Rezart Taçi  Rezart Taci Sipërmarrësi i njohur shqiptar, Rezart Taçi, ka arritur të enjten të përmbyllë marrëveshjen për blerjen e pjesës më të madhe të aksioneve të ekipit të futbollit të Serie A, Bolognas.
Sipas mediave italiane gjithçka ka përfunduar dhe pritet që së shpejti marrëveshja të nënshkruhet edhe në mënyrë zyrtare. Sipas saj, mësohet se biznesmeni shqiptar do të blejë paketën prej 80 % të aksioneve në vlerën e rreth 20 milionë eurove klubit. Në këtë mënyrë, Rezart Taçi regjistrohet si i pari pronar i huaj në kampionatin më të mirë të futbollit italian, Serinë A.
Sulmuesi i Barcelonës, Samuel Eto'o, më në fund ka arritur marrëveshje me Interin, siç ka bërë të ditur vetë agjenti i sulmuesit.
Kamerunasi raportohet se do të nënshkruajë marrëveshje pesëvjeçare me kampionin e Serie A, dhe do të marrë pagë vjetore prej 10 dhe 10.5 milionë eurosh. Eto’o në Barcelona do të shoqërohet edhe nga Alexandr Hleb, derisa në drejtim të kundër do të lëvizë Zlatan Ibrahimovic, për të cilin Barcelona do të paguajë edhe një shumë prej 40 deri në 50 milionë euro. “Është kryer. Kemi arritur marrëveshje me Interin. Samuel ka biseduar me Mourinhon dhe është shumë i lumtur që do të veshë fanellën zikaltër. Të gjitha detajet janë qartësuar. Ka një harmoni të plotë mes nesh dhe klubit. Jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur. Marrëveshja është arritur dhe javën e ardhshme ai do të fillojë të angazhohet me Interin”, ka thënë agjenti i lojtarit, Jose Maria Mesalles. 28-vjeçari, i cili iu bashkua Barcelonës në vitin 2004, kishte vetëm edhe një vit të mbetur në kontratën e tij. Ai ishte golashënuesi më i mirë i Barcelonës në sezonin e fundit me 34 gola të shënuar.
Ekipi i Interit ka pohuar se sulmuesi Zlatan Ibrahimovic sot është përshëndetur me Jose Mourinhon dhe bashkë-lojtarët tjerë të nerazurëve dhe është rikthyer në Evropë.
Kampioni i Serie A ka pohuar në faqen e vet zyrtare se suedezi është ndarë nga ekipi dhe ka udhëtuar për në Evropë, sigurisht për të nënshkruar me Barcelonën dhe për t’iu bashkuar ekipit të ri. “Pas angazhimit në mëngjes në kampin stërvitor në Harwaurd, dhe drekës në hotel, para disa minutash, Zlatan Ibrahimovic është përshëndetur me Jose Mourinhon dhe ekipin, pas të cilës ka udhëtuar për në Suedi”, shkruhet në një publikim në faqen zyrtare të Interit. “Sulmuesi në marrëveshje me klubin e ka lëshuar turneun në SHBA dhe është rikthyer në Evropë pas negociatave për transferimin e tij”, shtohet më tej në deklaratë. Besohet se Ibrahimovic ka arritur marrëveshje me Barcelonën dhe tash mbetet vetëm që lojtari t’i kalojë testet mjekësore dhe nënshkruajë kontratën me klubin spanjoll, me të cilën do të zyrtarizohej transferimi i tij. Në drejtim të kundërt, nga Barcelona në Inter, pritet të lëvizë Samuel Eto’o, i cili po ashtu raportohet ka arritur marrëveshje me Interin.
Barcelona ka arritur marrëveshje me ekipin brazilian Palmeiras për transferimin e sulmuesit 20-vjeçar Keirrison.
Derisa është në pritje të zyrtarizmit të transferimit të Zlatan Ibrahimovic, Barcelona ka arritur marrëveshje me Palmeiras për angazhimin e sulmuesit Keirrison. Sipas marrëveshjes, Barcelona do të paguajë 14 milionë euro për të marrë shërbimet e 20-vjeçarit, me opsion të paguajë edhe dy milionë në varësi të paraqitjeve të lojtarit me ekipin e parë. Sulmuesi i ri pritet që sonte më vonë të arrijë në Barcelona dhe t’i tejkalojë testet mjekësore, pas të cilave do të nënshkruajë marrëveshje pesëvjeçare.
Manchester City ka pohuar se do të zhvillojë ndeshje miqësore me Barcelonën në Camp Nou më 19 gusht.
“Jemi të ngazëllyer të ju informojnë se do të zhvillojnë ndeshje miqësore kundër Kampionit të Evropës Barcelonës”, shkruhet në deklaratën e faqes zyrtare të Manchester Cityt. Klubi anglez duhej të zhvillonte ndeshje të ligës kundër Evertonit më 19 gusht, por ky i fundit do të ketë ndeshje në Evropë, andaj takimi i Premier League është anuluar. City në të njëjtën datë ka aranzhuar të zhvillojë një takim tjetër mjaft atraktiv, pasi ekipi i ri premtues i Ligës Premier do të udhëtojë në Camp Nou për një miqësore me kampionin e Spanjës dhe Evropës, Barcelonën. Barcelona dhe City kanë kontakte të mira dhe kanë zhvilluar në mes tyre pesë ndeshje. Në vitin 2003 katalanasit ishin mysafir të hapjes së stadiumit të ri të klubit, kur City fitoi 2-1 me golat e Nicolas Anelka and Trevor Sinclair.
