Drejtori gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, ka konfirmuar se lojtarët holandezë të Los Blancos mund të largohen të gjithë nëse marrin oferta të përshtatshme.“El Mundo Deportivo” njofton se Valdano i ka thënë kontingjentit holandez, të përbërë nga Klaas-Jan Huntelaar, Royston Drenthe, Wesley Sneijder, Rafael Van Der Vaart, Arjen Robben dhe Ruud Van Nistelrooy, se do të largohen nga Santiago Bernabeu nëse vjen ndonjë ofertë e pranueshme. Të gjithë lojtarët e përmendur po kërkohen nga skuadra të shumta evropiane, ndërsa disa prej tyre do të përdoren për shkëmbim me ndonjërën nga shënjestrat e Mbretërve.
Dy rivalët e La Ligas, Barcelona dhe Real Madridi, kanë qenë në konkurrim për ta transferuar superyllin e Bayern Munichut, Franck Ribery, ndërsa mesfushori i Barcës, Xavi, ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që të bëjnë më shumë për ta sjellë francezin në Camp Nou.“Të kesh një lojtar të tillë në krah është e jashtëzakonshme. Ne e kemi përjetuar kualitetin e tij kur luajtëm kundër Bayernit (në Ligën e Kampionëve) dhe e shihnim se të gjitha rreziqet vinin nga ana e tij dhe atëherë kur ai e kishte topin. Do të ishte privilegj të luaja me të”. “Unë nuk jam ai që vendos, mirëpo nëse nevojitet ndonjë shtytje për Riberyn unë do ta bëja”, ka thënë Xavi për “El Mundo Deportivo”.
Të hënën pritet të bëhet kompletimi zyrtar i transferimit të mesfushorit Felipe Melo nga Fiorentina, ndërsa drejtori sportiv i Juventusit, Alessio Secco, thotë se bardhezinjtë nuk kanë nevojë për mbrojtës të krahut të majtë.Është spekuluar se Juventusi dëshiron ta transferojë mbrojtësin e Lyonit, Fabio Grosso, gjatë këtij afati kalimtar, ndërsa duke folur për JuveChannel, Secco tha se Bianconerët nuk kanë nevojë për mbrojtës të krahut. “Nuk do të blejmë mbrojtës të krahut të majtë këtë verë, sepse ne tashmë i kemi Molinaron dhe De Ceglien”, tha Secco.
Sulmuesi i Fenerbahces, Dani Guiza, është njëri nga lojtarët që kërkohet nga skuadrat spanjolle gjatë këtij afati kalimtar.Sezonin e kaluar Guiza kaloi nga Mallorca te skuadra turke për shifrën prej 17.5 milionë eurosh, mirëpo ai nuk është i lumtur në skuadrën e tij aktuale, kështu që disa skuadra nga La Liga janë të vendosura që ta kthejnë atë në vendlindje. Valencia dhe Atletico Madridi janë klubet e interesuar për shërbimet e spanjollit, ndërsa “RAC-1” njofton se Barcelona ka shfaqur sërish interesim për Guzan, mirëpo veç skuadrave spanjolle, trekampioni do të përballet edhe me konkurrencën e Manchester Cityt dhe Zenit St. Petersburgut që po ashtu janë të interesuara për të fituar shërbimet e Guizas.
Trajneri i Romës, Luciano Spalletti, thotë se ende ka kohë që Giallorossët të sjellin lojtarë të rinj në skuadër, mirëpo para se të ndodhë kjo duhet të largohen disa lojtarë nga skuadra kryeqytetase.“Skuadra ende nuk ka lëvizur në merkato, mirëpo ende ka kohë për të transferuar lojtarë të rinj dhe për ta forcuar skuadrën”. “Mendoj se njëherë duhet të përqendrohemi në ‘eksport’”, ka thënë Spalletti për “Sky Sport Italia”, duke shtuar se nëse u vjen ndonjë ofertë për Matteo Brighin, atëherë do të lejojnë largimin e tij, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Mirko Vucinic, për të cilin “nuk ka pasur oferta deri më tani”.
Mesfushori portugez Maniche është lojtar i lirë që nga përfundimi i kontratës me Atletico Madridin, ndërsa ekzistojnë spekulime të shumta për të ardhmen e tij.Derisa javë më parë spekulohej se Maniche mund të kthehej te skuadra e tij e dikurshme Porto, e përditshmja “A BOLA” shkruan se ish-lojtari i Interit dhe Chelseat mund t’i bashkëngjitet skuadrës turke Ankaragucu. Sipas njoftimeve të reja, Maniche do të nënshkruajë një kontratë trevjeçare me skuadrën turke, ndërsa do të fitojë 2.5 milionë euro për sezon.
