Pasi fillimisht ishte lënë anash në fillim të turneut, Theo Walcott dëshiron të përfundojë kampionatin Evropian U21 duke fituar në finale.Anglia eliminoi nikoqirin e garës, Suedinë, në penalti në gjysmëfinalen e mbrëmshme, pasi ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 3-3. Me Gabriel Agbonlahor dhe Fraizer Campbell të suspenduar, 20-vjeçari Walcott pritet të startojë si sulmues i vetëm për finalen e të hënës kundër Gjermanisë, pasi kjo e fundit eliminoi Italinë në gjysmëfinalen e dytë. “Mezi presim finalen. Kemi dy ditë për t’u përgatitur. Kemi 23 lojtarë të cilët kanë qenë fantastik gjatë gjithë turneut. Kanë qenë kohë fantastike këto të kaluara në Suedi, koha ka qenë e shkëlqyeshme dhe shpresoj se do të jemi të kthjellët të hënën”, ka thënë Walcott. “Kemi punuar shumë për të arritur këtu, por ende nuk kemi fituar asgjë. Ende duhet ta shkruajmë emrin tonë në atë trofe”, ka shtuar anglezi.
Sulmuesi argjentinas Carlos Tevez thotë se ai e kishte ditur se ditët e tij në Manchester United janë të numëruara që kur në ekip kishte arritur Dimitar Berbatov.Sulmuesi argjentinas ka thënë se ai do të luajë për një ekip tjetër, pasi ka hedhur poshtë ofertën e re të Mancehster United për të vazhduar në Old Trafford. “Nuk e di se ku do të luaj, por e di se ky nuk do të jetë Manchester United. Kur arrita këtu duhej të luftoja për vend si çdo lojtar tjetër. Sezoni im i parë ishte i mirë, isha herë fillestar herë zëvendësues, por e respektova atë”, ka thënë Tevez. “Por në vitin tim të dytë, pas ndeshjes kundër Liverpoolit, trajneri filloi të më shikojë nga lart. Fansat më përkrahën shumë, andaj mendova se diçka ndodhte pasi paraqitjet e mia po ashtu ishin të mira”. “Nuk u ndjeva i përkrahur pas arritjes së Berbatov, pasi unë isha njeriu për detyrën për të cilën ai u soll ta bëjë”, ka shtuar mes tjerash argjentinasi.
Legjenda e futbollit brazilian, Pele, ka qenë përkrahës i Liverpoolit, por tash është një fans i Manchester United.Ish-sulmuesi i kombëtares braziliani, me të cilin Manchester United u përpoq të nënshkruajë në vitet e gjashtëdhjeta, beson se Liga Premier është spektakli më i mirë në botë. “Gjithmonë më kanë pëlqyer ekipet angleze. Në vitet e 1970-ta dhe 80-ta kam qenë fans i Liverpoolit. Nuk e di pse, ndoshta sepse ata ishin top-ekip aso kohe”, ka thënë 68-vjeçari. “Në 10 ose 15 vitet e fundit jam kënaqur duke përcjellë Manchester United. Ata luajnë në mënyrën e duhur dhe, në Brazil, Manchester United është ekipi më i popullarizuar. Premier League është liga më emocionuese në botë për t’u shikuar, nuk ka dyshime”, ka shtuar Pele.
Mesfushori portugez Deco ka kritikuar pronarin e klubit Roman Abramovich për faktin se nuk i ka dhënë kohë të mjaftueshme ish-trajnerit Philippe Scolari.“Chelsea është një klub i veçantë. Nëse Phil do të ishte në Arsenal, Manchester United ose Liverpool, ata e respektojnë trajnerin dhe i japin kohë”, ka thënë Deco. “Shikoni Wenger, ai për pesë vite nuk ka fituar asgjë. Benitez kurrë nuk e ka fituar kampionatin anglez. Chelsea është më ndryshe, një klub i veçantë, i cili ka vetëm një pronar dhe të gjithë janë si lodra për të”. “Ndonjëherë Abramovich merr vendime të cilat janë mbi drejtorin e futbollit. Shkarkimi i Scolarit ishte i nxituar”, ka shtuar mesfushori.
