Kampioni në fuqi i Kupës së Konfederatave, Brazili, ka arritur të përmbysë rezultatin e ndeshjes përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke fituar finalen e kësaj gare.SHBA-të kaluan në avantazh të dyfishtë në pjesën e parë, por pjesa e dytë i takoi Brazilit që përmbysi rezultatin nga 2-0 në 3-2.
Pjesa e parë
Pjesa e parë e takimit final të Kupës së Konfederatave i takoi SHBA-ve, të cilët si në ndeshjen e kaluar gjysmëfinale kundër Spanjës, bënë befasinë duke kaluar në avantazh të dyfishtë, dhe duke dhënë përshtypjen se mund edhe të fitojnë këtë garë. Golin e parë për amerikanët e shënoi Clint Dempsey në minutën e 10-të të lojës, pasi pranoi një asistim nga ana e djathtë nga Jonathan Spector. Rezultatin për amerikanët e dyfishoi Landon Donovan, pas 27 minutash lojë.
Pjesa e dytë
Duke marrë mësim nga 45 minutat e para, brazilianët bënë një rikthim të befasishëm në pjesën e dytë, duke përmbysur rezultatin. Brazili u tregua i rrezikshëm që në fillim të pjesës së dytë, duke ngushtuar disavantazhin në 2-1 me anë të një goli të shënuar nga Luis Fabiano. Sulmuesi i Sevillas pranoi një asistin nga Maicon dhe shmangu mbrojtësin Jay De Merit, për ta dërguar topin në rrjetën e Howard. I njëjti lojtar shënoi edhe golin e barazimit për Brazilin, 15 minuta para fundit të kohës së rregullt. Pas një loje të mirë nga Kaka në të djathtë, përforcimi i ri i Real Madridit dërgoi një harkim për Robinhon, goditja e të cilit prek shtyllën duke i lejuar Fabianos të dërgojë në rrjetë topin e rikthyer. Golin e fitores për Brazilin e shënoi Lucio gjahtë minuta para fundit të ndeshjes. Kapiteni i ekipit shënoi me kokë pas një harkimi të Elanos nga këndi. Brazili pati edhe një gol të anuluar, që u shënua nga Kaka pas një ore lojë, por ai u mohua padrejtësisht, duke u gjykuar se nuk kishte kaluar vijën e golit. Brazili ka fituar Kupën e Konfederatave edhe në edicionin e fundit, në atë të vitit 2005, si dhe në edicionin e parë të kësaj gare, që u mbajt në vitin 1997.

Ish-sulmuesi i Interit, Adriano, ka dërguar shumë fjalë falënderuese në drejtim të trajnerit të nerazurëve, Jose Mourinho, dhe ka falënderuar portugezin që ishte përpjekur ta rikthejë karrierën e tij në rrugën e duhur.Qëkur Mourinho morri kreun e Interit, Adriano u kthye nga Brazili në Milano dhe filloi të dukej në formën e vjetër. Por në fund Adriano sërish filloi të ndjehet jo i lumtur në Itali dhe në fund Inter prishi marrëveshjen me të dhe i lejoi të rikthehet në vendlindje ku aktivizohet për Flamengon. “Mourinho është trajneri më i mirë me të cilin kam punuar, një personalitet i cili i kupton futbollistët e tij dhe ka njohje të mëdha për futbollin. Mund vetëm ta falënderoj për gjithçka që ka bërë për mua, më ka mësuar shumë gjëra”, ka thënë Adriano. “Mourinho është ai që dëshironte më së shumti të rikthehem në Inter pas huazimit në Sao Paolo, ai nuk dëshironte të më dorëzojë”, ka shtuar braziliani.
Mediat angleze shkruajnë se Manchester City është duke ndjekur me shumë kujdes situatën në Real Madrid dhe përgatit ofertë për mesfushorin Arjen Robben.City është serioz në tentimin për të angazhuar Samuel Eto’o, ndërsa së fundi pritet që arrijë marrëveshje edhe me Carlos Tevez. Trajneri Mark Hughes dëshiron të sjellë shpejtësi në sulm, andaj edhe Robben shihet si një përforcim ideal për ekipin. Me ardhjen e Cristiano Ronaldos në Real, vendi i Robben është i kërcënuar, por disa burime nga klubi spanjoll thonë se Florentino Perez dëshiron ta mbajë holandezin. Robben dëshiron të luajë në një klub tjetër i cili do të jetë pjesë e Ligës së Kampionëve, por nëse City bën ndonjë ofertë të majme, holandezi mund të ndërrojë mendje.
