Liverpooli ka lëshuar një deklaratë për të konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Portsmouthin për mbrojtësin e krahut të djathtë, Glen Johnson.Johnson ka qenë edhe në shënjestër të Chelseat, mirëpo “Sky Sports News” njofton se mbrojtësi ka vendosur t’u bashkëngjitet Redsave për vlerën prej 17.5 milionë funte. “Liverpool FC ka konfirmon arritjen e marrëveshjes me Portsmouth Football Club dhe Glen Johnson për transferimin e lojtarit në Anfield”, shkruan në faqen zyrtare të klubit.
Trajneri i kombëtares së Spanjës, Vicente del Bosque, nuk mendon se rekordi i Raul si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për kombëtaren spanjolle do të zgjasë edhe shumë.Spanja tashmë ka vendosur një rekord të ri duke u bërë kombëtarja e parë që ka shënuar 15 fitore radhazi, derisa ka barazuar rekordin e Brazilit prej 35 ndeshjesh pa humbje. Del Bosque mendon se kjo kombëtare që ai drejton do të thyejë edhe shumë rekorde, mes të cilave shpreson se David Villa do të tejkalojë numrin e golave që ka shënuar Raul. Kapiteni i Real Madridit ka shënuar më së shumti, 44 gola, për Spanjën, ndërsa Villa është ende larg, në pozitën e 13-të me po aq gola, 13. “Besoj se Villa do të shënojë më shumë gola se Raul me kombëtaren. Por edhe rekorde të tjera po ashtu do të vijnë. Raul, si një shembull tjetër, ka bërë 102 paraqitje për kombëtaren dhe kohë më parë edhe thyerja e këtij rekordi ishte e pamendueshme”, ka thënë Del Bosque.
Shpresat e Milanit për ta transferuar sulmuesin e Wolfsburgut, Edin Dzeko, janë zbehur pasi që trajneri Armin Veh ka thënë se dëshiron ta mbajë në skuadër boshnjakun.Rossonerët kanë shpresuar ta transferojnë Dzekon, përkundër deklaratave kundërthënëse ndërmjet agjenti të lojtarit dhe Wolfsburgut, mirëpo duket se më në fund skuadra gjermane ka vendosur ta mbajë sulmuesin edhe në sezonin e ardhshëm. “Nuk do ta shesim Dzekon. Ende nuk jam i gatshëm të flas për transferimin e tij”, ka thënë Veh për “Sky Sport Italia”.
Sipas agjentit të Zlatan Ibrahimovic, Interi është duke e detyruar sulmuesin suedez që të largohet nga Giuseppe Meazza.Të dielën, presidenti i Interit, Massimo Moratti, tha se shanset janë gjysmë për gjysmë për qëndrimin apo largimin e Ibrahimovicit dhe Maiconit, ndërsa mediat kanë spekuluar se drejtori teknik, Marco Branca, ka udhëtuar në Spanjë për të filluar bisedimet me Real Madridin. “Nuk është e vërtetë që Ibrahimovici ka shprehur dëshirën për t’u larguar. Ai ka thënë se nuk do të qëndrojë gjithmonë tek Interi, por jo që dëshiron të shkojë”. “Nëse ai vendos të largohet nga Interi, ai do të kishte diskutuar për këtë gjë me presidentin Moratti”. “Nuk mendoj se Branca ka shkuar në Madrid për Zlatanin. Nëse ka shkuar, do të thotë se unë nuk di asgjë për këtë punë. Ndoshta ka shkuar për Maiconin, por kjo nuk më takon mua. Asnjëherë nuk kam parë një drejtor të shkojë në një vend për ta shitur një lojtar. Thjeshtë, nuk e besoj”. “Reali duhet të vijë këtu... Nëse Branca ka shkuar në Madrid për ta shitur dikë, ai duhet të shkarkohet nga puna, sepse kjo do të thotë se ai nuk është i aftë për këtë punë”. “Nëse Interi dëshiron ta shesë Ibran, unë do kujdesem për këtë punë. Gjithçka varet nga Interi, mua më nevojitet vetëm një telefonatë”, ka thënë agjenti i Ibras, Mino Raiola.
