Rezart Taci  Rezart Taçi Pronari i ri i Bolognas, Rezart Taci, ka premtuar se do të shpenzojë shumë para për të siguruar që klubi të mos vuajë në fund të tabelës në Serie A.
“Marrëveshja është kompletuar mbrëmë, ndërsa do të hyjë në fuqi në gusht”. “Për mua është kënaqësi që të jem në tregun e futbollit italian. Objektivi ynë është ta forcojmë skuadrën dhe ne do të shpenzojmë në mënyrë agresive ashtu që ta bëjmë ekipin më garues”, i ka thënë shtypit manjati shqiptar. Sipas informatave, Taçi ka shpenzuar afër 20 deri 24 milionë euro për të siguruar 80% të aksioneve të Bolognas.
Mbrojtësi i Interit, Douglas Maicon, thotë se ai është lojtar i Interit, mirëpo të ardhmes nuk i dihet.
Braziliani është i kërkuar nga shumë skuadra, ndërsa ekziston mundësia që pas Ibrahimovicit, tifozët e Interit të përshëndeten edhe më një tjetër yll të skuadrës. “E ardhmja ime? Unë kam kontratë e cila më lidh për klubin. Kam dëshirë të madhe të punoj dhe të fitoj me këtë fanellë, mirëpo për të ardhmen time nuk mund të jap garanci. Do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka thënë Maicon.
Drejtori i dikurshëm i Juventusit, Luciano Moggi, ka deklaruar se Interi po bën gabim të madh me shitjen e sulmuesit Zlatan Ibrahimovic.
Mjeshtri i transferëve, i cili e solli Ibracadabran në Itali, pikërisht te Juventusi në vitin 2004, mendon se me shitjen e Ibras, kampioni i Italisë e shet edhe Scudetton dhe Ligën e Kampionëve, duke shtuar se Samuel Eto’o nuk mund ta zëvendësoje boshnjakun me pasaportë suedeze. “Interi bën vetëvrasje me shitjen e Ibrahimovic. Po e shet liderin e vet. Eto’o është një lojtar i shkëlqyer, mirëpo ai është një lojtar që luan mirë kur skuadra luan mirë. Ibrahimovic mund ta zgjidhë ndeshjen edhe kur skuadra luan keq”, është shprehur Moggi për Ilsussidiario.net.
Steven Gerrard duke u larguar nga Gjykata Të premten kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, është shpallur i pafajshëm për zënkën e 29 dhjetorit të viti të kaluar.
Gerrard dhe miqtë e tij kishin qenë në një bar nate ku një person kishte përfunduar i rrahur, ndërsa mesfushori anglez ishte akuzuar se e kishte “goditur atë me shpejtësinë e një boksieri profesionist”. Kapiteni i Livetpoolit ka mohuar akuzën duke thënë se McGee (i rrahuri) kishte dashur ta sulmonte dhe ai kishte reaguar në vetëmbrojtje. Ndërsa sot Gjykata Mbretërore e Liverpulit e ka shpallur Steven Gerrardin të pafajshëm. Pesë miqtë e Gerrard i kanë pranuar akuzat ndaj tyre.
Trajneri i Italisë, Marcello Lippi, ka premtuar se do të punojë maksimalisht që përfaqësuesja e tij ta fitojë sërish Kampionatin Botëror dhe të barazohet me Brazilin me pesë trofe.
“Shpresoj, dhe po e nënvizoj shpresën, të provoj dhe ta fitoj Kampionatin Botëror sërish”. “Për të shfaqur taktikat e mia në fushë, me duhet një skuadër e cila ka përvojë të madhe në rangjet ndërkombëtare. Për këtë arsye po mbështetem në ekipin e vitin 2006”. “Kuptohet, gjithmonë ka hapësirë për lojtarët të cilët mund t’i sjellin vlera skuadrës. Duhet ta përdorim fjalën ‘rinovim’ me maturi”, ka thënë Lippi për “La Gazzetta Dello Sport”.
