Blerim Xhemajli Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka folur për mesfushorin tetovar me pasaportë zvicerane, Blerim Xhemajli, i cili ishte njëri nga lojtarët më të mirë të Torinos në sezonin që shkoi, përkundër se Toro kaloi në Serie B.
“Tani për tani Xhemajli është në merkato, por ne do të kishim dashur ta mbanim. Do të na pëlqente edhe një marrëveshje bashkëpronësie. Paratë janë të rëndësishme, mirëpo ata që largohen duhet të zëvendësohen”. “Xhemajli ka shumë oferta të rëndësishme, mirëpo pas humbjes së Cesare Natalit dhe Ignazio Abates, humbja e Xhemajlit do të ishte një shenjë dobësie e klubit”, ka thënë Cairo për “Toronews”. Skuadrat të cilat janë më të interesuara për 23-vjeçarin janë Fiorentina dhe Udinese, ndërsa duke ditur pozitën e Torinos, shumë lehtë mund ta shohim Xhemajlin të luajë në Serie A.
Valon Behrami (Majtas) Mesfushorti i West Ham United, Valon Behrami, ka filluar të stërvitet sërish pas lëndimit që pësoi në marsin e këtij viti.
“Rikthimi është një ndjenjë e mirë. Kur ndjehesh se je pjesë e skuadrës, secilën herë që kthehesh është kënaqësi”. “Nëse shkon në stërvitje dhe nuk ndjehesh mirë, nuk është lehtë, mirëpo këtu të gjithë janë të lumtur. Unë jam përshtatur shumë shpejt këtu”, ka thënë mesfushori kosovar me pasaportë zvicerane duke shtuar se shpreson që të jep më të mirën nga vetja në sezonin e ri.
Goal.com njofton se Barcelona dhe Valencia kanë arritur marrëveshje, sipas të cilës David Villa do të luajë në Camp Nou nga sezoni i ardhshëm.
Një burim i afërt me skuadrën katalunase ka thënë se sulmuesi spanjoll e ka realizuar dëshirën e tij dhe gjatë këtij afati kalimtar do të transferohet te trekampionët. Për shërbimet i Villas ishte i interesuar edhe Real Madridi, mirëpo Mbretërit hoqën dorë pasi që drejtuesit e Los Che deklaruan se ai nuk është në shitje.
Dritan Smajlaj feston golin e shënuar në takimin e parë kundër Sligos në Irlandë. Ekipi shkodran Vllaznia ka barazuar në Loro Boriqi ndaj ekipit skocez Sligo Rovers, por ka arritur të kualifikohet në rundin e dytë të Ligës së Evropës, siç quhet në sezonin e ri Kupa UEFA.
Golin e vetëm për ekipin shqiptar e shënoi mesfushori Ndriçim Shtubina dy minuta para fundit të pjesës së parë. Shkodranët mbetën me 10 lojtarë në fushë në dhjetë minutat e fundit, të cilën përparësi e shfrytëzuan mysafirët që shënuan me anë të mbrojtësit Alan Keane, pesë minuta para fundit të ndeshjes. Pavarësisht barazimit, ekipi shkodran kualifikohet falë fitores 2-1 në ndeshjen e parë si mysafir. Ekipi tjetër nga Shqipëria që ka garuar në fazën e parë para-eliminatore të Ligës së Evropës, Dinamo nga Tirana, është eliminuar pavarësisht se fitoi 2-0 në Qemal Stafa ndaj ekipit finlandez Lahti. Dinamo kishte humbur me rezultat 4-1 në fushë mysafire dhe kishte nevojë edhe për një gol tjetër (3-0) për t’u kualifikuar në rundin e ardhshëm. Nga gara është eliminuar edhe një ekip tjetër shqiptar, ai nga Maqedonia, Renova. Tetovarët barazuan 1-1 në fushë të vet ndaj ekipit bjellorus Dinamo Minsk, por u eliminuan për shkak se kishin pësuar humbje me rezultat 2-1 në ndeshjen e parë në udhëtim.
Mesfushori portugez Deco, është i gatshëm të mbetet në Stamford Bridge, por shpreson se disa gjëra do të ndryshojnë.
