Serena Williams ka mposhtur motrën e saj Venus në dy sete (7-6, 6-2), për të fituar finalen e femrave në Wimbledon.
Ky ishte triumfi i tretë për numrin dy të botës ndaj motrës së saj në finalen e turneut britanik. Setin e parë Serena e fitoi me pak mundim (7-6), pasi u detyrua ta fitojë në tie-break (7-3), ndërsa të dytin e fitoi bindshëm (6-2). 29-vjeçarja Venus shpresonte të sigurojë edhe titullin e gjashtë Wimbledon, por nuk arriti t’i bëjë ballë motrës së saj më të re. 27-vjeçarja Serena, e cila vitin e kaluar u mposht në finale pikërisht nga Venus, tash ka fituar tre tituj Wimbledon. Ajo kishte mposhtur motrën e saj edhe në finalet e vitit 2002 dhe 2003 për të fituar po këtë turne.
Fiorentina ka njoftuar se Arsenali është e vetmja skuadër e cila ka bërë ofertë zyrtare për mesfushorin Felipe Melo.
Të shtunën “Sky Sport Italia” njoftoi se Juventusi ka arritur marrëveshje me Violan për shërbimet e Felipe Melos, mirëpo Fiorentina e ka demantuar këtë lajm. Skuadra vjollce ka bërë një deklaratë zyrtare ku thuhet se Arsenali është skuadra e vetme që ka bërë ofertë për brazilianin, ndërsa Fiorentina është e gatshme ta shesë atë, por me kusht që edhe Emmanuel Eboue të përfshihet në marrëveshje.
Presidenti i Bayern Munichut, Franc Beckenbauer, thotë se Real Madridi nuk ka para të mjaftueshme për ta blerë Franck Riberyn, pasi që Florentino Perez ka shpenzuar shumë para për transferimin e Ricardo Kaka, Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema (rreth 210 milionë euro).
Bavarezët e kanë të vështirë ta mbajnë anësorin francez, i cili ka deklaruar publikisht se dëshiron të kalojë te Mbretërit nga Madridi. “Nuk mund të paramendoj se Real Madridi ka para për ta angazhuar Franck Riberyn pas të gjithë atyre angazhimeve nga javët e kaluara”, është cituar Beckenbauer nga “Bild”. Sipas “Bild”, Bayerni ka marrë një ofertë prej 25 milionë eurosh, plus Wesley Sneijderin, Rafael van der Vaartin dhe një lojtar tjetër, për të hequr dorë nga Ribery, mirëpo thuhet se bavarezët kanë refuzuar këtë ofertë.
Tashmë ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Carlos Tevez, e ka quajtur trajnerin Sir Alex Ferguson gënjeshtar dhe shpreson që kur të luajë për skuadrën e ardhshme t’i shënojë gol Unitedit, për t’i treguar skocezit që ka bërë gabim të madh që e ka lëshuar argjentinasin nga Old Trafford.
Kontrata e huazimit të Tevez te Djajtë e Kuq ka skaduar, ndërsa argjentinasi refuzoi të nënshkruante për Unitedin, kështu që sipas të gjitha gjasave argjentinasi do të transferohet te rivalët e qytetit të Mançesterit, Mnchester City. “Ferguson ende beson se unë do të jem tek United edhe në sezonin e ardhshëm. Ai mendon se unë do të kthehem. Mirëpo unë e di se kjo nuk do të ndodhë dhe po ashtu e di se Ferguson nuk më ka vlerësuar si lojtar”. “Para se të vinte Berbatovi në Manchester, Ferguson më tha: ‘Ti do të vazhdosh të luash si lojtar startues, prandaj duhet të jesh i qetë’. Mirëpo ai më gënjeu! Dhe për këtë e di se nuk do të kthehem te United”. “Ajo që dëshiroj është që në sezonin e ri të shënoj gol kundër Unitedit. Ju premtoj se nuk do ta festoj golin para tifozëve të United, por do të bërtas përpara fytyrës së Ferguson. Dhe kjo do të jetë gjëja më e bukur që e kam bërë në futboll”, është cituar Tevez nga “Daily Mirror”.
