Kaka nuk është i vetmi lojtar i Milanit, i cili duket të jetë në largim. Pas shfaqjes së interesimit nga Chelsea, qëndrimi i Alexandre Patos te Rossonerët nuk është i sigurt, thotë agjenti i tij, Gilmar Veloz.
“Milani duhet të vendosë për situatën e Patos. Ne jemi entuziastë për interesimin e Chelseat, mirëpo Milnai e ka fjalën e fundit”. “Pato ka një kontratë me Milanin, mirëpo nëse skuadra do të arrijë marrëveshje me Chelsean, atëherë ne jemi të hapur për t’i filluar bisedimet”. “Tash për tash nuk mund t’u garantoj tifozëve nëse Pato do të qëndrojë te Milan, skuadra nuk është e imja dhe vetëm ndonjë anëtar i menaxhmentit të klubit mund ta japë përgjigjen e duhur”, ka thënë Veloz për Repubblica.it.
Mediat angleze shkruajnë se Arsenali ka nënshkruar sot me mbrojtësin belg të Ajaxit, Thomas Vermaelen, për një shumë rreth 10 milion funte.
Belgu së fundi është lidhur vazhdimisht me një kalim në klubin londinez, dhe tash duket se trajneri Arsene Wenger e ka përvetësuar lojtarin e kërkuar. Vermaelen, 23-vjeçar, ka pasur një paraqitje impresive për Ajaxin këtë sezon dhe pritet të jetë pjesë e ekipit të parë të Arsenalit. Transferimi pritet të bëhet zyrtar brenda dy ditëve.
Numri dy i botës në tenis, Roger Federer, është rikthyer në formën e tij të shkëlqyeshme, duke tejkaluar me lehtësi favoritin vendas, Gael Monfils, me rezultat 3-0 në sete (7-6; 6-2; 6-4), për të siguruar vend në gjysmëfinale të turneut French Open.
Zvicerani do të luajë të 20-tën ndeshje gjysmëfinale radhazi në një Grand Slam, kësaj here kundër argjentinasit të pestë të renditur në botë, Juan Martin del Potro, i cili mposhti Tommy Robredon me rezultat (6-3; 6-4; 6-2). Federer mbetet kështu favoriti kryesor për të fituar turneun pasi kampioni i katërfishtë i këtij turneu, Rafael Nadal, u eliminua në rundin e katërt nga suedezi Robin Soderling. Soderling doli fitues edhe në çerekfinale, ku mposhti rusin Nikolay Davydenko, dhe gjysmëfinalen tjetër do të takohet me kilianin Fernando Gonzales.
Ricardo Carvalho thotë se ai pajtohet me largimin nga Chelsea dhe të transferohet në ndonjë klub tjetër, i cili do të bëjë ofertë për të.
31-vjeçari pati një sezon të fundit jo të këndshëm për të, të shoqëruar me lëndime dhe me mosaktivizim. Portugezi luajti vetëm 12 ndeshje në Premier League këtë sezon. “Jam i hapur për klubet të cilat më dëshirojnë. Por para se të kontaktojnë me mua, duhet të merren vesh me Chelsean. Jam i gëzuar që disa klube interesohen për mua”, ka thënë Carvalho. “Kisha katër vite të shkëlqyeshme në Chelsea, deri te ky që nuk ishte shumë i mirë, dhe mund të quhet si më i keqi në karrierën time. Nuk isha në formë pasi nuk luajta. Por, edhe nëse nuk bëj transfer, do ta kem mirë edhe në Chelsea”, ka shtuar portugezi. Carvalho së fundi u lidh me një transferim tek kampioni i Italisë, Interi, ku ai do të mund të ribashkohej me trajnerin Jose Mourinho.
Sunderland ka caktuar Steve Bruce si menaxher të ri të ekipit, pasi ai arriti marrëveshje për t’u larguar nga rivali i Premier League, Wigan Athletic.
