Jose Maria Mesalles, agjenti i sulmuesit të Barcelonës, Samuel Eto’o, thotë se gjatë ditës së sotme, negociatat me Interin kanë qenë në një fazë të përparuar dhe është optimist për arritjen e qëllimit.“Negociatat janë në një fazë të përparuar, sot jemi një hap më përpara në krahasim me dje. Por ende nuk kemi nënshkruar asgjë, kemi nevojë edhe pak për të pushuar, nesër sërish do të vazhdojmë të negociojmë”, ka thënë agjenti.“Situata nuk është e lehtë dhe kërkojmë zgjidhjen më të mirë për të gjitha palët e involvuara. Nga mbrëmë deri sot, situata do të ndryshojë shumë. Eto’o me padurim e pret rezultatin përfundimtar, ai dëshiron të jetë pjesë e Interit dhe kjo është shumë e qartë”.“Nuk presim nesër të nënshkruhet marrëveshja. Por me pak punë, deri në fund të javës është e mundur të arrihet. Nuk do të jap përqindje, por jam optimist se do të arrijmë marrëveshje”, ka shtuar agjenti.
Përzgjedhësi i kombëtares së Argjentinës, Diego Maradona, raportohet se mund të marrë drejtimin e Portsmouth, pasi klubit anglez është bërë me pronar të ri.Me Paul Hart të pohuar si menaxher i ekipit anglez, Diego Maradona do të mund të ishte drejtor sportiv i klubit. Sipas faqes, Arabianbusiness.com, që është e afërt me pronarin e ri të klubit, Sulaiman al-Fahim, avokati i Maradonës, Angel Oscar Moyano, ka pranuar se argjentinasi është i interesuar për kalim në Portsmouth. “Diego Armando Maradona është i gatshëm të kalojë në Portsmouth. Ai është i gatshëm ta lëshojë pozitën e trajnerit të kombëtares së Argjentinës”, citohet të ketë thënë Moyano. Përveç mediave arabe, edhe ato argjentinase e shohin si mundësi të hapur kalimin e Maradonës në Portsmouth.
Sven Goran Eriksson thotë se nuk është angazhuar në Notts County për shkak të parave, por për shkak të projektit.Ish-përzgjedhësi i Anglisë do të jetë drejtor i ri sportiv i klubit më të vjetër profesional të futbollit në botë, Notts County, pasi nënshkroi marrëveshje pesëvjeçare me klubin nga liga a dytë angleze. “Gjithmonë kam thënë se do të rikthehem në Premier League, por e zgjodha mënyrën më të vështirë për ta bërë këtë. Për këtë do të nevojiten disa vite, por mendoj se do ta arrijmë këtë. Kjo është një sfidë e madhe për jetën time, ta dërgoj Notts Countyn në Ligën Premier”, ka thënë Eriksson. “Jam optimist për gjithë këtë çështje dhe jam i lumtur që jam këtu. Nëse do të bëhej fjalë për para, do të mund të shkoja në ndonjë vend tjetër, për shumë më shumë para. Por nuk jam këtu për para, jam për sfidë”, ka shtuar suedezi. Eriksson, i cili tash është edhe aksionar në Notts County, do ta sjellë ish-ndihmësin e tij të reprezentacionit të Anglisë, Tort Gripp, i cili do të punojë me menaxherin aktual të klubit, Ian McParland.
Mesfushori nigerian Jon Obi Mikel i ka dhënë besimin e tij Chelseat, duke nënshkruar kontratë të re pesëvjeçare me ekipin nga Londra.Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi anglez, në një deklaratë zyrtare në faqen zyrtare, një ditë pasi kontratën me klubin e vazhdoi edhe francezi Florent Malouda. “Ishte lehtë t’i jap besimin tim klubit pasi jam i lumtur këtu dhe kur erdhi mundësia, ishte kënaqësi të nënshkruaja pas bisedave me klubin. E ardhmja ime me menaxherin e ri do të jetë e ndritshme dhe unë mendoj se tashmë kemi krijuar raporte të mira pune”, ka thënë 22-vjeçari.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, pas ndeshjes përballë Interit ka thënë se mesfushori i Milanit, Andrea Pirlo, është lojtar i Chelseat, por më pastaj ka thënë se vetëm ka bërë shaka.Pirlo vazhdimisht është duke u lidhur me kalim në Chelsea gjatë javëve të fundit, ku do të mund të bashkohet me ish-trajnerin e tij Carlo Ancelotti.Drejtuesit e Milanit në një sërë rastesh kanë mohuar spekulimet se ai është para kalimit në Stamford Bridge dhe gjithmonë kanë thënë se askush nuk ka bërë ofertë për shërbimet e italianit.“Nuk ka asnjë situatë të veçantë. Për momentin ai është lojtar i ... Chelseat”, a thënë Ancelotti në konferencën e shtypit pas fitores 2-0 në miqësoren përballë Interit, duke i befasuar të gjithë gazetarët.Por pas një pauze të shkurtë me buzëqeshje ai ka vazhduar: “Por, të gjithë e dini se dua të bëj shaka. Andrea është miku im më i mirë dhe një lojtar i shkëlqyeshëm”.
