Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i bindur se ekipi i tij do të sjellë medalje në Emirates në sezonin e ardhshëm, për të parën herë në katër vite.“Çfarë kanë arritur tashmë këta lojtarë në atë moshë, është e pashpjegueshme. Ata lojtarë janë fitues, ata do të zgjerohen dhe ata janë shumë, shumë të ri. Të jesh në top katërshen evropiane dhe të rikthehesh mbi Aston Villan nga tetë pikë disavantazh, është e mrekullueshme. Besoj se e ardhmja duket shumë e ndritshme”, ka thënë Wenger. “Ne kishim William Gallas, Gael Clichy, Emmanuel Adebayor, Theo Walcott dhe Cesc Fabregas jashtë fushe për një kohë të gjatë. Dhe Tomas Rosicky nuk luajti asnjë ndeshje këtë sezon. Mund ta besoni? Dhe kjo është pse unë besoj se ajo që kemi arritur është e mrekullueshme”, ka shtuar francezi.
Roma raportohet se është duke u interesuar për shërbimet e sulmuesit të Chelseat, Andriy Shevchenko, bën të ditur Daily Mail.Ekipi italian pret të marrë sulmuesin ukrainas si transferim të lirë, pas edhe një sezoni të tij të dështuar, kësaj here i rikthyer si huazim te Milani. 32-vjeçari ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij, por i është thënë se mund të largohet nga Stamford Bridge dhe madje duke i paguar edhe 7 milionë funte të kontratës së tij, se sa ta marrë atë sërish në radhët e veta.
Mediat spanjolle përcjellin lajmin se Pep Guardiola ka kërkuar nga drejtuesit e klubit të bëjnë gjithçka për të sjellë mesfushorin Frank Ribery në Camp Nou sezonin e ardhshëm.Francezi është cak i shumë klubeve, mes tjerash edhe Real Madridit, Manchester United, Chelseat dhe Barcelonës. Florentino Perez publikisht ka pranuar interesimin e tij për Riberyn, por ka zbuluar se Bayern Munich nuk dëshiron të heqë dorë nga shërbimet e futbollistit dhe se do ta respektojnë dëshirën e bavarezëve. El Mundo Deportivo shkruan se Guardiola ka biseduar me drejtuesit e Barcelonës dhe ka qenë shumë i qartë, duke kërkuar që Ribery të arrijë në Camp Nou me çfarëdo çmimi. Duke marrë parasysh interesimin e madh për francezin, Pep ka kërkuar nga drejtuesit të punojnë intensivisht, ndërsa thuhet se katalanasit do të dërgojnë një ofertë të vlefshme 60 milionë euro në drejtim të Bayernit.
Agjenti i sulmuesit brazilian Alexandre Pato thotë se rosonerët janë ata që duhet të vendosin për të ardhmen e 19-vjeçarit.Pato së fundi është duke u lidhur me një kalim në Chelsea, ku do të ribashkohej me ish-trajnerin e tij, Carlo Ancelotti. Edhe vetë lojtari gjatë javës tha se do të mendonte për të ardhmen e tij pas Kupës së Konfederatave, ndërsa paraprakisht do të bisedojë pikërisht me Ancelottin. Por, Adriano Galliani ka paralajmëruar se Pato mbetet 100% i Milanit edhe për sezonin e ardhshëm. “Pato tashmë është takuar me Milanin dhe klubi është ai që vendos për të ardhmen e lojtarit. Ky nuk është problem për të cilin duhet të flitet publikisht, marrëveshja e lojtarit është problem i jonë dhe kjo është shumë private”, ka thënë agjenti i tij.