Ylli i Real Madridit dhe kombëtares së Brazilit, Kaka, e sheh Anglinë si kërcënim kryesor për Kupën Botërore 2010.“Anglia luan vërtet shumë mirë nën drejtimin e Fabio Capello. Ata janë një grup shumë, shumë i mirë i lojtarëve”, ka thënë Kaka. “Sigurisht, e dimë se në futboll vetëm talenti nuk është i mjaftueshëm. Por mendoj se Anglia mund të ketë një sukses të mirë në Kupën Botërore”, ka shtuar braziliani. Kaka, i cili këtë verë u transferua në Real Madrid nga Milani për një shumë prej 65 milionë eurosh, aktualisht është në detyrë me kombëtaren e Brazilit, me të cilën të dielën do të jetë pjesë e finales së Kupës së Konfederatave, ku do të përballet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mediat spanjolle shkruajnë se kampioni i La Ligës, Barcelona, përgatitet për një sulm të ri për të marrë shërbimet e David Villas.Që kur drejtuesit e Valencias deklaruan se David Villa nuk është për shitje, Barcelona u tërhoq dhe ktheu vëmendjen kah lojtarë të tjerë. Por sipas Sport, drejtuesit e klubit katalanas ende nuk kanë hequr dorë nga sulmuesi spanjoll. Gazeta shkruan se Barcelona do të ketë një tentim të ri për të angazhuar sulmuesin dhe do të përpiqen të shfrytëzojnë largimin e Raul Albiol për në Real, për të angazhuar Villan. Barcelona do të përfshijë mbrojtësin uruguaian Martin Caceres në ofertën për Villan, i cili do të mund ta plotësojë zbrazëtirën e lërë nga Albiol tek Valencia, duke ulur kështu shumën e keshit që do të ofrojnë për Villan.
Drejtori i Interit, Gabrielle Oriali, thotë se Zlatan Ibrahimovic dhe Douglas Maicon mbeten në Giusseppe Meazza.“Jemi të kënaqur nga operacionet në tregun e transferimeve deri tash. Shumë shpejt do të dini për Arnautovic. Sa i takon situatës me Ibra dhe Maicon, nuk ka asgjë të re, të dy mbeten në Inter”, ka thënë Oriali. Ndërkohë La Gazzetta dello Sport ka cituar edhe presidentin e klubit, Massimo Moratti, i cili thotë se deri tash nuk ka arritur asnjë ofertë tjetër e kënaqshme për Zlatan Ibrahimovic.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka deklaruar se dyshja e Topçinjve, Cesc Fabregas dhe Emmanuel Adebayor, nuk do të largohen nga Emirates këtë afat kalimtar.Wenger është cituar nga dy gazetat franceze “L’Equipe” dhe “France Football”, i cili fillimisht ka treguar për vendimin e tij që të mos largohet drejt Real Madridit, dhe arsyeja ka qenë se ka dashur të dëshmojë se “mund të fitohet edhe në mënyra tjera” dhe se ai është duke ndërtuar një “skuadër të suksesshme me stil, njohuri, kulturë unikate të lojës dhe me lojtarë të rinj”. Pastaj, Wenger ka cekur se dy lojtarët më të përfolur në media, Adebayor dhe Fabregas nuk do të largohen nga Arsenali por do ta bartin fanellën e Topçinjve edhe në sezonin që vjen.
Trajneri i Blackburn Rovers, Sam Allardyce, planifikon ta transferojë sulmuesin e Real Madridit, Ruud van Nistelrooy.“Paga të cilën ai e merr te Real Madridi (141.000) nuk është e nivelit tonë. Mirëpo ndoshta ai dëshiron të vijë sërish në Angli dhe të luajë për një pagë më të vogël”, ka thënë Allardyce. Javën e ardhshme Nistelrooy mbush 33 vjet, ndërsa ai nuk bën pjesë në planet e administratës së re të Mbretërve dhe largimi i tij do të ndodhë gjatë këtij afati kalimtar.
Mediat angleze spekulojnë se Xabi Alonso është një hap më pranë Real Madridit, pasi që spanjolli tashmë është përshëndetur me një pjesë të personelit të Liverpoolit.Alonso është njëri nga prioritetet e presidentit të Los Blancos, Florentino Perez, mirëpo Redsat vazhdimisht kane refuzuar shitjen e tij. “The Times” shkruan se Liverpooli e ka caktuar shifrën prej 41 milionë euro për shitjen e mesfushorit, ndërsa pritet që Reali të bëjë ofertë zyrtare për Alonson.
Drejtuesit e Manchester United janë të bindur se do ta mposhtin konkurrencën e Real Madridit në garën për transferimin e sulmuesit të Lyonit, Karim Benzema.“The Daily Mail” shkruan se Benzema, i cili është shprehur se më shumë preferon të luajë në Spanjë se në ndonjë ligë tjetër, ndërsa te Reali është edhe Zinedine Zidane, i cili do të ndikojë në vendimin e sulmuesit francez. Mirëpo, Lso Blancos nuk dëshirojnë të paguajnë më shumë se 30 milionë euro për Benzeman, pasi kanë shpenzuar shumë për transferimin Ricardo Kaka dhe Crsitiano Ronaldo, dhe këtu është përparësia e United.