“Steve do të sjellë profesionalizëm dhe karakter të fortë në klub, që do të na ndihmojë vërtet për të ecur përpara drejt asaj ku të gjithë duam të jemi. Ai e di më shumë se çdokush, çfarë do të thotë futbolli për njerëzit e këtij regjioni dhe jam i bindur se ai do të jetë në gjendje të rrënjosë në lojtarët tonë sistemin e saktë me të cilin duhet të luajë ky klub futbolli”, ka thënë drejtori i klubit, Niall Quinn. 48-vjeçari Bruce ka nënshkruar marrëveshje tre-vjeçare dhe do të marrë detyrën nga trajneri i përkohshëm Ricky Sbragia, i cili morri drejtimin e skuadrës në mes të sezonit, duke zëvendësuar të larguarin Roy Keane. Bruce, i cili kishte një karrierë të bujshme si lojtar i Manchester United, deri tash ka menaxhuar Sheffield United, Huddersfield Town, Wigan-in dy herë, Crystal Palace dhe Birmingham City-n, që kur është pensionuar si lojtar në vitin 1999.
Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso, nuk dëshiron të komentojë në lidhje me largimin e Leite Kaka, përderisa nuk ka asgjë zyrtare, por pranon se do të jetë dëm nëse braziliani largohet.
“Përderisa transferimi nuk është zyrtar, do të ishte më mirë të mos komentoja. Nëse ai largohet, atëherë do të jetë shumë zhgënjyese, pasi Milan do të humbë një kampion, një person i cili mund ta sjellë fitoren kur është në formë”, ka thënë Gattuso. “Nëse Milani vendos ta shesë Kakan, ky është vendim i klubit pasi ata tashmë e kanë vlerësuar situatën”, ka shtuar italiani. Mediat italiane dhe spanjolle shkruajnë se Kaka është në prag të kalimit në Real Madrid, ndërsa kjo do të zyrtarizohet të hënën. Braziliani raportohet se do të mbajë fanellën me numër 5 në Santiago Bernabeu.
Ekipi i Barcelonës nuk do ta vazhdojë marrëveshjen me mbrojtësin e majtë Silvinho dhe lojtari do të largohet nga Camp Nou që nga 30 qershori.
“Barcelona e ka informuar Silvinhon se marrëveshja e cila skadon më 30 qershor nuk do të vazhdohet. Ekipi i Barcelonës dëshiron ta falënderojë Silvinhon për besueshmërinë në pesë vitet e kaluara në të cilat fitoi dy trofe të Ligës së Kampionëve, tre tituj të Spanjës, një Kupë të Mbretit dhe dy Superkupa të Spanjës. Ish-lojtari 35-vjeçar i Arsenalit dhe Celta Vigos, ndeshjen e fundit për blaugranët e pati në finalen e Ligës së Kampionëve në Romë, ku ndihmoi ekipin të triumfojë ndaj Manchester United.
Menaxheri i Lazios, Delio Rossi, ka thënë për mediat italiane se vitin e ardhshëm ai nuk do të jetë pjesë e ekipit romak.
“Vitin e ardhshëm nuk do të jem trajner i Lazios. Sonte do të takohem me presidentin dhe do t’ia përcjell vendimin tim, ndërsa nesër me siguri se do të ketë konferencë shtypi në të cilën do të bëhet i ditur vendimi im”, ka thënë Rossi. E ardhmja e Delio Rossit me Lazion kishte qenë në dyshim edhe më herët, edhe pse arriti ta fitojë Kupën e Italisë. Mediat italiane në të kaluarën e kanë lidhur Rossin me një kalim në Palermo, dyer të cilat hapen me largimin e fundit nga Lazio.
Menaxheri i Manchester Cityt, Mark Hughes, ka pohuar se ekipi që ai drejton është i interesuar për të angazhuar sulmuesin argjentinas Carlos Tevez.
Argjentinasi ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, pasi kontrata e tij e huazimit tek Manchester United skadon në fund të këtij muaji. United e ka të drejtën ta angazhojë Tevez, por ata nuk dëshirojnë ta paguajnë shumën për të cilën janë marrë vesh para dy vitesh. “Carlos Tevez është një futbollist i mirë. Nëse lojtarët e mirë janë në tregun e transferove sigurisht se secili menaxher është i interesuar për ta”, ka thënë Hughes për Sky Sports.