Gjatë prezantimit zyrtar tek Interi, sulmuesi Diego Milito ka thënë se objektivi i tij është ta fitojë Ligën e Kampionëve me Interin, duke mos lënë anash edhe trofetë tjera, atë të Kampionatit italian dhe të Kupës së Italisë.“Para së gjithash jam shumë i lumtur dhe i ngazëllyer që jemi këtu (ka thënë Milito duke folur edhe për Thiago Mottan). Është një skuadër e madhe dhe të gjithë më kanë mirëpritur, trajneri, lojtarët dhe klubi”. “Ky është një klub i rëndësishëm me lojtarë të mëdhenj, të cilët na kanë mirëpritur dhe ne jemi të entuziazmuar për këtë. Dëshirojmë t’i ndihmojmë skuadrës të fitojë trofe”. “Mendoj se Interi mund të fitojë tituj dhe shpresojmë të kemi një sezon të mirë. Liga e Kampionëve? Interi është një skuadër e madhe dhe të gjitha klubet e mëdha që marrin pjesë në gara të mëdha mundohen t’i fitojnë ato”. “Nuk është lehtë ta fitosh Ligën e Kampionëve. Ne do të luftojmë t’i fitojmë të gjitha garat”, ka thënë sulmuesi argjentinas për “Sky Sport Italia”.
Lazio ka vendosur të futet në garë për të marrë shërbimet e ish-sulmuesit të Interit, Julio Cruz, i cili është në kërkim të një klubi të ri.Argjentinasi është lidhur me një kalim në Napoli, Roma dhe Fiorentina, pasi kalimi i tij në Panathinaikos u bllokua për shkak të pagës së vogël që ofronte klubi grek.Corriere Dello Sport shkruan se klubi romak tash ka kthyer vëmendjen për të marrë lojtarin e lirë dhe është afër të mposhtë konkurrencën e klubeve tjera nga Serie A.Claudio Lotito e sheh Cruz si një zëvendësim për Goran Pandev, i cili pavarësisht se është në prag të largimit, ende nuk ka gjetur një klub të përshtatshëm.
Mediat italiane raportojnë se Juventusi është i gatshëm t’i ofrojë mesfushorit çek Pavel Nedved një rol teknik në krah të trajnerit Ciro Ferrara.Presidenti i biankonerëve Giovanni Cobolli Gigli shpreson që Pavel Nedved do të rikthehet në klub në rolin teknik, derisa mesfushori ka vendosur të pensionohet.“Kam folur me Nedved shumë herë. Ai e di se dyert në Juventus janë të hapura për të. Ne i kemi lënë raportet e mira pas ndeshjes me Lazion”, ka thënë presidenti i Juves, Coboli Gigli.Së fundi u raportua se Interi i kishte ofruar lojtarit marrëveshje dyvjeçare, por duket Nedved më shumë do të preferojë stolin teknik te Juventusi.
Mbrojtësi i Osasunës, Nacho Monreal, është caku i ri befasues i kampionit të Evropës, Barcelona. Marca shkruan se, të lodhur nga kërkimi i mbrojtësit të majtë të Deportivo La Coruna, Luis Filipe, drejtuesit e Barcës janë duke kërkuar të bisedojnë me Osasunën për të arritur marrëveshje për përfaqësuesin e kombëtares U21 të Spanjës, Monreal.Barcelona po ashtu vazhdon të ruajë interesimin edhe për mbrojtësin e Corinthians, Andre Santos, por nuk dëshiron të futet në garë me klubet italiane Roma dhe Juventus, për të marrë shërbimet e brazilianit.
Mbrojtësi italian Alessandro Nesta ka thënë se Interi dhe Juventusi janë më të përgatitur se rosonerët, por ka paralajmëruar kritikët të mos e eliminojnë as Milanin.“Milani është një mister. Nëse të gjithë lojtarët që ishin sezonin e fundit rikthehen, atëherë ne mund të jemi një surprizë e madhe”, ka thënë Nesta.“Leonardo është një entuziast i madh dhe do t’ia dalë. Por Pirlo është një lojtar i pazëvendësueshëm dhe shpresoj ai të qëndrojë. Interi ende do të ketë diçka më shumë se ne dhe po ashtu edhe Juventus”, ka shtuar italiani.