Deco së fundi është lidhur me një largim nga Liga Premier, pas një sezoni të parë zhgënjyes te klubi londinez. Edhe pse shënoi në dy ndeshjet e tij të para me blutë, Deco u shoqërua me lëndime gjatë vazhdimit të sezonit për dhe pati vetëm tri paraqitje nën drejtimin e Guus Hiddink. “Jam ca i lodhur nga Evropa, por për respekt të Chelseat do të mbetem në këtë kontinent edhe pak. Kam oferta nga disa klube, por nëse qëndroj në Chelsea e rëndësishme është që disa gjëra të ndryshojnë, pasi ato që ndodhën vitin e kaluar nuk më pëlqyen”, ka thënë Deco.
Mesfushori i Arsenalit, Tomas Rosicky, shpreson se do të rikthehet në ekipin e Arsenalit që në javët e para të kampionatit të ri.
Çeku nuk ka luajtur po thuajse 18 muaj që kur u lëndua në ndeshjen kundër Newcastle në janar të vitit 2008. 28-vjeçari së fundi i ka filluar përgatitjet me topçinjtë dhe pret të rikthehet në lojë në vjeshtë. “Mendoj se do të rikthehem në vjeshtë. Sipas trajnerit tim të fitnesit kam mundur të luajë edhe në fund të sezonit të kaluar. Nga stërvitjet ishte e qartë se mund të luaj, edhe pse ndoshta jo 90 minuta të plota”, ka thënë Rosicky. “Por klubi vendosi të mos luaj. Ata e panë se jam ok, por ndoshta nuk deshën të rrezikojnë. Derisa nuk e luaj së paku një ndeshje të sezoni nuk mund të them se si janë shanset e mia”, ka shtuar çeku.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, është i kënaqur që Steven Gerrard ka nënshkruar vazhdimin dyvjeçar të marrëveshjes me Liverpoolin.
Kapiteni ka arritur marrëveshje me drejtuesit e Liverpoolit që nga muaji prill dhe e nënshkroi atë këtë javë, duke i dhënë besimin ekipit të tij deri në vitin 2013. “Këtë verë e kemi harxhuar për t’i siguruar lojtarët ekzistues me marrëveshje të reja. Vërtet është mirë të mbahen në skuadër lojtarë si Kuyt, Ager, Torres, Benayoun dhe Steve. Ata janë këtu dhe klubi tash ka vërtet një të ardhme të mirë”, ka thënë Benitez. “Vërtet jemi të kënaqur. Kemi futbollistë vërtet të mirë, të cilët dëshirojnë të mbeten, të fitojnë dhe të garojnë. Porosia është e qartë edhe këtë vit, të jemi sfidues për titull dhe të luftojmë deri në fund. Nëse mund të luftojmë për trofe do të jetë fantastike”, ka shtuar spanjolli.
Dy skuadrat nga Superliga shqiptare, Vllaznia dhe Dinamo, si edhe skuadra tetovare, Renova, të enjten do t’i zhvillojnë ndeshjet kthyese të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Në ndeshjen e parë Dinamo e Tiranës është mposhtur me rezultat prej 4-1 në stadiumin e Lahtit në Finlandë, ndërsa ndeshja e kthimit zhvillohet të enjten në “Qemal Stafa”, dhe shanset që skuadra shqiptare të vazhdojë tutje janë minimale. Nga ana tjetër, në ndeshjen e parë si mysafir i Sligos, Vllaznia ka fituar me rezultat prej 2-1, dhe ndeshja e kthimit që do të zhvillohet të enjten në “Loro Boriçi” të Shkodrës, i jep përparësi skuadrës shqiptare, e cila edhe me barazim vazhdon në raundin e dytë. Një tjetër skuadër shqiptare që bën gara në Ligën Evropiane (ish-Kupa UEFA) është skuadra nga Maqedonia, ajo e Renovës, e cila në ndeshjen e parë si mysafir i Dinamo Minsk, është mposhtur me rezultat 2-1, kështu që të enjten e ka mundësinë që të hakmerret dhe të vazhdojë tutje.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, është fituesi i dytë i trofeut "Alfredo di Stefano", i cili i ndahet futbollistit më të mirë të sezonit në La Liga.