Fulham ka pohuar se ka nënshkruar marrëveshje tre-vjeçare me mesfushorin norvegjez Bjorn Helge Riise nga Lillestrom.Vëllai i mbrojtësit John Arne Riise, Bjorn Helge, është shprehur tepër i kënaqur pasi që nga sezoni i ardhshëm do të luajë në Premier League.“Nënshkrimi me Fulham është realizim ëndrre për mua, mezi pres t’i bashkohem ekipit në përgatitje pasi tashme e kemi përfunduar marrëveshjen. Nga Fulham shumë mirë e njoh Brede Gangeland dhe Erik Nevland, me të cilët luaj së bashku në kombëtare, dhe ata më kanë treguar gjëra të mira për ekipin”, ka thënë Riise.“Fulham pati një sezon fantastik vitin e kaluar nën drejtimin e Roy Hodgson, i cili është menaxher të cilin e respektoj shumë”, ka shtuar më tej norvegjezi.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka pranuar se Phillipe Senderos mund të largohet nga Emirates, përkundër se ai sapo është kthyer nga Milani.Mbrojtësi zviceran kaloi një vit i huazuar te Milani, mirëpo Rossonerët nuk vendosën ta mbanin më tepër, prandaj ai është kthyer te Topçinjtë. “Ai ka oferta dhe gjithçka është e hapur. Ai është kthyer te ne për të kërkuar zgjidhje, mirëpo ai ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij”, ka thënë Wenger për “Daily Mail”.
Trajneri i Tottenham Hotspur, Harry Redknapp, ka demantuar se skuadra e tij dëshiron ta angazhojë mesfushorin anglez David Beckham.Mediat angleze kanë spekuluar se mesfushori i LA Galaxy do të kthehet në Ligën Premier, ndërsa si destinacione të mundshme kanë përmendur Manchester Cityn, Tottenhamin dhe Chelsean. “Nuk e di se nga kanë ardhur këto informata. David Beckham është një lojtar fantastik, profesionist i jashtëzakonshëm, mirëpo asgjë nuk është e vërtetë nga ato spekulime”. “Ne nuk e dimë situatën e David dhe nuk kemi bërë tentativë për ta angazhuar atë, prandaj nuk e dimë se prej ku kanë filluar thashethemet”, ka thënë Redknapp për “Sky Sports News”.
Sulmuesi i Real Madridit, Klaas-Jan Huntelaar, nuk do të transferohet te Stuttgarti, përkundër spekulimeve se Los Blancos kanë arritur marrëveshje me ekipin nga Bundesliga.Huntelaar është në listën e lojtarëve që do të largohen nga Santiago Bernabeu, ndërsa mediat gjermane kishin spekuluar se Reali ka arritur marrëveshje me Stuttgartin për transferimin e holandezit. Sido që të jetë, “AS” shkruan se Huntelaar i ka mbyllur bisedimet me ekipin gjerman për arsye se Stuttgarti nuk dëshironte t’ia japë pagën e kërkuar nga ish-sulmuesi i Ajaxit. Ndërkohë, thuhet se Huntelaar do të transferohet në Angli, te Tottenham Hotspur ose Arsenal.
Pasi ka kërkuar ‘të gjithë sulmuesit në Evropë’, Milani planifikon ta transferojë David Trezeguet. “La Gazzetta dello Sport” njofton se Milani është gati ta sakrifikojë Marco Borriellon për ta sjellë në San Siro sulmuesin francez, i cili padyshim që ka hyrë në historinë e Juventusit. Rossonerët janë të interesuar për sulmuesin e Sevillas, Luis Fabiano, mirëpo andaluazianët kërkojnë 20 milionë euro, që është një shifër e papërballueshme për Milanin, kështu që Trezeguet do të ishte opsion i mirë nëse transferohet në formë shkëmbimi me Borriellon.
Edhe Didier Drogba u është bashkëngjitur zërave të cilët thonë se kapiteni i Chelseat, John Terry, do të mbetet në Stamford Bridge. Manchester City vazhdon të kërkojë shërbimet e mbrojtësit anglez, ndërsa drejtuesit e Chelseat nuk lejojnë largimin e tij, derisa Drogba mendon se Terry do të qëndrojë me Blutë. “Ai është kapiteni ynë dhe ne kemi nevojë për të, dhe e dimë se ai do të qëndrojë me ne për të fituar më shumë trofe”, ka thënë droga për ESPN.