Ish-sulmuesi i Arsenalit, Fredie Ljungberg, ka frikë nga e ardhmja e Arsenalit dhe mendon se klubi duhet të harxhojë më shumë para për përforcime.Ljungberg dy herë e fitoi Ligën Premier me Arsenalin dhe tri herë e ngriti trofeun e Kupës FA, duke kaluar plot nëntë vite nën drejtimin e Wenger. Suedezi thotë se ai është i dëshpëruar kur i sheh rezultatet e Arsenalit në disa sezonet e fundit. “Kam ndjenjën se situata financiare në klub është ca e shtrënguar, dhe cili është qëndrimi i klubit? Askush nuk del publikisht të thotë se pse nuk harxhohen para. Të gjithë e bëjnë këtë pyetje. Jam i dëshpëruar kur i shoh rezultatet në disa vitet e fundit”, ka thënë suedezi.
Përforcimi i ri i Real Madridit, Kaka, thotë se ylli i Barcelonës, Lionel Messi, është favoriti kryesor për ta fituar Topin e Artë.Argjentinasi ishte një prej shtyllave të Barcelonës në sezonin e fundit, kur ekipi spanjoll fitoi tre trofe. “Mendoj se Messi do ta fitojë Topin e Artë dhe do ta fitojë shpërblimin e FIFA-s për futbollistin më të mirë. Do të jetë vështirë që dikush ta kundërshtojë, pasi ai këtë sezon ishte protagonisti kryesor në triumfin e Barcelonës në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Kaka për L’Equipe. Braziliani po ashtu thotë se ai do të përpiqet që edhe vetë të arrijë edhe një herë te ky shpërblim në ‘disa vitet e ardhshme’.
Ndeshja e zhvilluar për vendin e tretë të Kupës së Konfederatave, ndërmjet Spanjës dhe Afrikës së Jugut, ka përfunduar me fitoren e Spanjës me rezultat prej 3-2.U desh të kalonin 73 minuta për t’u parë goli i parë në ndeshje, i cili u takoi nikoqirëve të kësaj gare, derisa golashënues ishte Katlego Mphela. Mirëpo atëherë kur mendohej se Afrika e Jugut do ta mposhtë kampionin e Evropës, Daniel Guiza barazoi rezultatin në 1-1 (88’). I njëjti lojtar vetëm pas një minute krijoi epërsinë për Spanjën, mirëpo në minutat shtesë (90’+3) Katlego Mphela shënoi golin e dytë për Afrikën e Jugut për t’i dërguar skuadrat në vazhdime. Në pjesën e dytë të vazhdimeve, mesfushori spanjoll Xabi Alonso nga një gjuajtje e lirë e mposhti portierin Khune për ta kaluar Spanjën sërish në epërsi dhe ky rezultoi të ishte edhe goli i fitores.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka pranuar se Manchester City ka bërë një ofertë monstruoze për sulmuesin Samuel Eto’o.Çështja e kamerunasit mbetet e pazgjidhur, ndërsa Laporta ka thënë për “Sky Sports News”, se pasanikët nga Liga Premier kanë bërë një ofertë të cilën nuk do të mund ta refuzojë Eto’o. Sipas Laportas, nëse Eto’o kalon te City ai do të bëhet lojtari më i paguar në botë. “Ka filluar të kuptohet se ia kanë bërë një ofertë monstruoze. Ai dëshiron të qëndrojë, mirëpo një ofertë të tillë është vështirë ta refuzosh. Nëse Eto’o e pranon këtë ofertë stratosferike, atëherë ne duhet ta sjellim ndonjë sulmues tjetër”, ka thënë Laporta.
Javën e ardhshme sulmuesi argjentinas, Julio Cruz, do të jetë lojtar i lirë, pasi që i skadon kontrata me Interin, ndërsa zikaltrit nuk dëshirojnë t’ia vazhdojnë kontratën.Kështu, 34-vjeçari do të kalojë në një skuadër tjetër, ndërsa Fiorentina është shumë e interesuar për shërbimet e sulmuesit. Edhe pse më herët u spekulua se skuadra e Panathinaikosit është pranë transferimit të Cruz, “Sky Sports Italia” njofton se grekët tani dëshirojnë të tërhiqen nga oferta e tyre.
Shënjestra kryesore e Milanit gjatë këtij afati kalimtar, Edin Dzeko, ka deklaruar se ai do të qëndrojë te Wolfsburgu, por kundër dëshirës së tij.Sulmuesi boshnjak të shtunën është takuar me trajnerin e Wolfsburgut, Armin Veh, i cili ia ka bërë të ditur vendimin e drejtuesve të skuadrës. “Do të mbetem te Wolfsburgu, mirëpo nuk jam i lumtur. Do të më pëlqente t’i bashkëngjitëm Milanit, mirëpo unë kam kontratë dhe klubi ka vendosur të mos më lëshojë”, ka thënë 23-vjeçari për “Sky Sport 24”.