Sipas mediave angleze, Barcelona ofron Samuel Eto’on si shkëmbim për mesfushorin e Liverpoolit, Javier Mascherano.28-vjeçari kamerunas është një prej sulmuesve më të mirë në botë, ndërsa golashënuesi më i mirë i Barcelonës në sezonin e fundit. Duke mos arritur t’ia vazhdojë kontratën, Barcelona përpiqet ta shesë këtë verë dhe të përfitojë nga kjo shitje. Javier Mascherano është një nga dëshirat e Barcelonës për sezonin e ri, megjithëse Rafa Benitez në fillim të javës deklaroi se nuk do ta shesë argjentinasin as për 50 milionë funte. Fjalët e fundit që qarkullojnë thonë se Barcelona ofron Samuel Eto’on për provuar shansin të marrë Mascheranon. Ditë më parë vetë agjenti i lojtarit dha se argjentinasi do të dëshironte të luajë për Barcelonën.
Sulmuesi i Arsenalit, Theo Walcott, thotë se do të punojë me ngulm për t’i bindur njerëzit se ai mund të jetë një sulmues i shkëlqyeshëm i qendrës.Edhe pse pozita natyrale e Theo Walcott është sulmues, ai në Arsenal më shumë luan në pozitën e anësorit të djathtë. Por, 20-vjeçari pret të rikthehet në pozitën e sulmuesit të qendrës, ndërsa këtë ia ka premtuar edhe Arsene Wenger. “Kam folur me menaxherin dhe ai dëshiron të më hedhë në pozitën e sulmuesit të qendrës. Do të isha i lumtur kudo qoftë kur të luaj për këtë klub. Por askush për momentin nuk më sheh si sulmues, që është pozita ime kryesore, andaj do të punoj shumë në këtë drejtim për ta arritur këtë”, ka thënë Walcott.
Robinho ka kërkuar nga sulmuesi argjentinas Carlos Tevez që t’i bashkëngjitet atij te Manchester City.“Ne padyshim që do ta kompletonim sulmin e Cityt. Shpresoj që skuadra ime ta transferojë atë”. “Do të ishte kënaqësi të luaja bashkë me Carlosin. Ai është njëri nga lojtarët më të mirë në botë dhe është turp që nuk ka më shumë hapësirë në skuadrën aktuale (Manchester United)” “Nëse largohet nga United, ashtu siç po lexoj ditët e fundit, dhe nëse konfirmohet interesimi i Cityt, kuptohet që unë do të mundohem që ta bindë atë të vijë te ne”, është cituar Robinho nga “The Sun”.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, dëshiron me çdo kusht ta transferojë mesfushorin e Chelseat, Deco.Pas transferimit nga Barcelona, Deco nuk tregoi formë të mirë në Stamford Bridge, ku është i pakënaqur dhe planifikon të largohet gjatë këtij afati kalimtar. “Deco më ndihmoi të shpallem kampion i Evropës (me Porton) dhe unë i ndihmova atij të shpallet lojtari evropian i vitit. Nëse do të jetë e mundur që ai të vijë tek Inter dhe të punojmë sërish bashkë, do të ishte gjë e shkëlqyer për të dy”, është cituar Mourinho nga “The Sun”.
Sulmuesi italian i Villarrealit, Giuseppe Rossi, ka pranuar se do t’i pëlqente të luante në Serie A duke i dërguar kështu një mesazh skuadrës së Juventusit, e cila është e interesuar për shërbimet e tij.Rossi ka kontratë me Nëndetësen e Verdhë deri në vitin 2013, mirëpo ai është shprehur se nëse Zonja e Vjetër dëshiron shërbimet e tij dhe nëse Villarreali e shet atë, atëherë ai me kënaqësi do të kthehej në Serie A. “Kam dëgjuar për mundësinë e kalimit te Juventus, mirëpo unë kam kontratë me Villarrealin dhe po ia kaloj mirë këtu”. “Ëndrra ime është që të kthehem në Itali, mirëpo për të ndodhur kjo duhet të më shesë Villarreali”, ka thënë sulmuesi italian për “Tuttosport”.
Real Madridi po vazhdon me punën për të ndërtuar “formacionin e ëndrrave”, ndërsa mesfushori i Liverpoolit, Xabi Alonso, është në listën e transferimeve të Florentino Perez.
