Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë se Rossonerët kanë refuzuar një ofertë të majme për sulmuesin brazilian Alexandre Pato.Milani është i vendosur të mos e shesë Paton, duke refuzuar një ofertë të majme nga një top klub evropian. “Milani këtë vit refuzoi ofertë të madhe për Paton. Por nuk do të tregoj se cili klub dërgoi ofertë”, ka thënë zëvendëspresidenti i klubit. Galliani po ashtu ka zbuluar se në drejtim të klubit italian ende nuk ka arritur asnjë ofertë për Andrea Pirlo.
Sulmuesi brazilian Luis Fabiano ka shprehur dëshirën e tij për të luajtur për Milanin pasi ka dëgjuar për interesimin e Rossonerëve për të.“Sky Sport Italia” njofton se Fabiano konsiderohet si alternativë, nëse Milani nuk arrin të sigurojë shërbimet e Edin Dzekos, ndërsa vetë braziliani është i lumtur për interesimin e skuadrës italiane. “Milani? Do të ishte ëndërr për mua. Do të ishte bukur të luaja për një skuadër si Milani. Futbolli italian është atraktiv, mirëpo unë nuk kam asnjë lajmërim zyrtar për interesimin e Milanit. Prandaj e vërteta e vetme deri më tani është se unë kam një kontratë me Sevillën deri në vitin 2011”, ka thënë Fabiano për “La Repubblica”.
Mediat spanjolle njoftojnë se Real Madridi do t’i orientojë të gjitha fuqitë për transferimin e anësorit të Bayern Munichut, Franck Ribery.“AS” shkruan se në ditët e fundit negociatat ndërmjet dy skuadrave janë intensifikuar, mirëpo Mbretërit dëshirojnë të mbajnë gjithçka larg syrit të medias, ndërsa bavarezët kanë kërkuar që të mos jepet asnjë deklaratë derisa gjërat të bëhen zyrtare. Gazeta shton se agjenti i Riberyt, Alan Migliaccio, po mundohet të ndikojë te Bayerni për uljen e çmimit fillestar prej 60 milionë eurosh, me qëllim që ky transferim të realizohet.
Dario Canovi, agjenti i Jose Antonio Reyes, thotë se klienti i tij mund t’i bashkëngjitet skuadrës së Romës.Sulmuesi i dikurshëm i Sevillas, Arsenalit dhe Real Madridit, i cili aktualisht luan me Benficën në formë huazimi nga Atletico Madridit, është në rrugë për ta gjetur një skuadër tjetër. “Ne po kërkojmë një skuadër për Reyes dhe ai mund të kalojë në Itali. Jemi duke pritur të sqarohen disa gjëra dhe pastaj do të takohemi me Romën”, ka thënë Canovi për 24oredisport.it.
Sipas gazetës gjermane "Bild", Werder Bremeni dëshiron ta shesë sulmuesin Hugo Almeida gjatë këtij afati kalimtar.Gjermanët dëshirojnë ta transferojnë kroatin Mario Mandzukic nga Dinamo Zagrebi që kërkon 11 milionë euro për sulmuesin e vet. Prandaj Werderi planifikon ta shesë Almedian, i cili kushton afër shtatë milionë euro, si edhe sulmuesin tjetër, Boubacar Sanogo, i cili ka vlerën dy milionë euro, për të grumbulluar paratë e nevojshme për transferimin e Mandzukic.
Agjenti i Peter Crouch ka mohuar spekulimet se sulmuesi anglez dëshiron të largohet nga Portsmouthi gjatë këtij afati kalimtar.28-vjeçari ka qenë i lidhur me ndonjë transferim të mundshëm te Blackburn Rovers dhe Sunderland, mirëpo agjenti i tij thotë se asgjë nga këto spekulime nuk është e vërtetë. “Nuk ka pasur oferta nga klubet tjera për Peter Crouch. Ai ka ende kontratë me Portsmouthin dhe planifikon të qëndrojë aty në sezonin e ardhshëm. Ai nuk dëshiron të largohet”, ka thënë Barnett për “The Portsmouth News”.
