"Il Corriere Dello Sport" njofton se drejtuesit e Interit kanë përgatitur planin e tyre nëse sulmuesi kryesor i skuadrës, Zlatan Ibrahimovic, largohet në drejtim të Barcelonës.
Së fundmi është spekuluar se Interi do t’ia shesë Barcelonës boshnjakun me pasaportë suedeze, ndërsa përveç parave Blaugranët do ta lëshojnë edhe kalimin e Samuel Eto’o-s në Giuseppe Meazza. Mirëpo, “Il Corriere...” shkruan se Nerazzurët janë më të interesuar për sulmuesin e Lyonit, Karim Benzema, sesa për kamerunasin, pasi që kërkesa e Benzemas është katër milionë euro për sezon, ndërsa Eto’o kërkon dhjetë milionë euro në vit. Për më shumë, marrëveshja me Lyonin do të lehtësohej edhe më shumë, nëse Interi lejon kalimin e Patrick Vieiras në drejtim të skuadrës franceze.
Legjenda e Real Madridit, Emilio Butragueno, është kthyer te Los Merengues pasi i është dhënë një pozitë nga presidenti Florentino Perez.
45-vjeçari kthehet në Bernabeu tre vite pasi ishte larguar nga posti i zëvendëspresidentit dhe tani do ta luajë rolin e Drejtorit për Marrëdhënie Institucionale. Butragueno ka qenë lojtar i Real Madridit gjatë viteve 1984-1995, duke u paraqitur 341 herë me fanellën e Mbretërve dhe duke shënuar 123 gola. Butragueno ka qenë pjesë e pesëshes legjendare të përbërë nga: Manolo Sanchis, Martin Vazquez, Michel, Miguel Pardeza dhe Butragueno.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, është munduar t’i qetësojë tifozët duke thënë se nuk do të lejojë largimin e ndonjë tjetër emri të madh nga San Siro.
Pas shitjes së Kaka, tifozët e Milanit përballen me rrezikun e largimit të Andrea Pirlos, Alexandre Patos dhe së fundmi edhe Gennaro Gattusos, të cilët mund t’i bashkëngjitet trajnerit Carlo Ancelotti te Chelsea. “99.9% jam i sigurt se të gjithë lojtarët e mëdhenj do të qëndrojnë te Milan. Ndërsa jam i sigurt 100% që Pato do të mbetet te Milan”, ka thënë Galliani për “Sky Sport Italia”.
Mesfushori italian i Romës, Daniele De Rossi, ka paralajmëruar për dobësimin e Serie A, duke thënë se skuadrat italiane nuk mund të garojnë me ato spanjolle dhe angleze në cilindo nivel.
“Skuadrat angleze dhe spanjolle janë në një planet tjetër. Thjeshtë mund të bazoheni në finalen e Ligës së Kampionëve (Barcelona - Manchester United)”, ka thënë italiani. De Rossi mendon se largimi i Kaka nga Serie A dhe kalimi (në pritje) i Cristiano Ronaldos te Real Madridi për një shumë marramendëse parash, tregon dominimin e këtyre skuadrave në raport me skuadrat italiane. “Ronaldo? Disa shifra janë jashtë kësaj bote, mirëpo pa retorikë, ky është futbolli. Lojtarët të cilët janë më të mirët në botë, siç është Messi, ndoshta vlejnë aq para”. “Dallimi ekonomik ndërmjet një klubi italian dhe ndonjë klubi të huaj (anglez dhe spanjoll) është i madh dhe do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen. Vetëm Interi mund ta mbajë hapin me të tjerët”, ka shtuar mesfushori romak.
Mesfushori anglez David Beckham ka deklaruar se nuk do të ngutet për ta marrë vendimin e tij se për cilën skuadër do të luajë në të ardhmen.