Trajneri i Sunderlandit, Steve Bruce, shpreson që të sigurojë shërbimet e kapitenit të Marseille, Lorik Cana.
Mesfushori shqiptar, i cili të hënën mbush 26 vjet, kërkohet nga shumë skuadra evropiane, ndërsa sipas të gjitha gjasave do të largohet nga Marseille këtë afat kalimtar. “Ai është kapiten i Marseille dhe i përfaqësueses së tij- ai është lojtari kryesor për ne”. “Nuk dëshiroj të flas për lojtarët të cilët janë pronë e skuadrave tjera, derisa gjërat të kompletohen dhe të nënshkruhen marrëveshjet- e pamë se çfarë ndodhi me transferimin e Peter Crouch”. “Kështu që, thjeshtë do të bisedojmë me djaloshin dhe do të shohim si do të shkojnë gjërat”, ka thënë Bruce për “Sunderland Echo”.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Miroslav Klose, thotë se bavarezët janë të gatshëm për ta fituar titullin e Bundesligas në sezonin e ardhshëm.
“Objektivi ynë është ta fitojmë Bundesligan. Nuk mund të jemi të lumtur nëse zëmë vendin e dytë. Ndërsa, po ashtu dëshirojmë të arrijmë sa më shumë në garat tjera. “Gjëja më e rëndësishme është që ta praktikojmë atë që kërkon trajneri nga ne. Rezultatet e ndeshjeve parasezonale nuk janë të parëndësishme, mirëpo ato nuk janë prioritet për ne. Mendoj se duhet të jemi të kënaqur në këtë fazë parasezonale”, ka thënë Klose për faqen zyrtare të Bayernit.
Sipas mediave britanike, Liverpooli sërish do të tentojë ta transferojë anësorin e Valencias, David Silva.
Trajneri i Redsave, Rafa Benitez, më herët kishte biseduar me Los Che për shërbimet e mesfushorit spanjoll, mirëpo ai ishte shprehur i pakënaqur për shkak se dikush nga Valencia kishte folur për këtë transferim. Megjithatë, tani “The Independent” njofton se Benitez sërish do të provojë ta transferojë Silvan, duke shfrytëzuar raportet e mira që ka me klubin ku i ka kaluar tre vite të suksesshme. Silva vlen 25 milionë funte, ndërsa sipas mediave, trajneri i Liverpoolit është i gatshëm të paguajë 22 milionë funte, menjëherë pas largimit të Xabi Alonsos drejt Real Madridit.
Sulmuesi në largim i Interit, Zlatan Ibrahimovic, shpreson që të takohet me zikaltrit në finalen e Ligës së Kampionëve, ku do të arrijë me skuadrën e re, Barcelona.
“Inter, do të shihemi në finalen e Ligës së Kampionëve”, i ka thënë Ibra gazetës suedeze “Aftonbladet”. Boshnjaku me pasaportë suedeze do të transferohet në Camp Nou, ndërsa përveç shumës prej 50 milionë eurosh, Blaugranët do t’ia ‘dhurojnë’ Interit Samuel Eto’o-n, ndërsa Aliaksandr Hleb do të shkojë në Giuseppe Meazza në formë huazimi.
Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, thotë se do të ishte e çuditshme ta shihte David Trezeguet duke luajtur për Milanin.
Mediat italiane spekulojnë se sulmuesi francez mund të kalojë te Milani në formë shkëmbimi me ndonjë lojtar. Ndërsa, Del Piero i cili ka luajtur për nëntë vite krahas Trezegol, thotë se do të ishte ‘e pakëndshme’ që bashkëlojtari i tij të luante për njërin nga rivalët kryesor. “Do të ishte e çuditshme ta shoh Trezeguet me fanellë të Milanit”, ka thënë ikona e Juves.
Menaxheri gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, thotë se klub spanjoll nuk do mund të blejë sërish, derisa nuk gjen blerës për lojtarët dytësor.