Samuel Eto’o duhet të pajtohet me kontratën dyvjeçare të cilën ia ofron Barcelona nëse dëshiron të qëndrojë në Camp Nou, pasi që Pep Guardiola tashmë ka kërkuar nga skuadra të gjejë një sulmues të ri.
Sezonin e kaluar Eto’o ka mundur të largohet bashkë me Ronaldinhon dhe Decon, mirëpo ai siguroi një vend në skuadër, ndërsa tani “El Mundo Deportivo” njofton se kamerunasi duhet të vendosë shpejt për kontratën dyvjeçare të cilën ia kanë ofruar Blaugranët, ose do të shitet. Manchester City dhe Inter janë të interesuar për shërbimet e sulmuesit, ndërsa “AS” shkruan se Guardiola tashmë e ka marrë vendimin për shitjen e Eto’o-s dhe aktualisht po kërkon një sulmues të ri.
Trajneri i Liverpoolit, Rafael Benitez, do të fillojë planet e rindërtimit të skuadrës, derisa Redsat do t’i konkurrojnë Real Madridit për blerjen e mesfushorit të Valencias, David Silva.
“The Daily Mirror” njofton se Të Kuqtë ofrojnë para dhe Andrei Voroninin për të fituar shërbimet e spanjollit, ndërsa nëse ekipi spanjoll nuk e dëshiron Voroninin, Liverpooli do ta ofrojë holandezin Ryan Babel. Valencia do të detyrohet t’i shesë lojtarët kyç të skuadrës, ku përfshihet edhe David Silva, për shkak të borxheve të mëdha, ndërsa Los Che do të mundohen të nxjerrin fitimin maksimal nga shitja e yjeve të skuadrës.
Kapiteni i Udineses, Antonio Di Natale, dëshiron t’i bashkëngjitet partnerit të tij në sulm, Fabio Quagliarellas, duke u transferuar te Napoli.
Këtë javë Quagliarella nënshkroi me napolitanët, ndërsa të njëjtën gjë planifikon ta bëjë edhe ‘Toto’. Këtë gjë e ka konfirmuar vetë presidenti i Udineses, Giampaolo Pozzo, i cili ka thënë për “Gr Parlamento” se ka filluar të shqetësohet për mundësinë e largimit të numrit dhjetë të skuadrës.
Mediat italiane dhe spanjolle janë të bindura se Ricardo Kaka do të nënshkruajë për Real Madridin, ndërsa bashkëlojtari dhe bashkëkombësi i tij, Alexandre Pato, thotë se ai vetëm dëshiron që të gjitha palët të jenë të lumtura.
“Shpresoj që në fund të gjithë të jenë të lumtur: Kaka, Milani dhe Reali. Ose ndoshta edhe Chelsea, që është po ashtu e interesuar për Rickyn”. “Jam i sigurt se Kaka do ta marrë vendimin e duhur për të dhe për Milanin”, ka thënë Pato për “La Gazzetta dello Sport”.
Sulmuesi i Fiorentinas, Adrian Mutu, është betuar se do ta kalojë gjithë karrierën futbollisitke te skuadra vjollce.
Sezonin e kaluar Mutu ishte afër transferimit te Roma, ndërsa këtë sezon Galatasaray ka shprehur interesim për sulmuesin rumun. Mirëpo 30-vjeçari i ka dhënë fund çdo mundësie për t’u larguar nga Viola. “Unë tashmë e kam bërë të njohur ëndrrën time: Do të dëshiroja që ta përfundoj karrierën në Firence duke bartur fanellën e Violas”, ka thënë Mutu për “Corriere dello Sport”.
Louis Saha ka njoftuar se dëshiron të nënshkruajë një kontratë të re me skuadrën e tij aktuale Everton.
Sulmuesi francez u transferua te skuadra e dytë nga Liverpuli në vitin 2008 nga Manchester United, ndërsa pasi tejkaloi problemet me lëndime u bë njëri nga lojtarët më të rëndësishëm tek Evertoni. “Shpresoj të dëshmoj në të ardhmen se jam lojtar i vlefshëm për të qëndruar sa më gjatë tek Evertoni”, ka thënë 30-vjeçari për “The Daily Mirror”.