Menaxheri gjeneral i Milanit, Adriano Galliani, ka konfirmuar se mbrojtësi veteran Giuseppe Favalli do të qëndrojë në San Siro edhe në sezonin ardhshëm.Kontrata e Favallit skadonte në fund të këtij muaji, mirëpo Rossonerët vendosën ta mbanin atë edhe një sezon në skuadër duke ia ofruara mundësinë e nënshkrimit të kontratës së re, e cila skadon në qershor të vitit 2010. Favalli është transferuar te Milani në vitin 2006 nga rivali i qytetit, Inter, ndërsa me fanellën kuqezi ka fituar Ligën e kampionëve dhe Superkupën e Evropës.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, dëshiron ta përdorë ndikimin e tij për ta joshur sulmuesin e Valencias, David Villa, drejt Camp Nout.Ende nuk është qartësuar situata e sulmuesit spanjoll, nëse do të qëndrojë ose do të largohet nga Mestalla, ndërsa për shërbimet e tij janë të interesuara të gjitha skuadrat e mëdha evropiane. “Unë e njoh atë qe një kohë të gjatë dhe kemi raporte shumë të mira. ai ka qenë gjithmonë i afërt me lojtarët e Barcelonës dhe ne argëtohemi shumë bashkë”. “Ai ka një teknikë të shkëlqyer dhe ka sy për gol, prandaj do të përshtatej në mënyrë të përsosur në stilin tonë të lojës”, ka thënë Xavi.
"Sunday Express" njofton se Chelsea do t’i ofrojë 59 milionë euro Bayern Munichut, për të fituar shërbimet e anësorit francez, Franck Ribery.Ribery është njëri nga lojtarët më të kërkuar në treg aktualisht, ndërsa Blutë duhet të konkurrojnë me Real Madridin, Manchester Unitedin dhe Barcelonën për ta transferuar francezin në Stamford Bridge. Megjithatë, paraprakisht Chelsea duhet të bindë skuadrën bavareze që të heqë dorë nga ylli kryesor i skuadrës, pasi që deri më tani drejtuesit e Bayernit kanë pohuar se Ribery nuk është në shitje.
Legjenda braziliane Pele e ka lavdëruar superyllin portugez, Cristiano Ronaldo, duke e krahasuar me legjendën e ndjerë të Manchester Unitedit, George Best.“Cristiano më kujton aq shumë lojtarin për të cilin gjithmonë kam thënë se ishte i shkëlqyeshëm- George Best”. “Ai (Ronaldo) është lojtari që i ngjan më së shumti Bestit kur ishte në kulmin e karrierës së tij- duke u bazuar në mënyrën si vrapon me topin në shpejtësi, lojën edhe në anën e majtë edhe në të djathtë, si dhe ka shumë teknikë”. “Më pëlqen ta shikoj Ronaldon, ai është një lojtar me talent të jashtëzakonshëm”, ka thënë Pele për “Sunday Mirror”.
Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie, ka deklaruar se ai dëshiron të bëhet lojtari më i mirë në botë dhe t’i ndihmojë skuadrës së tij për të fituar trofe.“Nuk jam në bisedime me asnjë skuadër tjetër përveç Arsenalit”. “Dëshiroj të bëhem lojtari më i mirë në botë. Karriera ime do të konsiderohet e suksesshme vetëm atëherë kur të jem më i miri. Gjithçka tjetër nuk ka rëndësi”, ka thënë holandezi për “News of the World”.
Aston Villa është e interesuar për shërbimet e mesfushorit të Bayern Munichut, Tim Borowski.Që nga largimi i Gareth Barryt, skuadra angleze është në kërkim të një mesfushori ndërsa emri i fundit që qarkullon është ai i Borowskit. Sipas “News of the World”, ekipi nga Liga Premier është i gatshëm të ofrojë afër 6 milionë euro për të fituar shërbimet e 29-vjeçarit.