Tablodi britanik “The Sun” njofton se presidenti i Los Blancos ia ka ofruar Liverpoolit anësorin Arjen Robben për shkëmbim “kokë për kokë” me Xabin. Reali tashmë ka bërë një ofertë prej 18 milionë funtesh për spanjollin, mirëpo Liverpooli dëshiron 27 milionë. Holandezi Robben ka po ashtu vlerën prej 27 milionë funtesh dhe në këtë mënyrë një shkëmbim do të ishte më se i qëlluar për Perezin, i cili nuk dëshiron të shpenzojë shumë para (pasi tashmë ka shpenzuar 142 milionë funte për shërbimet e Kaka dhe Ronaldo). Megjithatë nëse edhe kjo orvatje dështon, atëherë Reali do ta ofrojë mbrojtësin Gabriel Heinze dhe 18 milionë funte, vetëm e vetëm që ta transferojë Xabin në Bernabeu.
Tablodi britanik “The Sun” njofton se presidenti i Los Blancos ia ka ofruar Liverpoolit anësorin Arjen Robben për shkëmbim “kokë për kokë” me Xabin. Reali tashmë ka bërë një ofertë prej 18 milionë funtesh për spanjollin, mirëpo Liverpooli dëshiron 27 milionë. Holandezi Robben ka po ashtu vlerën prej 27 milionë funtesh dhe në këtë mënyrë një shkëmbim do të ishte më se i qëlluar për Perezin, i cili nuk dëshiron të shpenzojë shumë para (pasi tashmë ka shpenzuar 142 milionë funte për shërbimet e Kaka dhe Ronaldo). Megjithatë nëse edhe kjo orvatje dështon, atëherë Reali do ta ofrojë mbrojtësin Gabriel Heinze dhe 18 milionë funte, vetëm e vetëm që ta transferojë Xabin në Bernabeu.
Mbrojtësi veteran i Italisë, Fabio Cannavaro, është lënduar sërish dhe pritet të mungojë në ndeshjen e parë të Kupës së Konfederatave kundër SHBA-ve, e cila zhvillohet të hënën.Kapiteni i Azzurëve e ka lënduar pulpën e këmbës dhe ekziston frika që ai mund të mungojë gjatë gjithë turneut, ngjashëm sikurse i ndodhi në Kampionatin Evropian ë vitit 2008. Mediat njoftojnë që mbrojtësi i Juventusit nuk është stërvitur të premten, ndërsa mjeku i përfaqësueses së Italisë, Enrico Castellacci ka deklaruar se ai nuk do të mund të luajë të hënën.
Ish-lojtari i Interit, Luis Figo, ka treguar se me ardhjen e trajnerit Jose Mourinho në Giuseppe Meazza, atij iu ofruan më shumë mundësi që të luajë në sezonin e kaluar, i cili ishte i fundit në karrierën e tij futbollistike.“Askush nuk nënshkruan një kontratë në të cilën thuhet se e ke të sigurt vendin në formacionin bazë të skuadrës”. “E dija që Mourinho më respektonte dhe për këtë arsye duhej të filloja nga zeroja. Nuk është mirë të jesh në një vend ku e di nga fillimi se gjendesh në rendin e dytë. Ndërsa nuk është pjesë e karakterit tim që të qëndroj në një skuadër vetëm për të fituar para”, është shprehur legjenda portugeze për “Sky Sport”.
Arsenali ka siguruar shërbimet e mbrojtësit premtues të Zurichut, Martin Angha.Sipas “Setanta Sports”, Topçinjtë kanë arritur marrëveshje me kampionin e Zvicrës për ta transferuar 15-vjeçarin në janar të vitit 2010. Pas arritjes së tij, Angha fillimisht do të inkuadrohet në formacionin U-16 të Arsenalit, ndërsa pritet shumë shpejt që ai të inkuadrohet në formacionin e parë të klubit.