Anësori portugez i Manchester Unitedit, Luis Nani, ka reaguar për t’i mohuar spekulimet për largimin e tij nga kampioni i Anglisë.
“E ardhmja ime është te Manchester Unitedi. Është privilegj të jesh në një skuadër të tillë”. “Kam lindur për të luajtur futboll dhe ndjehem shumë mirë te United, edhe pse nuk kam luajtur shumë. Nuk do të largohem nga Manchester Unitedi dhe as nuk do të huazohem në ndonjë skuadër tjetër”, u ka thënë Nani gazetarëve portugezë.
Derisa e gjithë bota po pret njoftimin zyrtar për transferimin e superyllit brazilian Ricardo Kaka, gjiganti spanjoll Real Madrid vazhdon punën për t’i siguruar lojtarët tjerë.
Los Merengues kanë në listë sulmuesin e Valencias, David Villa, mirëpo thuhet se presidenti i Realit, Florentino Perz, nuk dëshiron të paguajë më shumë se 35 milionë euro për shërbimet e spanjollit. Derisa kjo shifër mund të jetë e papranueshme për drejtuesit e Valencias, “AS” njofton se Los Blancos kanë shënjestruar sulmuesin e Atletico Madridit, Diego Forlan.
Të hënën Juande Ramos është larguar nga posti i trajnerit të Real Madridit, pas ardhjes së Florentino Perezit si president i Mbretërve, i cili angazhoi Manuel Pellegrinin në postin e trajnerit, megjithatë duket se Ramos nuk do të qëndrojë gjatë pa punë, pasi që skuadra turke Galatasaray dëshiron ta angazhojë ish-trajnerin e Tottenhamit.
Sipas “AS”, përfaqësuesit e Galatës kanë vendosur kontaktet e para me Ramosin gjatë ditës së martë. Sipas të njëjtit burim, në tre ditët e ardhshme pritet të merret vendimi nga të dyja palët, me ç’rast Ramos mund ta merr timonin e Galatasarayt në dy sezonet e ardhshme.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, është i bindur se skuadra e tij mund ta fitojë Ligën Premier sezonin e ardhshëm, por me kusht që të transferojë dy apo tre lojtarë të klasit të lartë këtë verë.
“E kemi përfunduar sezonin pa asnjë trofe, gjë që është e dhimbshme, mirëpo nga pikëpamja e Liverpoolit, kemi përparuar shumë”. “Kemi krijuar të gjithë përvojën për t’u shpallur kampionë, prandaj për ne janë shumë me rëndësi dy apo tre transferime të reja, të cilët do të na ndihmojnë që ta fitojmë Ligën sezonin që vjen”. “Si mund ta arrijmë këtë? Duke sjellë lojtarë të nivelit të Torresit. Ai është një lojtar i madh për ne dhe ju e keni parë ndikimin e tij edhe në sezonin e parë edhe në këtë që kaloi”, u ka thënë Gerrard gazetarëve.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka konfirmuar se do të jetë pjesë se e përfaqësues së Spanjës e cila do të paraqitet në Kupën e Konfederatave (FIFA Confederations Cup), që do të mbahet ndërmjet datave 14 dhe 28 qershor.
“Të enjten do të jem në fushën stërvitore me përfaqësuesen, përkundër lëndimit tim”, ka thënë mbrojtësi spanjoll. Pique pësoi një lëndim gjatë ndeshjes kundër Deportivo La Coruna dhe pritet të qëndrojë jashtë fushe së paku dy javë, megjithatë ai do të jetë në gjendje të luajë në disa ndeshje në Kupën e Konfederatave. “Besoj se pas një fizioterapie të mirë do të jem në gjendje për fazat vendimtare te Kupës së Konfederatave”, ka shtuar Pique.
Trajneri i Genoas, Gian Piero Gasperini, e ka lëvduar presidentin Enrico Preziosi për sigurimin e shërbimeve të Hernan Crespos.
