Roger Federer ka humbur setin e parë në turneun Wimbledon, megjithatë ka shënuar fitore jo të vështirë në katër sete (6-3, 6-2, 6-7, 6-1) përballë gjermanit Philipp Kohlschreiber.27-vjeçari gjerman pritej të ishte një test i vështirë për Federer, pasi bëri befasinë duke eliminuar serbin Novak Djokovic në turneun French Open muajin e kaluar. Por numri dy i botës fitoi me lehtësi në dy setet e para, megjithatë u mposht në setin e tretë. Zvicerani u kthye më fuqishëm në setin e katërt, duke eliminuar nga gara e mëtejme Kohlscheiber. Kampioni i pesëfishtë i Wimbledonit, do të përsëritë finalen e fundit French Open, pasi në rundin e katërt do të takohet sërish me suedezin Robin Soderling, pasi ky i fundit mposhti spanjollin Nicolas Almagro (7-6, 6-4, 6-4). I nënti në botë, francezi Jo-Wilfried Tsonga, nuk arriti të tejkalojë kroatin Ivo Karlovic, i cili kualifikohet për në 1/16 e finales (7-6, 6-7, 7-5, 7-6). Karlovic në takimin e radhës do të ketë përballë Fernando Verdasco, pasi spanjolli u rikthyer nga një set disavantazh për të mposhtur në katër sete bashkëvendësin e tij Nicolas Almagro (4-6, 6-1, 6-4, 7-6).
27-vjeçarja amerikane, është duke kërkuar t’i shtojë edhe titullin e Wimbledonit trofeut që fitoi në muajin janar në Australian Open. Në 1/8 e finales Serena do të takohet me sllovaken Daniela Hantuchova, e cila mposhti tenisten japoneze Ai Sugiyama (6-4, 6-3). Kampionia olimpike Elena Dementieva ka eliminuar nga gara e mëtejme rusen tjetër Regina Kulikova, duke e shkatërruar në dy sete (6-1, 6-2). Dementieva në rundin e katërt do të përballet me rusen Elena Vesnina ose sllovaken Dominika Cibulkova.
Kampioni i Ligës Premier, Manchester United, raportohet se ka kthyer vëmendjen kah sulmuesi i Real Madridit, Klaas-Jan Huntelaar.Florentino Perez është duke bërë një rikonstruktim të plotë të Realit dhe thuhet se në planet e tij nuk bën pjesë holandezi. United duket se vështirë do të mund të arrijë te shërbimet e sulmuesit të Lyonit, Karim Benzema, andaj mediat angleze shkruajnë se Djajtë e Kuq do të kthejnë vëmendjen kah Huntelaar. Sulmuesi holandez para se të kalojë në Real Madrid ishte cak i Sir Alex Ferguson, por mbretërit e fituar betejën. Megjithatë, Huntelaar nuk u gjend më së miri në klubin spanjoll dhe shënoi vetëm tetë gola në 20 ndeshje dhe u la edhe jashtë Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Luca Toni, thotë se ai është i gatshëm të rikthehet në kampionatin italian të futbollit.E ardhmja e Luca Tonit në Bayern vazhdon të jetë e pasigurt, veçanërisht pas ardhjes së Mario Gomez nga Stuttgarti. “Dua të rikthehem. E di se ka krizë në klubet dhe ata nuk mund të investojnë shumë, por dikush është i interesuar për mua”, thotë Luca Toni. “Inter ose Milan? Ka bisedime, por nuk është e mjaftueshme për të folur për transferim. Nuk jam rob i pagës time. Nëse nuk gjej vend në Bayern, nuk do të ketë problem për t’u rikthyer në Itali për një pagë të reduktuar”, ka shtuar italiani.
Sulmuesi i Liverpoolit, Andriy Voronin, thotë se ai dëshiron të dëshmojë vlerat e tij edhe në Premier League.Ukrainasi sezonin e fundit e kaloi i huazuar te Hertha Berlin, ku shënoi 11 gola në 20 ndeshje, ndërsa në sezonin e ardhshëm dëshiron të luajë në Liverpool. “Nuk pata sezon të keq në Gjermani, por po rikthehem për ta fituar Anglinë. Jam njeri i cili kërkon sfida të reja. Është koha të dëshmohem dhe t’u tregoj se e kanë gabim të gjithëve atyre të cilët mendojnë se mund të shënoj gola vetëm në Bundesligë”, ka thënë Voronin. “Liverpooli është një prej klubeve më të fuqishme në botë. Të luash për këtë ekip është nder për secilin futbollist. E di se nuk do të jetë lehtë, por ndjehem i gatshëm të luftoj për hyrje në ekipin e parë”, ka shtuar ukrainasi.
