Spekulimet në lidhje me vazhdimin e kontratës së ikonës së Juventusit, Alessandro Del Piero, po vazhdojnë, ndërsa sulmuesi i Zonjës së Vjetër, Carvalho Amauri, ka thënë fjalë të mira për partnerin e tij në sulm.“Del Piero valëvit flamurin për këtë klub. Ai është Juventusi. Nëse ai e vazhdon kontratën dhe qëndron këtu gjatë gjithë karrierës, kjo do të ishte madhështore për Juventusin. Në ditët e sotme nuk ka shumë lojtarë të cilët janë simbole të klubeve”, ka thënë Amauri për “Il Corriere Dello Sport”. Braziliani ka folur edhe për David Trezeguet dhe Pavel Nedved. Për të parin thotë se është kënaqësi ta kesh një sulmues të tillë në skuadër, ndërsa për të dytin shpreson që të kthehet te Juve dhe të jetë pjesë e mënaxhmentit të klubit në të ardhmen.
Sulmuesi i Real Madridit, Alvaro Negredo, raportohet se është caku i ri i ekipit të Ligës Premier, Tottenham.Sipas The Independent, Tottenham është afër për të siguruar marrëveshjen me Real Madrid për nënshkrimin e Negredos.Burime të afërta me Realin bëjnë të ditur se sulmuesi, i cili ka shënuar 19 gola si i huazuar te Almeria sezonin e kaluar, do t’i bashkohet ekipit anglez para vikendit.Përveç Tottenham në kërkim të Negredos, i cili vlerësohet rrteh 15 milionë funte, raportohet se është edhe Liverpooli.
Mbrojtësi i Bayern Munichut, Lucio, në sezonin e ardhshëm do të jetë lojtari i kampionit të Serie A, Interit.Lajmin e ka zbuluar vetë menaxheri gjeneral i Bayernit, Uli Hoeness, ndërsa kjo është pohuar edhe në faqen zyrtare të klubit gjerman. “Pas një qëndrimi pesëvjeçar në Bayern Munich, kapiteni i Brazilit, Lucio, do të largohet nga qyteti i Munichut dhe do të transferohet te kampioni i Italisë, Inter. Të enjten, bordi vendosi ta prishë marrëveshjen me lojtarin para skadimit të saj më 30 qershor 2010”, thuhet në deklaratën e Bayernit. “31-vjeçari Lucio do të nënshkruajë marrëveshje trevjeçare me ekipin e Jose Mourinhos, ndërsa shuma e transferimit mbetet e fshehtë”, shtohet më tej në deklaratë.
Sportivja spanjolle Marca thotë se klauzula për blerjen e Kaka në marrëveshjen e nënshkruar me Real Madridin është plot 1000 milionë euro.Kaka ishte përforcimi i parë i Florentino Perez në mandatin e tij të dytë në pozitën e presidentit të Real Madridit. Klubi mbretëror për shërbimet e brazilianit i pagoi Milanit rreth 65 milionë euro dhe lojtari nënshkroi marrëveshje gjashtëvjeçare me Realin, e cila do t’i japë atij 10 milionë euro në sezon. Sipas ligjeve të La Liga, secili lojtarë në marrëveshjen e vet duhet të ketë një klauzulë blerëse. Marca, e cila është pro-Real Madridit, thotë se ekipi që dëshiron të marrë shërbimet e Kaka para përfundimit të kontratës së tij me Realin, duhet të paguajë hiç më pak se 1 miliardë euro. Mediat më herët publikuan po ashtu se edhe klauzula blerëse e Cristiano Ronaldo do të jetë 1 miliardë euro.
David Beckham ka zbuluar se trajneri i kombëtares italiane Fabio Capello, i ka thënë atij se është e nevojshme që ai të luajë në Evropë për të pasur shanse të jetë pjesë e përbërjes e cila do të luajë në Botërorin 2010.Beckham nga janari ishte i huazuar në Milan me qëllim që t’i përmirësojë shanset për të qenë pjesë përbërëse e formacionit të Fabio Capellos. Anglezi tash është rikthyer në radhët e LA Galaxy. “Dua të jem i përfshirë në Botërorin 2010. Nuk e fsheh faktin. Por as edhe një rikthim në Milan si huazim ose në cilindo klub tjetër në botë nuk më garanton vend në përbërjen e cila do të jetë pjesë e Kampionatit Botëror”, ka thënë Beckham. “Andaj për momentin jam përqendruar vetëm në sukses në LA Galaxy. Kur sezoni do të përfundojë, do të vendos çka më tej. Për të luajtur në Kampionatin Botëror, përzgjedhësi ma ka bërë të qartë se është e nevojshme të luaj futboll në nivel Evropian”, ka thënë Beckham.
