Kampioni i botës në fuqi, Italia, ka pësuar humbje befasuese nga Egjipti në kuadër të Grupit B të Kupës së Konfederatave.
Në ndeshjen e zhvilluar të enjten mbrëma, me një gol të vetëm të shënuar nga Mohammed Homos (40’), përfaqësuesja e Egjiptit i ka mposhtur Azzurët. Kështu, Egjipti dhe Italia kanë pikë të barabarta dhe xhirot e fundit do të vendosin se kush do të kualifikohet në gjysmëfinale. Derisa Egjipti përballet me SHBA-të, përfaqësuesja e Italisë ka një ndeshje shumë të vështirë përballë Brazilit, i cili edhe pse ka siguruar vizën për në gjysmëfinale, rivaliteti që ka me Azzurët do të bëjë që t’ua vështirësojë punët italianëve.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, është ziliqar ndaj kolegut të tij të Chelseat, Petr Cech, i cili tashmë ka fituar medaljen e Premier League.
26-vjeçari do ta shkëmbente ruajtjen e golit të pastër me një titull të ligës. “Sigurisht do ta shkëmbeja. Kam pasur një sfidë të vogël me Petr Cech në sezonin e fundit, kur shikonim se kush e kishte pranuar golin e fundit. Pavarësisht rivalitetit, që të dy qëndrojmë para golave”, ka thënë Reina. “Të gjithë këtu në Liverpool dëshirojmë të fitojmë Ligën Premier. Do të preferoja të fitojmë çdo ndeshje me rezultat 3-2, nëse kjo do të thotë të fitojmë titullin në fund të sezonit”, ka shtuar spanjolli.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka shprehur dëshirën e tij për të sjellë trofeun e Ligës së Kampionëve në Stamford Bridge.
“Liga e Kampionëve për mua është gara më e mirë në botë. Chelsea ka një rekord të shkëlqyeshëm, pesë gjysmëfinale në gjashtë vite është rezultat i bukur, por ne kemi nevojë ta fitojmë atë dhe shpresoj se kjo do të ndodhë”, ka thënë Ancelotti. Rreth asaj se si do të arrijë t’i përshtatet karrierës menaxheriale në Angli, Ancelotti ka thënë: “I shoh të gjitha ndeshjet në televizor. Më pëlqen Liga Premier pasi mendoj se ka ekipe të shkëlqyeshme dhe luajnë futboll të mirë. Ndeshje më pak taktike, shumë të shpejta dhe më pëlqen ky futboll”. “Në Itali ndeshjet janë shumë taktike. Ekipet vijnë të mbrohen mirë dhe vetëm pas kësaj sulmojnë, ndeshjet bazohen në kontroll dhe jo në shpejtësi”, ka shtuar italiani.
Brazil ka treguar një paraqitje të shkëlqyeshme për të mposhtur me rezultat 3-0 kombëtaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për t’u kualifikuar kështu për në gjysmë-finale të Kupës së Konfederatave.
Brazili sulmoi që nga fillimi i ndeshjes, ndërsa arriti te goli i parë me anë të Felipe Melo pas shtatë minutash lojë. Robinho dyfishoi avantazhin e brazilianëve po në pjesën e parë të ndeshjes, pas edhe 13 minutash tjera (20’). Fillimi i pjesës së dytë nuk ishte aspak më i mirë për amerikanët, pasi nga loja u përjashtua Sacha Kljestan (57’). Duke shfrytëzuar epërsinë e një lojtari, Brazili shënoi edhe golin e tretë, kësaj here me anë të Maicon (62’). Me këtë fitore Brazili kualifikohet për në gjysmëfinale të Kupës së Konfederatave, ndërsa nëse shënon fitore më vonë ndaj Egjiptit, në gjysmëfinale kualifikohet edhe Italia.
Manchester City është duke kërkuar të angazhojë mesfushorin në largim nga Liverpooli, Jermaine Pennant.