"Sky Sport" njofton se sulmuesi i Barcelonës, Samuel Eto’o, ka arritur marrëveshje për të nënshkruar kontratë pesëvjeçare më kampionin e Italisë, Inter.Presidenti zikaltër Massimo Moratti ka negociuar me agjentin e lojtarit, Josep Maria Mesalles, derisa vetë Eto’o e ka thirrur në telefon drejtorin teknik të Interit, Marco Branca, për t’i thënë se është i lumtur që do t’u bashkëngjitet Nerazzurëve. Marrëveshja është arritur pasi që kamerunasi është pajtuar të merr 10 milionë euro për sezon, por me kusht që Interi do t’i paguajë nga dy milionë euro për secilën trofe të fituar. Pas kësaj marrëveshje, është gjithnjë e më pranë edhe kalimi i Zlatan Ibrahimovicit në drejtim të kundërt- te Barcelona.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka lavdëruar mesfushorin e Los Angeles Galaxy, David Beckham.“Beckham është një lojtar i shkëlqyeshëm, por jo i jashtëzakonshëm. Sidoqoftë, ai më bëri për vete me qëndrimin dhe karakterin e tij. Në fushë ai i sheh gjërat shumë para lojtarëve të tjerë dhe vizioni i tij i lojës është shumë përtej kohës kur ai luante me Manchester United”, ka thënë Ancelotti.“Ai nuk duhet t’ia ketë lakmi askujt, as edhe një lojtari si Kaka në pozitën e tij. Ai është më i ngadaltë, por më i fuqishëm se Kaka si taktikisht ashtu edhe teknikisht”, ka shtuar ish-trajneri i Milanit.
Agjenti i Javier Mascheranos thotë se klientit të tij nuk i pëlqen jeta në Angli dhe dëshiron të transferohet te Barcelona.Mesfushori i Liverpoolit kërkohet nga Blaugranët, mirëpo trajneri i Redsave, Rafael Benitez, i ka thënë JO këtij transferimi. Megjithatë, agjenti i lojtarit thotë se klienti i tij dëshiron të luajë për trekampionët. “Barcelona është zgjidhja më e mirë për t’u realizuar, pasi që Javier dëshiron të shkojë në Spanjë. Ai është lodhur me jetën në Angli”. “Liverpooli refuzon ta shesë, mirëpo kjo mund të ndryshojë nëse vjen një ofertë e madhe”, ka thënë agjenti.
Chelsea ka shënuar fitore prej 2-0 kundër Interit në kuadër të ndeshjeve përgatitore parasezonale në turneun World Football Challenge, që po zhvillohet në Pasadena të Kalifornisë.Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba, kaloi Blutë në epërsi (11’) duke mposhtur portierin Belec me një gjuajtje nga 23 metra. Në minutën e 50-të u akorduar penallti në favor të Chelseat, pasi që Burdisso preku topin me dorë, ndërsa i pagabueshëm nga pika e bardhë ishte Frank Lampard, i cili vendosi rezultatin e përfundimtar të këtij takimi.
Kampioni i Shqipërisë, Tirana, është eliminuar nga faza kualifikuese e Ligë së Kampionëve, pasi që në ndeshjen kthyese është mposhtur nga ekipi norvegjez, Stabaek.Ndeshja e zhvilluar të martën mbrëma në Telenor Arena të Oslos, ndërmjet Stabaekut dhe Tiranës, përfundoi me fitoren prej 4-0 të skuadrës vendase. Ndeshja e parë e zhvilluar në “Qemal Stafa” kishte përfunduar me rezultat të barabartë 1-1, dhe kështu Tirana u përshëndet me garat evropiane për këtë sezon.
Agjenti i Martin Caceres, Daniel Fonseca, thotë se klienti i tij është pranë kalimit te Juvetnusi, ndërsa në ditët në vijim pritet që të zyrtarizohet ky transferim.“Asgjë nuk ka ndodhur që nga kontakti ynë i fundit, mirëpo Juventusi është optimist për transferimin”. “Mendoj se çështja do të zgjidhet pas dhjetë ditësh. A varet kjo nga Barcelona ose Juventusi? Nga asnjëra skuadër- ne po presim përgjigjen e lojtarit, e cila do të vijë pas 4-5 ditësh, dhe pastaj do të mund të vazhdojmë përpara”, ka thënë Fonseca për tuttomercatoweb.com.
