Manchester United ka filluar të bëjë planet e shpenzimit të 94 milionë eurove që do t’i fitojë pas shitjes së Cristiano Ronaldos te Real Madridi.Djajtë e Kuq dëshirojnë ta përforcojnë skuadrën, sidomos në repartin sulmit, ndërsa Sir Alex Ferguson dëshiron shërbimet e sulmuesit të Romës, Mirko Vucinic, i cili përveç si qendërsulmues, mund të luajë edhe në krah për ta zënë vendin e lënë bosh nga Ronaldo. “Po, është e vërtetë. Vucinic do të jetë njëri nga zgjedhjet e para të klubit. Megjithatë ende nuk ka asgjë konkretë”, ka thënë një burim i afërt me United për Calciomercato.com.
Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka kërkuar nga tifozët bianconerë që ta respektojnë mbrojtësin e rikthyer Fabio Cannavaro.Cannavaro ishte njëri nga lojtarët që e braktisi Zonjën e Vjetër pas skandalit Calciopoli në vitin 2006, kështu që tifozët bardhezi e konsiderojnë atë si tradhtar. “Kam biseduar me tifozët ultras Bianconerë, ata janë më të qetë tani. Shpresoj që do ta lënë të qetë Cannavaron”, është shprehur Chiellini.
Mbrojtësi italian Gianluca Zambrotta, shpreh dëshiron për ta fituar Kupën e Konfederatave që do të fillojë të dielën në Afrikën e Jugut.Lojtari 32-vjeçar i Milanit, është optimist se do të arrijë në finalen e 28 qershorit, ku dëshiron të takohet me Brazilin. “Ky turne do të shërbejë të ndërtojë grupin para Kupës së Botës vitin e ardhshëm. Andaj, dëshirojmë të arrijmë në finale dhe të hakmerremi kundër Brazilit”, ka thënë ish-lojtari i Barcelonës dhe Juventusit. Brazili mposhti Italinë në takimin e fundit miqësor mes tyre në muajin shkurt, duke fituar me rezultat 2-0 në Emirates me golat e Robinhos dhe Elanos.
Yossi Benayoun ka deklaruar se më shumë i pëlqen të qëndrojë te Liverpooli sesa të luajë për Real Madridin.“Momentalisht jam lojtar i Liverpoolit, dhe derisa të mos ndodh diçka e papritur do të mbetem i tillë”. “Pasi kalova një sezon të mirë, kam pasur oferta nga skuadrat tjera angleze dhe spanjolle. Me gjithë dëshirën time për të qëndruar duhet të bisedoj me drejtuesit e skuadrës, pasi që gjithçka duhet konsideruar”. “Megjithatë, edhe nëse më kërkon Real Madridi, unë do të vazhdoja të qëndroj te Liverpooli”, ka thënë izraeliti për “The Daily Mail”.
Sulmuesi nigerian Obafemi Martins dëshiron të qëndrojë në St James' Park dhe t’i ndihmojë ekipit të rikthehet në Ligën Premier që në sezonin e parë në ligën e dytë të Anglisë.Martins është lidhur me Arsenalin, Aston Villan dhe Evertonin, si destinacione të mundshme të transferimit të tij gjatë verës, por ai thotë se nuk dëshiron të largohet nga Newcastle.“Shpresoj të mos shitem. Nëse klubi vendos të më shesë, nuk kam zgjidhje por të shkoj. Por synimi im është të qëndroj dhe të ndihmoj Newcastlen që gjatë sezonit të ardhshëm të rikthehet në Premier League”, ka thënë Martins.“Më pëlqen të jetoj në Newcastle dhe ka shumë vende të mira për të jetuar dhe luajtur. E di se klubi është në shitje dhe kjo është vështirë për fansat. Por ndjej se mund të ketë dritë në fund të tunelit eventual”, ka shtuar nigeriani.