Guardian shkruan se Pennant është një prej përforcimeve të mundshme të Manchester Cityt, që do të mund t’i bëjë konkurrencë anësorit aktual Shaun Wright-Phillips. Lojtari sezonin e kaluar e kaloi si i huazuar te Portsmouth, ndërsa nga fundi i sezonit të ri do të jetë pa kontratë edhe me të kuqtë. Agjenti i lojtarit, Sky Andrew, ka refuzuar të komentojë lëvizjen e mundshme.
Kampioni i Spanjës dhe Evropës, Barcelona, raportohet se është duke përgatitur ofertë për portierin e Fiorentinës, Sebastien Frey. Me Victor Valdes i cili refuzon të pranojnë ofertën e fundit të Barcelonës, klubi spanjoll është duke kërkuar një zëvendësim të qëlluar për të. Burime nga Firenca thonë se Barcelona është duke u përgatitur të ofrojë 8 milionë funte për portierin e Fiorentinës, Sebastien Frey, si dhe mbrojtësin Rafael Marquez. Klubi spanjoll raportohet se është i interesuar edhe për portierin e Liverpoolit, Pepe Reina, për të cilin disa media shkruajnë se ka ofruar 17 milionë funte.
Sulmuesi brazilian, Julio Baptista, dëshiron të mbetet në Romë edhe krahas interesimit të Manchester Cityt.
27-vjeçari brazilian, i cili aktualisht është i aktivizuar në Kupën e Konfederatave me kombëtaren e Brazilit, u transferua te Roma verën e kaluar nga Real Madridi, dhe shënoi 9 gola në 27 ndeshje në sezonin e parë të tij në Serie A. Ish-lojtari i Arsenalit u spekulua se është pjesë e planeve të Manchester Cityt, por sulmuesi dëshiron të mbetet në radhët e Romës. “Nuk mendoj për largim nga Roma. Kam nënshkruar marrëveshje katërvjeçare me Romën dhe dua të mbetem dhe t’i ndihmoj ekipit që në sezonin e ardhshëm të sigurojë një plasim më të mirë. Qëllimi ynë është të rikthehemi në Ligën e Kampionëve”, ka shtuar braziliani.
Shtypi spanjoll beson se sulmuesi i Valencias, David Villa, ka vendosur të transferohet te Real Madridi.
Pas fitores së Spanjës kundër Irakut të mërkurën mbrëma, Villa u tha gazetarëve se ai ka marrë vendimin e tij për skuadrën të cilës do t’i bashkëngjitet. “Agjenti im e di vendimin që kam marrë dhe ai duhet të punojë në realizmin e tij”, ka deklaruar Villa duke mos cekur emrin e skuadrës tek e cila dëshiron të transferohet. Për sulmuesin spanjoll janë të interesuara shumë skuadra, ndër të cilat Barcelona, Real Madridi, Manchester Unitedi dhe Liverpooli, ndërsa shtypi spanjoll beson se emri i skuadrës të cilës ka vendosur t’i bashkëngjitet Villa është: Real Madrid.
Mediat angleze e kanë lidhur edhe një herë mesfushorin e Liverpoolit, Javier Mascherano, me një kalim në Barcelona.
Daily Mail shkruan se Mascherano mund të transferohet për në kampionatin spanjoll, pasi agjenti i lojtarit, Walter Tamer, dje kishte arritur Angli për bisedime. Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka deklaruar tashmë se Mascherano nuk është në shitje dhe se ai dëshiron të flasë me lojtarin dhe agjentin e tij. Por, nëse Barcelona dëshiron të marrë shërbimet e argjentinasit, duhet të përgatisë 45 milionë funte për të nxitur të kuqtë të mendojnë për shitje, ndërsa një opsion është që në ofertë të përfshihet ndonjë lojtar si Yaya Toure.
Tabloidi britanik "The Daily Mail" njofton se sulmuesi i Bracelonës, Samuel Eto’o, është pranë kalimit te Manchester City.