Kaka ka zbuluar arsyet pse e kishte refuzuar ofertën e Manchester Cityt, ndërsa e ka pranuar atë të Real Madridit.“Kam qenë shumë i kënaqur me interesimin e Manchester Cityt në janar, mirëpo tani për tani ndërtimi i skuadrës mbetet vetëm një projekt. Dhe nganjëherë nuk dihet se sa do të zgjasin investimet për një projekt të tillë”. “Shumë klube të vogla kanë periudha kur investojnë shumë para. Mirëpo në një moment investimet ndërpriten, ndërsa pronari vendos të bëjë diçka tjetër”. “Kështu unë u ndjeva se ka ardhur koha për ndryshim dhe Real Madridi ishte skuadër për mua”. “Nuk ka të bëjë me dallimet e kualitetit ndërmjet La Ligas dhe Ligës Premier. Reali do të jetë gjithmonë një klub i madh. Askush nuk mund t’ia merr historinë dhe nëntë titujt e Ligës së Kampionëve”, është cituar Kaka nga “News of the World”.
Nëse Pep Guardiola ndonjëherë do të mendojë të largohet nga stoli i nxehtë i Barcelonës, ekipi spanjoll duket se ka një zgjidhje tjetër, edhe një ish-lojtar të etur të marrë stolin e menaxherit.Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe ish-bashkëlojtar i Guardiolës, Patrick Kluivert, ka thënë se ai një ditë shpreson të rikthehet në klub si menaxher i klubit. “Pep është shok shpirti. Ai gjithmonë më ka inkurajuar dhe shpresoj se do të kem të njëjtin sukses si ai një ditë. Ëndrra ime është të drejtoj Barcelonën”, ka thënë Kluivert.
Valentino Rossi ka shënuar edhe fitoren e 100-të në karrierën e tij në Moto GP, pasi arriti në cak i pari edhe në garën e të shtunës në Assen, Holandë.Rossi fitoi me një përfundim të lehtë. Ai humbi kryesimin në fillim të garës, por shpejt u rikthye për të shënuar fitoren historike. “Është një fitore fantastike, pasi kjo rrugë është e veçantë dhe ka shumë histori në të. Babai im fitoi këtë garë në kategorinë 250cc. Është kënaqësi kur arrin fitoren e 100-të”, ka thënë 30-vjeçari Rossi. Pas shtatë garash nga 17 sa ka sezoni, Rossi kryeson tabelën me 131 pikë, i ndjekur nga Jorge Lorenzo me 126 dhe Casey Stoner me 122, të cilët përfunduan në pozitat dy dhe tre edhe në garën e fundit.
Kampionia në fuqi, Venus Williams, i ka dhënë leksion tenisi spanjolles Carla Suarez Navarro duke e mposhtur në dy sete (6-0, 6-4) në rundin e tretë të Wimbledonit.29-vjeçarja amerikane nuk i dha asnjë rast spanjolles në setin e parë, por i lejoi pak shpresë në setin e dytë. Venus në rundin e ardhshëm do të takohet ish-kampionen e French Open, Ana Ivanovic, e cila në rundin e tretë mposhti në dy sete (7-5, 6-2) australianen Samantha Stosur. Serbia tjetër, ish-numri një dhe tash e gjashta në botë, Jelena Jankovic, është eliminuar nga turneu nga amerikania Melanie Oudin (6-7, 7-5, 6-2). Kjo e fundit në rundin e ardhshëm do të takojë polaken Agnieszka Radwanska. Nga turneu Wimbledon befasishëm është eliminuar edhe kampionia e French Open, Svetlana Kuznetsova, e cila humbi nga gjermania Sabine Lisicki (6-2, 7-5).
Andy Roddick ka përdorur servimet e tij të pandalshme për të mposhtur austriakun Jurgen Melzer në katër sete (7-6, 7-6, 4-6, 6-3), për të siguruar vend në rundin e katërt të Wimbledonit.Amerikani i gjashtë në botë, finalist në vitet 2004 dhe 2005, do të përballet me çekun Tomas Berdych (i 20-ti) për një vend në çerekfinale. Berdych, çerekfinalist i vitit 2007, mposhti me lehtësi rusin e 12-të në botë, Nikolay Davydenko (6-2, 6-3, 6-2). Australiani Lleyton Hewitt ka vazhduar shkëlqimin në Wimbledon, duke mposhtur kësaj here gjermanin Philipp Petzschner në tre sete (7-5, 7-6, 6-3). Hewitt do të përballet me Radek Stepanek, pasi çeku eliminoi spanjollin David Ferrer (7-5, 7-5, 3-6, 4-6, 6-4). Në 1/8 e finales është kualifikuar edhe numri re i botës, britaniku Andy Murray, i cili tregoi edhe një paraqitje mbresëlënëse duke shkatërruar serbin Viktor Troicki në tre sete (6-2, 6-3, 6-4). Skocezi në ndeshjen e radhës do të takohet me zviceranin Stanislas Wawrinka, i cili mposhti amerikanin Jesse Levine (5-7, 7-5, 6-3, 6-3).
