Beckham iu bashkëngjit Milanit në janar në formë huazimi nga Los Angeles Galaxy, dhe kaloi pjesën e mbetur të sezonit në Serie A, ndërsa tani ai do të kthehet te skuadra e tij për ta përfunduar sezonin në MLS, dhe pastaj në fund të vitit do të vendosë për vendimin që do të marrë. “Do të kthehem te Galaxy për ta përfunduar sezonin, ndërsa në dhjetor do të shoh se ku do të shkoj, qoftë te Milan ose diku tjetër. Tani për tani do të pres dhe pastaj do të shoh se ku do të shkoj”, ka thënë anglezi për “Setanta Sports News”.
Trajneri i Manchester Cityt, Mark Hughes, ka kërkuar durim në rrugën e ndërtimit të një skuadre, e cila do të jetë e suksesshme për një periudhë afatgjate.
Uellsiani ka thënë se shndërrimi i Cityt në një forcë dominuese në Ligën Premier do të marrë kohë më shumë se një sezon. “Sezonin e kaluar nuk kam premtuar asgjë më shumë se vendi në të cilin arritëm të pozicionohemi”. “Gjithmonë kam thënë se nëse e ndërtojmë skuadrën në mënyrë të duhur dhe korrekte, atëherë do të jemi të suksesshëm, mirëpo kjo do të marrë kohë”, ka thënë Hughes për “Manchester Evening News”.
Fenerbahce është duke konsideruar transferimin e mesfushorit të Bayern Munichut, Hamit Altintop.
Kontrata aktuale e Altintop me gjigantin bavarez përfundon në vitin 2010, ndërsa sipas gazetës turke “Fanatik”, Bayerni dëshiron që ta shesë mesfushorin turk gjatë këtij afati kalimtar. Bavarezët kërkojnë shtatë milionë euro për 26-vjeçarin, shifër e cila nuk është problem për skuadrën e pasur turke. I njëjti burim njofton se përfaqësuesit e Fenerbahces tashmë janë takuar me agjentin e Altintop dhe pritet që ai të nënshkruajë kontratë trevjeçare me skuadrën nga Stambolli.
Manchester Unitedi ka konfirmuar se e ka pranuar një ofertë rekorde nga Real Madridi për superyllin portugez Cristiano Ronaldo.
Mbretërit janë në kërkim të lojtarit më të mirë në botë për vitin 2008 qe një kohë të gjatë, që nga momenti kur ia kishte deklaruar se ëndërron ta vesh fanellën e Realit, mirëpo deri më tani Djajtë e Kuq kanë refuzuar ofertat e Los Merengues.Mirëpo, pas ardhjes së Florentino Perezit në krye të gjigantit spanjoll duket se çdo gjë është e mundur për Los Blancos. Pas sigurimit të shërbimeve të superyllit brazilian Ricardo Kaka (për 65 milionë euro), Reali është pranë të sigurojë edhe shërbimet e Ronaldos për një shumë rekorde parash prej 80 milionë funtesh (94 milionë euro).“Manchester Unitedi ka pranuar një ofertë rekorde prej 80 milionë funtesh nga Real Madridi për Cristiano Ronaldon. Me kërkesë të Cristianos- i cili edhe njëherë ka shprehur dëshirën e tij për t’u larguar- dhe pas bisedimeve me përfaqësuesit e lojtarit, United është pajtuar që ta lejojë Real Madridin që të bisedojë me lojtarin”, shkruan në deklaratën zyrtare të Manchester United.Gjithçka në lidhje me transferimin pritet të kompletohet deri më 30 qershor, kështu që nga sezoni i ardhshëm, Ronaldo do ta vesh fanellën e Real Madridit.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, thotë se ai është takuar me kolegun e tij të Interit, Massimo Morattin, pasi strategu i nerazurëve, Jose Mourinho, interesohet për Samuel Eto’o.
