Agjenti i Michael Essien ka tronditur menaxherin e ri të Chelseat, Carlo Ancelottin, duke thënë se mesfushori ganez mund të largohet nga Londra këtë verë.
Fabien Piveteau thotë se klienti i tij është i lumtur në Stamford Bridge, por shton se ndonjë ofertë nga klubet tjera evropiane mund ta nxisë 26-vjeçarin të largohet nga ishulli.“Disa klube janë të interesuara për Michael. Ai e pëlqen Chelsean shumë, por futbolli është futboll dhe nëse Real Madrid, Barcelona ose ndonjë klub tjetër bën ofertë, ai do të ulet dhe do të diskutojë se çfarë është mirë për të”, ka thënë Piveteau.
Zurich ka shtuar interesimin për Lionel Messin shqiptar, Jahmir Hykën, i cili sapo është ngjitur në Bundesliga 1 me ekipin gjerman Mainz.
Lajmin e ka bërë të ditur gazeta gjermane “Allgemaine Zeitung”, sipas së cilës, kampionët e Zvicrës kërkojnë shërbimin e mesfushorit të kombëtares shqiptare. Ekipi gjerman e ka përjashtuar opsionin e shitjes së Hykës, por është i gatshëm ta japë atë në formë huazimi.Hyka kaloi në Mainz verën e kaluar nga Tirana, por nuk arriti të gjejë vend në 11-shen e parë të ekipit. Kontrata e tij me ekipin gjerman skadon në vitin 2011.
Klubi holandez Ajax është afër për të angazhuar në radhët e veta anësorin e Real Madridit, Royston Drenthe.
Drenthe duket se nuk është pjesë e planeve të Real Madridit, pas ndryshimeve të bëra së fundi, dhe mund të jetë në rrugë për t’u rikthyer në Holandë.Ajaxi, që udhëhiqet nga trajneri Martin Jol, është në bisedime për të marrë Drenthen si huazim njëvjeçar, me mundësi të shndërrimit të marrëveshjes në të përhershme në sezonin e ardhshëm.
Silvio Berlusconi thotë se sulmuesi brazilian Alexandre Pato do të mbetet në Milan, dhe se në të sheh zëvendësimin e Kaka.
Pato së bashku me Andrea Pirlon vazhdimisht lidhen me një transferim në Chelsea, por presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, beson se që të dy do të mbeten në San Siro.“Do të shohim çfarë do të ndodhë me Pirlon, shpresoj se ai do të qëndrojë, por duhet ta përcjellim situatën. Pato do të ketë një karrierë të pabesueshme dhe mendoj se ai do të mund ta zëvendësojë Kakan”, ka thënë Berlusconi.“Nuk ka kurrfarë problemi me Ambrosinin, ai dëshiron të vazhdojë marrëveshjen edhe për një sezon. Edhe Ronaldinho do të jetë i mirë këtë vit”, ka shtuar presidenti.
Ngasësi i Red Bull, Sebastian Vettel, ka dalë të jetë fituesi i garës së radhës në Formula 1 për Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe.
Për gjermanin triumfi në Silverstone ishte i treti në karrierën e tij dhe i dyti i këtij sezoni. I dyti garën e ka përfunduar ngasësi tjetër i Red Bull, Mark Webber, ndërsa i treti në cak arriti Rubens Barrichello nga Brawn GP.Lideri i klasifikimit të ngasësve, Jenson Button, përfundoi garën i gjashti. Anglezi, i cili garon për Brawn GP, kryeson me 64 pikë, duke lënë prapa shokun e skuadrës, Barrichello, i cili mbledh 41 pikë. Fituesi i garës së sotme, Sebastian Vetten, tash mbledh 39 pikë në pozitën e tretë.
Menaxheri i Manchester City, Mark Hughes, pritet ta emërojë përforcimin e ri Gareth Barry si kapiten të ekipit.
News of World shkruan se Berry, i cili i kushtoi Cityt 12 milionë funte, është përzgjedhur si lojtari i cili do të drejtojë ekipin në fushë në sezonin e ardhshëm.Kapiteni aktual Richard Dunne pritet të largohet nga ekipi për një shumë prej 5 milionë funtesh, derisa për të janë të interesuar Sunderlandi dhe Tottenhami.“Gareth është i njohur si një prej mesfushorëve më të mirë në vend, por ai po ashtu është edhe një lider dhe kapiten. Të kesh një lojtar si ai, i cili kupton kur është momenti i ndryshimeve në lojë dhe ka aftësinë të dirigjojë, është një gjë shumë e rëndësishme”, ka thënë Hughes.
Nënshkrimi i ri i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se ish-bashkë-lojtari i tij te Manchester United, Wayne Rooney, mund të bëhet lojtari më i mirë në botë.