Real Madridi është duke bërë përpjekje të re për të bindur Bayern Munichun për ta shitur anësorin Franck Ribery.Sipas Marca, agjenti i Ribery, Alain Miglaccio, ka udhëtuar në Munich dje për të filluar bisedime të reja me Bayernin në përpjekje për ta bindur klubin gjerman të bëjë biznes me Realin. Thashethemet e fundit thonë se për në Gjermani nga SHBA-të do të fluturojë edhe Zinedine Zidane, në përpjekje për të ndihmuar me negociatat. Situata në Bayern po bëhet tepër e vështirë për Ribery, i cili tash është kritikuar nga mediat lokale dhe fansat për ambicien e tij që të largohet nga klubi gjerman për të kaluar në Real Madrid.
Trajneri i Romës, Luciano Spalletti, thotë se klubi që ai drejton nuk do të mund të jetë sfidues për Skudeto në sezonin e ardhshëm.“Juventusi dhe Interi janë dy ekipe të shkëlqyeshme, por mendoj se Roma mund të gjejë hapësirë për vete duke punuar intensivisht”, ka thënë Spalletti. “Nuk dua që lojtarët e mi të sillen vërdallë duke thënë se do ta fitojnë Skudetton. Vetëm dua të them se ata do të luftojnë për pikë të plota në së paku 80 % të ndeshjeve”. “Në vend se të thotë gjëra të tilla (se do ta fitojmë Skudeton), Juan duhet t’u thotë fansave se ai do të luajë për të fituar në 80% të ndeshjeve. Vetëm atëherë mund të fillojmë të flasim për objektiva”, ka shtuar italiani.
Mesfushori i Barcelonës, Alexandr Hleb, i ka dhënë vetes gjashtë muaj kohë për t’u bërë lojtar i rregullt në formacionin e parë të Barcelonës.Mesfushori dëshiron në sezonin e ri ta gjejë veten në mesfushën e Barcelonës, pas një sezoni po thuajse të dështuar të fundit, kur pati një numër të vogël paraqitjesh me klubin e ri. Ish-mesfushori i Barcelonës ka zhvilluar bisedime me trajnerin Pep Guardiola gjatë javës së kaluar, dhe tash thotë se nëse nuk do të luajë rregullisht mund të largohet nga ekipi spanjoll në fund të vitit. “Nëse gjërat nuk do të ndryshojnë deri në Krishtlindje, atëherë do të largohem nga ekipi”, ka bërë të qartë Hleb.
Robinho i ka thënë bashkë-lojtarit të tij të ri Carlos Tevez, se ai nuk do të pendohet që është transferuar te Manchester City.“Ajo çfarë mund t’i them Carlos është se edhe unë e kam bërë të njëjtën zgjedhje sezonin e kaluar. Dhe nuk pendohem që e kam zgjedhur Cityn”, ka thënë Robinho. “Ndjehem si një familje e madhe në City dhe kjo është edhe një pikë tjetër të cilët do të doja t’ia them. Sigurisht se Chelsea është një klub i madh, por Manechester City po ashtu është i madh dhe ne mund të jemi edhe më të fuqishëm se ta”, ka shtuar braziliani.
Presidenti i Atletico Madrid, Enrique Cerezo, vazhdon të insistojë se do t’i refuzojë të gjitha ofertat për sulmuesin uruguaian Diego Forlan.Forlan është bërë caku kryesor i Barcelonës, pasi ky klub dështoi të transferojë sulmuesin e Valencias, David Villa. “Asgjë nuk më shqetëson, përveçse të fitojmë ndeshje. Gjithkush e di se si punojmë. Kam thënë se nuk duam të shesim. Nuk ka arsye për ta menduar këtë. Ne nuk do ta shesim atë dhe kjo është gjitha çfarë mund të them. Të flas për këtë është vetëm humbje kohe”, ka thënë Cerezo.
