi ekzekutiv i Djajve të Kuq, David Gill, të mërkurën do të takohet me përfaqësuesin e lojtarit Kia Joorabchian. Mësohet se United do të ofrojë 20 milionë funte për sulmuesin argjentinas dhe nuk do të pranojë asnjë shifër më të madhe. Ndërkohë skuadra të tilla, si Chelsea, Liverpool dhe Manchester City, janë të gatshme të paguajnë shifër më të madhe parash nëse kampioni anglez dështon të sigurojë shërbimet e Tevez. Nga ana tjetër, nëse nuk mund ta mbajnë argjentinasin, Djajtë e Kuq planifikojnë transferimin e sulmuesit të Lyonit, Karim Benzema, apo atë të Real Madridit, Klaas-Jan Huntelaar.
Portieri veteran Interit, Francesco Toldo, është i bindur se sulmuesi Zlatan Ibrahimovic nuk do të largohet nga kampioni i Italisë.“Mendoj se Ibrahimovic do të qëndrojë, nuk besoj se do të ketë probleme”. “Megjithatë, unë nuk i di qëllimet e skuadrës dhe lojtarit, pasi që ato janë gjëra private të tyre dhe nuk dëshiroj të përzihem”, është shprehur Toldo për “Sky Sport 24”.
David Beckham e ka kaluar gjysmën e sezonit në Serie A duke luajtur për Milanin ku fillimisht duhej të qëndronte vetëm dy muaj.Mirëpo, pas një paraqitje të mirë dhe argëtuese që pati anglezi duke luajtur krahas yjeve, si Kaka, Ronaldinho, Pirlo dhe Maldini, ai vendosi ta zgjaste qëndrimin e tij deri në fund të sezonit, duke i hidhëruar kështu tifozët e LA Galaxy, të cilët e konsiderojnë si ‘tradhëtar’. Ndërsa tani Beckham do të kthehet sërish te skuadra e tij dhe shpreson që ta fitojë sërish simpatinë e tifozëve të skuadrës amerikane. “Shpresoj që të më duan kur të kthehem, mirëpo asnjëherë nuk mund të jesh i sigurt”, ka thënë Beckham për “Los Angeles Times”.
Edhe pse më herët ka shfaqur besnikërinë tij për Interin, mesfushori francez Patrick Vieira, ka deklaruar se qëndrimi i tij në Serie A varet nga fakti nëse do të sigurojë më shumë minuta lojë në sezonin e ardhshëm.“Unë kam për qëllim të luaj, qoftë për Interin ose për ndonjë skuadër tjetër”. “Duhet të flas dhe t’i qartësoj gjërat me trajnerin dhe të kuptoj nëse jam pjesë e planeve të tij ose jo. Përndryshe gjithçka është e mundur, por do të preferoja të luaj në ndonjë klub francez, i cili lufton për titull”, ka thënë mesfushori për “L'Equipe”.
Veterani i Milanit, Clarence Seedorf, është nga lojtarët e parë për të cilin flitet që mund t’i bashkëngjiten trajnerit Carlo Ancelotti te skuadra e Chelseat.Sezonin e fundit holandezi nuk është pëlqyer nga tifozët e Mialnit, prandaj largimi i tij drejt Bluve është më se i mundur. Sussidiario.it shkruan se Seedorf do të flasë me tashmë ish-trajnerin e tij në ditët e ardhshme për mundësinë e transferimit në Ligën Premier.
Të hënën pasdite Florentino Perez ka bërë paraqitjen e tij të parë para mediave nga caktimi si president i Real Madridit, ku veç tjerash foli edhe për spekulimet në lidhje me transferimin e ylli të Milanit, Ricardo Kaka.“Nuk është e vërtetë që tashmë kemi nënshkruar me Kaka. Nuk dëshiroj që të jap shpresa false, mirëpo ai mund të jetë njëri nga shënjestrat tona kryesore”. “Transferimet që përfolen në media... flasin për shumë para dhe nuk janë reale. Gjithçka do të zhvillohet në përputhje me buxhetin tonë. “Është e vërtetë që kam raporte të mira me Adriano Gallianin, mirëpo Milani është një skuadër e cila ka projektet e veta dhe çdo gjë ka çmim”. “Kam thënë se do të punoj shumë dhe do të mundohem të transferoj disa lojtarë, mirëpo jo të gjithë do të vijnë në Real Madrid”, ka thënë Perez.
