Presidenti i Valencias, Manuel Llorente, ka konfirmuar se David Villa nuk është në shitje këtë verë dhe se Los Che do të bëjnë gjithçka për ta mbajtur atë në skuadër.
“Dëshiroj të konfirmoj vendimin që kemi marrë për të mos e shitur Villan”. “Ne e kemi marrë këtë vendim pas diskutimeve disaditëshe dhe duke shqyrtuar përparësitë dhe të metat e ofertave që na janë bërë”. “Villa është sulmuesi më i mirë në Evropë dhe ne kemi fatin që ai është te Valencia”. “Ne do të luftojmë që ta mbajmë atë në skuadër. Ai është lojtar shumë i rëndësishëm dhe Valencia ka nevojë për lojtarë të këtillë, të cilët tregojnë përkushtimin e tyre çdo ditë, ka thënë Llorente. Këto komente Llorente i ka bërë një ditë pasi presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, deklaroi se ishte vetëm çështje kohe kur Villa do ta vishte fanellën e Los Blancos, megjithatë presidenti i Valencias ka lënë një derë të hapur: “Nuk mund të them se nuk do ta shesim nëse vjen ndonjë ofertë shumë shumë e madhe, mirëpo dëshiroja t’u jap fund spekulimeve të dritanishme”, ka shtuar në mënyrë kontroverse presidenti Llorente.
Arsenali ka konfirmuar se ka nënshkruar me mbrojtësin e Ajaxit, Thomas Vermaelen.
Topçinjtë do të paguajnë 12 milionë euro për 23-vjeçarin, i cili ka bërë 143 paraqitje për skuadrën holandeze, kështu që konsiderohet lojtar me përvojë nga trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger. “Thomas është një transfer i shkëlqyer për klubin futbollisitk të Arsenalit dhe të gjithë jemi të ngazëllyer që ai do të na bashkëngjitet neve. Ai është një lojtar solid me një përvojë të mirë në Ligën e Kampionëve dhe Kupën UEFA dhe është po ashtu lojtar i rregullt i përfaqësueses së Belgjikës”, ka thënë Wenger.
Mesfushori i dikurshëm i Liverpoolit, Jan Molby, beson se shuma prej 80 milionë funtesh që do ta paguajë Real Madridi për transferimin e Cristiano Ronlados nuk do të mjaftonte për blerjen e simbolit të Redsave, Steven Gerrard.
“Është e pakuptimtë që të bësh një ofertë për Gerrardin, pasi që ka disa lojtarë të cilët asnjëherë nuk do të jenë në shitje, dhe ai bën pjesë në atë kategori. Ndërsa unë mendoj se Cristiano Ronaldo sërish do të jetë në shitje në të ardhmen”. “Të gjithë ne te Liverpooli e dimë vlerën që ka Gerrard për klubin dhe ai vlen shumë më shumë para se Ronaldo”, ka thënë Molby.
Real Madridi i ka thënë Arjen Robbenit që t’i shqyrtojë ofertat që vijnë në drejtim të tij, pasi që Los Blancos nuk do ta përfshijnë atë në projektin e tyre për sezonin ardhshëm.
Para ardhjes së tij në krye të Realit, presidenti Florentino Perez e kishte bërë të qartë se dëshiron ta largojë kontingjentin holandez nga Santiago Bernabeu, ndërsa drejtori gjeneral i Mbretërve, Jorge Valdano, me komentin e tij të fundit ia ka bërë të qartë Robbenit që të largohet nga Merengues. “Do të ishte më mirë, sikur Robben t’i shqyrtonte ofertat që vijnë për të”, është cituar Valdano nga “The Guardian”.
Mesfushori i Udineses, Gaetano D’Agostino, i cili është në shënjestër të Juventusit shpreson që të realizohet dëshira e tij për të kaluar te Zonja e Vjetër.
