Portieri i Chelseat, Petr Cech, është i patrazuar dhe shpreson se do të ketë arritje të reja në Stamford Bridge, si edhe largime nga klubi.
“Ekipi gjithmonë ka nevojë për një, dy ose tre lojtarë të rinj. Por kjo varet nga idetë e trajnerit. Ne kemi një trajner i cili dëshiron të mësojë më shumë për ekipin para se të bëjë blerje të reja”, ka thënë çeku. “Mendoj se është shumë herët për nënshkrime të reja. Tash do të kalojmë një javë në stërvitje në Londër dhe pastaj do të largohemi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një turne 10-ditor”. “Andaj ka ende shumë kohë dhe hapësirë për të bërë përforcime të reja. Jam i sigurt se do të ketë arritje të reja, si edhe largime nga klubi. Chelsea sigurisht se do të bëjë biznes”, ka shtuar Cech.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, do të mund të nënshkruante sërish me ish-sulmuesin e të kuqve, Michael Owen, nëse 29-vjeçarit do t’i ishte ofruar vend në ekipin e parë.
“Ne kishim kontakte me njerëz të ndryshëm dhe ishin duke e analizuar situatën. Por nëse dëshironi të luani me Torres dhe Gerrard, atëherë nuk ka shumë hapësirë për lojtarë të tjerë”, ka thënë Benitez. “Kur e bleva prapë Robbie Fowler, ishte një situatë tjetër. Ne jemi duke shikuar dikë, i cili mund të kuptojë rolin e tij qartas dhe ka realizim të mirë. Por ne e kemi Kupën Botërore vitin e ardhshëm dhe të gjithë top-lojtarët dëshirojnë të luajnë. Në pozitën e tij, do të ishte vështirë për Owen të luajë çdo javë në Liverpool”, ka përfunduar Benitez. Owen, i mbetur si lojtar i lirë nga Newcastle në fund të sezonit, javën e kaluar befasisht nënshkroi kontratë dyvjeçare me Manchester United.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, ka thënë se sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, është lojtari më i mirë me të cilin ka luajtur ndonjëherë.
“‘Wazza’ është më i miri me të cilin kam luajtur ndonjëherë. Kur Wayne ‘eksplodoi’ në skenën e Anglisë në moshën 17-vjeçare, asnjëherë nuk kisha parë si ai dhe si fuqia e tij”. “Njohuritë e tij janë të jashtëzakonshme- dhe pikërisht ato janë çelësi i fuqisë së tij. Zola ishte një lojtar i klasit të lartë dhe është po ashtu i tillë edhe si trajner. Mirëpo futbolli të cilin e prodhon Wayne për Anglinë e bën atë lojtar shumë të veçantë”, ka thënë Lampard për “Daily Star Sunday”.
Piloti i Red Bull, Mark Webber, ka dalë fitues i Çmimit të Madh të Gjermanisë në Nurburgring.
Ishte kjo fitorja e parë në Gjermani e Webber në karrierën e tij në Formula 1, ku ka konkurruar si pilot i Renaultit dhe Red-Bullit. Vendin e dytë e zuri bashkanëtari i skuterisë Red Bull, Sebastian Vettel, ndërsa vendin e tretë e zuri piloti i Ferrarit, Felipe Massa.
Pikë kanë fituar edhe Nico Rosberg, Jenson Button, Rubens Barrichello, Fernando Alonso dhe Heikki Kovalainen.
Pas kësaj gare në klasifikimin e përgjithshëm të piloteve kryeson Button me 68 pikë i ndjekur nga Vettel me 47 pikë dhe Webber me 45.5 pike. Ndërsa në klasifikimin e përgjithshëm të konstruktorëve kryeson Brawn-Mercedes me 112 pikë, RBR-Renault 92.5, Toyota 34.5 dhe Ferrari me 32 pikë.
Trajneri i ri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka pranuar se arsyeja që ai është caktuar trajner i Bluve është që ta fitojë Ligën e Kampionëve.
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, ka shpenzuar shumë para në vitet e fundit, mirëpo skuadra e tij nuk ka arritur ta fitojë Ligën e Kampionëve, derisa Ancelotti e ka fituar katër herë trofeun më të çmueshëm të futbollit evropian- dy herë si lojtar dhe dy herë si trajner. “Unë jam këtu për ta fituar Ligën e Kampionëve. Unë e kam fituar trofeun dy herë si lojtar dhe dy herë si trajner”. “Përkushtimi dhe dëshira është gjithçka në futboll. Duhet të luftosh për sukses- përndryshe dështon”, është shprehur ish-trajneri i Milanit.