Transferi i sivjetmë i Interit, Diego Milito, thotë se Interi është në nivelin e Barcelonës dhe shpreson që sezonin e ardhshëm t’i fitojë të gjitha trofetë me fanellën zikaltër.
“Është shumë më mirë që pikërisht tani erdha tek Interi. Ishte lëvizje shumë e mirë e Genoas që deri në fund të sezonit bazohej në shërbimet e mia”. “Gjatë përvojës time kam mësuar se në futboll shpërblehet puna në afat të gjatë kohor dhe unë jam i prirë që gjithmonë ta jap maksimumin”. “Kjo skuadër ka gjithçka të nevojshme për ta fituar Ligën e Kampionëve. Duhet ta ndjekim shembullin e Barcelonës dhe të fitojmë gjithçka në sezonin e ardhshëm”, ka thënë argjentinasi duke shprehur kënaqësi që do të luajë krahas Zlatan Ibrahimovicit në sulm.
Sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet, i cili ka kryesuar titujt e lajmeve sportive për mundësinë e largimin nga bardhezinjtë, ka deklaruar se planifikon të qëndrojë te Zonja e Vjetër dhe ta respektojë kontratën e tij.
“Jam i nderuar që dy skuadra prestigjioze, siç janë Marseille dhe Lyon, janë të interesuara për mua”. “Mirëpo, kur bëhet fjalë për të ardhmen time, dua të them se kam edhe dy vite në kontratën time me Juventusin dhe planifikoj ta respektoj atë”, shkruan në deklaratën e Trezegol.
Manchester City vazhdon të insistojë në transferimin e kapitenit të Chelseat, John Terry.
“The Sun” shkruan se ‘pasanikët’ i kanë ofruar mbrojtësit anglez një shifër prej 300.000 funtesh (350.547 euro) në javë për ta bindur atë që t’i bashkohet Cityt. Kjo mega-ofertë është vështirë të refuzohet dhe do ta bënte Terryn lojtarin më të paguar në botë me 15.6 milionë funte (18.2 milionë euro) në vit.
Robin van Persie është pajtuar që të nënshkruajë një kontratë të re pesëvjeçare me Arsenalin.
Edhe pse ende nuk është bërë njoftimi zyrtar, “The Independent” shkruan se holandezi është pajtuar të nënshkruajë vazhdimin e kontratës së tij deri në vitin 2014, me ç’rast do të fitojë 80.000 funte (93.500 euro) në javë. Spekulimet për mundësinë e largimit të Van Persiet nga Emirates, i detyruan Topçinjtë që të reagojnë shpejt për të mos lejuar largimin e yllit të tyre.
Lazio është skuadra e radhës e cila është interesuar për shërbimet e sulmuesit argjentinas Julio Ricardo Cruz, i cili aktualisht është lojtar i lirë, pasi i ka skaduar kontrata me Interin
Napoli dhe Fiorentina janë shprehur të interesuara për ta transferuar argjentinasin, mirëpo tuttomercatoweb.com njofton se edhe Lazio do t’u bëjë konkurrencë në garën e tyre për sulmuesin. Ende nuk dihet oferta që do të bëjë Lazio, mirëpo besohet se nuk do të jetë më e madhe se oferta që ka bërë Napoli (1.5 milion euro për sezon).
Së shpejti do të bëhet prezantimi zyrtar i lojtarit të Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ndërsa portugezi ka thënë se pas marrjes së të gjitha trofeve me Manchester Unitedin, ai kërkoi një sfidë të re, dhe kjo ishte të bëhej lojtar i Los Blancos dhe pastaj të bëhet lojtari më i mirë në historinë e Mbretërve.