Skuadrat me fanellat bardhezi janë qe një kohë të gjatë në bisedime për D’Agostinon, ndërsa njëherë madje u njoftua se ishte arritur marrëveshja, megjithatë dy skuadrat ende nuk i kanë finalizuar bisedimet e tyre. “Nuk e di nëse java e ardhshme do të jetë vendimtare, po shpresoj të jetë, sepse unë i di qëllimet e Udineses”. “Presidenti Pozzo më ka trajtuar si djalin e tij, mirëpo ne kemi një projekt sipas të cilit unë duhet të vazhdoj në një skuadër më kualitative pas qëndrimit dyvjeçar te Udinese”. “Është koha që unë ta bëj hapin dhe t’i bashkohem Juves. Ndërsa këtë e dinë edhe klubi edhe presidenti dhe ata pajtohen me dëshirën time”, ka thënë D’Agostino për “Radio Kiss Kiss”.
Bologna ka dhënë deklaratë zyrtare duke njoftuar se sulmuesi Marco Di Vaio e ka vazhduar kontratën.
Sulmuesi, i cili është pronë e Genoas, ka qenë i huazuar te Bologna në sezonin e kaluar gjatë të cilit arriti të shënojë 24 gola, me ç’rast drejtuesit e skuadrës vendosën që ta shpërblejnë duke ia zgjatur qëndrimin edhe dy vite të tjera. “Bologna FC 1909 dëshiron të njoftojë se kemi arritur marrëveshje me Marco Di Vaion për qëndrimin e lojtarit në skuadër”, shkruan në deklaratën zyrtare të klubit.
Sipas tabloidit britanik "The Sun", Manchester Unitedi është pajtuar të paguajë 26 milionë funte për ta mbajtur sulmuesin Carlos Tevez në Old Trafford.
Kontrata e qëndrimit të Tevez te United në formë huazimi, skadon në fund të këtij muaji, kështu që Djajtë e Kuq ose duhet të paguajnë shumën e kërkuar nga pronarët e argjentinasit, ose Tevez do të largohet nga kampioni anglez. Deri më tani Manchesteri ka refuzuar ta paguajë shumën e kërkuar nga pronarët e Tevez, ndërsa interesim për 25-vjeçarin kanë shprehur shumë skuadra evropiane, si edhe ato nga Liga Premier, Chelsea, Manchester City dhe Liverpooli. Sido që të jetë, duket që më në fund United është pajtuar ta paguajë shifrën e kërkuar për Tevez, ndërsa mbetet që të arrihet marrëveshja në lidhje me pagën e lojtarit.
Presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, ka pranuar se skuadra e tij është e interesuar për shërbimet e sulmuesit të Villarrealit, Giuseppe Rossi, mirëpo thotë se transferimi i tij varet nga çmimi që kërkon Villarreali, si edhe nga e ardhmja e David Trezeguet.
“Në fillim Rossi nuk ka qenë në planet tona, mirëpo tani duhet të shohim se çfarë do të ndodhë me David Trezeguet. Nisa ai (Trezeguet) dëshiron të largohet, atëherë ne duhet të gjejmë një skuadër e cila është në gjendje ta paguajë rogën e tij”, ka thënë Gigli për “Tuttosport”. Ndërkohë, presidenti i Zonjës së Vjetër ka folur edhe për Del Pieron, pasi që së fundmi është spekuluar se nuk ka negociata për vazhdimin e kontratës së tij, e cila përfundon në qershorin e ardhshëm. “Nuk ka asnjë problem për Del Pieron ai është flamuri ynë dhe në do të gjejmë një mënyrë për vazhdimin e kontratës”, ka shtuar presidenti.
Legjenda e Chelseat, Gianfranco Zola, i cili tash drejton West Ham United, besoj se trajneri i ri i bluve, Carlo Ancelotti, do të arrijë të fitojë titullin e Premier League-s.
“Për Carlon kjo është një mundësi për të filluar këtu. Ai do të ketë një motivim të madh dhe me aftësitë e tij dhe me kapacitetin që ka Chelsea, ai do të mund të arrijë rezultate shumë të mira”, ka thënë Zola për La Gazzetta dello Sport. “Ai mund ta thyejë dominimin e Mancehster United dhe ta bëjë Ligën Premier më interesante”, ka shtuar italiani.
Louis Saha thotë se nuk dëshiron të largohet nga Evertoni pavarësisht interesimit nga klubi turk Besiktas.
30-vjeçari ka lëshuar një pjesë të madhe të sezonit të kaluar për shkak të lëndimit, por për aq sa luajti tregoi se ende mund të jetë i rrezikshëm për golin kundërshtar. “Nuk jam në kontakt me askënd. Dua të jem në shërbim të Evertonit dhe David Moyes i cili më dha shans. Derisa ata nuk vendosin të më shesin, nuk mund ta shoh veten duke u larguar nga Evertoni”, ka thënë Louis Saha.