Presidenti i Sevillas, Jose Maria del Nido, thotë se Milani duhet ta rritë ofertën për sulmuesin brazilian Luis Fabiano.Oferta prej rreth 15 milionë euro për sulmuesin brazilian u refuzua gjatë të martës mbrëma pasi Sevilla nuk dëshiron të dëgjojë për më pak se 20 milionë euro. “Negociatat janë komplekse, por Milani nuk ka bërë ofertë formale. Ne jemi pronarë të kontratës së lojtarit. Milani nuk ka para të transferojë Fabianon”, ka thënë presidenti i klubit spanjoll, Del Nido. “Ofertën e parë që e kemi pranuar nga ta, ka qenë e vlefshme vetëm lojtar rezervë. Kjo ishte ofenduese. Luis e ka rinovuar kontratën me ne dhe unë vërtet mendoj se ai do të mbetet në Sevilla edhe për dy vite të tjera”, ka shtuar spanjolli.
Manchester United i është ofruar shërbimi i Emmanuel Adebayor gjatë ditës së djeshme, pasi negociatat me Manchester Cityn u bllokuan, shkruajnë mediat angleze.Daily Mail shkruan se negociatat e Adebayor rreth kalimit në Manchester City për një shumë prej afro 25 milionë eurosh u gozhduan, pasi sulmuesi kërkonte 170 mijë funte në javë, por klubi kishte kërkuar ulje të kësaj shifre pasi ka kuptuar se janë ofruesit e vetëm për të. Ata vazhdojnë të mbeten të sigurt se Adebayor do të pranojë ulje të dukshme të ofertës dhe do të nënshkruajë sot, pasi i është dhënë leja e punës mbrëmë. Por, përfaqësuesi i sulmuesit nga Togo mund të ketë prishur tashmë simpatinë e fansave të Cityt për lojtarin, duke u përpjekur të nxjerrë një ofertë nga United. Por kampioni i Ligës Premier ka refuzuar rastin për të ofruar për 25-vjeçarin dhe për të nxitur Cityn t’ia rritë pagën lojtarit.
Kontrata aktuale e ikonës së Juventusit, Alessandro Del Piero, përfundon në vitin 2010, mirëpo sipas njoftimeve të fundit 34-vjeçari do të qëndrojë në skuadër edhe një vit më shumë.“Sky Sport 24” njofton se menaxherët e klubit janë duke menduar për vazhdimin e kontratës së kapitenit legjendar dhe gjithçka pritet të zgjidhet shumë shpejtë. Vazhdimi i kontratës edhe për një vit, do ta shihte Del Pieron duke luajtur me fanellën bardhezi deri në vitin 2011, dhe pas kësaj do t’i japë fund qëndrimit 18 vjeçar te Zonja e Vjetër, ndërsa ai mund të luajë në MLS-në amerikane. Del Piero është transferuar te Juventusi në vitin 1993 dhe mban rekordin për numrin e paraqitjeve dhe për golat e shënuar me fanellën bardhezi. Djaloshi i Artë ka fituar pesë Scudetto, një titull të Ligës së Kampionëve, një Superkupë të Evropës, një Kupë të Italisë dhe katër Superkupa të Italisë. Veç tyre, Del Piero ka fituar edhe shumë çmime personale, por për ironi asnjëherë nuk e ka fituar Topin e Artë.
"Sky Sport Italia" njofton se mbrojtësi i Interit, Maxwell, është shumë pranë nënshkrimit të një kontrate pesëvjeçare me Barcelonën.Gjatë këtij afati kalimtar, Blaugranët kanë kërkuar një mbrojtës të krahut të majtë dhe duket se e kanë gjetur objektivin e tyre. Sipas “Sky Sport Italia”, detajet janë sqaruar dhe mungon vetëm nënshkrimi i lojtarit, i cili do të fitojë nga 3.7 milionë euro për sezon.
Pas javësh të tëra spekulimesh, më në fund është zyrtarizuar kalimi i Felipe Melos nga Fiorentina te Juventusi. 26-vjeçari ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Zonjën e Vjetër.Mesfushori brazilian i ka kushtuar Juventusit 20 milionë euro plus anësorin Marco Marchionni (i cili vlen 4.5 milionë euro). “Jam i ngazëllyer që jam lojtar i Juventusit dhe mezi po pres të luaj këtu. Vërtet besoj në këtë skuadër, e cila është forcuar dhe mund të konkurrojë me këdo për të fituar trofe në shtëpi (Itali) dhe në Evropë”, ka thënë Melo për faqen zyrtare të Juvës.
