“Qëllimi im është që të bëhem njëri nga lojtarët më të mirë të klubit... ose më i miri”. “Kur u arrit marrëveshja ndjehesha i lehtësuar. Tani mund të them se e kam realizuar ëndrrën time”. “Florentino Perez ka bërë revolucion në botën e futbollit, mirëpo unë do ta dëshmoj se vlej aq sa më ka paguar. E hëna do të jetë dita më e madhe në jetën time”, është cituar Ronaldo nga “Marca”.
Pas transferimit befasues te Manchester Unitedi, sulmuesi anglez Michael Owen ka deklaruar se ai është i vendosur që të kthehet në formën më të mirë dhe t’u ndihmojë Djajve të Kuq të fitojnë trofe.
“Është ndjenjë e mrekullueshme. Asnjëherë nuk kam menduar për këtë transferim, mirëpo trajneri më thirri në telefon dhe u takuam. Ishte shokuese, mirëpo unë jam shumë i lumtur dhe gjërat kanë lëvizur shumë shpejtë”. “Unë kam pasur një paraqitje të dobët te Newcastle, mirëpo para kësaj karriera ime ka qenë e mirë dhe jam i sigurt se një skuadër si United mund ta rindërtojë karrierën time”. “Shpresoj të shënoj disa gola dhe t’i ndihmoj skuadrës të fitojë trofe. Është ende herët, mirëpo kur mendon për Unitedin, automatikisht mendon për trofetë, stadiumin dhe masën e madhe të tifozëve” është shprehur Owen për “MUTV”.
Pas refuzimit të tentativës së parë nga Sevilla për sulmuesin Luis Fabiano, zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, do të udhëtojë në Madrid për të diskutuar mundësinë e transferimit të Klaas-Jan Huntelaar.
Tuttomercatoweb njofton se Galliani do të bisedojë me drejtuesit e Realit për disponueshmërinë e sulmuesit holandez, i cili sezonin e kaluar shënoi 8 gola në 20 paraqitje. Pas transferimit të Kaka, Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema, ish-sulmuesi i Ajaxit është tepricë në Bernabeu, prandaj nëse arrihet marrëveshja, Huntelaar brenda javës së ardhshme do të jetë në San Siro.
Ish-trajneri i Interit, Roberto Mancini, ka deklaruar se nuk ka asgjë të keqe nëse merr postin e trajnerit të Juventusit në të ardhmen.
Derisa ishte trajner i Interit, Mancini kishte pasur disa ‘zënka’ me Bianconerët, mirëpo trajneri italian thotë se nuk ka qenë ashtu dhe dëshiron të lë gjithçka në të kaluarën. “Ta drejtoj Juventusin? Nëse ekziston mundësia, shumë lehtë mund të bisedojmë për këtë. Ndoshta duket që kam pasur probleme me Juventusin, mirëpo nuk ka ndodhur kështu”, ka thënë Mancini për sportmediaset.it.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, i ka siguruar tifozët që Andrea Pirlo do të qëndrojë në San Siro, pasi që Rossonerët nuk kanë marrë oferta për mesfushorin italian.
Pirlo kërkohet nga shumë skuadra, ndërsa më të interesuara për shërbimet e tij janë Chelsea dhe Atletico Madridi. “Nuk kemi marrë asnjë ofertë për Andrea Pirlon”, ka thënë Galliani për milannews.it, ndërsa të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe agjenti i lojtarit, Tullio Tinti, duke thënë se “Pirlo është lojtar i Milanit”.
Chelsea ka konfirmuar zyrtarisht se ka transferuar 19-vjeçarin Daniel Sturridge nga Manchester City.
Sulmuesi anglez, i cili sezonin që shkoi shënoi 4 gola në 26 paraqitje për Cityn, ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me Blutë. Sturridge është pjesë e përfaqësueses së Anglisë U-20, ndërsa pritet t’i bashkëngjitet skuadrës së Chelseat në stërvitjet parasezonale.