Sipas gaztës franceze "Le Progres", Interi është i gatshëm të paguajë 40 milionë euro për ta transferuar yllin e Lyonit, Karim Benzema.Sulmuesi francez ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave të mëdha, ndërsa Nerazzurët e konsiderojnë atë si zëvendësues të denjë të Zlatan Ibrahimovicit, nëse ai largohet drejt Barcelonës, apo si partner të tij në sulm nëse boshnjaku me pasaportë suedeze vendos të qëndrojë me zikaltrit. Presidenti i Lyonit, Jean-Michel Aulas, ka deklaruar se Benzema do të qëndrojë në Stade Gerland edhe sezonin e ardhshëm, mirëpo një mega-ofertë nga Massimo Moratti, vështirë se mund të refuzohet nga homologu i tij francez.
Djajtë e Kuq, të cilët do ta shesin Cristiano Ronaldon për një shumë të madhe parash te Real Madridi, janë vënë pas yllit të Bayern Munichut, Franck Ribery, shkruan në faqen zyrtare të Manchester United.Krahas emrave për të cilët është i interesuar United, siç janë Arjen Robben (Real Madrid), David Silva (Valencia), Antonio Valencia (Wigan Athletic) etj., renditet edhe emri i anësorit francez Ribery. Në faqe, po ashtu shkruan se bavarezët nuk heqin dorë nga ylli i tyre për më pak se 87 milionë funte (102 milionë euro), mirëpo tashmë përfaqësues nga kampioni anglez kanë udhëtuar në Munih për të biseduar në lidhje me këtë transfer.
Mbrojtësi brazilian i Barcelonës, Daniel Alves, i ka këshilluar drejtuesit e skuadrës nga Camp Nou që ta transferojnë sulmuesin e Mancheter Cityt, Robinho.“Edhe pse nuk kemi realizuar transferime të mëdha si Real Madridi, skuadra jonë është e fuqishme”. “Nëse më lejohet të rekomandoj ndonjë lojtar, atëherë do të kërkoja angazhimin e të gjithë lojtarëve të përfaqësueses së Brazilit”. “Meqenëse kjo është e pamundur, mendoj se lojtari i cili do të përshtatej në mënyrë të përsosur në klubin tonë është Robinho”, ka thënë Alves, i cili ka shtuar se megjithatë katalunasit nuk duhet të shqetësohen për përforcime pasi që janë kampionë të Evropës për klube.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, është i kënaqur me punën e deritanishme të presidentit Florentino Perez, dhe ka shprehur mirëkuptimin e tij për të gjithë lojtarët të cilët dëshirojnë të luajnë në Bernabeu.Mbretërit arritën që për një periudhë të shkurtë kohore të sigurojnë shërbimet e dy nga lojtarët më të mirë në botë që qarkullojnë tani, Ricardo Kaka dhe Cristiano Ronaldo. “Kjo është një periudhë shumë e rëndësime për Real Madridin: në skuadër është kthyer Florentino Perezi- njeri me kapacitet të madh menaxherial, dhe Jorge Valdano, personalitet i lidhur me të gjitha pjesët e hierarkisë së klubit. Ata paraqesin një ekip të shkëlqyer së bashku, dhe është normale që të gjithë lojtarët dëshirojnë të vijnë te Real Madridi”. “Numri i lojtarëve që do të transferohen është fiks, prandaj po mundohemi të ndërtojmë një ekip të fuqishëm, sepse e dimë se Real Madridi do të konkurrojë në tri gara (La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve) në të cilat do të luftojë për trofe”, ka thënë Pellegrini.