Sezonin që shkoi Barcelona fitoi të gjitha trofetë e mundshme (La Ligan, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit), ndërsa Messi ishte njëri nga lojtarët kyç për këtë sukses. Në bazë të votimeve për këtë çmim, argjentinasi zuri vendin e parë, ndërsa pas ti u renditën Andres Iniesta dhe Diego Forlan. “Duhet të jesh i verbër për të mos kuptuar se ky djalosh pati sezon të shkëlqyer. Loja e tij ishte e jashtëzakonshme”, tha për Messin legjenda e Real Madridit, Alfredo di Stefano. Trofeu i parë “Alfredo di Stefano”, i cili u dorëzua një vit më herët, i takoi ikonës së Los Blancos, Raul.
Sulmuesi veteran i Milanit, Filippo Inzaghi, thotë se është koha që Rossonerët të vazhdojnë përpara dhe të mos diskutojnë më për largimin e Ricardo Kaka, Paolo Maldinit dhe Carlo Ancelottit.
“Jemi duke shikuar përpara për të filluar sezonin e ri me Leonardon në krye. Ai na ka dhënë shumë motivacion gjatë stërvitjeve”. “Në skuadër kanë ndodhur ndryshime të mëdha dhe njerëzit si Kaka janë të pazëvendësueshëm, mirëpo ne e fituam Ligën e Kampionëve në vitin 2003 pa të”. “Kemi humbur njerëz të mëdhenj, si Ancelotti, Maldini dhe Kaka, mirëpo tani kemi një rrugë të re dhe duhet të arrijmë sukses”. “Unë do të mundohem të jap më të mirën nga vetja dhe unë jam gjithmonë i gatshëm për skuadrën”, ka thënë Inzaghi për “Sky Sport Italia”.
Manchester City ka refuzuar rastin për të nënshkruar me kapitenin e Barcelonës, Carles Puyol.
Sipas The Independent, Barcelona ia ka ofruar mbrojtësin Manchester Cityt, por klubi anglez nuk ka qenë i interesuar për shërbimet e spanjollit.Barcelona dëshiron të shesë një pjesë të lojtarëve për të krijuar një fond për blerje të reja, ku cak kryesor duket se është Cesc Fabregas nga Arsenali.Manchester City është në kërkim të një lojtari tjetër të Barcelonës, sulmuesin më të mirë të kësaj skuadre, Samuel Eto’o. Ndërkohë Barcelona thuhet se bën plane të shesë për një çmim të favorshëm edhe mesfushorin Yaya Toure.
‘Fenomeni’ Ronaldo vazhdon të impresionojë me formën e tij këtë vit, duke shënuar hat-trick në derbin e fundit brazilian, të cilin ekipi i tij Corinthians e fitoi me rezultat 4-2 ndaj Fluminense. Ndeshja ishte e para për Corinthians që kur ky ekip fitoi Kupën e Brazilit javën e kaluar, dhe gjiganti brazilian ka treguar vlerën me edhe një fitore të rëndësishme.Ronaldo shënoi dy gola në pjesën e parë (minuta e 24-të dhe e 35-të) dhe një tjetër në të dytën, gjashtë minuta para fundit të ndeshjes.Golat ishin golat e tij të parë për kampionatin Braziliano, edhe pse ai kishte shënuar një seri golash në kampionatin Paulista dhe në Kupën e Brazilit, dy kampionate të cilat Corinthians i ka fituar.
"The Mirror" njofton se Manchester Unitedi e ka gati ofertën për sulmuesin e Interit, Zlatan Ibrahimovic.
Gjatë këtij afati kalimtar ka pasur shumë spekulime për mundësinë e largimit të Ibras nga zikaltrit, ndërsa tabloidi britanik “The Mirror” shkruan se trajneri i Djajve të Kuq, Sir Alex Ferguson, do të ofrojë 35 milionë euro për shërbimet e boshnjakut me pasaportë suedeze. Sido që të jetë, shifra të cilën e ofron United është e vogël për të plotësuar kërkesat e presidentit të Interit, Massimo Moratti, ndërkohë që Jose Mouronho së fundmi ka thënë se nuk do të lejojë largimin e asnjë lojtari pasi të fillojnë ndeshjet parasezonale.
