Drejtori gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, ka bërë të ditur se çmimet e Franck Ribery dhe Xabi Alonso janë shumë të larta për Mbretërit.
Bayern Munichu ka caktuar shifrën prej 80 milionë eurosh për anësorin francez Ribery, ndërsa Liverpooli ka refuzuar dy oferta të Los Blancos për spanjollin Alonso. “Xabi Alonso është prioriteti i ynë nëse buxheti ynë mund ta përballojë blerjen e tij, mirëpo duket se nuk është kështu. Ne jemi shumë larg shifrave që kërkon Liverpooli”, ka thënë Valdano për “El Partido de la Una”. Drejtori madrilen ka folur edhe për çmimin që e kanë caktuar bavarezët për Ribery duke thënë: “Është një shifër e paarritshme. Është ngjashëm sikurse të thonë se nuk dëshirojnë ta shesin”.
Pas sigurimit të shërbimeve të Yuri Zhirkovit, Chelsea vazhdon të jetë aktive në merkato, ndërsa mësohet se mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, është në krye të listës për transferimet e mundshme gjatë këtij afati kalimtar.
“Il Romanista” shkruan se trajneri i Bluve, Carlo Ancelotti, dëshiron një mesfushor të fuqishëm në skuadër, ndërsa De Rossi pëlqehet më shumë nga ai sesa ndonjë lojtar tjetër. Mirëpo, për t’ia arritur qëllimit, pronari i Chelseat, Roman Abramovich, duhet të përgatisë një shumë të madhe parash, pasi që Giallorossët nuk do të heqin dorë lehtë nga ylli i tyre.
Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, ka përsëritur përkushtimin e tij ndaj Blaugranëve duke thënë se do ta injorojë çdo ofertë që vjen në drejtim të tij.
Manchester City është skuadër shumë e interesuar për shërbimet e mbrojtësit spanjoll, mirëpo Puyol ka deklaruar se ai do të nënshkruajë kontratë të re me katalunasit për të dëshmuar përkushtimin ndaj skuadrës. “E vërteta është se unë jam shumë i qetë, Unë kam kontratë me Barcelonën edhe për një vit, ndërsa tani jemi duke biseduar për një kontratë të re”. “Më ka pëlqyer çdo vit që kam kaluar këtu dhe dëshiroj të vazhdoj të qëndroj. Për mua nuk ka asnjë problem dhe nuk jam i interesuar për thashethemet që shkruhen nëpër gazeta”, ka thënë Puyol për “El Mundo Deportivo”.
Sulmuesi boshnjak Edin Dzeko ka vendosur të qëndrojë te kampioni gjerman Wolfsburg së paku edhe një sezon duke nënshkruar kontratë të re.
23-vjeçari ishte në shënjestër të Milanit, mirëpo Rossonerët nuk arritën të sigurojnë shërbimet e tij gjatë këtij afati kalimtar. “Wolfsburger Allgemeine Zeitung” njofton se me kontratën e re Dzekos i rritet paga, ndërsa njëkohësisht vlera e tij është zvogëluar dhe në fund të sezonit të ri ai do të mund të largohet për shumën prej 20 milionë eurosh.
Portieri i Barcelonës, Victor Valdes, ka nënshkruar kontratë të re, e cila do ta mbajë atë në Camp Nou deri në vitin 2014.
Në bazë të kontratës së re, 27-vjeçarit do t’i përmirësohet paga vjetore, ndërsa çmimi për largimit e tij është rritur 150 milionë euro. “Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur. Për mua është një nder që t’i mbroj ngjyrat e Barcelonës çdo ditë. Kjo është një ëndërr e realizuar, veç tjerash, kjo lë të kuptoj se do të pensionohem te ky klub”, ka thënë Valdes për faqen zyrtare të Barcës.
Bayern Munich ka nxjerrë një çmim prej 80 milionë eurosh për mesfushorin francez Franck Ribery, raporton gazeta gjermane Bild.
Bayerni që vazhdimisht ka mohuar se Ribery është në shitje, raportohet se i ka dhënë ultimatum deri në 16 korrik Real Madridit, të vendosë nëse është i gatshëm të ofrojë këtë shumë ose jo. Reali tashmë ka harxhuar para të majme duke transferuar yjet si Cristiano Ronaldo nga Manchester United, për një shumë rekorde prej 94 milionë eurosh, dhe Kaka nga Milani për 65 milionë euro.
Ekipi i Milanit ka pohuar se ka arritur të angazhojë në radhë e veta mbrojtësin e Standard Liege, Oguchi Onyewu.
