Klubi anglez, West Ham United, ku aktivizohet edhe mesfushori kosovar Valon Behrami, i është shitur një grupi të bankave islandeze në një marrëveshje e cila raportohet të jetë mbi 100 milionë funte.Pronar i ri i klubit është CB Holding, një kompani që është në pronë të bankës investuese Straumur-Burdaras, me drejtor të ri jo-ekzekutiv Andrew Bernhardt. Pronarët e rinj kanë pohuar se detyrat e menaxherit Gianfranco Zola dhe asistentit të tij Steve Clarke janë të sigurta dhe se do të sigurojnë edhe një fond për transferime. Drejtori ekzekutiv Scott Duxbury, po ashtu do të mbetet në klub.
Mesfushori i Milanit, Leite Kaka, ka bërë edhe një hap drejt transferimit në Real Madrid, pasi i ka kaluar me sukses testet mjekësore, sipas Konfederatës Braziliane të Futbollit.27-vjeçari është ekzaminuar në Recife, ku Brazili do të përballet të mërkurën me Paraguain në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2010. “Stafi teknik i Brazilit është pajtuar me kërkesën e Kaka dhe të drejtuesve të Real Madridit dhe ka lejuar lojtarin”, thuhet në deklaratën Konfederatës. Shuma e transferimit thuhet se do të jetë rekord i ri botëror, rreth 65 milionë euro.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se transferimi në Camp Nou do ta bëjë një lojtarë më të mirë sulmuesin suedez Zlatan Ibrahimovic.Barcelona është në negociata me sulmuesin e Interit dhe duket se suedezi është shumë afër të kalojë në kampionatin spanjoll. “Ibrahimovic është një lojtar i shkëlqyeshëm. Shumë lojtarë të cilët vijnë në Barcelona, bëhen edhe më të mirë”, ka thënë Guardiola, duke i dërguar porosi të qartë suedezit. Ndërkohë, mediat spanjolle shkruajnë se Interi kërkon Iniestën dhe jo Eto’o, si pjesë të marrëveshjes për të lëshuar largimin e Ibrahimovic. Në anën tjetër klubi spanjoll thuhet se ka ofruar të përfshijë në marrëveshje mesfushorin Yaya Toure.
Roma është duke planifikuar të bëjë ofertë për sulmuesin rus të Tottenhamit, Roman Pavlyuchenko.Siç shkruan “Il Messaggero”, trajneri i Romës, Luciano Spalletti, e ka ndjekur rusin që kur ai luante për Spartak Moskën dhe do të provojë shansin për ta angazhuar atë këtë verë. Spalletti raportohet se ka edhe mbështetjen e presidentes së Romës, Rosella Sensi, për shërbimet e sulmuesit të Tottenhamit.
Babai i mbrojtësit të Portos, Bruno Alves, thotë se djali i tij do të pranojë të kalojë vetëm në ndonjë klub të madh, ku do të mund ta përmirësojë lojën e tij.Alves është temë kryesore e mediave në Portugali, pasi mbrojtësi shënoi golin e fitores në minutën e tretë shtesë të ndeshjes përballë kombëtares shqiptare në Qemal Stafa, duke i sjellë tri pikë që i mbajnë gjallë shpresat e Portugalisë për kualifikim në Botërorin 2010. Mbrojtësi ka marrëveshje me Porton deri në vitin 2012, por është cak i shumë klubeve, në mes të cilave Chelseat dhe Interit. “Bruno ka marrëveshje me Porton deri në vitin 2012 dhe mendimet e tij janë të kthyera vetëm kah Porto”, ka thënë babai i tij. “Në aspekt të organizimit dhe strukturës do të jetë vështirë të gjejë një klub më të mirë se Porto, andaj është shumë e qartë që ai do të mendojë për transferim vetëm nëse arrin ofertë nga ndonjë klub i madh”, ka shtuar ai.
Mediat angleze shkruajnë se sulmuesi i Newcastle United, Michael Owen, dëshiron t’i bashkohet Aston Villas.Sipas People, Owen do t’ia kthejë shpinën Evertonit, që ka shprehur interesim për shërbimet e anglezit, dhe do t’i bashkohet ish-partnerit të tij të Liverpoolit, Emile Heskey, në Aston Villa. 29-vjeçari do të refuzojë shansin për të nënshkruar me Evertonin, për shkak të së kaluarës së tij në klubin rival të qytetit, Liverpool. “Michael është plotësisht i vetëdijshëm për interesimin e Evertonit. Por ai ka bërë emër me Liverpoolin dhe t’u bashkohet rivalëve është diçka e parehatshme”, ka thënë burimi.