Mediat italiane njoftojnë se Pavel Nedved mund të nënshkruajë një kontratë shokuese për rivalin e përjetshëm të Pavel Nedved .
Çeku i dha fund qëndrimit tetëvjeçar te Zonja e Vjetër duke refuzuar vazhdimin e kontratës, ndërsa agjenti i tij Mino Raiola është në bisedime me zikaltrit për mundësinë që Nedved të vazhdojë të luajë. Sipas “Virgilio Sport” palët tashmë kanë arritur marrëveshje fillestare, sipas së cilës mesfushori legjendar do të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me Interin, ndërsa do të paguhet tre milionë euro për sezon.
Sezoni i ri i Juventusit fillon nga e enjtja me trajnerin Ciro Ferrara në krye, i cili është i bindur se udhëheqësit bardhezi po punojnë për të plotësuar të gjitha zbrazëtirat e skuadrës, e cila do të jetë sfiduese në të gjitha garat në sezonin e ri.
“Klubi ka bërë përpjekje të mëdha për ta përmirësuar skuadrën dhe për ta shmangur diferencën me Interin dhe top-skuadrat tjera evropiane”. “Të jesh trajner i Juventusit do të thotë përgjegjësi e madhe, mirëpo kjo nuk vërehet aspak, sepse është kënaqësi të punosh me lojtarë të nivelit të lartë të cilët janë sfidues për objektiva të mëdha”, ka thënë Ferrara. Gjatë këtij afati kalimtar, Zonja e Vjetër ka siguruar shërbimet e Diegos dhe Fabio Cannavaros, ndërsa është afër kompletimit të marrëveshjes me Felipe Melon dhe Fabio Grosson.
Presidenti i Barcelonës, Juan Laporta, thotë se nuk mund të kontaktojë me sulmuesin kamerunas, Samuel Eto’o, me të cilin dëshiron të bisedojë për të ardhmen e lojtarit.
“E kam thirrur disa herë Samuelin, por ai nuk lajmërohet. Nuk e di nëse e ka ndërruar numrin”. “Unë kam pasur raporte të mira me të dhe më vjen keq për këtë që po ndodh”. “Më duket sikur ai nuk dëshiron të flasë me mua. Ndoshta është hidhëruar me Barcelonën? Nuk e di, për këtë duhet të flasim me të”. “Ai ka edhe një vit në kontratën e tij dhe ne dëshirojmë të dimë se çfarë planifikon ai dhe agjenti i tij”, ka thënë Laporta.
Bayern Munichu dëshiron t’ia ripërtërijë kontratën anësorit Franck Ribery, pasi që Real Madridi ka deklaruar se do të heqë dorë nga interesimi për francezin.
Drejtori gjeneral i Los Blancos, Jorge Valdano, ka deklaruar se Reali do të heqë dorë nga dëshira për ta transferuar superyllin francez, pasi që çmimi prej 80 milionë eurosh është shumë i lartë. Kontrata e Ribery skadon pas dy vitesh, kështu që bavarezët planifikojnë t’ia zgjatin kontratën lojtarit të tyre, me qëllim që të mos kenë presion në sezonin e ardhshëm nga Reali. “Jo vetëm se dëshirojmë ta mbajmë Riberyn, por dëshirojmë t’ia zgjatim edhe kontratën”, ka thënë për “Sport Bild” kryesuesi i bordit ekzekutiv të Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.
Barcelona planifikon ta shesë Samuel Eto’o-n te Manchester City për të grumbulluar paratë e nevojshme për blerjen e mesfushorit të Arsenalit, Cesc Fabregas.
“The Daily Star” shkruan se Blaugranët pretendojnë të nxjerrin afër 29 milionë euro nga shitja e kamerunasit, edhe pse ende nuk janë të sigurt nëse Eto’o do të largohet nga Camp Nou. Nga ana tjetër trajneri i katalunasve, Pep Guardiola është në kërkim të një mesfushori, dhe Fabregas plotëson kërkesat e tij. Megjithatë, për të fituar shërbimet e mesfushorit spanjoll, Barca duhet të përballet me konkurrencën e rivalit të përjetshëm, Real Madrid, që po ashtu interesohet për shërbimet e Fabregas.