Njëri nga mega-transferët e sivjetmë të Real Madridit, Ricardo Kaka, thotë se superyjet si ai, Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema, vlejnë aq sa kanë paguar Mbretërit për të siguruar shërbimet e tyre.
“Arsyeja që Real Madridi ka vendosur të paguajë aq shumë para për ne është sepse ne vlejmë aq, apo? Sepse ne e kemi treguar vlerën tonë me futbollin që kemi shfaqur gjatë viteve të fundit”. “Ne merremi me sportin i cili paguan para për shërbimet tona dhe në këtë sferë këto para ia vlen të paguhen”. “Sa i përket Cristiano Ronaldos, i cili është lojtari më i shtrenjtë i të gjitha kohërave, ai ka treguar se është më i miri dhe se vlen të paguhen ato para për të”. “Të them të vërtetën, jam i lumtur që Real Madridi ka paguar gjithë ato para për mua. Kjo nuk paraqet ndonjë formë presioni për mua, por është përgjegjësi. Mirëpo në asnjë mënyrë kjo nuk do të krijojë efekt negativ- por e kundërta”, është cituar Kaka nga “Marca”.
Kapiteni i Bluve, John Terry, ka kërkuar nga drejtuesit e Chelseat që ta lejojnë të bisedojë me Manchester Cityn.
“News of the World” njofton se mbrojtësi anglez ka kërkuar nga pronari i Chesleat, Roman Abramovich, që t’i jep lejë që të takohet me përfaqësuesit e skuadrës ‘pasanike’. Klubi dhe Abramovich nuk dëshirojnë ta lejojnë largimin e Terryt as për 50 milionë funte, mirëpo vetë lojtari dëshiron të takohet me drejtuesit e Cityt për të dëgjuar se çfarë ofrojnë ata për të.
Trajneri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka njoftuar se Liverpooli ka refuzuar një numër të madh ofertash për sulmuesin Fernando Torres.
Chelsea, Manchester City, Manchester Unitedi dhe Real Madridi janë skuadrat të cilat kanë kërkuar shërbimet e sulmuesit spanjoll, mirëpo Torres është i lumtur në Anfield. “Kemi pasur disa oferta të mëdha për disa nga lojtarët kyç këtë verë, duke përfshirë edhe Torresin. Klubet e kërkonin Fernandon dhe ne jemi kontaktuar nga agjentët e këtyre klubeve. Mirëpo ne e dinim se cilado ofertë që vinte, përgjigja ishte JO”, ka thënë Benitez.
Menaxheri i Manchester Cityt, Mark Hughes, dëshiron të mbyllë sa më shpejt marrëveshjen me mbrojtësin e Evertonit, Joleon Lescott.
Sipas Mail on Sunday, çfarëdo që vendos kapiteni i Chelseat, John Terry, Hughes është i vendosur të transferojë edhe Lescott për të forcuar mbrojtjen. 27-vjeçari ka një lidhje të fuqishme me menaxherin David Moyes që kur skocezi e transferoi atë nga Wolves dhe i ndihmoi të bëhet një prej mbrojtësve më të mirë në Premier League, si dhe një pjesëtar i rregullt i kombëtares angleze. Por shansi për të marrë më shumë se 100 mijë euro në javë si edhe projekti premtues i Cityt mund të jenë një nxitje për lojtarin, ndërsa oferta e pasur nga City mund të jetë e kënaqshme edhe për Evertonin.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, duket i ngazëllyer me përforcimin e ri të ekipit, Michael Owen, pas javës së tij të parë në stërvitje.
"Nuk ka dyshime se ai mund të arrijë sërish formën e tij golashënuese me ne. Por në të vërtetë ai kurrë nuk e ka humbur atë. Megjithëse kishte disa lëndime në Newcastle, ai e ka ruajtur shkëlqyeshëm nivelin gol-për-ndeshje gjatë karrierës së tij", thotë Sir Alex Ferguson. "Vërtet kam qenë i kënaqur me mënyrën se si ai është stërvitur. Ai ka punuar shumë, por gjëra kryesore për ne është se ai vjen në punë me buzëqeshje në fytyrë. Ai vërtet po kënaqet", ka shtuar skocezi.
Sipas mediave angleze, sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie, ka refuzuar dy oferta të majme nga Chelsea dhe Manchester City, për të mbetur me topçinjtë.