Trajneri i porsacaktuar i Milanit, Leonardo, tashmë ka filluar të zbulojë idetë sipas të cilave do të luajë skuadra e tij sezonin e ardhshëm, ndërsa baza e lojës së Rossonerëve do të jetë futbolli ofanziv brazilian.Megjithatë trajneri është shprehur se shumëçka do të varet nga lojtarët të cilët do t’i ketë në dispozicion, prandaj transferimet do ta luajnë rolin kryesor. “Ende nuk e di se me çfarë taktike do të luajmë, sepse nuk e di se çfarë ‘materiali’ do të kemi në dispozicion”. “Mund të them se ekziston një bazë solide për formacionin 4-3-1-2 dhe unë po mendoj për lojë sulmuese, e cila i argëton dhe i lejon lojtarët që të tregojnë më të mirën nga vetja duke mos humbur qëndrueshmërinë”, ka thënë Leonardo për “Milan Channel”.
Simone Perrotta ende nuk ka arritur marrëveshje me Romën për zgjatjen e kontratës së tij, gjë që e sjell në dyshim qëndrimin e italianit në Stadio Olimpico.Muajt e fundit ka pasur spekulime të ndryshme për mundësinë e largimit të 31-vjeçarit, ndërsa sipas njoftimeve të fundit, mesfushori mund të drejtohet kah Bundesliga. Sipas “Eurosport”, sezonin e ardhshëm Perrota mund të luajë për Wolfsburgun ose Bayern Munichun, të cilat janë dy skuadra shumë të interesuara për shërbimet e tij.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka vetëm fjalë miradije dhe lëvdata për trajnerin e ri të Chelseat, Carlo Ancelotti, i cili porsa u largua nga San Siro.“Dëshiroj ta falënderoj Carlo Ancelottin për këto tetë vite të jashtëzakonshme të cilat i kemi kaluar së bashku”. “Ato ishin tetë vite shumë të rëndësishme edhe nga aspekti sportiv duke llogaritur se gjatë kësaj kohe Milani fitoi pesë trofe ndërkombëtare dhe tre trofe në Itali: Serie A, Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë”. “Carlo ka fituar dy Liga të Kampionëve si lojtar dhe dy të tjera si trajner, duke mos harruar edhe pjesëmarrja në finalen e tretë”, ka thënë Galliani për Milan Channel.
Ish-trajneri i Villarrealit, Manuel Pellegrini, edhe zyrtarisht është caktuar si trajneri i klubit mbretëror Real Madrid.Pas shumë javësh spekulime, Reali sot në mbrëmje edhe zyrtarisht ka publikuar një deklaratë se Pellegrimi do të qëndrojë në stolin e Bernabeu, duke zëvendësuar aventurën gjashtëmuajshe të Juande Ramos. “Real Madrid dhe Manuel Pellegrini kanë arritur marrëveshje që kiliani të bëhet trajner i ekipit të parë. Presidenti i Nderit, Alfredo di Stefano, dhe Presidenti i Klubit, Florentino Perez, zyrtarisht do ta prezantojnë trajnerin ri më 2 qershor në Santiago Bernabeu”, thuhet në deklaratën e klubit spanjoll. Pellegrini, i cili kaloi pesë vite të suksesshme në Villarreal, është lidhur me detyrën për disa javë, por agjenti i tij pati mohuar se kishte ndonjë marrëveshje.
Liga e Evropës, e cila do të fillojë nga sezoni i ardhshëm duke zëvendësuar Kupën UEFA, do të drejtohet nga pesë arbitra, ka bërë të ditur, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.Arbitri kryesor do të vazhdojë të jetë në detyrë, si edhe dy anësorët, por UEFA dhe FIFA kanë vendosur të angazhojnë edhe dy zyrtarë prapa secilit gol, të cilët do të jenë të përqendruar në zonën e penaltisë gjatë gjithë garës. “Në marrëveshje me Michel Platini dhe UEFA, kemi vendosur që UEFA të testojë një mënyrë të re të vlerësimit gjatë Ligës së Evropës, jo vetëm gjatë fazës grupore, por deri në fund të garës”, ka thënë Blatter.
Trajneri i ri i Milanit, Leonardo, sapo është caktuar sot në krye të klubit italian ka filluar të mendojë për yjet të cilët dëshiron t’i shohë në San Siro në sezonin e ardhshëm.Ish-trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, sot edhe zyrtarisht u prezantua si trajner i ri i Chelseat dhe tashmë spekulohet se ai do t’i marrë me veti në Londër disa prej futbollistëve të tij të favorizuar. Sipas Corriere dello Sport, Leonardo po ashtu ka filluar të përgatitet për rikonstruktuar Milanin. Ai tashmë ka caktuar Michael Essien si njërin prej caqeve të transferim gjatë kësaj vere, ndërsa interesim ka shprehur edhe për Emmanuel Adebayor, i cili tashmë disa vite lidhet me një kalim te rosonerët.
