“Takimi me presidentin e Interit, Massimo Moratti, ishte pasi trajneri i Interit, Jose Mourinho, e dëshiron Samuel Eto’on”, ka thënë Laporta.“Për transferimin e Ibrahimovic nuk kemi marrëveshje. Ne do të përpiqemi ta rinovojmë marrëveshjen me Eto’o, por jo me çfarëdo çmimi. Shumë klube e dëshirojnë atë, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi ta mbajmë, por kjo varet nga dëshira e dyja palëve, pasi kemi një strukturë të pagave e cila duhet të respektohet”, ka shtuar Laporta.“Në këtë kohë krize duhet të jemi shembull, shpresoj se Samuel do të kuptojë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme”, ka shtuar spanjolli.Laporta po ashtu ka thënë se Lionel Messi do të ketë një përmirësim të pagës, për shkak të kontributit të tij në ekip.
Trajneri i kombëtares kroate, Slaven Bilic, do të marrë parasysh një angazhim të tij te ekipi anglez Portsmouth.
Sipas disa burimeve të afërta me kroatin, puna edhe në drejtimin e klubit anglez dhe kombëtares së Kroacisë, mbetet një opsion real për Bilic.“Unë jam mik me Slaven, kam biseduar me të dhe e di se ai shpreson për një angazhim në Angli. Por ai dëshiron të shohë së pari kualifikimin e Kroacisë për në Kupën Botërore. Më ka thënë jo një, por disa herë”, thotë gazetari Andrea Gicic.“Liga Premier është atraktive për të, po ashtu. Për momentin ai e din se ka probleme serioze në gusht, kundër Bjellorusis. Ai duhet të fitojë, ose Kroacia do të humb çdo shans për kualifikim”, ka shtuar Gicic.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, thuhet se ka refuzuar mega-ofertën e dërguar në drejtim të tij nga Manchester City.
City thuhet se është munduar të marrë sulmuesin e Chelseat për 18 milionë funte në muajin janar, por kjo ishte refuzuar, ndërsa City tash ka bërë edhe një hap tjetër për të marrë Drogban.“City kurrë nuk e ka humbur interesimin për Drogban, por lajmet që vijnë nga lojtari thonë se ai është stabilizuar dhe dëshiron të mbetet. Chelsea mund t’i ofrojë atij lojë në Ligën e Kampionëve, të cilën City nuk ia ofron, dhe për një lojtar të moshuar, kjo është e rëndësishme”, ka shtuar burimi për The Sun.
Pavarësisht humbjes tronditëse nga Ekuadori, trajneri i kombëtares së Argjentinës, Diego Maradona, beson se lojtarët e tij treguan një paraqitje të mirë.
Argjentina pësoi edhe një humbje tjetër dëshpëruese, kësaj here me rezultat 2-0 në udhëtim te Ekuadori, por Mardona thuhet të jetë ‘krenar’ me lojtarët.“Si ta shpjegoj? Taktikisht dhe mentalisht ne e kontrolluam ndeshjen. Por futbolli është kështu, kur dështoni t’i shfrytëzoni rastet që i keni, i pranoni ata në rrjetën tuaj”, ka thënë Maradona pas ndeshjes.“E kemi studiuar Ekuadorin një kohë të gjatë dhe e dinim se çfarë kishin për të dhënë ata. Ua vështirësuam punët me Carlitos (Tevez), Jonas (Gutierrez) dhe Leo (Messi), me Maxi (Rodriguez), por humbën një penalti dhe disa raste të tjera që krijuam”, ka shtuar argjentinasi.
Kombëtarja angleze ka shkatërruar Andorrën me rezultat 6-0 në ndeshjen e mbrëmshme kualifikuese për Botërorin 2010 të zhvilluar në Wembley, duke e lënë trajnerin Fabio Capello më se të kënaqur.
Nga dy gola të Wayne Rooney dhe Jermaine Defoe, dhe nga një i Frank Lampard dhe Peter Crouch, e afruan Anglinë shumë më afër kualifikimit për në Afrikën e Jugut 2010.“Jam i lumtur për fansat. Ne shënuam pas katër minutash dhe kishim raste të tjera të hershme. Disponimi në grup është i shkëlqyeshëm, por ne duhet të fitojmë edhe një ndeshje tjetër për të qenë të sigurt (në kualifikim). Sigurisht se gjithmonë luajmë për të fituar”, ka thënë Capello.