Xabi Alonso, Alvaro Arbeloa dhe Javier Mascherano duhet të qëndrojnë në Liverpool, thotë anësori Albert Riera.
“Është jetësore t’i mbajmë të gjithë lojtarët pasi mund të shihni se këtë vit secili lojtar ishte vërtet i rëndësishëm. Alonso, Arbeloa dhe Mascherano na kanë dhënë shumë kualitet, andaj duhet t’i mbajmë”, ka thënë Riera. “Por jo vetëm ata, të gjithë lojtarët. Nëse dëshironi të fiton ligën, ky është hapi i parë që duhet të bëni”, ka shtuar spanjolli.
Trajneri i Dynamo Kiev, Valery Gazzaev, dëshiron të transferojë sulmuesin e Chelseat, Andriy Shevchenko.
Së fundi u spekulua se 32-vjeçari ishte i hapur për rikthim te klubi i tij i parë, ku fitoi pesë tituj të ligës së Ukrainës në mesin e viteve 1994 dhe 1999, por kërkesat e tij mund të jenë pengesë. “Në jetë asgjë nuk është e pamundshme. Andriy është një futbollist i shkëlqyeshëm dhe një person i mrekullueshëm. Do të isha shumë me fat nëse do ta kem atë në sulm. Ai i takon Chelseat, por unë jam gjithmonë i gatshëm të punoj me të”, ka thënë Gazzaev. Interesim për shërbimet e Shevchkos ka shprehur edhe Roma, që e sheh ukrainasin si një zëvendësim të vlefshëm për Mirko Vucinic, i cili mund të largohet në drejtim të Manchester United.
Manchester City është afër nënshkrimit të marrëveshjes me Blackburn Rovers për të marrë shërbimet e sulmuesit Roque Santa Cruz.
Daily Mail shkruan se City ka arritur marrëveshje të vlefshme 18 milionë funte me Blackburnin për të nënshkruar me Roque Santa Cruz, derisa kërkon të ndërtojë një skuadër që do të futet në top katërshin e Premier League. Menaxheri Mark Hughes do të bashkohet përfundimisht me sulmuesin të cilin kishte dashur ta marrë me veti që verën e kaluar, kur u largua nga Rovers në drejtim të Cityt. Santa Cruz do të kushtojë 15 milionë funte, ndërsa pjesa tjetër do të jepet në varësi të paraqitjeve të lojtarit dhe suksesit të ekipit.
Trajneri i kombëtares italiane, Marcello Lippi, ka thënë se ekipi i tij nuk meritoi të humbë në ndeshjen e mbrëmshme të Kupës së Konfederatave, përballë Egjiptit.
“Mendoj se merituam së paku një gol. Mendoj se Egjipti ka luajtur dy ndeshje të shkëlqyeshme këtu. Jemi në një grup të vështirë. Portieri i tyre pati një ndeshje fantastike dhe gjërat nuk shkuan mirë për ne”, ka thënë Lippi. Lippi thotë se ekipi i tij tash duhet të mposhtë Brazilin në ndeshjen e fundit të grupit B, nëse dëshiron të kualifikohet për në gjysmëfinale. “Thjesht duhet të fitojmë. Do të përpiqemi të kemi iniciativën”, ka shtuar më tej italiani.
Formula 1 është zhytur në krizën më të madhe në 60 vite me tetë nga 10 ekipet që kanë zbuluar planet e krijimit të një kampionati të ri.