“Presidenti Preziosi është duke ndërtuar një skuadër të mirë. Kur kuptuam që Milito mund të largohet, objektivi ynë kryesore ishte Sergio Floccari”. “Sido që të jetë, ne kishim mungesë përvoje në skuadër dhe për këtë arsye kërkuam transferimin e Crespos. Të gjithë i njohim profesionalizmin dhe kualitetet teknike të Crespos, prandaj për ne ai është një përforcim i madh”, ka thënë Gasperini për tuttomercatoweb.com.
Agjenti i Christian Panuccit, Oscar Damiani, ka njoftuar se Fiorentina dhe Napoli kërkojnë shërbimet e klientit të tij.
Sipas agjentit Roma nuk ka bërë asnjë lëvizje për t’ia vazhduar kontratën mbrojtësit veteran, kështu që njëra nga dy skuadrat e përmendura mund të bëhet shtëpia e re e lojtarit italian. “Fiorentina është mundësi, sikurse edhe Napoli. Megjithatë, tash për tash po presim edhe pse nga Roma nuk ka asgjë të re”, ka thënë Damiani për Romanews.eu.
Trajneri i ri i Milanit, Leonardo, tashmë ka përcaktuar lojtarin të cilin do ta transferojë nëse largohet Kaka, dhe ky është sulmuesi i Juventusit, Amauri.
“Gazzetta dello Sport” njofton se Rossonerët do të përgatisin 30 milionë euro për sulmuesin brazilian, të cilin dështuan ta transferonin një vit më parë. Bianconerët tashmë kanë siguruar qëndrimin e Vicenzo Iaquintas, dëshirojnë ta mbajnë David Trezeguet dhe janë në kërkim të sulmuesit të Lazios, Goran Pandev. Që do të thotë se nuk do të rezistonin shumë për një ofertë të mirë për lëshimin e Amaurit.
Dy gazetat spanjolle të afërta me Real Madridin kanë shkruar sot se Kaka është lojtari i ri i klubit spanjoll, dhe për të marrë shërbimet e tij Reali do të paguajë 65 milionë euro.
Mediat spanjolle tashmë e shohin Kaka të veshur me fanellën e Real Madridit, dhe përcjellin lajmin se klubi mbretëror është pajtuar të paguajë 65 milionë euro për brazilianin.AS dhe Marca shkruajnë se Kaka do të marrë pagë prej 9 milionë eurosh pas largimit të tatimeve, ndërsa Reali do ta ketë në pronë edhe 50% të imazhit të futbollistit.Më herët mediat shkruan se zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, së bashku me babanë e Kakas, kishin udhëtuar në Madrid, edhe pse në faqen zyrtare të rosonerëve vizita përshkruhej si miqësore.

Mediat italiane: Kaka pajtohet t’i bashkohet Realit

Edhe mediat italiane raportojnë që braziliani është pajtuar t’i bashkëngjitet Real Madridit. “Sky Italia” njofton se Kaka më në fund e ka dhënë PO-në e tij për të arritur marrëveshje me Mbretërit. Ajo që mungon është vetëm njoftimi zyrtar nga të dyja skuadrat, gjë që pritet të ndodhë shumë shpejt.


Mesfushori anglez Gareth Barry sezonin e ardhshëm do të veshë fanellën e Manchester Cityt, pasi sot i ka kaluar me sukses testet mjekësore.
City ka pohuar në faqen e vet zyrtare se lojtari është pajtuar të kalojë në Eastland pasi ky klub kishte arritur marrëveshje të vlefshme 12 milionë funte me Aston Villan për transferimin e tij.28-vjeçari ka luajtur 400 ndeshje në 12 vitet e kaluar në Aston Villa. Ai ishte cak i shumë klubeve nga Premier League, përfshirë këtu edhe Liverpoolin, ku ishte shumë afër të kalonte gjatë verës së kaluar.Pasi siguroi të ardhmen e Stephen Ireland, me Berryn, City sjell në radhët e veta edhe një mesfushor me përvojë. Berry ka nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare.