Piloti i Red Bull, Mark Webber, do t’i nënshtrohet sërish operacionit në këmbën të cilën e theu vitin e kaluar pas një aksidenti me biçikletë në Tasmania.
Weber, i cili në garën e fundit në Nurburgring doli për herë të parë fitues i Çmimit të Madh të Gjermanisë, do t’i nënshtrohet operacionit për largimin e shufrave të titanit nga këmba e tij e djathtë. Piloti i Formula 1 do t’i nënshtrohet operacionit menjëherë pas garës për Çmimin e Madh të Hungarisë, ndërsa do të ketë në dispozicion katër javë për t’u rikuperuar dhe për të qenë i gatshëm që ta zhvillojë garën për Çmimin e Madh Evropian në Valencia të Spanjës që mbahet më 23 gusht.
Valenca ka vendosur të mos ia shesë Barcelonës sulmuesin David Villa, kështu që ka refuzuar edhe ofertën e fundit të katalunasve, duke thënë se Villa nuk është në shitje.
Të enjten mbrëma dhe mëngjesin e të premtes, mediat spanjolle dhe italiane kanë njoftuar se Blaugranët kanë rikthyer vëmendjen kah sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, dhe duket se kjo ka ardhur pas refuzimit të ofertës së tyre më të re nga Valencia. Villa ka dëshirë të madhe të luajë për Barcelonën, mirëpo shefi i Los Che, Manuel Llorente, nuk e lejon atë të flasë me Barcën dhe i ka thënë jo ofertës prej 42 milionë eurosh që e ka bërë Barcelona “Laporta më thirri dhe unë ia përsërita se ne nuk dëshirojmë ta shesim futbollistin”, ka thënë Llorente për “AS”.
Xabi Alonso është i bindur se sezonin e ri do të luajë me fanellën e Real Madridit.
Mesfushori i Liverpoolit është njëri nga lojtarët, i cili qe një kohë të gjatë kërkohet nga Los Blancos, ndërsa “The Mirror” shkruan se Mbretërit do të bëjnë një ofertë të re për spanjollin, e cila do t’i bindë drejtuesit e skuadrës “së kuqe” që të heqin dorë nga ylli i tyre. Reali në fillim refuzoi të paguante shifrën e kërkuar nga Redsat, mirëpo tabloidi britanik “The Mirror” shkruan se gjiganti spanjoll do të bëjë një ofertë të re dhe do të mundohet me çdo kusht që ta transferojë Alonson në Bernabeu.
Trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, beson se Wayne Rooney mund të luajë në pozita të ndryshme në sulm në mënyrë që të jetë lider i ofanzivës së Djajve të Kuq.
“Gjithmonë priten gjëra të mëdha nga Rooney. Është një situatë e natyrshme, ndërsa i tillë është edhe standardi të cilin ai ia ka caktuar vetes”. “Ne kemi një skuadër me lojtarë të jashtëzakonshëm, ndërsa është shumë me rëndësi se si do t’i shfrytëzojmë ata”, është shprehur Ferguson.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, është emëruar si njëri nga lojtarët më të mirë në sezonin e kaluar, mirëpo ai mendon se mund të ofrojë edhe më shumë për skuadrën.
“Mendoj se gjithçka mund të tejkalohet. Sezonin që shkoi humba dy ose tre muaj si pasojë e lëndimeve”. “Jam 25- vjeçar, më pëlqen ajo që kam arritur deri më tani, por mendoj se do të jap edhe më shumë nga vetja”, ka thënë spanjolli për radion RAC-1.
Supertransferi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, mendon se trajneri i tij Manuel Pellegrini do ta ketë shumë të vështirë secilin vikend për ta zgjedhur formacionin me të cilin do të luajë, pasi që ka një fond të madh lojtarësh të jashtëzakonshëm.
“Trajneri do të ketë punë të vështirë, mirëpo ne të gjithë e respektojmë njëri-tjetrin. Konkurrenca është pozitive. Jam krenar dhe shumë i lumtur që jam pjesë e këtij grupi lojtarësh”. “Medoemos duhet të mendojmë vetëm për fitore- kjo është ajo që duhet ta bëjë Real Madridi. Kemi lojtarët të shkëlqyer dhe trajner fantastik”. “Do të fitojmë, ndërsa nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë i gjithë ekipi duhet të fajësohet. Kemi klub të shkëlqyer dhe do të luftojmë për të fituar gjëra të mëdha”, ka thënë portugezi.
Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, e ka vazhduar kontratën e tij edhe për një vit tjetër.
Kontrata e kapitenit përfundonte në vitin 2010, mirëpo Bianconerët vendosën t’ia vazhdonin edhe për një vit tjetër kontratën ikonës bardhezi. “Del Piero e ka rinovuar kontratën me Juventusin deri në vitin 2011. Kapiteni ka nënshkruar kontratë të re mëngjesin e sotëm, e cila do ta mbajë atë edhe një vit shtesë nga data e skadimit të kontratës së tij paraprake”, shkruan në deklaratën zyrtare të klubit. Ndërkohë, Djaloshi i Artë ka shprehur gëzimin e tij për vazhdimin e kontratës dhe shpreson të japë më të mirën nga vetja në dy sezonet e ardhshme. “Mund ta konfirmoj lumturinë dhe krenarinë time me këtë marrëveshje që do të më mbajë këtu edhe një vit më shumë. Ky është një motivim i madh për mua sepse gjithmonë kam punuar shumë dhe do ta jap më të mirën nga vetja”. “Unë po luaj në njërin nga klubet më të mëdha në Evropë dhe jam i ngazëllyer për këtë. Ishte një marrëveshje e shpejtë. Dëshiroj të shkruaj edhe disa faqe të historisë me këtë klub”, ka thënë Del Piero për “Sky Sport Italia”.
Sipas mediave spanjolle transferimi, transferimi eventual i Zlkatan Ibrahimovic nga Interi në Barcelona, do t’i kushtonte këtij të fundit plot 87.5 milionë euro.
Ende nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga Barcelona dhe Interi, por mediat spanjolle bëjnë të ditur se Zlatan Ibrahimovic do të jetë përforcimi i dytë i Barcelonës këtë verë.Barcelona do t’i paguajë Interit 45 milionë euro në kesh. Në Giuseppe Meazza po ashtu do të transferohet Samuel Eto’o, të cilin Barcelona e vlerëson me 35 milionë euro, me të cilën e gjitha shuma do të arrijë në 80 milionë euro.7.5 milionë eurot e mbetura do t’i takojnë transferimit të Alexandr Hleb, i cili po ashtu do të kalojë në Inter si pjesë e shkëmbimit me Ibrahimovic.Gati të gjitha mediat spanjolle shkruajnë se marrëveshja në mes dy klubeve tashmë është arritur, por tash problem mbetet arritja e marrëveshjes në mes të klubeve dhe lojtarëve.Eto’o në Inter do të fitojë po aq sa përfiton aktualisht Zlatan Ibrahimovic, rreth 12 deri në 13 milionë euro. Edhe suedezi dëshiron të ketë pagë të njëjtë edhe në Camp Nou.
Theo Walcott mendon se Arsenali duhet të jetë një ekip më i ashpër për të arritur te rezultate shumë më të mira.
Sipas Walcott, Arsenalit i mungon loja e pistë të cilën e kanë Chelsea dhe Manchester United, dhe është i vetëdijshëm se me një lojë të pastër dhe të bukur vështirë se do të mund të arrijnë te rezultate të mira.“Duhet të mësojmë t’i bëjmë gjërat e pista në futboll. Ndonjëherë nuk është vetëm futbolli i bukur, duhet të jemi më të ashpër për të arritur te fitore, te tri pikë. Në garat e kupës askush nuk i mban mend lojërat e bukura, ajo që vlen është rezultati”, ka thënë Walcott.“Duhet ta përfshijmë këtë në lojë. United dhe Chelsea bëjnë punë të pista dhe mirë i shfrytëzojnë shanset e tyre, këtë duhet edhe neve ta mësojmë, për të përparuar”, ka shtuar anglezi.
Sipas mediave italiane, Milani është duke u interesuar për sulmuesin e Juventusit, David Trezeguet.
Milani ende është në negociata për transferimin e Luis Fabianos, por nëse bisedimet dështojnë për të, rosonerët mund të kthehen kah David Trezeguet.Francezi edhe para se të kalojë në Juventus ishte cak i Milanit, por duket se interesimi i rosonerëve për të është ringjallur.Juve është në kërkim të një mbrojtësi pasi ka mjaft futbollistë ofensiv, andaj Gazzetta dello Sport shkruan se është mundshme shkëmbimi në mes të David Trezeguet dhe Massimo Oddo, i cili nuk po e gjen veten në Milan.Megjithatë, Milani së pari do të presë të shohë se si shkojnë negociatat për Luis Fabianon, ndërsa më pastaj do të kthehet kah ndonjë cak tjetër.Së fundi, agjenti i ish-sulmuesit të Interit, Adriano, zbuloi se Milani kishte bërë pyetje edhe për sulmuesin brazilian.
Presidenti i UEFA, Michel Platini, ka lansuar një sulm të ashpër ndaj harxhimeve marramendëse të Real Madridit.
Reali harxhoi më se 160 milionë euro për të transferuar vetëm dy yjet Kaka dhe Cristiano Ronaldo, e cila gjë nuk vlerësohet mirë nga Platini.“Madrid e ka shkatërruar tregun. Këto nënshkrime ndikojnë negativisht në të gjitha klubet në Evropë”, ka thënë Platini,Megjithatë francezi thotë se ai ka marrëdhënie të mira me presidentin e Realit, Florentino Perez.
Anësori i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se ai kurrë nuk kishte menduar një transferim tek rivali i qytetit i ish-klubit të tij, Manchester City.
“Kurrë. City përpiqet të ndërtojë një ekip të mirë, ata blejnë lojtarë të mirë, por ky nuk është problemi i im. Ky është problem për Manchester United, Chelsea, Liverpool dhe Arsenal”, ka thënë Ronaldo.“Liga ime është tjetër tash. Unë duhet të përqendrohem me ekipin tim në para-sezon, të luftoj me Barcelonën, Valencian, me këto ekipe. Nuk shqetësohem çfarë bën Manchester City”, ka shtuar portugezi.
Sulmuesi kombëtares angleze, Peter Crouch, dje ka udhëtuar për në Sunderland për të diskutuar mundësinë e transferimit te ky ekip i Premier League.
Shtatlarti nuk arriti të stabilizojë veten te Portsmouth pas transferimit nga Liverpooli, dhe është në prag të luajë te Sunderlandi në sezonin e ardhshëm, pasi oferta prej 12 milionë funtesh e këtij klubi duket se është pranuar nga Portsmouth. Ai do të bisedojë me menaxherin e Sunderland, Steve Bruce, por është lidhur edhe me një kalim te Fulham, edhe pse raportohet se për të është i interesuar edhe Tottenham.
Mbrojtësi i Real Madridit, Michel Salgado, mezi pret që te klubi mbretëror të arrijë mesfushori i Liverpoolit, Xabi Alonso.
Alonso është një prej caqeve të Realit për sulmin e dytë të transferimeve, pasi klubi spanjoll tashmë ka transferuar disa prej yjeve më të mëdha të futbollit botëror, si Ronaldo, Kaka dhe Benzema.“Xabi Alonso mund të kujdeset për drejtimin e lojës, ai e përcakton ritmin e saj dhe siguron pasime nga 40 metra. Ai do të ishte i mirëseardhur në Madrid”, ka thënë Salgado.Përveç Alonsos, francezi Frank Ribery vazhdon të mbetet njëri prej caqeve kryesore të Real Madridit.
Adriano (Djathtas) Agjenti i ish-sulmuesit të Interit, Adrianos, ka zbuluar se Milani ka bërë pyetje për sulmuesin brazilian.