Tottenham ka përsëritur interesimin për sulmuesin e Real Madridit, Klaas-Jan Huntelaar, pasi holandezi nuk arriti marrëveshje me Stuttgartin.
Huntelaar pritej të ishte përforcimi i ri i Stuttgartit pasi klubi gjerman arriti marrëveshje me Real Madridin, por futbollisti refuzoi të transferohet në Bundesliga. “Djaloshi është një golashënues shumë i mirë dhe unë ende jam i interesuar për të. E di për situatën me Stuttgartin, por ende shpresoj se do të mund të bëjmë diçka”, ka thënë trajneri i Tottenhamit, Harry Redknapp. “Ka shumë zëra për të cilët flitet se mund të arrijnë, dikush jo, por Huntelaar është një prej atyre që i dëshiroj”, ka përfunduar anglezi.
E ardhmja e mesfushorit Xabi Alonso në Liverpool vazhdon të mbetet e paqartë, pasi edhe vetë futbollisti ka refuzuar të japë garanci se e ardhmja e tij qëndron në ekipin anglez.
Alonso një kohë të gjatë lidhet me një transferim në Real Madrid, dhe vetë nuk e ka fshehur dëshirën për të kaluar te klubi mbretëror. Rafa Benitez nuk heq dorë lehtë nga Alonso, por prioritet i tij është të mbajë në ekip Javier Mascheranon, i cili dëshiron të transferohet në Barcelona. “Është vështirë të jap çfarëdo garancie. Tash thjesht po kënaqem në Tajlandë”, ka deklaruar Xabi Alonso për Daily Mirror. Alonso nuk ishte pjesë e ndeshjes së mbrëmshme miqësore në të cilën Liverpooli luajti barazim 1-1 me kombëtaren e Tajlandës.
Drejtori sportiv i Juventusit, Alessio Secco, ka thënë se ata dëshirojnë ta mbajnë sulmuesin David Trezeguet dhe ka refuzuar shitjen e tij te ndonjë klub italian.
David Trezeguet një kohë të gjatë lidhet me një largim nga ekipi i Juventusit dhe vetë agjenti i francezit zbuloi se shumë klube janë të interesuar për shërbimet e klientit të tij. “Qëllimi i klubit është ta mbajë David, dhe nëse kjo do të ndodhë do të jemi të lumtur. Por nëse ai na thotë ndryshe, ne do ta shikojmë propozimin dhe do të shohim nëse do të jetë i pranueshëm nga të gjitha palët”, ka thënë Secco. “Por një gjë dihet, nuk do ta shesim atë në Itali”, ka qenë i qartë italiani.
Rezart Taçi Ekipi italian Bologna ka konfirmuar se ata janë duke biseduar me gjigantin shqiptar të naftës, Taçi Oil.
Negociatat me pronarin e kompanisë, Rezart Taçi, të cilat janë përfolur që në javën e kaluar, janë konfirmuar mbrëmë me anë të një deklarate të klubit. “Në përpjekje për të fuqizuar strukturën ekonomike të klubit, kemi filluar negociatat me konglomeratin e drejtuar nga Rezart Taçi. Objektivi, nëse të gjitha kushtet plotësohen, është të shesim pjesën më të madhe të aksioneve të klubit”, thuhet në deklaratën e Bolognës. Kompania e cila solli dy herë gjigantin evropian, Milanin, në Shqipëri, raportohet se dëshiron të blejë 80% të aksioneve, për një shumë rreth 30 milionë euro.
Klubet spanjolle janë duke u interesuar për mundësinë e transferimit të mbrojtësit të Interit, Nicolas Burdisso.
Agjenti i lojtarit, Fernando Hidalgo, raportohet se është në bisedime me klubet e interesuara të La Ligës për argjentinasin, i cili dëshiron të largohet nga Interi, pasi kampioni i Serie A tashmë ka transferuar ish-lojtarin e Bayern Munich, Lucio. Villarreal, Atletico Madrid dhe Sevilla, që të tre janë lidhur me një transferim të Burdissos këtë verë, dhe pritet të shihet nëse ndonjëri prej klubeve do të jetë i suksesshëm në këtë tentim.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se ai nuk e ka me nguti t’i harxhojë 25 milionë funtet e marra nga shitja Emmanuel Adebayor në Manchester City.