Gabriel Heinze ka pranuar se mund të kthehet në Ligën Premier gjatë këtij afati kalimtar, nëse Real Madridi i thotë se ai nuk bën pjesë në planet e skuadrës.Mbrojtësi argjentinas kërkohet nga Tottenham Hotspur dhe nga disa skuadra tjera nga Liga Premier, ndërkohë që edhe Paris Saint-Germain ka shprehur interesim për të. Megjithatë, ai më shumë do t preferonte Ligën Premier sesa Ligën e Parë franceze. “Nuk do të më pengonte të luaja sërish në Ligën Premier. Jam në dijeni për interesimin e disa skuadrave, mirëpo njëherë duhet të flas me Real Madridin”, ka thënë ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit për “Telam”.
"AS" njofton se sulmuesi i Romës, Julio Baptista, mund të kalojë te Atletico Madridi këtë verë.Skuadra nga kryeqyteti spanjoll dëshiron ta transferojë brazilianin, i cili nuk kaloi formë të mirë te Giallorossër gjatë sezonit që shkoi. Mësohet se Roma kërkon 12 milionë euro për të lejuar largimin e Baptistas, ndërsa Atletico është zotuar ta blejë lojtarin, të cilit do t’i bëjë ofertë prej dy milionë eurosh për sezon.
Bayern Munichu ka kompletuar transferimin e mesfushorit kroat Danijel Pranjic nga Heerenveen, dhe kjo është konfirmuar nga faqet zyrtare të të dyja skuadrave.27-vjeçari kishte arritur marrëveshje me bavarezët tri javë më parë, mirëpo Bayerni refuzoi të paguante vlerën e caktuar nga skuadra holandeze për lojtarin, dhe tani njoftohet se gjiganti gjerman do të paguajë shtatë milionë euro për shërbimet e kroatit. Pranjic ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin e ri dhe njëherit ka thënë që është shumë i lumtur për realizmin e ëndrrës së tij. “Ky është realizmi i ëndrrës time. Bayern Munichu është njëra nga skuadrat më të mira në Evropë dhe është në nivel të njëjtë me Barcelonën, Real Madridin dhe Liverpoolin”, është shprehur Pranjic.
Trajneri i Italisë, Marcello Lippi, është shprehur mjaft i pakënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në Kupën e Konfederatave, e cila me humbjen e të dielës mbrëma nga Brazili, u eliminua nga konkurrimi i mëtutjeshëm në këtë garë.“Kjo është periudha më e keqe që e kemi pasur që nga momenti kur kam marrë drejtimin e përfaqësues” “Asnjëherë nuk kam thënë se ky grup lojtarësh do të luajnë edhe në Kampionatin Botëror. Do të ketë rregullime”. “Projekti i rinovimit të përfaqësueses është duke u zhvilluar dhe ky është vetëm një moment i rindërtimit tonë”. “Duhet të vazhdojmë të bëjmë analiza dhe të furnizohemi me lojtarë tjerë. Motivi dhe vullneti ekzistojnë, mirëpo mungon diçka tjetër”, ka thënë Lippi për “Sky Sport Italia”.
Të hënën në Nion të Zvicrës është hedhur shorti për fazën e pare eliminatore të “Uefa Champions League”, me ç’rast Kampioni i Shqipërisë, Tirana do të përballet me kampionin norvegjez Stabaek IF.Ndryshe nga pjesëmarrjet e tjera në Ligën e Kampionëve, këtë herë kërkohet më shumë nga bardheblutë nisur edhe nga prononcimet e donatorit Refik Halili, i cili nuk ka kërkuar thjeshtë kalimin e një faze, por një paraqitje më dinjitoze se herët e tjera. Megjithëse shorti nuk është treguar shumë bujar me Tiranën, ekzistojnë mundësitë për të kaluar fazën e parë të eliminatoreve, mirëpo duhen parë dhe lojtarët që mund të afrohen deri në përballjen e parë. Ndeshjet e para te vlefshme për Ligën e Kampionëve do të luhen me 14 dhe 15 korrik ndërsa ato të kthimit me 21 dhe 22 korrik dhe bardheblutë do të presin në Tiranë vikingët e Stabaek IF.
Klubi turk Besiktas është duke kërkuar sulmuesin e Barcelonës, islandezin Eidur Gudjohnsen.Sulmuesi nuk gjeti hapësirë të mjaftueshme në sezonin e fundit te Barcelona, pavarësisht se arriti te të tre trofetë e vitit me klubin spanjoll, dhe pritet të largohet nga Nou Camp gjatë kësaj vere. Besiktas raportohet se është i interesuar për shërbimet e Gudjohnsen, ndërsa interesim ka shprehur edhe për sulmuesin e Evertonit, Louis Saha, si dhe atë të Newcastle United, Obafemi Martins.