Shefi i Birmingham Cityt, David Gold, ka deklaruar se skuadra e porsakthyer në Premier Ligë nuk ka hequr dorë nga dëshira për ta transferuar mesfushorin e Interit, Patrick Vieira.“Ne e kemi provuar njëherë dhe do ta provojmë sërish, pasi që nuk mund të arrish sukses nëse nuk provon”, është cituar Gold nga “Daily Mail”. Sipas të gjitha gjasave, Vieira do të largohet nga Inter këtë afat kalimtar, mirëpo francezi ka deklaruar se nëse largohet nga Giuseppe Meazza, atëherë do të kthehet në Francë për të luajtur në Ligën e Parë, ndërsa për shërbimet e tij janë të interesuar PSG dhe Lyon.
Agjenti i Matteo Brighit, Vanni Puzzolo, ka treguar se nuk ka pasur zhvillime sa i përket rinovimit të kontratës së klientit të tij me skuadrën e Romës.Kontrata e Brighit skadon në vitin 2012, mirëpo Puzzolo beson se lojtari meriton pagë më të mirë se ajo që e merr tani. “Ende po presim për të biseduar në lidhje me kontratën. Matteo dëshiron të mbetet në Romë. Ai ka kontratë deri në vitin 2012 dhe është shumë i lidhur me skuadrën dhe tifozët”, ka thënë Puzzolo për Sportmediaset.it.
Liverpooli ka konfirmuar që të premten ka transferuar Glen Johnsonin nga Portsmouthi për shifrën prej 18.5 milionë funtesh, ndërsa kohëzgjatja e kontratës të cilën e ka nënshkruar lojtari është katër vjet.“Ai ishte lojtar i rëndësishëm te Chelsea, ndërsa vitin e fundit është përmirësuar shumë me fanellën e Portsmouthit”. “Njëra nga gjërat kryesore është mentaliteti i tij që shumë i mirë. Ai është një fitues. Mua më kanë lënë shumë përshtypje bisedat që kam pasur me të”, ka thënë trajneri i Redsave, Rafa Benitez, duke shprehur kënaqësinë e tij për arritjen e këtij transferimi.
Yaya Toure ka vazhduar kontratën e tij me Barcelonën, sipas të cilës ai do të qëndrojë deri në vitin 2012 në Camp Nou.Gjatë këtij afati kalimtar është spekuluar për mundësinë e largimit të mesfushorit nga klubi katalunas, mirëpo “Marca” njofton se pas takimit të të premtes ndërmjet agjentit të Toure, Dmitri Seluk, dhe drejtorit teknik të Barcelonës, Txiki Bergiristain, shumë shpejt është arritur marrëveshja për vazhdimin e kontratës. Krejt çka mbetet është konfirmimi zyrtar i vazhdimit të kontratës së mesfushorit defanziv dhe të mësohet për vlerën e pagës, e cila është rritur më shumë.
Javier Saviola është zyrtarisht lojtar i Benficas ku është transferuar për shumën prej 5 milionë eurosh nga Real Madridi.Kohët e fundit, argjentinasi ka qenë shënjestër e Benficas, me ç’rast mendohej se ai do të kalonte në formë huazimi në Estadio da Luz, mirëpo skuadra portugeze vendosi ta blinte 27-vjeçarin. Kështu, sipas deklaratës zyrtare të klubit portugez, në ditët në vijim Saviola do të udhëtojë në Lisbonë për të nënshkruar kontratë trevjeçare me Benfican.
Të premten mbrëma është konfirmuar transferimi i Cristiano Ronaldos nga Manchester Unitedi te Real Madridi, i cili ka nënshkruar kontratë gjashtëvjeçare me Mbretërit.“Klubi Futbollistik i Real Madridit dhe Manchester Unitedi kanë konfirmuar marrëveshjen definitive për transferimin e lojtarit Cristiano Ronaldo, që do të hyjë në fuqi nga 1 korriku”. “Lojtari do të jetë te Real Madridi në gjashtë sezonet e ardhshme, ndërsa prezantimi i tij do të bëhet me 6 korrik në stadiumin Saniago Bernabeu”, shkruan në deklaratën zyrtare të Real Madridit. Kalim i portugezit te Los Blancos vjen pasi Unitedi e pranoi shumën rekorde prej 80 milionë funtesh (93 milionë euro) për shitjen e Ronaldos, ndërsa “Sky Sports” njofton se shuma e plotë e parave do të paguhet përnjëherë pikërisht në ditën kur kontrata hy në fuqi- më 1 korrik.
