“Do të jem në gjendje ta harxhoj këtë shumë të parave, nëse do të jemi në gjendje të gjejmë lojtarë të duhur dhe nëse e ndjejmë se kemi nevojë. Ne nuk e kemi me nguti për momentin”, ka thënë Wenger.“Kemi lojtarë tanë në formacion. Shikoni në lojtarët ofensiv që i kemi, Van Persie, Arshavin, Eduardo, Rosicky, Walcott, Bendtner. Ne dëshirojmë të përgatitemi mirë tash. Kishim 14 lojtarë që mungonin për ndeshjen me Barnet, andaj do të shohim nëse do të kemi nevojë për më shumë”, k a shtuar francezi.Një prej lojtarëve për të cilin topçinjtë raportohet se janë të interesuar është sulmuesi francez i Toulouse, Andre-Pierre Gignac, dhe këtë e konfirmoi edhe vetë Wenger
Rosonerët janë mposhtur në minutat e fundit të ndeshjes së dytë para-sezonale, që e zhvilluan kundër ekipit amerikan Club America, duke e lënë trajnerin ri Leonardo ende pa asnjë fitore në takimet e para-sezonit.
Milani barazoi me LA Galaxy në ndeshjen e parë të turneut amerikan ditë më parë, ndërsa në takimin e dytë e përkeqësoi gjendjen edhe më shumë, duke pësuar humbje.Pasi e pa veten në disavantazh pas 55 minutash lojë me anë të golit të Esqueda, Milani arri të barazojë rezultatin pas 10 minutash tjera, falë sulmuesit veteran Filippo Inzaghi, që shënoi golin e dytë në po aq ndeshje.Milani nuk arriti të gjejë golin e fitores, por as të ruajë rrjetën e vet, pasi pësoi gjashtë minuta para fundit të ndeshjes nga Marquez.Milani do të takohet me ish-trajnerin e klubit, Carlo Ancelottin, gjatë të shtunës, kur do të përballet në një miqësore me Chelsean, që po ashtu është në SHBA për para-sezon.
Përzgjedhësi i kombëtares italiane, Marcelo Lippi, thotë se Interi është i gatshëm ta dëshmojë veten këtë sezon dhe të fitojë Ligën e Kampionëve.
Derisa Serie A përgatitet të fillojë muajin e ardhshëm pa praninë e Kaka dhe Zlatan Ibrahimovic, trajneri italian shprehet optimist se italianët do të arrijnë sukses këtë sezon.“Sigurisht Kaka na ka argëtuar për shumë vite dhe Ibra ka qenë vendimtar për Interin. Megjithatë, mënyra jonë e realizimit të gjërave na ka lejuar të zbulojmë talente të rinj. Do të doja t’u rikujtoj se jo shumë kohë më parë një njeri me emrin Zinedine Zidane vendosi të largohet për në Real Madrid, por futbolli italian, pavarësisht se humbi një kampion të madh, fitoi disa Liga të Kampionëve”, ka thënë Lippi.“Dua t’u rikujtoj tre emra të cilët do të na argëtojnë të dielave, Eto’o, që nuk është inferior ndaj Ibrës, e që ka një mesatare të golave më të mirë se suedezi, Lucio, që ka pasur mijëra oferta, por zgjodhi Interin, dhe përfundimisht Diego, që është një talent i frikshëm”.“Interi ende është ekipi më i mirë në Itali dhe ata janë të gatshëm të fitojnë garën evropiane ose së paku të arrijnë në finale. Juventusi tash sheh ka Skudeto”, ka shtuar italiani.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka lavdëruar përparimin dhe rëndësinë e Park Ji-Sung në klub.
Kampioni i Anglisë aktualisht është në Seul për ndeshjen e tretë pjesë të turneut aziatik, dhe djajtë e kuq do të përballen me klubin e Koresë Jugore, FC Seoul, gjatë të premtes mbrëma.Park i është bashkuar ekipit pas një pushimi të zgjatur që iu dha pas kualifikimeve për Botërorin 2010 me ekipin kombëtar, nga Koreja e Jugut, dhe Ferguson thotë se nëse ai do të jetë fillestarë do të vendosë të premten.“Ai do të jetë në gjendje të luajë për disa minuta. Ai nuk ka qenë me ne deri tash. Kjo do t’u japë fansave këtu një shtytje të madhe. Dy vite më herët ai ishte i lënduar dhe nuk luajti (para publikut vendas)”, ka thënë skocezi.“Që kur ai ka arritur në Manchester United ai ka zhvilluar aftësitë e tij taktike dhe teknike dhe është bërë një lojtar i rëndësishëm për ne. Ai ka pasur një karrierë fantastike me ne”, ka shtuar Ferguson.
Manchester City është i gatshëm të ofrojë 50 milionë funte për të marrë shërbimet e kapitenit të Chelseat, John Terry, bëjnë të ditur mediat angleze.
Sipas Daily Mail, City do të bëjë edhe një përpjekje të fundit për të nënshkruar me Terryn, duke i ofruar atij pagë prej 1 milionë funtesh në muaj.Chelsea shpreson se mund të arrijë vazhdimin e marrëveshjes me mbrojtësin anglez, por në anën tjetër trajneri i Cityt, Mark Hughes, iu ka ofruar pronarëve të klubit të bëjnë gjithçka për të transferuar Terryn.Oferta prej 50 milionë funtesh, pritet të bëhet në dy ditët në vazhdim, pasi tashmë blutë kanë refuzuar dy oferta deri në 32 milionë funte.