Gazetat italiane vazhdojnë të shkruajnë për mundësinë e largimit të David Trezeguet nga Juventusi, për shërbimet e të cilit janë të interesuara shumë skuadra, mirëpo agjenti i tij Antonio Caliendo është shprehur se Juve ka konfirmuar se do ta mbajë francezin në Torino.“Alessio Secco me ka thënë se Trezeguet nuk është në shitje, kështu që ai nuk do të jetë në listën e transferimeve (gjatë këtij afati kalimtar)”, ka thënë Caliendo për “L’Equipe”. Që nga ndeshja e parë çerekfinale e Ligës së Kampionëve kundër Chelseat, u luhatën marrëdhëniet e Trezegol me drejtuesit e Juventusit, ndërkohë për shërbimet e tij janë të interesuara skuadrat e tilla, si Olympique Lyonnais, Olympique de Marseille, Roma, Manchester City etj. Mirëpo, duke u bazuar në deklaratën e agjentit të tij, duket se francezi do të vazhdojë ta bartë fanellën bardhezi.
Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Fabio Cannavaro, ka njoftuar se Los Blancos kanë nënshkruar me Cristiano Ronaldon që në vitin e kaluar duke e bërë kështu meritor ish-presidentin Roman Calderon për këtë mega-transfertë.“Cristiano Ronaldo ka qenë lojtar i blerë nga menaxhmenti i vjetër, para ardhjes së Florentino Perezit, dhe ata ishin afër të siguronin edhe shërbimet e Kaka, mirëpo nuk patën kohë për ta realizuar marrëveshjen”. “Mendoj se Madridi do të transferojë edhe lojtarë të tjerë, sidomos sulmues pasi skuadra ka mentalitet sulmues. Tre fitoret e Barcelonës nuk ‘gëlltiten’ lehtë nga Madridi prandaj ata duhet të jenë sfidues”, është cituar Cannavaro nga” La Stampa”.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Txiki Begiristain, thotë se Blaugranët nuk dëshirojnë ta shesin mesfushorin Alexander Hleb.Hleb u transferua në Camp Nou sezonin e kaluar nga Arsenali, mirëpo nuk pati paraqitje të mirë me fanellën e Barcës, kështu që spekulohet për mundësinë e largimit të 28-vjeçarit, sidomos në drejtim të skuadrës së tij të dikurshme Stuttgart. “Para një viti kemi punuar shumë për ta transferuar dhe për ta angazhuar Alexander Hlebin, prandaj nuk do të dëshironim që ta lejojmë largimin e tij kaq shpejt”, ka thënë Begiristain.
"Sky Sports Italia" njofton se Milani ka nënshkruar një para-kontratë me sulmuesin e Wolfsburgut, Edin Dzeko.I njëjti burim pohon se sulmuesi boshnjak ka nënshkruar një para-kontratë me Rossonerët, ndërsa tani duhet që gjiganti italian të arrijë marrëveshje me skuadrën nga Bundesliga gjermane. Wolfsburgu deri më tani ka thënë se nuk lejon largimin e Dzekos, mirëpo vendimi i lojtarit për t’u transferuar në San Siro mund t’i detyrojë ata që ta lejojnë largimin e tij. Ndërkohë thuhet se kampioni gjerman kërkon 30 milionë euro, ndërsa italianët ofrojnë vetëm 20 milionë.
Agjenti i Andrea Dossenas, Roberto La Florio, ka deklaruar se klienti i tij mund të kalojë te Juventus, megjithëse edhe skuadra aktuale, Liverpool, dëshiron ta mbajë mbrojtësin italian.“Kemi folur me Liverpoolin edhe Benitezin dhe ata na kanë konfirmuar se kjo skuadër dëshiron ta mbajë Dossenan”. “Sido që të jetë, të gjithë e dimë se si është ‘tregu’ dhe nëse vjen një ofertë e mirë, menjëherë fillojnë bisedimet”. “Dossena është i lumtur në Angli. Atij do t’i pëlqente të kthehej (në Itali) por nën kushte të caktuara. Juve është duke bërë llogaritë e veta dhe presim që përfaqësues nga klubi të na kontaktojnë nëse janë të interesuar”, ka thënë La Florio për Sportal.it.
