Chelsea planifikon t’i shesë Decon dhe Ricardo Carvalhon tek Interi për ta blerë Bruno Alvesin nga Porto.
“The Daily Express” shkruan se Blutë planifikojnë të nxjerrin 17 milionë euro nga shitja e dy portugezëve, ndërsa për ta blerë Alvesin duhet të shpenzojnë afër 20 milionë euro. Mbrojtësi i Portos kërkohet edhe nga Barcelona dhe Real Madridi, ndërsa ai është shprehur i hapur që të luajë edhe në ligën Premier. “Jam i hapur për t’u transferuar në Angli. Kam folur me babanë dhe agjentin tim dhe ata i dinë ambiciet e mia”, ka thënë së fundmi Alves.
Pas nënshkrimit të kontratës së re, sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie, thotë se Manchester City dhe Aston Villa janë kërcënim jo vetëm për top katërsh por edhe për tituj.
“Një prej arsyeve kryesore pse nënshkrova ishte të arrijmë te një trofe i madh. Nuk dua ta bëj atë me ndonjë ekip tjetër. Dua ta ngre atë me Arsenalin. Ky është caku im kryesor dhe do të më bënte shumë krenar”, ka thënë Van Persie.“E di se do të jetë vështirë, pasi kemi shumë konkurrencë, me ekipe si Manchester City dhe Aston Villa që bëhen gjithnjë më të fuqishme. Por shoh ende shumë shanse për Arsenalin dhe është një ëndërr për mua të ngre trofe me këtë ekip”, ka shtuar holandezi.
Manchester Unitedi udhëheq garën për ta transferuar sulmuesin e Real Madridit, Klaas-Jan Huntelaar.
“The Sun” shkruan se Djajtë e Kuq e kanë mundësinë më të madhe për ta transferuar holandezin, sidomos pas faktit që Milani është përqendruar vetëm në transferimin e Luis Fabianos nga Sevilla. Huntelaar nuk bën pjesë në projektin e menaxhmentit të ri të Los Blancos, kështu që bashkë me holandezët tjerë do të largohet nga Bernabeu.
Dështimi më i madh i ekipit të Chelseat, Andriy Shevchenko, raportohet se mund të jetë në rrugë për të luajtur në kampionatin turk.
Mediat turke bëjnë të ditur se Fenerbahce vazhdon të kërkojë yje nga top-klubet evropiane për të forcuar ekipin dhe se së fundi ka kthyer vëmendjen kah ukrainasi. Shevchenko është në kërkim të një klubi të ri ku do të mund të përfshihet në formacionin startues, pas sezonit të dështuar te Chelsea dhe një sezoni tjetër i huazuar te Milani, që po ashtu ishte dështim për të. Ukrainasi raportohet se mund të largohet për çfarëdo oferte që kalon shumën e 7 milionë eurove, edhe pse në Chelsea ai u transferua për plot 30 milionë euro, por në rast kalimi në Fenerbahce ai do të duhet të pranojë edhe një ulje të dukshme të pagës.
Kampioni i Ligës Premier, Manchester United, ka pohuar se ka angazhuar futbollistin e Bordeaux, Gabriel Obertan.
Futbollisti i Bordeaux, Gabriel Obertan, është përforcimi i tretë për Sir Alex Ferguson këtë verë, pasi talenti francez ka nënshkruar marrëveshje katërvjeçare me ekipin nga Old Trafford. Anësori 20-vjeçar do t’i kushtojë Manchesterit 3 milionë funte, ndërsa ka nënshkruar marrëveshje katërvjeçare e cila do ta mbajë atë në Old Trafford deri më 30 qershor 2013. “Gabriel është një lojtar të cilin e kemi ndjekur disa vite, por për shkak të programit të tij të edukimit përpjekjet tona për ta sjellë këtu gjithmonë janë shtyrë. Jemi të ngazëllyer që e kemi atë këtu, pasi ai është një perspektivë e jona. Ne dëshirojmë të sjellim lojtarë të rinj dhe t’i zhvillojmë ata, dhe do ta shohim atë në Gabriel gjatë dy viteve të ardhshme”, ka thënë Sir Alex Ferguson në një deklaratë në faqen zyrtare të klubit.