Burime të afërta me skuadrën katalunase kanë njoftuar se bisedimet po zhvillohen me sukses dhe është shumë pranë që të arrihet marrëveshja. Pasanikët nga Liga Premier pritet t’i paguajnë Barcelonës 30 milionë funte (35.2 milionë euro) për të siguruar shërbimet e sulmuesit kamerunas. Ndërsa spekulohet se paga e tij neto do të jetë marramendëse, afër 225.000 euro në javë (që do të thotë se City do të paguajë 376.500 euro në javë bashkë me taksat- më shumë se 19 milionë euro për sezon?!?).
Andrea Dossena ka njoftuar se ai nuk dëshiron të largohet nga skuadra e tij aktuale, Liverpool.
Mbrojtësi i krahut ka qenë i lidhur me një rikthim të mundshëm në Serie A, ndërsa Juventusi është skuadra më e përfolur si destinacioni i ardhshëm i tij. Mirëpo, 27-vjeçari, i cili sezonin e kaluar u transferua në Anfield nga Udinese për tetë milionë euro, ka shprehur dëshirën e tij për bartur fanellën e Redsave edhe në të ardhmen. “Asnjëherë nuk kam thënë se dëshiroj të largohem nga Liverpooli. Jam i lumtur te Liverpooli dhe dëshiroj të qëndroj këtu”, ka thënë italiani për “Sky Sports”.
Tabloidi britanik "The Sun" njofton se Manchester Unitedi është duke përcjellë sulmuesin e Arsenalit, Robin van Persie.
Kontrata aktuale e holandezit me Topçinjtë përfundon në qershorin ardhshëm, ndërsa Arsenali i ka ofruar kontratë të re katërvjeçare me pagë prej 80.000 funtesh në javë. Mirëpo, 25-vjeçari dëshiron të luajë për një skuadër të aftë për të fituar trofe dhe kampioni aktual i Ligës Premier është një skuadër e tillë. “Oferta është e mirë financiarisht, mirëpo ajo nuk është e tëra. Bëhet fjalë për ambiciet e mia dhe si mund të plotësohen ato”. “Në katër vitet e fundit kam fituar vetëm një trofe, Kupën FA, ndërsa unë dëshiroj më shumë”, është cituar Van Persie nga “The Sun”.
Të mërkurën është njoftuar se Barcelona planifikon transferimin e portierit të Liverpoolit, Pepe Reina, nëse dështon me vazhdimin e kontratës së Victor Valdes.
Sipas “El Mundo Deportivo”, Blaugranët mund të sigurojnë shërbimet e Reinas (i cili ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2014) nëse paguajnë afër 20 milionë euro. Spekulimet e fundit pohojnë se Barcelona tashmë i ka ofruar kontratë pesëvjeçare portierit të dikurshëm katalunas me vlerë prej pesë milionë eurosh për sezon.
Italia aktualisht është duke zhvilluara gara në dy kompeticione, Kupën e Konfederatave dhe Kampionatin Evropian U-21.
Portieri kryesor i Azzurëve, Gianluigi Buffon, është shprehur krenar që nëntë lojtarë të Juventusit përfaqësojnë Italinë në këto dy gara. “Së bashku me mua në Afrikën e Jugut janë Chiellini, Legrottaglie, Cannavaro, Camoranesi dhe Iaquinta”. “Në anën tjetër të botës, në turneun (evropian) U-21 janë De Ceglie, Marchisio dhe Giovinco”. “Jemi shumë nga ne që po luajmë dhe është kënaqësi kur shoh se të gjithë po participojnë në mënyrë të suksesshme. Kjo është një shenjë e cila tregon fuqinë e Juventusit, gjë që më jep shpresë për të ardhmen”, ka thënë Buffon në faqen e tij zyrtare.
Sipas informatave të reja nga Italia, duket se po i vjen fundi qëndrimit në Olimpico të mesfushorit të Romës, Simone Perrotta.