Presidenti i Valencias, Manuel Llorente, thotë se asnjë ofertë nuk ka arritur për sulmuesin David Villa.“Jo, nuk ka asgjë të re. Ne nuk kemi marrë oferta për Villan, andaj nuk kemi asgjë për të thënë. Gjithë kjo po bëhet shumë e mërzitshme”, ka thënë Llorente.I pyetur për komentet e fundit të presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, se blaugranët kanë dërguar ofertë të re, Llorente është përgjigjur: “Atëherë pyeteni Laportën. Nëse ai ka bërë ofertë, ai e din. Unë përsëris se ne nuk kemi pranuar asgjë”.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, nuk pret ndonjë nënshkrim tjetër për ‘shumë, shumë para’, pasi së fundi u përfol se mund të bëjë ofertë për anësorin francez Franck Ribery.“Do të isha vërtet i kënaqur nëse do të mund ta mbaj këtë ekip të bashkuar, pasi nuk mendoj se na duhen shumë gjëra. Nuk mendoj se do të nënshkruajmë me ndonjë për shumë, shumë para, ndoshta vetëm me dikë që mund të përshtatet në ekip”, ka thënë Benitez.“Tash mendojmë për ngritjen e formës së lojtarëve, nuk mendojmë për tregun e transferimeve. Kemi kualitet dhe kemi shanset tona sërish”, ka shtuar spanjolli.Pasi ka harxhuar 17 milionë euro për Glen Johnson i cili arriti nga Portsmouth, prioritet tjetër i Benitez do të jetë të mbajë në ekip dyshen e mesfushës Javier Mascherano dhe Xabi Alonso.
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Micah Richards, ka ngecur në pushime, pasi është diagnostikuar me gripin e derrave.Richards thotë se ai është mbyllur në dhomën e tij të hotelit në Qipro, pasi i është thënë se nuk mund të fluturojë sërish në Britani, derisa të shërohet plotësisht.“Në fillim mendova se është një infeksion i keq i fytit, ose ndoshta ndonjë helmim nga alkooli. U ndjeva shumë i dobët, sa nuk mund të lëvizja e as të haja. Miqtë më sillnin pije në shtrat”, ka thënë Richards për The Sun.“Kur më thanë se kisha grip të derrave, në mendjen time filloi të sillet gjithçka. Shihni në lajme njerëz që vdesin nga kjo”, ka shtuar lojtari.21-vjeçari shkoi në pushime pasi ndihmoi Anglinë të arrijë në finale të Kampionatit Evropian U21 në Suedi.“Klubi im ka qenë shumë mirëkuptues. Do të ha thupra nga bashkë-lojtarët kur të kthehem. Ata mbase do të vijnë në stërvitje me maskë kirurgjike” ka bërë shaka lojtari.
Sipas The Times, Manchester City beson se marrëveshja prej 35 milionë futesh për transferimin e Johm Terryt nga Chelsea mund të arrihet para të mërkurës, kur ekipi udhëton në Afrikën e Jugut për një turne para-sezonal.Kapiteni i Chelseat është i bindur se klubi nuk është në gjendje të tërheqë një top lojtar gjatë kësaj vere, pas disa përpjekjesh të dështuara, dhe është duke kërkuar ngritje të pagës për rreth 20 mijë funte në javë, për ta çuar atë në 150 mijë në javë, një shumë sa ai mund ta fitojë edhe në City.Chelsea po ashtu dëshiron të zgjidhë problemin sa më shpejtë që është e mundur për të shmangur problemet para fillimit të turneut para-sezonal. Blutë do të udhëtojnë në SHBA të enjten.
Menaxheri i ri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka pohuar se ai synon ta shndërrojë në të paharrueshme kohën e tij në Londër.Italiani ka ngritur super kur është krahasuar me Jose Mourinhon, njeriun që fitoi ligën angleze me blutë dhe nën drejtimin e Interit u tregua një kundërshtar i fortë në Itali për Ancelottin, kur ky udhëhiqte Milanin.“Mourinho është një trajner i shkëlqyeshëm, pasi ai ka fituar shumë trofe, por nuk është ka luftë në mes nesh. Është natyrale që ai është i popullarizuar në Chelsea, pasi fitoi Ligën Premier, por edhe unë dua të fitoj”, ka thënë Anelotti.“Edhe unë dua të jem i popullarizuar në mesin e fansave. Jam i sigurt se edhe nëse koha ime këtu do të jetë e gjatë ose e shkurtë, dua që njerëzit të më mbajnë mend”, ka shtuar italiani.
