Ish-menaxheri i Chelseat, Guus Hiddink, ka fajësuar Sir Alex Ferguson dhe taktikën e gabuar të tij, për disfatën e Manchester United nga Barcelona në finalen e Ligës së Kampionëve.“Finalen e Ligës së Kampionëve e shikova me një gëzim të veçantë. Ishte tepër e mërzitshme. Në fushë kishte vetëm një ekip dhe ishte Barcelona. Nuk kishte luftë të vërtetë dhe kjo është dëshmi se duhet më me kujdes ta analizoni kundërshtarin”, ka thënë Hiddink. “Barcelona e luajti futbollin e vet, por ata dinin si t’i shfrytëzonin pikat e dobëta të United. Messi nuk luante në anën e tij të zakonshme të djathtë dhe më shumë lëvizte në pjesën e qendrës, derisa Samuel Eto’o luante në të djathtë”, ka shtuar holandezi Hiddink nuk është i vetmi që e ka fajësuar Fergusonin për taktikë të gabuar. Pas finales së Romës, këtë e kanë bërë edhe Cristiano Ronaldo dhe Carlos Tevez.
Siç edhe u paralajmërua, trajneri i Lazios, Delio Rossi, në konferencën e shtypit sot ka pohuar se sezonin e ardhshëm nuk do ta drejtojë ekipin romak.Në një intervistë për mediat italiane gjatë vikendit, Delio Rossi paralajmëroi se nuk do të jetë pjesë e Lazios në sezonin e ardhshëm. Sot trajneri italian pohoi edhe zyrtarisht se do të largohet nga klubi pas katër vitesh. “Për mua është vështirë të them se nuk do të vazhdoj me Lazion pas katër vitesh të kaluara në klub. Ky nuk është një vendim i lehtë, një kohë të gjatë kam menduar për këtë, por kuptova se më nuk jam pjesë e projektit të klubit”, ka thënë Rossi. “Fitova Kupën e Italisë para një stadiumi të mbushur dhe njerëz të gatshëm për festë. Më vjen keq që nuk do të jem pjesë e Superkupës”, ka shtuar mes tjerash italiani.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, thotë se ai dëshiron ta përfundojë karrierën e tij si futbollist te klubi katalanas.Spanjolli ishte lojtar kyç në ekipin e Pep Guardiolës, që fitoi tre trofe këtë sezon. I pyetur në një intervistë për El Mundo Deportivo, se nëse është i interesuar për të kaluar në Santiago Bernabeu, ai është përgjigjur negativisht. “Jo, jo, jam i qetë dhe i lumtur këtu. Ende ëndërroj të tërhiqem nga loja aktive me fanellën e Barcelonës”, ka thënë Iniesta. “Topi i Artë? Mund ta shoh veten si fitues të titujve me Barcelonën, por për të tjerat nuk mendoj shumë”, ka shtuar spanjolli.
Drejtori sportiv i Juventusit, Alessio Seko, thotë se ardhja e Diegos në klub do t’i rikthejë biankonerët në pistat e kampionëve.“Kishim një fillim të mirë në tregun e transferove. E organizuar kompletimin e transferimeve për po thuajse një vit. E bëmë atë që ishte e patjetërsueshme. Tash nuk do të ngutemi”, ka thënë Seko në një intervistë për Corriere dello Sport. “Shuma e harxhuar (për Diegon, 24.5 milionë euro) është shumë e rëndësishme. Por duke marrë parasysh vitet dhe vlerën e lojtarit, mendoj se është reale. Diego është një prej lojtarëve të rrallë të cilët mund ta bëjnë ndryshimin”, ka shtuar italiani. Zonja e Vjetër tashmë ka kompletuar edhe një transferim të rëndësishëm, duke rikthyer në Torino ish-mbojtësin e saj, Fabio Cannavaro.