27-vjeçari pati një paraqitje impresive në Kupën e Konfederatave me kombëtaren e SHBA-ve, por kalimi i tij në Milan është pak befasues. “Ekipi i Milanit dëshiron të informojë se ka arritur të angazhojë Oguchi Onyewu nga ekipi Standarg Liege. Futbollisti i cili angazhohet për kombëtaren e SHBA-ve, po ashtu ka edhe pasosh belg dhe ka nënshkruar marrëveshje e cila do të skadon më 30 qershor 2012”, thuhet në deklaratën e rosonerëve. Onyewu do të arrijë në Milan si lojtar i lirë, pasi marrëveshja e tij me ekipin Standard përfundoi në fund të sezonit të kaluar.
Drejtori i Real Madrid, Joge Valdano, thotë se përforcimi i ri i klubit mbretëror, Cristiano Ronaldo, i ka të gjitha kualitetet e duhura për t’u krahasuar me Diego Maradonan si futbollist më i mirë në historinë e këtij sporti.
Reali mbrëmë e prezantoi edhe zyrtarisht Ronaldon si futbollist të ri në një ceremoni spektakolare në Bernabeu, para po thuajse 80 mijë shikuesish. “Më brengos presioni të cilin e bëjnë mediat të cilat nuk janë të lidhura me sportin. Ata të sportit janë shumë më profesionale dhe kanë respekt. Të tjerët më shqetësojnë”, ka thënë Valddano. “Kurrë nuk kam thënë se Ronaldo ka nevojë për të dashur ose grua. Nuk mendoj se qëllimi i Real Madridit është që ai të ketë të dashur”. Në pyetjen nëse Ronaldo do të mund të arrijë nivelin e Diego Maradonës dhe të jetë futbollisti më i mirë në historinë e futbollit, Valdanë është përgjigjur: “Ronaldo ka vetëm 24 vite dhe ende ka një rrugë të gjatë para tij. Ai tashmë ka arritur disa gjëra të rëndësishme, tashmë e ka ngritur Topin e Artë, por ende nuk e ka arritur të gjithë potencialin që ka. Ai është ambicioz. Nuk ka qëllim që ai nuk do të mund ta realizojë. Ka kohë për gjithçka”.
Manchester City ka kthyer vëmendjen kah Joleon Lescott pasi ka dështuar në përpjekjen për të sjellë në radhët e veta mbrojtësin e Chelseat, John Terry.
Mark Hughes tashmë ka dërguar një ofertë joformale në drejtim të Evertonit për mbrojtësin Lescott, ndërsa tash do të ndajmë më shumë se 15 milionë funte, sa ishte oferta e parë. City është i gatshëm ta rritë edhe pagën e lojtarit për trefish me qëllim që ta tërheqë atë drejt Manchesterit. Menaxheri i Evertonit, David Moyes, ka paralajmëruar se do të mundohet me të gjitha forcat për t’i mbajtur futbollistët më të mirë, por nëse arrin ndonjë ofertë e përshtatshme, klubi nga Liverpooli mund të heqë dorë nga shërbimet e Lescott.

Në një intervistë të fundit Lionel Messi e ka kritikuar lojën e Chelseat në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës.
Barcelona nuk pati shumë probleme në Ligën e Kampionëve derisa nuk arriti në gjysmëfinale ku për kundërshtarë pati Chelsean. “Nëse ekipi vjen dhe përpiqet të luajë futboll kundër nesh, atëherë mirë. Por, Chelsea nuk dëshironte të luajë futboll. Ata thjesht refuzuan. Ata dëshironin të na ndalojnë me një lojë të ndytë. Loja ishte më shumë fizike se sa një lojë normale futbolli. Kjo nuk është stili i jonë”, ka thënë Messi. “Ne dëshirojmë gjithë kohën ta kemi topin. Kur do të shihni ndonjë ekip që luan ashtu do të mendoni: ‘Si mundet një ekip me futbollistë të tillë të mos përpiqet të luajë me top? Si mund thjesht të qëndrojnë aty’?”. “Vështirë mund të besohet se një ekip që ishte kampion i Ligës Premier dhe para një sezoni ishte finalist i Ligës së Kampionëve, mund të luajë ashtu”, ka përfunduar argjentinasi.
Pavarësisht se rosonerët ende nuk kanë nënshkruar me asnjë lojtar të ri këtë afat kalimtar, zëvendës-presidenti i Milanit, Adriano Galliani, beson se ekipi është mjaft i fuqishëm për ta vazhduar traditën e fitimit të trofeve dhe garave në vitet e ardhshme.
“Milani ka fituar 26 trofe në 23 sezonet e fundit, 13 në Itali dhe 13 jashtë saj. Këto fitore janë garanci për të ardhmen, falë këtyre trofeve Milani është bërë klubi më fitues në botë”, ka thënë Galliani. “Asnjë klub tjetër italian nuk ka fituar tituj ndërkombëtar në mileniumin e ri. Ne jemi krenar për këtë. Tash jemi në një moment të rëndësishëm, kur duhet të bëjmë ndryshime. Jam i sigurt se ekipi do të vazhdojë t’ia dalë mirë”, ka shtuar italiani.