Trajneri i ri i Galatasarayt, Frank Rijkaard, raportohet se dëshiron të sjellë në ekipin e tij të ri dy holandezë që tash luajnë në Spanjë.Ish-trajneri i Barcelonës dëshiron të marrë shërbimet e sulmuesit të Real Madridit Klaas-Jan Huntelaar. 26-vjeçari u transferua në Real gjatë afatit kalimtar dimëror, dhe dështoi të shkëlqejë në Santiago Bernabeu nën drejtimin e Juande Ramos ndërsa duket se nuk është pjesë as e trajnerit të ri Manuel Pellegrini. Rijkaard thuhet se është i interesuar edhe për një holandez tjetër, sërish nga Madridi, por kësaj here nga Atletico dhe nga reparti i mbrojtjes, Johnny Heitinga.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, ka kritikuar harxhimet e mëdha që bën Reali të tregun e transferimeve.“Ka disa shifra në futboll të cilat janë marrëzi të pastra, shifra të cilat nuk lidhen me ekonominë normale. Ata janë jashtë çdo mendimi praktik dhe mirësjellje”, ka thënë Berlusconi. Milani së fundi humbi brazilianin Kaka në drejtim të Realit, shitja e të cilit kushtoi plot 65 milionë euro.
Sulmuesi francez David Trezeguet nuk është i shqetësuar nga spekulimet të cilët e lidhin atë me një largim nga Juventusi.Biankonerët raportohet se dëshirojnë ‘ta heqin qafe’ sulmuesin, me mediat të cilat e përfshijnë francezin në një marrëveshje shkëmbimi për sulmuesin e Villarrealit, Giuseppe Rossi. “Në fillim të korrikut do të kthehem në Torino, i gatshëm për kampin para-sezonal dhe për t’u zhytur në sezonin e ri. Kam edhe dy vite të mbetura në kontratën time me biankonerët dhe e di se drejtorët më kanë thënë se nuk jam në shitje dhe se jam pjesë e historisë së klubit”, ka thënë Trezeuet. “E di se sezoni im i fundit ishte i dobët, për shkak të lëndimit dhe operacionit që më la jashtë fushe një kohë të gjatë, por tash jam shëruar dhe ndjehem okej. Mezi pres të jem protagonist në Juve sërish”, ka shtuar francezi.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Luca Toni, beson se Italia mund t’i përmirësojë gabimet që bëri në Kupën e Konfederatave, para se të përpiqet të mbrojë titullin e kampionit të botës në vitin e ardhshëm.Italia u mposht 3-0 nga Brazili në ndeshjen e fundit grupore të Kupës së Konfederatave, duke u eliminuar edhe nga gara e mëtejme. “Ndonjëherë shkon mirë dhe ndonjëherë jo. Ishim të lodhur dhe Brazili është një ekip i shkëlqyeshëm”, ka deklaruar Toni në konferencën e shtypit pas ndeshjes. “Nuk mendoj se kjo është diçka e madhe nëse shohim drejt Kupës Botërore. Ka ende mjaft kohë”, ka shtuar italiani.
Trajneri i Brazilit, Carlos Dunga, është më se i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij në ndeshjen e mbrëmshme të Kupës së Konfederatave, ndaj Italisë.Brazili shkatërroi Italinë me rezultat 3-0 në ndeshjen e fundit grupore të kësaj gare, duke e eliminuar atë nga vazhda e mëtejme. Fitorja ishte e dyta për Brazilin ndaj kampionit të botës brenda katër muajve. “Italia u përpoq të kontrollojë ndeshjen duke mbajtur topin. Iu thash lojtarëve se duhet të përqendrohemi çdo minutë dhe të bëjmë presion ndaj kundërshtarit. Në fund, ishim superior në të gjithë fushën dhe duhej të ishim për të mposhtur kampionin e botës. U përgatitëm vërtet mirë për këtë ndeshje” ka thënë Dunga.
Evertoni është duke mbyllur ofertën për sulmuesin e Newcastle United, Michael Owen.Sunday Mirror shkruan se menaxheri i Evertonit, David Moyes, në pamundësi për të pasur buxhetin financiar të shumë ekipeve tjera, dëshiron të sjellë Owen në radhët e veta, i cili është pa kontratë nga fundi i këtij sezoni. Moyes bëri një tentim të pasuksesshëm për të nënshkruar me anglezin gjatë verës së kaluar, dhe dëshiron të sjellë 29-vjeçarin në klub këtë verë. Edhe pse do të jetë vështirë, për shkak të së kaluarës së lojtarit në klubin rival të qytetit, Liverpoolin, Moyes beson se Evertoni është opsioni më i mirë për lojtarin. Everton përfundoi dy sezonet e fundit në pozitën e pestë të tabelës dhe u kualifikua për në Europa League, dhe mund të jetë edhe një rast i mirë për Owen të rikthehet edhe në kombëtaren angleze për Botërorin 2010.
