Dani Alves Dani Alves ka shënuar një gol të vonshëm ndaj nikoqirit të Kupës së Konfederatave, Afrikës së Jugut, për ta dërguar Brazilin në finale të kësaj gare, ku do të ketë përballë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas triumfit të SHBA-ve në gjysmëfinalen e mbrëmshme, kur bëri befasinë duke eliminuar kampionin e Evropës, Spanjën, kombëtarja e Brazilit pati po ashtu një sfidë të vështirë përballë Afrikës së Jugut, por nuk lejoi të ndodhë edhe befasia e radhës. Fitoren Brazilit ia solli anësoni i djathtë i Barcelonës, Daniel Alves, i cili shënoi nga një gjuajtje e lirë e pambrojtshme, dy minuta para fundit të kohës së rregullt. Alves u fut në lojë si zëvendësuesi dhe shënoi pas vetëm shtatë minutash inkuadrimi. Pavarësisht humbjes, Afrika arriti t’i shkaktojë mjaft telashe Brazilit, duke bllokuar në mënyrën më të mirë yjet botërore, të cilët treguan një paraqitje zhgënjyese në këtë ndeshej gjysmëfinale. Brazili, që është në përpjekje të mbrojë titullin e kësaj gare të fituar në vitin 2005, do të përballet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në finalen që zhvillohet të dielën.
Kampionia në fuqi Venus Williams ka shkatërruar ukrainasen Kateryna Bondarenko në dy sete (6-3, 6-2) duke siguruar vend në rundin e tretë të turneut të tenisit Wimbledon.
Venus, e cila është në kërkim të titullit të gjashtë në Wimbledon dhe të tretit radhazi, kurrë nuk u dorëzua në përballje me Bondarenko. Amerikania në do përballet me Carla Suarez Navarro në kërkim të një vendi për të rundin e katërt, pasi spanjollja mposhti rusen Ekaterina Makarova në tri sete (7-5, 4-6, 6-1). Tenistja numër një në botë, rusja Dinara Safina po ashtu ka siguruar vend në rundin e tretë, duke mposhtur tenisten nga Paraguai, Rossana De Los Rios, 2-0 në sete (6-3, 7-5). Safina në ndeshjen e radhës do të përballet me belgen Kirsten Flipkens, e cila mposhti britaniken Elena Baltacha (7-5, 6-1). Edhe kampionia e French Open, Svetlana Kuznetsova, ka shfaqur një paraqitje të shkëlqyeshme, duke mposhtur me lehtësi francezen Pauline Parmentier (6-1, 6-3).
Lleyton Hewitt ka qenë befasia e ditës në Wimbledon, pasi australiani i renditur i 56-ti në botë eliminoi në rundin e dytë argjentinasin e pestë në botë, Juan Martin Del Potro.
Australiani është rikthyer në formë duke shënuar befasinë më të madhe në garën e meshkujve, pasi eliminoi Del Potron në tre sete (6-3, 7-5, 7-5). Hewitt në ndeshjen e ardhshme do të përballet me gjermanin Philipp Petzschner, i cili mposhti bashkëvendësin e tij Mischa Zverev (4-6, 7-6, 3-6, 7-6, 6-0). Numri tre i botës, Andy Murray, po ashtu ka siguruar vend në rundin e tretë të Wimbledonit pasi mposhti në tre sete (6-2, 7-5, 6-3) tenistin nga Letonia, Ernests Gulbis. Murray e pa veten në vështirësi vetëm në setin e dytë, ndërsa me lehtësi fitoi në dy setet tjera, duke kryer punën brenda 88 minutash. Skocezi do të përballet me fituesin e takimit në mes të serbit Victor Troicki dhe spanjollit Daniel Gimeno-Traver. Për në rundin e tretë është kualifikuar edhe amerikani Andy Roddick, i cili mposhti në katër sete rusin Igor Kunitsyn (6-4, 6-2, 3-6, 6-2). Roddick në ndeshjen e ardhshme do të takohet me austriakun Jurgen Melzer, i cili mposhti gjermanin Benjamin Becker (7-6, 6-3, 7-6).
Mbrojtësi i Interit, Douglas Maicon, është cak edhe i Manchester Cityt, në mesin e shumë klubeve të famshme evropiane.