Mbrojtësi i West Ham United, Matthew Upson, është caku i ri i menaxherit të Manchester Cityt, Mark Hughes.Daily Express shkruan se Hughes do të kthejë vëmendjen e tij kah ylli i West Hamit, nëse Evertoni do të bllokojë tentimin e Cityt për të blerë shërbimet e Joleon Lescott. Hughes u refuzua kur për të parën herë u përpoq të nënshkruajë me Upson në muajin janar, por West Ham mund të pranojë ofertën prej 15 milionë funte plus sulmuesin Valeri Bojinov. Dhe Upson pa dyshim se do ta shihte Cityn si një sfidë më të mirë për të qenë pjesë e garave evropiane.
Drejtuesit e Atletico Madrid janë duke tentuar të bindin Maxi Rodriguez të pranojë ofertën e Tottenhamit.Siç shkruan sportivja spanjolle AS, Spurs kanë bërë një ofertë formale për argjentinasin dhe klubi nga Madridi është i gatshëm ta shndërrojë në kesh mesfushorin. Atletico ka nevojë për para për të krijuar një fond për të realizuar planet e veta të transferimeve, por duket se problemi është te vetë lojtari, i cili ngurron të kalojë në ekipin anglez, duke marrë parasysh mungesën e këtij klubi në garat evropiane.
Ylli i dikurshëm i Milanit, Oliver Bierhoff, thotë se sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, është njeriu i duhur për Milanin.Rossonerët janë të interesuar për ta transferuar sulmuesin boshnjak, mirëpo kampioni gjerman deri më tani ka refuzuar të heqë dorë nga sulmuesi, porse mësohet se për ta shitur Dzekon, Wolfsburgu do të kërkojë së paku 30 milionë euro. “Dzeko ka shënuar shumë gola dhe ai mund të jetë i suksesshëm. Ai është një djalosh i qetë dhe i këndshëm. Ai nuk ka emër, mirëpo i përshtatet gjendjes aktuale ekonomike të Milanit”, ka thënë Bierhoff për “La Gazzetta dello Sport”.
Patrick Vieira konsiderohet si tepricë te skuadra e Interit, ndërsa trajneri Jose Mourinho e ka nxjerrë në listën e lojtarëve që do të shiten.“Duhet të takohem me zyrtarët e Interit për të kuptuar se çfarë planifikojnë të bëjnë me mua”. “Sa më takuan mua, unë vetëm dëshiroj të luaj, qoftë tek Interi ose diku tjetër. Po ashtu duhet të takohem me Mourinhon dhe të marr vesh nëse bëj pjesë në planet e tij. Nëse përgjigja është negative, atëherë do të preferoja të luaj për Ligue 1”, ka thënë francezi. Për shërbimet e Vieiras janë të interesuara skuadrat franceze, Lyon dhe Paris St Germain.
Sipas tabloidit britanik “The Daily Mirror”, Manchester Unitedi është i gatshëm të hyjë në garë për sulmuesin e Valencias, David Villa.Njoftohet se Djajtë e Kuq do të ofrojnë 40 milionë funte (46.8 milionë euro) për ta angazhuar sulmuesin spanjoll. Megjithatë duhet të kihet parasysh se drejtuesit e Valencias dhe vetë lojtari kanë bërë të ditur se ai do të mbetet te Valencia, mirëpo një shumë kaq e madhe parash mund t’i ndryshojë gjërat.
Mediat italiane besojnë se pas shitjes së superyllit Kaka, Milani do ta sakrifikojë edhe mesfushorin Andrea Pirlo për të zvogëluar faturat e larta të pagave, ndërkohë që vendin e tij spekulohet se mund ta zë mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas.Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, e dëshiron në Stamfrod Bridge ish-lojtarin e tij, ndërsa Blutë janë të gatshëm të paguajnë 28 milionë euro për të fituar shërbimet e mesfushorit italian. Nga ana tjetër, Arsenali kërkon 35 milionë euro për Fabregas, i cili nëse transferohet në San Siro pritet të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare.