Mesfushori i ri i Juventusit, Sebastian Giovinco, dëshiron të fitojë rastin të dëshmojë veten me biankonerët në sezonin që vjen.“I njoh vlerat e mia dhe e di se mund t’ia dal në Juventus”, ka thënë mesfushori 22-vjeçar. “Potenciali im në Juventus nuk është parë ende, ndoshta kam nevojë të kërkoj të jem fillestar i rregullt, pastaj do të mund ta gjeja ritmin dhe të tregoj vlerat e mia”, ka shtuar italiani.
Mbrojtësi italian Fabio Cannavaro thotë se eliminimi i tyre i mbrëmshëm nga Brazili në Kupën e Konfederatave nuk duhet të shkaktojë panik.Italia u mposht me rezultat 3-0 nga Brazili në ndeshjen e fundit të grupit B, duke mos gjetur vend në gjysmëfinalen e kësaj gare. “Ky largim dhemb pasi erdhëm këtu për t’u përpjekur për trofeun dhe për t’u dhënë përvojë disa djemve. Por kjo nuk duhet të na bëjë të humbim shpresat nga objektivi kryesor, dhe ky është kualifikimi për në Kupën Botërore”, ka thënë Cannavaro. “Për më tepër, pas një viti, sërish në Afrikën e Jugut do të shihni një Itali tjetër”, ka shtuar mbrojtësi i rikthyer te Juventusi.
Italia është mposhtur me rezultat 3-0 në ndeshjen e fundit të grupit B të Kupës së Konfederave nga Brazili, duke humbur edhe rastin për t’u kualifikuar për në gjysmëfinale të kësaj gare.Në ndeshjen tjetër të grupit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mposhtur befasisht Egjiptin me rezultat 3-0, duke siguruar kështu biletën për në gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave.Brazili ka shkëlqyer edhe në ndeshjen e tretë të Kupës së Konfederatave, duke mposhtur kampionin e botës me rezultat të thellë, 3-0, që të tre golat e shënuar në pjesën e parë.Sulmuesi i Sevillas, Luis Fabiano, shënoi dy gola për Brazilin (37’ dhe 43’), derisa një gol tjetër erdhi ‘dhuratë’ për brazilianët nga mbrojtësi italian Andrea Dossena, i cili shënoi në rrjetën e gabuar (45’).Pavarësisht fitores së Brazilit, është Italia ajo që dominon në lajmin, pasi përfundon në pozitën e tretë të grupit dhe eliminohet nga gara e mëtejmë. Brazili në gjysmëfinale do të takohet me nikoqirin e Kupës së Konfederatave, Afrikën e Jugut.
Pas dy humbjeve radhazi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar fitoren e parë dhe më vendimtaren, e cila e kualifikon këtë kombëtare për në gjysmëfinale të garës.Duke ditur se vetëm një fitore e thellë do të mund t’i shpëtonte nga eliminimi, ekipi i trajnerit Bob Bradley bëri saktësisht atë që duhej, mposhti favoritin, Egjiptin, me rezultat 3-0.SHBA-të kontrolluan gjithë pjesën e parë, por shënuan vetëm një gol, përmes Charlie Davies në minutën e 21-të. Pjesa e dytë e ndeshjes solli dy gola të tjerë. Djali i trajnerit Michael Bradley dyfishoi rezultatin në minutën e 63-të, para se një gol tjetër me kokë nga Clint Dempsey tetë minuta më vonë, t’ua sigurojë kualifikimin e mëtejmë SHBA-ve.Brazili kryeson grupin me pikë të plota, nëntë nga tre ndeshje. SHBA-të mbajnë pozitën e dytë me tre pikë, sa kanë edhe dy ekipet tjera, Italia dhe Egjipti, por që amerikanët kualifikohen për në gjysmëfinale falë diferencës më pozitive të golave. Në gjysmëfinale SHBA do të ndeshet me kampionin e Evropës, Spanjën.
