27-vjeçari, i cili kaloi një sezon të shkëlqyeshëm te kampioni i Italisë, ka tërhequr interesimin e Real Madridit dhe Chelseat. Së fundi interesim për brazilianin ka shprehur edhe Mancehster City, dhe duhet se ai mund të jetë pjesë e një marrëveshje shkëmbimi ku do të përfshihet edhe mesfushori Elano. “Maicon është mbrojtësi i djathtë më i mirë në botë. Do ta përjashtoja Manchester United si cak të tij të ardhshëm, por e di se City ka bërë ofertë për të”, ka thënë agjenti i lojtarit, Antonio Caliendo për Gazzetta dello Sport.

Mesfushori nigerian John Obi Mikel thotë se ai dëshiron të mbetet në Chelsea dhe të fitojë Ligën e Kampionëve me këtë klub.
“Kam kontratë me Chelsean, e dua klubin dhe do të luaj për këtë klub. Jam në dashuri dhe kam respekt dhe mbi të gjitha, jam i lumtur këtu”, ka thënë Mikel për Soccer Star. “Dua të bëj histori me Chelsean, duke e fituar Ligën e Kampionëve”, ka shtuar nigeriani.
Mbrojtësi i Interit, Nicolas Burdisso, ka hedhur poshtë spekulimet të cilat e lidhin atë me një kalim në Chelsea.
Mediat shkruajnë se 28-vjeçari mund të transferohet në Stamford Bridge si pjesë e marrëveshjes në të cilën portugezët Deco dhe Ricardo Carvalho do të lëvizin në anën e kundërt. “Kam biseduar me Mourinhon dhe ai më ka thënë se është i kënaqur me mua dhe se kam edhe shumë për t’i dhënë Interit. Raporti im me Mourinhon është i shkëlqyeshëm dhe shpresoj se do të mbetet i tillë edhe në të ardhmen”, ka thënë Burdiso. “Kam mësuar shumë gjëra nga ai. Sezoni i kaluar ishte i shkëlqyeshëm dhe pozitiv dhe unë do të doja të mbetem në Inter. Nuk kam synim ta ndërroj ekipin”, ka përfunduar argjentinasi.

Milani ka zbuluar se mund ta ringjallë interesimin për sulmuesin e Arsenalit, Emmanuel Adebayor, nëse nuk arrin të marrë shërbimet e sulmuesit të Wolfsburgut, Edin Dzeko.
Qëllimi kryesor i rosonerëve për këtë verë mbetet Dzeko, por për shkak se Wolfsburg nuk pajtohet ta shesë sulmuesin më të mirë të Bundesligës, Milani do të mendojë për alternativë tjetër. “Ajo që kërkojmë ne është një sulmues dhe qëllimi jonë është Dzeko. Ai është lojtar i Wolfsburgut dhe ata dëshirojnë ta mbajnë, edhe pse lojtari edhe vetë ka shprehur dëshirë të vijë në Milan”, ka thënë zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani. “Nga përvoja e di se është vështirë të mbash një lojtar, i cili dëshiron të largohet. Nëse nuk arrijmë ta marrim Dzekon, Luis Fabiano nga Sevilla dhe Adebayor, do të mund të ishin alternativat tona”, ka shtuar më tej Galliani.
Menaxheri gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, i ka dhënë fund paqes me Barcelonën, duke thënë se nëse Mbretërit dëshirojnë ndonjë lojtar të katalunasve atëherë do të kërkojnë shërbimet e tij, dhe e njëjta gjë vlen edhe për Atletico Madridin.
Gjatë kohës sa ishte Ramon Calderon president i Los Blancos, ekzistonte një pakt xhentëlmenësh sipas të cilit, asnjëra nga dy skuadrat nuk do të kërkonin lojtar nga njëra-tjetra, mirëpo tani gjërat kanë ndryshuar. “Nëse ekziston mundësia, pse jo? Kjo fazë kalimtare është duke u zhvilluar në nivel të lartë, prandaj edhe Atletico de Madridi dhe Barcelona po i përforcojnë skuadrat e tyre”, citohet Valdano nga “Sport”.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka njoftuar se Andrea Pirlo nuk bën më pjesë në grupin e ‘të paprekshmëve’ duke thënë se një mega-ofertë do të mirëpritet nga drejtuesit e skuadrës kuqezi.