Menaxheri i ri i Chelseat ka hedhur poshtë supozimet se klubi do të fokusohet në garën evropiane dhe do të lërë anash Ligën Premier.
Shumica besojnë se historia e suksesshme e italianit në Ligën e Kampionëve ishte arsye kryesore për arritjen e tij në Stamford Bridge, por Ancelotti ka qenë i shpejtë për të mohuar këto supozime. “Për Chelsean është e rëndësishme të fitojmë Ligën e Kampionëve, por po ashtu është e rëndësishme ta fitojmë edhe Ligën Premier në të njëjtën kohë. Ne do të bëjmë maksimumin që mundemi për t’i fituar të gjitha garat”, ka thënë ish-trajneri i Milanit.
Manchester City lidhet me transferimin e edhe një sulmuesi, kësaj here spanjollit të Fenerbahce, Daniel Guiza.
City është lidhur me një mori sulmuesish javëve të fundit dhe spanjolli Dani Guiza është i fundit në listë. Sipas Marca, klubi anglez sheh te Guiza një partner ideal të Carlos Tevez dhe Roque Santa Cruz, në rast se nuk arrin të transferojë Samuel Eto’o. Pasi fitoi Euro 2008 me Spanjën, Guiza befasoi të gjithë duke iu bashkuar trajnerit Luis Aragones në Fenerbahce. Megjithatë spanjolli dëshiron të largohet nga Turqia, madje do të pranonte edhe ulje të pagës, që nuk besohet se mund të ndodhë në City. Fenerbahce thuhet se mund të kërkojë rreth 15 milionë euro për Guiza, një shumë të cilët City sërish nuk do ta kishte problem.
Ekipi francez Olimpique Lyon ka konfirmuar se ka arritur të sigurojë shërbimet e sulmuesit të Portos, Lisandro Lopez.
Dy klubet kanë arritur marrëveshje të vlefshme 24 milionë euro, një shumë e cila mund të shkojë në 28 milionë në varësi të paraqitjeve të lojtarit. Argjentinasi pritet të arrijë në Lyon në ditët e ardhshme për të kompletuar transferimin pasi të kalojë testet mjekësore. Ky transferim iu jep fund spekulimeve për emra të ndryshëm të cilët do të zëvendësonin Karim Benzema, i cili u transferua në Real Madrid për 35 milionë euro. Lisandro, i cili iu bashkua Portos nga Racing Club në vitin 2005 për një shumë prej 2.5 milionë euro, ka bërë 28 paraqitje në ligë në sezonin e fundit për ekipin portugez dhe ka shënuar 10 gola.
Përzgjedhësi i kombëtares angleze, Fabio Capello, ka thënë se topçinjtë janë shembull për t’u ndjekur sa i përket krijimit të futbollistëve të rinj.
“Jam shumë me fat, pasi kam pasur mundësinë të shikoj në akademinë e Arsenalit kur ekipi anglez është stërvitur dhe puna e tyre është jashtëzakonisht e mirë”, ka thënë Capello. “Është një shembull i rëndësishëm për akademitë tjera angleze. Jam shumë i interesuar në akademitë e klubeve në Angli, por ata të gjithë duket se punojnë mirë. Jam shumë, shumë i lumtur për të ardhmen e Anglisë dhe mendoj se do të jetë edhe më e mirë”, ka shtuar italiani.
Sulmuesi brazilian i Manchester Cityt, Jo, është duke u rikthyer te Evertoni për edhe një sezon huazimi.
Daily Mail shkruan se Jo do ta kalojë edhe sezonin e dytë si i huazuar në Goodison Park, pasi ka bindur drejtuesit e këtij klubi për formën e tij në një seri të testeve. Braziliani bëri një paraqitje mbresëlënëse në Everton në sezonin e kaluar dhe është tepricë në kërkesat e Manchester Cityt. Nëse Carlos Tevez i bashkohet Roque Santa Cruz dhe Robinhos në sulm, duhet se Jo nuk do të ketë hapësirë në City edhe për sezonin ardhshëm. Madje trajneri Mark Hughes është në kërkim edhe të Samuel Eto’o nga Barcelona.
Përforcimi i ri i Chelseat, rusi Yuri Zhirkov, është i ngazëllyer për transferimin e tij dhe thotë se ai dëshiron të fitojë Ligën e Kampionëve me klubin anglez.
“Në Chelsea gjithmonë kanë dashur ta fitojnë këtë trofe dhe për një numër arsyesh kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë ish-anësori i CSKA Moskës për Daily Mail. “Shpresoj se me arritjen time fati i keq të ndryshohet dhe Chelsea përfundimisht ta fitojë këtë trofe”, ka thënë Zhirkov. Edhe trajneri i ri Chelseat, Carlo Ancelotti, është shprehur se synimi kryesor i tij për këtë sezon do të jetë Liga e Kampionëve.