“Pa dyshim, ai mund të bëhet lojtari më i mirë në botë. Ka shumë lojtarë të cilët të ngazëllejnë duke i shikuar, por sa të tillë e bëjnë atë si ai?”, ka thënë Ronaldo.“Ne kishim një raport të shkëlqyeshëm dhe ai është një lloj lojtari me të cilin dëshironi të luani. Në stërvitje, ai mund ta godasë topin nga afro 30 metra dhe t’i afrohet kokës tuaj për 2 centimetra”.“Mund të mos tingëllojë gjë e madhe, por kjo është saktësia e tij gjithë kohën. Ai do të jetë një prej më të mirëve në botë për shumë vite. Talenti i tij natyral e ndihmon, por këtë e bën edhe vendosmëria a tij”, ka shtuar portugezi.
Kampioni i Spanjës dhe Evropës, Barcelona, e ka marrë me seriozitet angazhimin e anësorit të Aston Villa, Ashley Young.
Barcelona raportohet se mund të provojë fatin për të bindur Martin O’Neill të lejojë Young të largohet nga klubi. Young, i cili u zgjodh Futbollistë i Ri i Vitit në Premier League, mund të përshtatej në mënyrë të përkryer me ekipin e ri të Barcelonës.O’Neill kategorikisht mohon largimin e Young, por ndonjë ofertë e bujshme nga gjiganti spanjoll mund të ndryshojë mendjen e trajnerit. Barcelona mendon të përfshijë në ofertë edhe mesfushorin Aleksandr Hleb, për të cilin trajneri i Villas tashmë ka shprehur interesim.“Young ka qenë impresiv vitin e kaluar. Ai përfundoi sezonin në formë të shkëlqyeshme dhe është në lojtar të cilin Guardiola e dëshiron. Ende nuk ka pasur kontakte, por klubi po i bën planet për momentin”, ka thënë burimi spanjoll për Daily Star.
Portieri i Manchester Cityt, Joe Hart, sezonin e ardhshëm do të luajë si i huazuar te ekipi i rikthyer në Ligën Premier, Birmingham City.
Arritja e Shay Given në City e lënë jashtë fushe portierin Hart, i cili ishte në kërkim të një klubi ku do të ishte pjesë e ekipit të parë."News of the World" shkruan se Hart ka arritur marrëveshje njëvjeçare huazimi me Birminghamin, në kërkim të ëndrrës së tij për të qenë pjesë e ekipit të Fabio Capellos në Kupën Botërore, Afrika e Jugut 2010.Portieri i Manchester City tashmë është pjesë e kombëtares U-21 të Anglisë, që besohet se mund ta fitojë Kampionatin Evropian që zhvillohet në Suedi.
Ish-trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, ka refuzuar ofertën e Zenit St Petersburgut për postin e trajnerit.
Të shtunën u spekulua se Ranieri është shumë pranë marrjes së timonit të skuadrës ruse, mirëpo tani njoftohet se italiani ka refuzuar marrëveshjen, sipas të cilës Zeniti do t’i paguante 2.5 milionë euro për sezon. Ky refuzim nuk i konvenon Juventusit, pasi që bardhezinjtë duhet të vazhdojnë t’i japin pagë Ranierit derisa të gjejë një skuadër tjetër.
Presidenti i Olimpique Marseille, Jean-Claude Dassier, thotë se klubi francez do të përpiqet ta rikthejë në radhët e veta sulmuesin e Chelseat, Didier Drogba.
Jean-Claude Dassier pritet nesër të emërohet president i ri i Marseillet, ndërsa në intervistën e parë të dhënë ai paralajmëroi se do të përpiqet të bëjë gjithçka në mundësitë e tij, ta sjellë në ekip ish-sulmuesin e klubit, Drogba.Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë kurrë nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer te ish-klubi i tij, ku kaloi një pjesë të shkëlqyeshme të karrierës.“Të gjithë dëshirojnë që Drogba të rikthehet në Marseille. Ne do të përpiqemi ta bëjmë këtë”, ka thënë Dasie.
Sulmuesi argjentinas Julio Cruz do të largohet nga Interi gjatë këtij afati kalimtar, ndërsa karrierën mund ta vazhdojë te Fiorentina.
Kontrata e Cruzit me Interin përfundon këtë muaj, ndërsa zikaltrit nuk i kanë ofruar kontratë të re sulmuesit 34-vjeçar. Ndërkohë gazeta me bazë në Firence “La Nazione” shkruan se Fiorentina është njëra nga skuadrat në të cilën mund të transferohet sulmuesi.
Wladimir Klitschko ka dëshmuar edhe njëherë dominimin e tij në sektorin e peshave të rënda të boksit duke e mundur të shtunën mbrëma boksierin Ruslan Chagaev para 61.000 spektatorëve në ringun e inskenuar në stadiumin Gelsenkirchen në Gjermani.