Asociacioni i skuadrave FOTA ka thënë se BMW-Sauber, Brawn, Ferrari, McLaren, Red Bull, Renault, Toro Rosso dhe Toyota ishin të bashkuara në vendimin i cili do ta ndante sportin më dysh nëse FIA nuk pranon kushtet e tyre. “Ekipet nuk mund të vazhdojnë të komprometojnë vlerat fundamentale të sportit dhe kanë vendosur të ndryshojnë kushtet për kampionatin botëror 2010. Ekipet nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër përveçse të fillojnë përgatitjet për një kampionat të ri, që do të nxjerrë në pah vlerat e pjesëmarrësve dhe partnerëve”, thuhet në deklaratë. Të gjitha ekipet tjera, me përjashtim të Williams dhe Force India, kanë paraqitur kushtet për rregullat e sezonit 2010, dhe me mosarritjen e marrëveshjes me FIA, krijimi i një kampionati të ri është i pashmangshëm. FOTA thotë se seria e re e garave do të inkurajojë më shumë anëtarë, do të dëgjojë dëshirat e fansave dhe do të ketë një qeverisje më transparente. Asociacioni i skuadrave po ashtu ka premtuar ‘uljen e çmimeve për spektatorët, partnerët dhe aksionarët tjerë të rëndësishëm’.
Fernando Torres ka përjashtuar një mundësi të largimit nga Liverpool për t’u transferuar te Manchester United ose Real Madrid.
“Triumfi në Kampionatin Evropian me Spanjën më dha shijen e asaj se si është të fitosh në nivel të lartë dhe kur e provoni njëherë shijen e suksesit, kjo bëhet varësi”, ka thënë Torres. “Shumë lojtarë i kanë dhënë besimin Liverpoolit këtë verë, duke nënshkruar kontrata të reja dhe ata nuk e bëjnë këtë nëse nuk mendojnë se do të realizojnë ambiciet e tyre. Unë vërtet besoj se do ta fitoj Ligën Premier dhe Kupën Evropiane këtu. Tradita e fitores është e dukshme në Liveprool. Dua të jem pjesë e kësaj historie”. “Madridi duket se po harxhon shumë para dhe jam i sigurt se edhe Sir Alex Ferguson do të kërkojë një emër të madh për të zëvendësuar Ronaldon, por jam i ngazëllyer nga ajo çfarë menaxheri po bën këtu. Ishim shumë afër sezonin e fundit dhe, me përvojën e tashme, besoj se mund të jemi kampionë sezonin e ardhshëm”, ka shtuar spanjolli.
Mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë, Kolo Toure, është i vendosur të largohet nga Arsenali.
Daily Mail shkruan se Toure dëshiron patjetër të largohet nga Arsenali, pasi nuk arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me bashkëlojarin William Gallas, ndërsa edhe për faktin se klubi ka një buxhet të kufizuar për transferime. Toure kishte kërkuar të largohet edhe në muajin janar, pas zënkës me partnerin e mbrojtjes, Gallas, por Wenger arriti ta mbajë në ekip. Manchester City raportohet se mund të përpiqet të marrë shërbimet e tij duke ofruar 10 milionë euro.
Mesfushori argjentinas Cristian Ledesma, është edhe një emër i cili dëshiron të largohet nga Lazio.
Agjenti i lojtarit, Vincenzo D'Ippolito, ka thënë se arsyeja e largimit të Ledesmas është personale. “Ledesma ka kërkuar të largohet nga Lazio për arsye personale. Presidenti e ka pranuar këtë. Nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga Interi, siç është thënë. Ai është profesional dhe serioz”, ka thënë agjenti. “Spanja apo Italia? Është 50:50 dhe pres diçka të ndodhë pas 1 korrikut, kur tregu i transferove do të bëhet më serioz”, ka shtuar ai. Në fillim të muajit Lazion e lëshoi edhe trajneri Delio Rossi, ndërsa dëshirën për largim e ka shprehur edhe sulmuesi kryesor, Goran Pandev.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka deklaruar se është vetëm çështje kohe kur David Villa do të nënshkruajë me Los Merengues.
Sulmuesi i Valencias është njëri nga lojtarët më të kërkuar në merkaton e këtij afati kalimtar, ndërsa për shërbimet e tij janë të interesuar gjigantët e futbollit evropian, Real Madrid, Barcelona, Liverpool dhe Manchester United. “Ai është një lojtar i shkëlqyer të cilin doemos duhet ta përfshijmë në projektin tonë. (Presidenti i Valencias) Manuel Lorente duhet ta bëjë atë që duhet ta bëjë dhe unë duhet ta kryej punën time. Transferimi është vetëm çështje kohe”. “Gjithçka është arritur në një mënyrë miqësore dhe bashkëpunuese, dhe ne kemi marrëdhënie të mira me Valencian...”, është cituar Perez nga “Marca”.