Drejtuesit e Chelseat kishin qenë të bindur se do të mund ta transferojnë sulmuesin holandez këtë verë. Mail on Sunday shkruan se edhe Manchester City, krahas Chelseat, kishte dërguar ofertë për shërbimet e Robin van Persiet, me një pagë prej më shumë se 100 mijë euro në javë për lojtarin. Pavarësisht ofertave, Van Persie kishte vendosur të vazhdojë kontratën me topçinjtë, me një pagë prej 80 mijë funtesh në javë, duke refuzuar edhe oferta nga Juventusi dhe Interi. Vendimi i holandezi ishte një dështim i madh për menaxherin e ri të Chelseat, Carlo Ancelotti, i cili ende është në përpjekje për të nënshkruar me lojtarë kreativ, të cilët mendon se i duhen ekipit.
Ish-mesfushori i Juventusit, Pavel Nedved, ka sqaruar planet e tij për të ardhmen pasi refuzoi mundësinë për të luajtur për rivalin e përjetshëm të Zonjës së Vjetër, Inter.
Presidenti i Juves, Giovanni Cobolli Gigli, i bëri Nedvedit një ofertë që të merr ndonjë rol drejtori në skuadër, mirëpo çeku ka thënë se nuk do ta pranojë as këtë rol tani për tani. “Kam vendosur që të pensionohem, së paku nga Italia. I falënderoj njerëzit dhe skuadrat të cilat kanë shprehur interesim për mua dhe për besimin që kanë tek unë që mund të luaj edhe një vit. Mirëpo, unë nuk mund të vesh tjetër fanellë, përveç asaj me të cilën kam luftuar gjithë këto vite”. “Ndërsa tani më duhet ta refuzoj edhe propozimin e Juventusit për një rol drejtori ose menaxheri në klub. Ende nuk ekziston baza që të jem pjesë e këtij menaxhmenti”, ka thënë ‘Furia çeke’.
David Villa ka vendosur të takohet me presidentin e Valencias, Manuel Llorente, për të diskutuar në lidhje me transferimin e tij te Barcelona.
Lojtari tashmë e ka pranuar ofertë-propozimin e Barcës për të qëndruar pesë vite në Camp Nou, mirëpo skuadra e tij e ka refuzuar ofertën prej 40 milionë eurosh që e ka bërë Barca për të. Radio Catalunya njofton se të hënën sulmuesi spanjoll do të takohet me presidentin e Los Che për ta bindur atë që ta pranojë ofertën e Blaugranëve.
Chelsea ka njoftuar se do të bëjë një ofertë marramendëse prej 60 milionë funtesh (70 milionë euro) për sulmuesin e Interit, Zlatan Ibrahimovic.
Përveç shumës së parave, Blutë do të ofrojnë edhe shërbimet e dy lojtarëve që kërkohen nga Interi, Ricardo Carvalho dhe Deco, dhe kjo duket të jetë një ofertë e cila vështirë do të refuzohet nga skuadra zikaltër. “Jam i vetëdijshëm se Chelsea dëshiron shërbimet e mia dhe është mjaft joshëse. Chelsea është njëra nga skuadrat më të mëdha në Evropë, ndërsa Liga Premier është njëra nga ligat më të mira në botë”, është cituar Ibra nga “News of The World”.
Manchester Unitedi do të presë për ta bërë ofertën për sulmuesin e Atletico Madridit, Sergio Aguero.
“The Mirror” shkruan se Atletico vazhdon të mbahet në kërkesën prej 52 milionë funtesh për sulmuesin e vet, ndërkohë një tjetër problem për Djajtë e Kuq është edhe paga e argjentinasit, i cili kërkon 200.000 funte. United është i bindur se Atletico do ta ndërrojë këtë çmim, mirëpo duhet të kihet parasysh edhe konkurrenca e Real Madridit dhe Manchester Cityt.
Sulmuesi i Burnleyt, Besart Berisha, mund të transferohet te Arminia Bielefeldi pasi i është bashkëngjitur kësaj skuadre në prova.
Qëndrimi i sulmuesit shqiptar te Burnley është shoqëruar me disa huazime në skuadra të ndryshme, ndërsa kontrata e tij me skuadrën angleze përfundon pas një viti. Ekipet gjermane e njohin Besart Berishën, i cili më herët ka qenë pjesë e Hamburgut, kështu që ai aktualisht është duke u testuar te Bielefeldi, dhe mund të ndodhë që sezonin që vjen të luajë në Bundesliga. “Jemi duke përcjellë disa lojtarë këto ditë. Të gjithë ata na janë bashkëngjitur në prova, dhe nëjri prej tyre është Besart Berisha”, ka thënë trajneri i Bielefeldit, Thomas Gerstner për “Neue Westfalische Zeitung”.