Anësori francez Florent Malouda iu ka dhënë fund spekulimeve të cilat e lidhnin atë me një largim nga Stamford Bridge, duke nënshkruar marrëveshje të re dyvjeçare me Chelsean.Pas një pjese të parë jo të mirë, francezi shpërtheu në pjesën e dytë të sezonit, duke u shpërblyer edhe me marrëveshje të re. “Mund t’ju informoj se kam nënshkruar marrëveshje të re dyvjeçare me Chelsean. Do të mbetem. Do të thotë tash kam edhe katër vite në marrëveshjen time”, ka thënë Malouda. “E di se në secilin afat kalimtar ka shumë spekulime dhe shpresoj se me nënshkrimin e marrëveshje këto të ndalojnë”, ka përfunduar Malouda.
Përforcimi i ri i Manchester Cityt, Roque Santa Cruz, shpreson se edhe argjentinasi Carlos Tevez do ta ndjekë shembullin e tij dhe do të transferohet te ky klub.Paguajani mbrëmë kompletoi tansferimin nga Blackburni në City për 17 milionë funte, ndërsa dëshiron ta ketë Tevez partner sulmi. “Nëse Tevez vjen, ai do të jetë një përforcim i madh për klubin. Shpresoj se Tevez do të vijë në Manchester City. Dëgjova se kjo mund të ndodhë dhe do të ishte e shkëlqyeshme”, ka thënë Santa Cruz.
Mesfushori i Chelseat, Deco, shpreson se këtë verë do të largohet nga Stamford Bridge për t’u transferuar në Inter.31-vjeçari kaloi një sezon jo të kënaqshëm në Chelsea, që kur arriti në Londër nga Barcelona, dhe nuk e fsheh dëshirën për t’u larguar dhe për t’u ribashkuar me Mourinhon te Interi. “Nuk jam i lumtur në Chelsea. Shpresoj se do të më lëshojnë të largohem. Do të ishte ideale të punoj sërish me Mourinhon”, ka thënë Deco. “Shpresoj se së shpejti do të finalizohet marrëveshja dhe nëse Ibra dhe Maicon mbeten, do të mund ta fitojmë Ligën e Kampionëve”, ka përfunduar Deco.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai do të përpiqet t’i mbajë të gjithë futbollistët dhe të sjellë madje edhe një ose dy përforcime të reja për sezonin e ardhshëm.Verën e kaluar nga Arsenali u larguan Flamini dhe Hleb, por Wenger nuk dëshiron kjo të ndodhë edhe këtë verë. Edhe pse disa lojtarë lidhen me largim nga Emirates, ai shpreson se do të arrijë t’i mbajë ata. “I humbëm Hleb dhe Flamini verën e kaluar dhe duhej ta plotësonim atë. Por tash mund të themi se e ardhmja duket e ndritshme. Nuk dëshirojmë sërish të na ndodhë kjo, andaj dua t’i mbaj të gjithë futbollistët së bashku për sezonin e ardhshëm. Nuk dua të humb asnjë”, ka thënë Wenger. “Dua ta përforcoj përbërjen dhe kam shënjestruar një ose dy lojtarë. Por t’i identifikosh futbollistët dhe t’i blesh janë dy gjëra të ndryshme. Do të ishte mirë t’i sjellim përforcimet para fillimit të përgatitjeve. Nuk dua të pres deri në fund të gushtit”, ka shtuar francezi.
Presindenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka qartësuar disa plane të klubit për transferimet e verës, duke shtuar se Pep Guardiola dëshiron ta mbajë Samuel Eto’on.“Ai ka vetëm edhe një vit të mbetur në kontratën e tij dhe është normale të takohemi dhe të diskutojmë planin e tij, ngritjen e formës së tij dhe të shikojmë cila është zgjidhja më e mirë”, ka thënë Laporta.“Dua që ai të mbetet në Barcelona edhe për shumë vite dhe Pep Guardiola ka të njëjtin mendim”, shton spanjolli, i cili ka folur edhe për dëshirat tjera të klubit, duke filluar nga Franck Ribery.“Bayern nuk dëshiron ta shesë Riberyn. Sa i takon Villas, ka bisedime me Valencian dhe askush kurrë nuk më ka thënë se ai dëshiron të shkojë në Madrid”.