Në disa ditët e fundit, agjenti i Adrianos, ka thënë se ish-lojtari i nerazurëve mund të rikthehet në të ardhmen në Itali, ndërsa së fundi zbulon se klubi i tij i ardhshëm mund të jetë rivali i Interit, Milani.“Për momentin nuk ka gjasa reale që Adriano të rikthehet në Itali deri në dhjetor. Milani ka kontaktuar me ne për të pyetur nëse lojtari ka klauzë në kontratën e tij e cila e pengon atë për rikthim në Itali, dhe ne iu përgjigjëm jo. Sidoqoftë, Adriano dëshiron të mbetet në Brazil së paku deri në dhjetor”, ka thënë agjenti.
Menaxheri i Aston Villas, Martin O'Neill, ka siguruar transferimin e anësorit të Middlesbrough, Stewart Downing, për një shumë që raportohet të jetë 12 milionë funte.
Përfaqësuesi 24-vjeçar i kombëtares angleze ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me klubin e tij të ri, një ditë pasi dy klubet arritën marrëveshje.“Villa ka kompletuar nënshkrimin me lojtarin e kombëtares angleze Stewart Downing. Marrëveshja katërvjeçare është finalizuar pasi anësori i majtë është pajtuar për kushtet dhe ka kaluar testet mjekësore”, thuhet në deklaratën e Aston Villas.“Downing është nënshkrimi i parë i Martin O'Neill për këtë verë dhe i jep kualitet ekipi kuq e blu”, shtohet më tej në deklaratë.
"Sky Sport Italia" njofton se presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, dhe drejtori i futbollit Txiki Beguiristain janë në Milano për të negociuar me Interin për superyllin Zlatan Ibrahimovic.
Pas dështimit të bisedimeve me Valencian për David Villan, Laporta ka rikthyer interesimin për Ibracadabran, i cili gjithmonë ka thënë se kërkon sfida të reja. Dy kampionët respektivë kanë krijuar raporte të mira, ndërsa njoftohet se Barca është pranë nënshkrimit me mbrojtësin e Interit, Maxwell. Nga ana tjetër, duket shumë e afërt mundësia e shkëmbimit të Samuel Eto’o me Ibrahimovicin, por kuptohet, Barcelona duhet të paguajë edhe disa dhjetëra milionë euro për të fituar shërbimet e boshnjakut me pasaportë suedeze.
Cristiano Ronaldo ka deklaruar se transferi i ri i Manchester Unitedit, Michael Owen, është lojtari i duhur për ta bartur fanellën me numrin 7.
“Michael Owen është një lojtar me përvojë. Ai ka luajtur për klubet më të mëdha”. “Ai i ka të gjitha cilësitë për të qenë i suksesshëm tek United. Ai është në një skuadër fantastike dhe ai është një lojtar i shkëlqyeshëm. Ishte vendim i mirë për t’ia dhënë atij numrin 7”, u ka thënë Ronaldo gazetarëve.
Sulmuesi ukrainas Andriy Voronin kërkon edhe një mundësi që të dëshmohet te Liverpooli.
29-vjeçari është kthyer te Redsat pasi sezonin e kaluar qëndroi te Hertha Berlin, ndërsa shpreson që ta vazhdojë karrierën e tij në Anfield. “Tani për tani ai është lojtar i Liverpoolit, mirëpo gjithçka varet nga ai. Nëse vazhdon të punojë intensivisht dhe në mënyrë kontinuale, atëherë do ti jepet shansi të dëshmohet”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, Rafa Benitez.
Edhe pse ende nuk është bërë konfirmimi zyrtarë i transferimit të Lucios tek Interi, mbrojtësi brazilian tashmë ka thënë fjalët e para si lojtar i kampionit të Italisë.
“Jam shumë i lumtur që jam në njërin nga klubet më të rëndësishme në botë”. “Gjithmonë kam ëndërruar të jem lojtar i Mourinhos dhe të luaj krahas Ibrahimovicit”. “E kam parë atë (Ibrahimovicin) si luan dhe jam i lumtur që do ta kem bashkëlojtar dhe jo kundërshtar”, u ka thënë Lucio gazetarëve.