Trajneri i dikurshëm i Italisë dhe Milanit, Arrigo Sacchi, ka deklaruar se dëshiron t’i kthehet punës së trajnerit dhe ka caktuar Romën si skuadrën që pëlqen ta drejtojë.Rolin e fundit se trajner Sacchi e ka ushtruar në vitin 2001 kur udhëhiqte Parmën, ndërsa gjatë viteve 2004 dhe 2005 ishte drejtor i futbollit te Real Madridi. Pas punës me Los Blancos, 63-vjeçari ka punuar si analist i futbollit, ndërsa tani dëshiron të punojë sërish si trajner. “Nëse do të kthehem, atëherë do të më pëlqente ta udhëheq skuadrën e Romës. Mendoj se Roma është një skuadër e cila mund të japë shumë”, ka thënë Sacchi për “Radio Radio”.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, beson se mesfushori i Arsenalit, Francesc Fabregas, një ditë do të transferohet në Camp Nou.“Nuk mendoj se Cesc do t’i bashkëngjitet Madridit. Në futboll asnjëherë nuk mund të thuash se diçka është e pamundur, mirëpo unë nuk mund ta paramendoj atë si lojtar të Madridit” “Besoj se një ditë do të luajmë bashkë. Gjithmonë e kam thënë se Cesc një ditë do ta bartë sërish fanellën e Barcës. Ai nuk e pranon këtë gjë, mirëpo unë gjithmonë ia përsëris këtë”, ka thënë Pique për “Sport”.
"Sky Sport Italia" njofton se Milani ka mposhtur konkurrencën e një numri të madh skuadrash nga Serie A për të nënshkruar me sulmuesin 18-vjeçar, Gianmarco Zigoni, nga Treviso për një shumë prej 1.2 milion euro.Sulmuesi i ri ka lënë përshtypje të madhe me skuadrën e të rinjve të Trevisos, kështu që sezonin që shkoi është inkuadruar në ekipin e parë të skuadrës duke shënuar dy gola në 18 paraqitje në Serie B. Treviso ka rënë në Lega Pro, kështu që ka nevoja të shumta financiare prandaj do të detyrohet të shesë disa lojtarë për ta tejkaluar krizën, në grupin e të cilëve bën pjesë edhe Zigoni.
Presidenti i Lazios, Claudio Lotito, ka thënë se skuadra e tij mund të nënshkruajë me ish-mesfushorin e Juventusit, Pavel Nedved, dhe dikur më vonë do të mund t’ia ofrojë një post legjendës çeke në klubin kryeqytetas.Në fund të këtij sezoni, Nedved mbylli karrierën e tij me Juventusin që mendohej të ishte edhe fundi i karrierës si futbollist, mirëpo, Lazio dëshiron ta bindë 36-vjeçarin që të vazhdojë të luajë. “Ne jemi gjithmonë të kujdesshëm për lojtarët që bënë historinë e Lazios” ka thënë Lotito për blitzquotidiano.it, duke shtuar se mund të bashkëpunojnë sërish me Nedvedin, megjithatë, ai nuk ka folur ende me lojtarin për këtë gjë.
Njeriu i transfereve, Claudio Pasqualin, thotë se Fiorentina e ka shumë të vështirë ta mbajë mesfushorin Felipe Melo, përkundër se drejtuesit e Violas vazhdimisht pohojnë se nuk do ta shesin brazilianin.Për shërbimet e Melos janë të interesuara shumë skuadra të mëdha, siç janë Milan, Inter, Arsenal, Liverpool dhe Real Madrid. “Mendoj se është shumë punë e vështirë për Fiorentinën që t’i mbajë të gjithë lojtarët e mirë që ka, sidomos Felipe Melon, për të cilin ka shumë presion nga disa skuadra shumë të rëndësishme”, ka thënë Pasqualin për “Lady Radio”.
Milani është në kërkim të mbrojtësit të Corinthians, Andre Santos, ka konfirmuar agjenti i lojtarit, Roberto Queiroz de Andrade.“Po, është e vërtetë, Milani e kërkon lojtarin. Tash duhet që Corinthians të vendosë”. “Çmimi i tij? Skuadra do të fillojë nga një vlerë rreth 25-30 milionë euro, mirëpo sipas mendimit tim shumë lehtë do të mbyllej marrëveshja për 20 milionë euro duke përfshirë edhe autorizimin”, ka thënë Andrade për calciomercato.com.
Carlo Pallavicino, agjenti i mbrojtësit të Juventusit, Paolo De Ceglie, ka dhënë një deklaratë ku thuhet se 22-vjeçari nuk do të largohet nga Zonja e Vjetër, përkundër spekulimeve se ai mund t’i bashkëngjitet Napolit.“Lojtari nuk do t’i konsiderojë mundësitë që ka te Napoli dhe Udinese, jo se nuk i respekton këto dy klube të mëdha, por thjeshtë se është i vetëdijshëm për vlerën e tij dhe ka vendosur t’i provojë aftësitë e tij me Juventusin”, shkruan në deklaratën e Pallavicinos të publikuar në pianetazzurro.net. Për më shumë edhe trajneri i bardhezinjve, Ciro Ferrara, nuk dëshiron të lejojë largimin e mbrojtësit të krahut, i cili konsiderohet si lojtar me perspektivë në të ardhmen.
















