Serena dhe Venus Williams janë vetëm një ndeshje larg edhe një përballjeje mes tyre, pasi që të dyja motrat janë kualifikuar për në gjysmëfinale të Wimbledonit.Serena tregoi një formë të shkëlqyeshme duke mposhtur kundërshtaren bjelloruse Victoria Azarenka në dy sete (6-2, 6-3), gjatë ndeshjes që zgjati 73 minuta. Kampionia në fuqi e US Open dhe Australian Open në gjysmëfinale do të përballet me kampionen olimpike Elena Dementieva, e cila shkatërroi italianen Francesca Schiavone në dy sete (6-2, 6-2). Edhe më me lehtësi për në gjysmëfinale është kualifikuar Venus Williams, e cila mposhti në dy sete polaken Agnieszka Radwanska (6-1, 6-2). Kampionia në fuqi e Wimbledonit, në ndeshjen e ardhshme do të përballet me numrin një të botës, Dinara Safina, e cila arriti në gjysmëfinale duke mposhtur Sabine Lisicki. Rusja u kthye nga disavantazhi prej një seti, për të fituar në fund 2-1 ndaj gjermanes (6-7, 6-4, 6-1). Motrat Williams ishin finaliste edhe në edicionin e vitit të kaluar të Wimbledonit, ku triumfoi Venus, si dhe në edicionet 2002 dhe 2003, kur kishte triumfuar Serena.
Spekulimet për largimin e mesfushorit të kombëtares shqiptare, Lorik Cana, nga Olimpique Marseille, janë gjithnjë e më të zëshme së fundi.France Football më herët kishte shkruar se Hamburg kishte bërë ofertë prej 5 milionë eurosh për kapitenin e Marseillet, edhe pse vështirë se klubi francez mund të heqë dorë nga shqiptari për këtë shumë. Marseille raportohet se nuk do të analizojë asnjë ofertë që është nën 8 milionë euro. “Nuk është se ai e ka shprehur dëshirën për t’u larguar, thjesht është se për momentin, Lorik, i cili ka qenë këtu për katër vite, ka dëshirë të përpiqet dhe të eksplorojë diçka tjetër. Sot dera është e hapur, dhe nëse ka oferta do t’i analizojmë”, ka thënë drejtori sportiv i klubit, Jose Anigo.
Trajneri i ri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ai dëshironte që ish-kapiteni i Milanit, Paolo Maldini, t’i bashkohet atij në stafin drejtues të bluve.Ancelotti iu bashkua klubit londinez në muajin e kaluar dhe shpresonte se edhe Maldini do ta ndiqte atë në Stamford Bridge, pasi vari këpucët në fund të sezonit. “I bëra këtë propozim atij. Por ai dëshironte të bënte një kohë pauzë pas aq shumë vitesh lojë, dhe kjo është e kuptueshme. Por nëse do të mund ta merrja ndonjërin në Chelsea, do të ishte pikërisht Maldini”, ka thënë Ancelotti.
Klubi spanjoll Real Madrid pritet të dërgojë një ofertë të vlefshme 60 milionë funte për tre lojtarë të Liverpoolit.Sipas Sport, Reali është në kërkim të dyshes së mesfushës Javier Mascherano dhe Xabi Alonso, së bashku me mbrojtësin Alvaro Arbeloa. Sidoqoftë, oferta ende është larg vlerës që kërkon Rafa Benitez, i cili i vlerëson Mascheranon dhe Alonson në kuotën e 35 milionëve dhe Arbeloan me 8 milionë funte. Benitez tashmë ka refuzuar një ofertë të veçantë të Realit prej 3 milionë funtesh për Arbeloan.
Mesfushori brazilian Felipe Melo u ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij duke u lidhur me Fiorentinën deri në vitin 2013.Kontrata e mëparshme e Melos skadonte në vitin 2012, mirëpo Viola ka reaguar për t’ia vazhduar kontratën, pasi që shumë skuadra të mëdha evropiane ishin të interesuara për shërbimet e brazilianit. Në faqen zyrtare të Fiorentinas shkruan se Drejtori Pantaleo Corvino është takuar të martën në Milano me agjentin e mesfushorit të Violas me ç’rast është arritur marrëveshja për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2013.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Luca Toni, i ka qetësuar spekulimet se ai mund të kthehet në Itali duke thënë se do të mbetet te skuadra bavareze.“Nuk mendoj për ta ndërruar klubin. E konsideroj veten shumë mirë këtu në Munih, ndërsa Bayerni më ofron gjithçka që dëshiroj”. “Bayerni ka një perspektivë të mirë për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe unë mendoj se mund ta fitojmë me një skuadër kaq të fortë”. “Do të stërvitem maksimalisht dhe do të dëshmoj se akoma mund të jap më të mirën nga vetja”, ka thënë Toni për “Bild”.
Skuadra ukrainase Dynamo Kyivi shpreson ta rikthejë në skuadër sulmuesin e Chelseat, Andriy Shevchenko.Mësohet se Kyivi ka kontaktuar me drejtuesit e Chelseat për të bërë ofertë për sulmuesin 32-vjeçar, i cili sezonin e kaluar ishte i huazuar te skuadra e tij e dikurshme, Milan. Trajneri i Dynamo Kyivit, Valery Gazzaev, është shprehur i entuziazmuar që mund t’i ofrohet mundësia të punojë me Shevën, ndërsa presidenti i klubit ukrainas, Igor Surkis, ka konfirmuar interesimin e skuadrës së tij për dikur-njërin nga sulmuesit më të mirë në botë. “Jemi të interesuar për Shevchenkon. Një ofertë është bërë dhe jemi duke pritur përgjigjen”, ka thënë Surkis për “The Daily Mail”.
Sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, i ka dhënë fund mundësisë për të kaluar te Milani duke shprehur besnikërinë e tij për skuadrën aktuale.Sulmuesi boshnjak para disa ditësh deklaroi se kampioni gjerman e ka detyruar atë të qëndrojë në skuadër kundër dëshirës së tij, mirëpo tani duket se e ka ndryshuar “melodinë”. “Jam mirë këtu dhe jam i lumtur që do të luaj në Ligën e Kampionëve. Jam 100 për qind i sigurt se në vitet e ardhshme unë do të vazhdoj të luaj për Wolfsburgun”, ka thënë boshnjaku për faqen zyrtare të klubit.
Deklarimet e fundit të Andrey Arshavin nuk do t’i gëzojnë tifozët e Arsenalit, pasi që anësori rus ka thënë se do të ishte më se i kënaqur po t’i bashkëngjitej Barcelonës.“Po të më jepet mundësia të luaj për Barcelonën do të isha shumë i lumtur”, është cituar 28-vjeçari nga “The Sun”. Arshavin kaloi te Topçinjtë gjatë afatit kalimtar dimëror nga Zenit St. Petersburgu për shumën prej 15 milionë funtesh (17.7 milionë euro).
Pas kthimit nga Kupa e Konfederatave ku ishte me Spanjën, mesfushori i Valencias, David Silva, i ka heshtur të gjitha spekulimet për ndonjë largim të mundshëm.“Jam i lumtur këtu dhe mendoj vetëm për Valencian që është një skuadër e madhe dhe që po ashtu ka lojtarët fantastikë”. “Ajo që dëshiroj të bëj tani është të pushoj pas një sezoni të gjatë, sepse dëshiroj që bateritë e mia të jenë të mbushura kur të fillojnë ndeshjet parasezonale”, është shprehur 23-vjeçari për të cilin është spekuluar se mund të kalojë te Real Madridi.
Juventusi ka hequr dorë nga sulmuesi i Villarrealit, Giuseppe Rossi, sepse shifra të cilën e kërkon Nëndetësja e Verdhë, është e lartë për bardhezinjtë.“Sky Sport” njofton se të hënën bordi i Bianconerëve ka vendosur që Juve të fokusohet te sulmuesi i Lazios, Goran Pandev. Ky vendim është marrë pavarësisht faktit nëse do të shitet David Trezeguet ose jo. Maqedonasi dëshiron të transferohet në një skuadër të madhe, ndërsa deri më tani është penguar nga presidenti i Lazios, Claudio Lotito. Mirëpo nëse vjen një ofertë e cila plotëson kërkesat e Lotitos, atëherë Pandev do të luajë për Juventusin.
Agjenti i Julio Cruz ka njoftuar se veç Fiorentinas edhe Napoli është i interesuar për të fituar shërbimet e sulmuesit argjentinas.Këtë javë skadon marrëveshja e Cruz me Interin, kështu që agjenti i tij, Jorge Cyterszpiller, duhet t’ia gjejë një skuadër tjetër. “Jemi duke i shqyrtuar të gjitha ofertat. Nuk kemi vendosur ende ku do të luajë Cruz sezonin e ardhshëm. Të mërkurën do të kthehem në Itali dhe do t’i fillojmë konsultimet”. “Asgjë nuk është definuar me Fiorentinën. Napoli? Kam folur me Marinon (drejtorin gjeneral të Napolit) për këtë gjë”, është shprehur Cyterszpiller për tuttonapoli.net
Lojtari i ri i Real Madridit, Ricardo Kaka, do të kthehet nga Kupa e Konfederatave drejt në Santiago Bernabeu ku do të bëhet prezantimi i tij para tifozëve të Los Blancos.Reali ka caktuar mbrëmjen e të martës kur braziliani do ta veshë fanellën e Mbretërve. “Jam i sigurt se do të jetë një ditë e paharruar në karrierën time. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe jam i lumtur që po shkoj në Madrid”, është shprehur Kaka për “AS”.
Diego Milito ka kompletuar transferimin nga Genoa te kampioni i Italisë, Inter.Marrëveshja është arritur qe një kohë të gjatë, mirëpo të hënën mbrëma është zyrtarizuar kalimi i argjentinasit te Nerazzurët, me të cilët ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2013. Njëkohësisht, Robert Acquafresca ka kaluar në drejtim të kundërt, ndërsa pritet që mesfushori i Genoas, Thiago Motta, po ashtu ta vesh fanellën zikaltër këtë sezon.
Të rinjtë gjerman kanë shënuar fitore bindëse prej 4-0 ndaj të rinjve të kombëtares Angleze duke fituar titullin e parë të kampionatit evropian për futbollistë deri në moshën 21 vjeçare.Gjermanët kaluan në epërsi në që pjesën e parë të ndeshjes me anë të Gonzalo Castro, që erdhi pas 22 minutash lojë. Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e tretë të pjesës së dytë, Mesut Ozil shënoi golin e dytë për gjermanët nga gjuajtja e lirë.Duke e parë veten në disavantazh të dyfishtë, anglezët filluan të sulmojnë në kërkim të barazimit, por ndodhi e kundërta. Sulmuesi Sandro Wagner shënoi dy herë në minutat e fundit të ndeshjes (79’ dhe 84’), për t’i siguruar trofeun e merituar Gjermanisë.
