Pasi humbi betejën ndaj Liverpoolit për të marrë shërbimet e mbrojtësit të Portsmouth, Glen Johnson, blutë kanë kthyer vëmendjen kah braziliani.Maicon ka shkëlqyer me Interin në sezonin e fundit ndërsa tregon paraqitje të mira edhe në Kupën e Konfederatave, duke mbajtur jashtë formacionit fillestar yllin e Barcelonës Dani Alves.The Sun shkruan se Interi do ta pranojë ofertën prej 30 milionë eurosh për 27-vjeçarin, ndërsa do të hiqte dorë edhe nga Zlatan Ibrahimovoci, po ashtu 27-vjeçar, për një shumë dyfish më të madhe, 60 milionë.
Pas një sezoni fantastik me Barcelonën, mbrojtësi i çeliktë Carles Puyol dëshiron t’i japë fund këtij sezoni edhe me një sukses tjetër, duke triumfuar në Kupën e Konfederatave me kombëtaren e Spanjës.Kapiteni i Barcelonës ishte një prej figurave qendrore të blaugranëve në rrugën drejt tre trofeve të fituara, por tash shpreson të arrijë sukses edhe me kombëtaren spanjolle.“Të jem i sinqertë, ndjehem shumë mirë. Pasi fitoni te trofe, ndjeheni shkëlqyeshëm dhe gjithçka bëhet më e lehtë”, ka thënë Puyol.“Megjithatë, të gjithë këtu kemi të njëjtën dëshirë dhe motiv për ta fituar Kupën e Konfederatave. Është një ngjarje për të cilën kemi ardhur ta fitojmë. Sigurisht Kupa e Evropës dhe ajo Botërore janë më të rëndësishme, por jemi të ngazëllyer që jemi në gjysmëfinale”, ka shtuar spanjolli.“Jemi shumë të motivuar të arrijmë në finale, pasi për shembull, unë kurrë nuk kam luajtur kundër Brazilit. Ata janë kombëtarja më e mirë në botë dhe kanë lojtarë fantastik dhe do të ishte e shkëlqyeshme të shtyhemi me ta gjatë një ndeshje”, ka shtuar Puyol.
Portieri i Juventusit, Gigi Buffon, thotë se ekspertët janë joreal kur kërkojnë më shumë të rinj të përfshihen në kombëtaren italiane.“Ka dëshirë dhe shpresë se të rinjtë mund të bëjnë një hap përpara drejt kombëtares. Megjithatë duhet të kuptoni se luani me fanellën kombëtare gjatë atyre ndeshjeve dhe kjo është shumë më ndryshe nga ajo të luash në ligën vendore”, ka thënë Buffon.“Nuk është e lehtë pasi duhet përvojë dhe personalitet. Për më tepër, unë nuk shoh shumë të rinj që mund të jenë pjesë e kombëtares, ndoshta pasi kampionati ynë është bërë më shumë modest dhe më pak garues viteve të fundit”, ka shtuar portieri italian.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, është i vendosur t’ua sjellë trofeun e Ligës Premier fansave të ekipit anglez.“Mbaj mend momentet pas Ligës së Kampionëve dhe po ashtu Kupës FA. Do të ishte fantastike ta bëjmë atë sërish”, ka thënë Benitez.Liverpooli mbeti i pamposhtur në shtëpi gjatë gjithë sezonit të fundit, ndërsa pësoi vetëm dy humbje në udhëtim, dhe përfundoi në pozitën e dytë të tabelës.“Fansat tonë janë gjithmonë të ndryshëm, gjithmonë fantastik. Ata e dinë kur ekipi punon shumë dhe e dinë kur duhet ta përkrahin. Ata e dinë se ne jemi përmirësuar shumë këtë vit”, ka shtuar spanjolli.
Përkundër largimit të Claudio Ranierit, të cilin nuk arriti ta bindë për aftësitë e tij, i riu Sebastian Giovinco nuk ndjehet i sigurt për qëndrimin e tij te Juventusi, pasi që skuadra mund ta shfrytëzojë atë për ndonjë shkëmbim, siç është rasti me mesfushorin e Udineses, Gaetano D’Agostino.“Unë i njoh kualitet e mia dhe e di vlerën time, por duket se Juventusi nuk e kuptona atë. Unë nuk kërkoj vend në formacioni kryesor, por kërkoj më shumë konsideratë”. “Nuk është lehtë të jesh pjesë e një skuadre ku e di se pavarësisht se çfarë do të ndodhë ti je gjithmonë prapa të tjerëve. Kjo është diçka që nuk mund ta pranoj”, ka thënë Giovinco për “Leggo”.