“Pirlo nuk është në shitje, mirëpo kjo mund të ndryshojë varësisht nga vlera e ofertës”, ka thënë Galliani për “Sky Sport Italia”. Mesfushori italian kërkohet nga ish-trajneri i tij, Carlo Ancelotti, i cili dëshiron ta transferojë atë në Stamford Bridge.
Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht se ka arritur marrëveshje me Valencian për transferimin e mbrojtësit, Raul Albiol, i cili do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Mbretërit.
Spanjolli do të prezantohet zyrtarisht javën e ardhshme kur do të kthehet nga Kupa e Konfederatave dhe pasi t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore. “Real Madridi dhe Valencia kanë arritur marrëveshje për transferimin e lojtarit Raul Albiol, një marrëveshje e cila do të hyjë në fuqi javën e ardhshme pas ekzaminimeve të zakonshme mjekësore dhe pas nënshkrimit të kontratës nga lojtari”, shkruan në njoftimin zyrtar të Realit.
Skuadra franceze Monaco ka tërhequr interesimin për sulmuesin e Chelseat, Andriy Shevchenko.
“Shevchenko nuk është një mundësi për ne, për një skuadër si e jona, është i pamundur (transferimi)”, ka thënë trajneri Guy Lacombe për “Aujourd'hui Sport”. Sheva u kthye në San Siro sezonin që shkoi në formë huazimi nga Chelsea, mirëpo Milani nuk dëshiron t’ia vazhdojë kontratën për shkak të mungesës së golave, kështu që destinacioni i radhës për ukrainasin mund të jetë Roma, e cila ka shprehur interesim për 32-vjeçarin.
Jahmir Hyka Skuadra e Palermos është e interesuar për shërbimet e mesfushorit shqiptar Jahmir Hyka, përkundër sezonit jo të mirë që kaloi me skuadrën e tij aktuale, Mainz, që bën gara në Bundesliga 2.
“Kam biseduar me menaxherin tim, i cili më ka bërë të ditur se Palermo më kërkon”, “Për mua do të ishte një ëndërr të luaja me ketë skuadër. Do të më pëlqente të luaja në elitën e futbollit italian. Di edhe se presidenti i sicilianëve, Zamparini, është një njeri për së mbari”. “Shanset që të luaj te Palermo janë 50 me 50. Menaxheri im më tha se mund të gjendet një akord. Drejtuesit e kësaj skuadre kanë biseduar me Mainzin dhe do të isha i lumtur nëse ata do të arrinin marrëveshjen”, është cituar Hyka nga “Top Channel”.
Olympique Lyonnais ka reaguar për të mohuar spekulimet që Karim Benzema është në largim e sipër nga skuadra franceze.
Të mërkurën mediat spanjolle kanë shkruar se 21-vjeçari është shënjestra kryesore për sulmin e Real Madridit, pasi Los Blancos kanë hequr dorë nga David Villa, ndërsa po ashtu spekulohej se është duke u biseduar për një shifër prej 40 milionë eurosh për transferimim e francezit në Santiago Bernabeu. “Nuk jemi në negociata me Real Madridin për Benzeman. Lajmi i vetëm është se Madridi ka kontaktuar me ne para disa ditësh për t’u informuar në lidhje me qëndrimin tonë për Benzeman”, ka thënë një zëdhënës i Lyonit për “El Mundo Deportivo”, i cili ka shtuar se Benzema dëshiron të qëndrojë edhe një vit me Lyonin dhe të njëjtën gjë e dëshiron edhe skuadra franceze, kështu që sulmuesi nuk do të shitet këtë afat kalimtar.
Arsim Gashi Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje në miqësoren ndaj skuadrës kampione të Suedisë, Kalmar, me rezultat 2:1, e cila u zhvillua tw mwrkurwn mbrwma në stadiumin "Frederikssans".