Kampioni i IBF-së dhe WBO-së ka shtuar edhe rripin Ring Magazine duke e rrëzuar uzbekistanezin që në raundin e dytë, ndërsa në raundin e tetë ia shkaktoi një plagë të hapur në syrin e majtë. Kështu, gjyqtari Eddie Cotton ndërpreu meçin në raundin e nëntë duke e shpallur ukrainasin Klitschko fitues me ‘nokaut teknik’.
Sipas një botimi në numrin e sotëm të gazetës "News of the World", Chelsea po përgatit një ofertë prej 50 milionë funtesh për sulmuesin e Liverpoolit, Fernando Torres.
Njoftohet se trajneri i Bluve, Carlo Ancelotti, e konsideron transferimin spanjollit si prioritet kryesor gjatë këtij afati kalimtar, dhe mendon se Roman Abramovich mund ta transferojë atë, duke llogaritur humbjet financiare (afër 46.6 milionë funte) që kanë pësuar pronarët e Liverpoolit, Tom Hicks dhe George Gillett. Prandaj për arsye financiare shuma të cilën është e gatshme ta paguajë Chelsea do t’i largonte problemet aktuale të pronarëve amerikanë.
Edhe pse ka qenë njëri nga lojtarët e rëndësishëm të Barcelonës, sidomos në sezonin e fundit, megjithatë marrëdhëniet e Samuel Eto’o- dhe Blaugranëve nuk janë të mira.
Gjatë këtij afati kalimtar po spekulohet se kamerunasi do të largohet nga Camp Nou, ndërsa trajneri Pep Guardiola është i vendosur që sulmuesi të mos jetë pjesë e skuadrës në sezonin e ardhshëm. Problemi qëndron te disiplina e lojtarit, me të cilin Guardiola ka pasur probleme gjatë sezonin që shkoi, megjithatë ai ia dha mundësinë lojtarit që të përmirësohej. Mirëpo, Eto’o ka vazhduar me mënyrat e tij të sjelljes dhe pakënaqësitë për vendimet e trajnerit, kështu që sipas të gjitha gjasave në sezonin ardhshëm ai nuk do të luajë më për Barcelonën.
Sipas, Sportmediaset.it, Real Madridi po mundohet ta transferojë mbrojtësin e Interit, Maicon, për realizimin e projektit për përforcimin e të gjitha departamenteve të skuadrës mbretërore.
Kohë më parë është spekuluar që Los Blancos janë të interesuar për sulmuesin zikaltër, Zlatan Ibrahimovic, por edhe pse kjo është e vërtetë, Florentino Perez nuk dëshiron të shpenzojë një tjetër shumë të madhe parash (afër 70 milionë euro) për sjellë Ibracadabran në Bernabeu. Për këtë arsye Reali do t’i përqendrojë të gjitha forcat për transferimin e mbrojtësit brazilian për të cilin do të ofrojë 25 milionë euro, edhe pse çmimi fillestar që ia kanë vënë Nerazzurët është 40 milionë euro.
Në një intervistë për "News Of The World", superylli portugez Cristiano Ronaldo ka treguar arsyet pse po largohet nga Manchester United duke thënë se ai e ka menduar këtë transferim qe një kohë të gjatë.
“Pasi e fituam Ligën e Kampionëve, fillova të mendoj se nuk më ka mbetur asgjë tjetër për të arritur me Manchesterin”. “E kuptova se kur arrin gjithçka, është koha për të kërkuar një sfidë të re. Unë qëndrova edhe një vit dhe u kënaqa, mirëpo ëndrra ime ishte të luaj për Real Madridin”. “Nuk jam transferuar për para. Ajo që unë dëshiroj është të jem lojtari më i mirë në botë, dhe për ta bërë këtë më duhet shumë punë, por ky është qëllimi im. Prandaj është shumë e qartë: nëse bëhesh lojtari më i mirë i Real Madridit, atëherë do të jesh lojtari më i mirë në histori”, ka shpjeguar Ronaldo.
Spanja ka shënuar fitore me rezultat prej 2-0 kundër Afrikës së Jugut, në kuadër të Grupit A të Kupës së Konfederatave.
Me këtë fitore Spanja ka thyer edhe një rekord duke shënuar fitoren e pesëmbëdhjetë radhazi dhe kështu qëndron para Brazilit, Francës dhe Australisë që kanë arritur të shënojnë nga katërmbëdhjetë fitore radhazi . Dy golat e Spanjës u shënuan në pjesën e dytë ndërsa golashënuesë ishin David Villa (52’) dhe Fernando Llorente (72’). Përkundër humbjes së pësuar, nikoqiri i Kupës së Konfederatave, Afrika e Jugut është kualifikuar në gjysmëfinale, pasi që në ndeshjen tjetër të Grupit A, Iraku dhe Zelanda e Re kanë barazuar pa gola.