Liverpooli ka transferuar anësorin 16-vjeçar, Aaron King, nga Rushden & Diamonds.King, i cili ka qenë lojtar i Rushden që nga mosha 11-vjeçare, ka kaluar në Anfield për një shumë të panjohur, ndërsa “BBC Sport” njofton se ai do t’i nënshtrohet edukimit dyvjeçar te Të Kuqtë duke filluar nga 6 korriku i këtij viti. Mësohet se një tjetër 16-vjeçar, spanjolli Suso, është pranë kalimit te Liverpooli, i cili ka mposhtur konkurrencën e Real Madridit dhe Barcelonës, për ta sjellë të riun në Anfield.
Galatasaray ka konfirmuar të hënën se ka nënshkruar me mbrojtësin Gokhan Zan, i cili ka kaluar te gjiganti turk si transfer i lirë.Në fund të sezonit që shkoi, Zan përfundoi qëndrimin e tij te Besiktasi, mirëpo nënshkrimi me Gallatën ka ardhur si befasi. Transferimi i Zan është bërë për ta zëvendësuar lojtarin në largim, Servet Cetin, i cili sipas të gjitha gjasave gjatë këtij afati kalimtar do t’i bashkëngjitet Marseilles.
Roma e ka bërë hapin e parë të transferimeve gjatë këtij afati kalimtar duke sjellë në skuadër mesfushorin e Barit, Stefano Guberti.Faqja zyrtare e Romës ka shkruar se është arritur marrëveshja për transferimin e Gubertit, i cili ka nënshkruar kontratë katërvjeçare, ndërsa paga e tij do të fillojë nga 700.000 euro për sezon dhe do të rritet deri në 900.000 për sezon në vitin 2012. Guberti pritet të zë vend në formacionin bazë të Romës në sezonin e ardhshëm, ndërsa mediat italiane e konsiderojnë si një lojtar me perspektivë edhe për përfaqësuesen e Italisë.
Kampioni i pesëfishtë Roger Federer ka filluar mbarë turneun Wimbledon, duke shënuar fitore komode prej 3-0 në sete (7-5; 6-3; 6-2), ndaj tenistit nga Tajvani, Lu Yen-Hsun.Zvicerani, i dyti në listën botërore, shihet si favoriti kryesor për të fituar këtë turne, në mungesë të kampionit në fuqi, Rafael Nadal, i cili mungon për shkak të lëndimit.Federer i mbijetoi me vështirësi setit të parë kundër aziatikut (7-5), por bëri një rikthim të hershëm në lojë, për të shënuar fitore më të lehta në dy setet e radhës. Zvicerani do të takohet me spanjollin Guillermo Garcia-Lopez në rundin e dytë, pasi ky i fundit mposhti argjentinasin Agustin Calleri me rezultat 6-2, 6-3, 6-2.Edhe i katërti në botë, serbi Novak Djokovic ka arritur në rundin e dytë, duke mposhtur në ndeshjen e parë francezin Julien Benneteau, me rezultat 6-7, 7-6, 6-2, 6-4.
Rusja Maria Sharapova ka shënuar fitore 2-0 në sete (7-5; 6-4) ndaj ukrainases Viktoriya Kutuzova dhe ka siguruar vend në rundin e dytë të Wimbledonit.Sharapova, e cila aktualisht është e 64-ta e renditur, filloi jo edhe aq mirë setin e parë, duke pësuar 4-1, por pastaj u rikthye për ta fituar atë, ndaj numrin 79-të të tenisit botëror të femrave.Rusja e cila fitoi këtë turne në vitin 2004, do të përballet me Gisela Dulko në fundin e dytë, e cila mposhti francezen Stephanie Foretz po ashtu 2-0 në sete (7-5; 6-3).Edhe rusja tjetër, Elena Dementieva (e 4-ta), ka kaluar për në rundin e dytë, duke shënuar fitore të lehtë (6-4; 6-1) ndaj bashkë-vendaset Alla Kudryavtseva.Amerikania Serena Williams ka kaluar në rundin e dytë me një fitore 6-1, 7-5, ndaj portugezes Neuza Silva.
