Kosova kaloi në epërsi që në minutën e 7-të, me golin e shënuar nga sulmuesi Arsim Gashi. Megjithatë skuadra suedeze arriti të barazojë shifrat në minutën e 20-të me golin e Daniel Mendesit. Ndërkohë golin e fitores për skuadrën suedeze e realizoi Marselo Hulio Viltorian, në minutën e 75-të.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka thënë se nuk do ta refuzojë shansin t’i bashkëngjitet Real Madridit nëse Mbretërit bëjnë ofertë për të.
22-vjeçari është i lindur në Arenys de Mar të Catalonias dhe si i ri ka qenë pjesë e Barcelonës, derisa u transferua te Arsenali në vitin 2003 si 16-vjeçar. Derisa familja e tij janë tifozë të përbetuar të Barcelonës, Cesc thotë se ata do t’ia falnin po të transferohej te rivalët e përjetshëm të Blalugranëve. “Kuptohet që familja ime do të më kuptonte nëse unë nënshkruaj për Real Madridin, sepse ata më duan dhe dëshirojnë që unë të jem i lumtur dhe e dëshirojnë më të mirën për mua”. “Ata do të më mbështesnin pavarësisht se cilit klub do t’i bashkëngjitëm. Familja ime do të jetë gjithmonë aty për mua, pa marrë parasysh vendimin tim”, është cituar Fabregas nga “The Sun”.
Edin Dzeko (Majtas) "Gazzetta dello Sport" njofton se Milani ka ende shanse ta transferojë sulmuesin e Wolfsburgut, Edin Dzeko, përkundër se skuadra e tij ka refuzuar vazhdimisht shitjen e boshnjakut.
Ekipi gjerman është duke kërkuar një zëvendësues të Dzekos, ndërsa aktualisht është në bisedime me Manchester Cityn për të biseduar për blerjen e bullgarit Valeri Bojinov. Ndërkohë, pritet që zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, të udhëtojë në Gjermani të shtunën për ta bindur Wolfsburgun që të heqë dorë nga Dzeko. Kështu deri në fillim të javës së ardhshme do të merret vesh nëse Milani do ta transferojë ose jo sulmuesin boshnjak.
Spanja është eliminuar nga Kupa e Konfederatave, pasi në gjysmëfinale është mposhtur me rezultat prej 2-0 nga SHBA-të, ndërsa kapiteni Iker Casillas thotë se mungesa e përqendrimit në mbrojte i kushtoi skuadrës së tij me eliminim.
“Diçka e këtillë është dashur të ndodhte një ditë dhe kjo ishte dita. Humbëm shumë shanse për të shënuar dhe paguam për dy gabimet tona në mbrojtje”, ka thënë portieri i Real Madridit pas ndeshjes. Spanja do të ndeshet me skuadrën e cila do të humbë nga përballja ndërmjet Afrikës së Jugut dhe Brazilit, për të luajtur për vendin e tretë.
Të mërkurën është spekuluar se Real Madridi ka arritur marrëveshje me Valencian për transferimin e mbrojtësit Raul Albiol për shumën prej 15 milionë eurosh.
Ndërsa sipas “Cadena SER”, të enjten pritet që të dyja skuadrat të dalin me deklaratat zyrtare për të konfirmuar arritjen e marrëveshjes. Besohet se 23-vjeçari do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Los Blancos, ndërsa me fanellën e Realit do të prezantohet porsa të kthehet nga Kupa e Konfederatave ku është i angazhuar me Spanjën.
Trajneri i Napolit, Roberto Donadoni, ka konfirmuar interesimin skuadrës së tij për sulmuesin e Fiorentinas, Adrian Mutu.
Edhe pse rumuni disa herë e ka cekur se nuk dëshiron të largohet nga Viola skuadra të shumta janë të interesuara për të, kështu që Napoli duhet të përballet me konkurrencën e Wolfsburg, Zenit St. Petersburgut, Shakhtar Donetsk dhe Besiktas për ta transferuar ish-sulmuesin e Chelseat. “Ai është një lojtar karizmatik, i cili mund ta udhëheqë skuadrën. Nëse planifikojmë të kemi rezultate dhe të fitojmë trofe, atëherë duhet të transferojmë lojtarë si Mutu”, ka thënë Donadoni për Prosport.ro.