Brazili i është afruar edhe më shumë Kampionatit Botëror Afrika e Jugut 2010, pasi shënoi fitore 2-1 ndaj Paraguait në Recife.
Brazilianët filluan fuqishëm ndeshjen dhe brenda dy minutash kishin dy tentime për të shënuar, me anë të Robinhos dhe Kakas.Kampioni i pesëfishtë botëror dominoi në posedim, por ishte Paraguai që kaloi i pari në epërsi me anë të Salvador Cabanas, goditja e të cilit u devijua nga Elano dhe përfundoi në rrjetën e Julio Cesar (24’).Pesë minuta para fundit të pjesës së parë rezultati u barazua, kur Robinho gjeti një harkim të Daniel Alves për të dërguar topin në rrjetë.Katër minuta në pjesën e dytë, Nilmar shënoi edhe golin e fitores për Brazilin, të cilët keqpërdoruan njësori rastesh në ndeshje.
Trajneri i kombëtares së Italisë, Marcello Lippi, ka pranuar paraqitjen e mbushur me gabime në fitoren e mbrëmshme prej 4-3 në miqësoren përballë Zelandës së Re, por e ka quajtur atë si seancë stërvitore në prag të Kupës së Konfederatave.
Kampioni i Botës u rikthye tri herë nga disavantazhi për të barazuar dhe për të shënuar në fund fitore, falë nga dy golave të shënuar nga Alberto Gilardino dhe dy tjerave nga Vicenco Iaquinta.“Ishte një seancë stërvitore dhe për këtë kishim nevojë sonte, që është edhe arsyeja se pse i lash jashtë fushe shumicën e ‘veteranëve’,”, ka thënë trajneri.Lippi ka thënë se e dinte se 11-shja startuese kundër SHBA-ve, të hënën e ardhshme, nuk do të ishte kjo, andaj iu dha rast disa lojtarëve të tjerë.
Ekipi i Hysit ka arritur të mposhtë me rezultat minimal, 2-1, ekipin kryeqytetas, Prishtinën, për t’u shpallur fitues i Kupës së Kosovës.

Pjesa e parë

Hysi kaloi në epërsi në minutën e 15-të të ndeshjes me anë të Labinot Osmanit. Sulmuesi bardhezi, depërtoi në mes të mbrojtjes kundërshtare, dhe shfrytëzoi një dalje të hershme të portierit Feim Statovci, për t’i dhënë avantazhin Hysit. Pavarësisht avantazhit, lojtarët bardhezi vazhduan të kërkojnë dyfishimin e rezultatin dhe patën një rast edhe pas tre minutash tjera me anë të Mentor Zhdrella. Prishtinasit në anën tjetër krijuan shumë pak raste në pjesën e parë, me anë të Berat Hysenit dhe Agron Skeraj, por nuk arritën të gjejnë rrjetën e portierit kundërshtar, Flamur Neziri.

Pjesa e dytë

Prishtina pati raste të barazojë në pjesën e dytë me anë të Hysenit, por sërish mbrojtja e Hysit reagoi në mënyrë të duhur. Hysi u mundua në disa raste me kundërsulme, por në disa raste Osmani nuk ishte i saktë si në pjesën e parë. Prishtina shënoi një gol 26 minuta në pjesën e dytë, por Suad Saliagic doli të kishte shënuar nga pozita jashtë loje. Megjithatë shpërblimi për kryeqytetasit erdhi pas gjashtë minutash tjera, kur një harkim i Maliqit gjeti në zonë Mirsad Idrizin, i cili shënoi nga afërsia (77’). Disa minuta më vonë Prishtina pati edhe një tentim tjetër, kur Skeraj dërgoi një goditje të fortë në drejtim të portës kundërshtare, por portieri Neziri bëri një hedhje spektakolare për të mbrojtur. Megjithatë gjithçka përfundoi keq për Prishtinën, kur pas një kundërsulmi të Hysit, Elami Berisha shënoi një gol të bukur duke paraboluar portierin Feim Statovci, gol që i dha edhe triumfin në Kupë ekipit të Hysit.