Pronari i Milanit, Silvio Berlusconi, thotë se Milani i ri i drejtuar nga Leonardo do të jetë një ekip mjaft ofensiv dhe pret që Ronaldinho të jetë një prej protagonistëve kryesor.Pas largimit të Carlo Ancelottit në fund të sezonit, rosonerët kanë vendosur ta caktojnë Leonardon për strateg të ri të ekipit. “Nën drejtimin e Leonardos, Milani do të jetë ekip ofensiv, i cili nuk do të luajë me topa të lartë dhe pasime të gjata, do të kthehet kah teknika, shpejtësia dhe lojërat e shkurta, ku protagonist kryesor do të jetë Ronaldinho”, ka thënë Berlusconi. “Ai na ka munguar në ndeshje të caktuara, veçanërisht në ato në të cilat nuk kemi fituar dhe i kemi lejuar kundërshtarët të rikthehen në lojë, sepse nuk arrinim ta mbanim topin”, ka shtuar kryeministri italian.
Kampioni i Perëndimit, Los Angeles Lakers, ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë finale të NBA, duke mposhtur në kohën shtesë kampionin e Lindjes, Orlando Magic, me rezultat 101-96, për të dyfishuar avantazhin në serinë e ndeshjeve.Kobe Bryant si zakonisht udhëhoqi te Los Angeles me 29 pikë, por Lakers nuk ishin aspak dominues siç ishin në ndeshjen e parë të serisë. Pau Gasol kontribuoi me 24 pikë dhe 10 kërcime, derisa Lamar Odom përfundoi ndeshjen me 19 pikë. Magic u udhëhoqën nga Rashard Lewis, i cili shënoi pikët më të larta në ndeshje, 34. Hedo Turkoglu kontribuoi me 22 pikë. Ndeshja e tretë finale zhvillohet të martën dhe do të zhvendoset në Orlando.
Napoli raportohet se është në kërkim të mbrojtësit të Romës, Max Tonetto.Napoli është në kërkim të një mbrojtësi të ri të majtë për sezonin e ardhshëm dhe veterani italian mund të jetë një zgjidhje e duhur për klubin që kërkon të rikthejë shkëlqimin. Burime nga klubi italian bëjnë të ditur se marrëveshja mund të arrihet shpejt, pasi edhe Roma është e gatshme ta lëshojë mbrojtësin të largohet.
Agjenti i mesfushorit holandez Clarence Seedorf thotë se veterani do të qëndrojë me Milanin.Seedorf është lidhur me një kalim në Chelsea që kur ish-trajneri i Milanit la klubin italian për të provuar veten në Premier League javën e kaluar, por agjenti i tij ka mohuar një lëvizje të tillë. “Seedorf është 100% lojtar i Milanit dhe do të mbetet këtu, derisa nuk dëshmohet ndryshe. Përsëris, nuk ka asnjë lajm të ri, nëse diçka do të arrijë në ditët e ardhshme nuk e di, do të shohim”, ka thënë agjenti i lojtarit, Giovanni Branchini.
Fulham do t’i bëjë konkurrencë Tottenhamit në kërkim të shërbimeve të sulmuesit të Real Madrid, Ruud van Nistelrooy.People shkruan se ish-golashënuesit të Manchester United, i është thënë se ai mund të shkojë edhe për gjysmën e çmimit, derisa Reali është duke përfunduar nënshkrimin me yllin e Milanit, Kaka. Van Nistelrooy ka munguar një kohë të gjatë, që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të lëndimit në gju, por pritet të jetë i gatshëm për sezonin e ri. Krahas Tottenhamit, së fundi raportohet se edhe Fulhami po ashtu është i interesuar të nënshkruajë me sulmuesin holandez, i cili ka kaluar tri vite në Spanjë, pas pesë viteve të suksesshme në Old Trafford.
Presidenti i Lazios, Claudio Lotito, ka paralajmëruar kompletimin e transferimit të Mauro Zarates, duke thënë se ata kanë ndarë mjete të mëdha financiare për argjentinasin.“Procesi i transferimit të Zarates është më i rëndësishëm dhe më i shtrenjtë në kampionat. Lazio shkoi atje (në Katar) pa negociuar për kompensime dhe do të paguajë kesh”, ka thënë Lotito. “Ne treguam se ky klub investon dhe i respekton detyrimet e veta. Derisa klubet tjera shesin, ne blejmë”, ka shtuar italiani.Lotito po ashtu pret që nesër në konferencën e shtypit, Delio Rossi të pohojë se do të largohet nga klubi, dhe pastaj drejtuesit do të kërkojnë një strateg të ri.
