Agjenti i Perrotas, Giuseppe Bozzo, ka thënë për “Datasport” se klienti tij mund të largohet gjatë këtij afati kalimtar. “Dëshira e Simones është të qëndrojë te Roma, mirëpo tani për tani nuk mund të themi që largimi i tij nuk është i mundshëm”. “Do t’i shqyrtojmë të gjitha ofertat së bashku me klubin, dhe pastaj do të varet nga drejtuesit nëse do të pranojnë ndonjë ofertë ose jo”, është cituar të ketë thënë Bozzo.
Fabio Cannavaro, i cili është rikthyer te Juventusi, është shprehur pro-ardhjes së ish-bashkëlojtarit të tij Mahamadou Diarra te Zonja e Vjetër.
Bianconerët janë të interesuar për shërbimet e mesfushorit të Real Madridit, i cili me ardhjen e administratës së re nuk do të ketë vend te Mbretërit. “Ai është një mik i mirë. I ka gjërat e qarta dhe ideja për transferimin e tij nuk është aspak e keqe”, ka thënë mbrojtësi italian për “Corriere dello Sport”.
Mbrojtësi veteran i Romës, Christian Panucci, mund të largohet nga skuadra kryeqytetase me të cilën i kaloi tetë sezonet e fundit.
Skuadra e porsakthyer në Serie A, Parma, është e interesuar për shërbimet e 36-vjeçarit, të cilit i skadon kontrata me Romën në fund të këtij muaji. “Për momentin nuk ka asgjë zyrtare. Ne jemi duke i shqyrtuar disa gjëra. Kemi pasur takime dhe do të kemi sërish. Parma e ka bërë të ditur se Christian mund të jetë një lojtar i rëndësishëm në skuadër. Kështu që para se të përfundojë kjo javë do të marrim një vendim”, ka thënë agjenti i Panuccit, Oscar Damiani, për LaRoma24.it.
Sipas spekulimeve të fundit, sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, dëshiron të largohet nga zikaltrit për të kërkuar sfida të reja, ndërsa Real Madridi, Barcelona dhe së fundmi Chelsea, janë skuadrat që mund të paguajnë shërbimet e tij.
Megjithatë, ish-bashkëlojtari i Ibras, Luis Figo, beson që ish-sulmuesi i Juventusit do të mbetet në Giuseppe Meazza. “Tani për tani e shoh Ibran me fanellën e Interit. Megjithatë, asnjëherë nuk mund ta dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, pasi që gjithmonë është lojtari ai i cili vendos”, ka thënë Figo për “Radio Marca”.
Pas kompletimit të ekzaminimeve mjekësore është zyrtarizuar transferimi i Juinhos nga Lyoi te skuadra nga Katari, Al Gharafa.
Calciomercato.it njofton se braziliani ka nënshkruar kontratë dyvjeçare, me ç’rast ai do të luajë për Al Gharafan deri në fund të sezonit 2010/2011. Të mërkurën mbrëma, Juninho është prezantuar zyrtarisht si lojtar i Al Gharafas në një konferencë për shtyp, në prani të drejtuesve të klubit të ri. Ky transferim i shqetëson Interin dhe Genoan, të cilat skuadra ishin të interesuara për shërbimet e 34-vjeçarit, i cili te skuadra e re do ta bart numrin 5.
UEFA ka ndëshkuar dy lojtarët e Chelseat, Didier Drogba dhe Jose Bosingwa, si dhe vetë klubin blu, për incidentin në ndeshje gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës.
Drogba është ndëshkuar me gjashtë ndeshje moslojë në garat evropiane, nga të cilat dy me kusht, për shkak të fjalëve me arbitrin kryesor, Tom Henning Ovrebo, si dhe fjalëve ofenduese të drejtuese për UEFA-në përmes kamerave.Ndërsa Bosingwa është ndëshkuar me katër ndeshje moslojë, nga të cilat një me kusht, për shkak të deklaratave në media pas ndeshjes, duke e quajtur arbitrin ‘hajn’.Chelsea është dënuar edhe me 100 mijë euro për shkak të sjelljes së dhunshme të lojtarëve dhe hedhjes së gjësendeve në fushë nga ana e tifozëve.