“Dyert do të mbeten të mbyllura së paku derisa disa lojtarë të caktuar të shiten”, ka thënë Jorge Valdano. Argjentinasi po ashtu ka thënë se sulmuesi holandez Klaas-Jan Huntelaar tashmë është informuar se nuk bën pjesë në planet e Realit, pasi lojtari refuzoi një transferim për te klubi i Bundesligës, Stuttgart.
Klubi francez Olympique Marseille është duke kërkuar sulmuesin e Valencias, Fernando Morientes.
Ish-futbollisti Evropian i Vitit, 33-vjeçari Morientes, është i lirë dhe është duke tërhequr vëmendjen e trajnerit të ri të Marseille, Didier Deschamps. Morientes thuhet se po ashtu është kontaktuar edhe nga Fiorentina ditëve të fundit. Deshamps, i cili nga fundi i sezonit të kaluar ka marrë drejtimin e ekipit francez, është duke bërë ndryshime të mëdha në radhët e veta. Në largim e sipër nga ky ekip janë edhe dy shtyllat, kapiteni Lorik Cana dhe mesfushori Mathieu Valbuena.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, është i bindur se të kuqtë mund t’i japin fund pritjes së gjatë për të fituar titullin e Ligës Premier, dhe këtë do ta bëjnë në sezonin e ardhshëm.
“Dy vite pa një trofe është kohë e gjatë për një klub si Liverpooli, Por ne besojmë se mund ta bëjmë atë këtë vit. Nuk do të jetë lehtë pasi ka shumë sfidues, por ne mendojmë se mund të fitojmë”, ka thënë Torres. Po ashtu optimist është edhe mesfushori izraelit Yossi Benayoun. “Kam shumë besim në këtë ekip. Besojmë se do ta mund të fitojmë ligën, por duhet të punojmë shumë dhe të vazhdojmë të përmirësohemi”. “Personalisht dua që ky të jetë një sezon edhe më i mirë për mua. Dua të shfrytëzoj rastet e mia dhe të ndihmoj ekipin”, ka thënë Benayoun.
Deco Chelsea Përfaqësuesi i kombëtares së Portugalisë, Deco, është zotuar se do të qëndrojë në Chelsea dhe do të kërkojë formën e tij më të mirë.
Mesfushori 31-vjeçar pati një sezon të parë të vështirë në Premier League për shkak të lëndimit dhe mosangazhimit, pavarësisht se filloi shumë mirë sezonin. Ai shprehu dëshirë të largohet nga Londra këtë verë, por pas dështimit të gjejë një klub të ri të përshtatshëm, portugezi është i gatshëm të shpalosë kapacitetin e tij edhe me blutë. “Ishte një vendim i qëlluar të vij në Chelsea. Jam i lumtur këtu. Klubi është i mirë, atmosfera rreth është e mirë. Më pëlqen të jem këtu. Vetëm duhet të luaj dhe të jem në formë. Të luaj dhe të jap më të mirën nga vetja për Chelsean”, ka thënë Deco. “Sezoni i fundit ishte më ndryshe për mua. Kisha shumë lëndime dhe nuk më pëlqeu aspak. Nuk ishin vetëm lëndimet, por kur keni katër lëndime në të njëjtin vit, është vështirë”. “Shëroheni dhe riktheheni në formë dhe menjëherë më pas vjen një lëndim tjetër. Është shumë vështirë. Nuk më pëlqen të bëj arsyetime, por shpresoj të punoj shumë dhe të filloj sezonin duke luajtur mirë”, ka shtuar ish-lojtari i Barcelonës.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor ka zbuluar se kanë qenë pikërisht fansat ata që e kanë detyruar atë të largohet nga Arsenali.
Përforcimi i ri i Manchester Cityt ka thënë se fansat e topçinjve ishin hedhur në të së fundi dhe ai nuk mund të kuptonte se pse situata e tij ishte më ndryshe se e dikujt si Cesc Fabregas. “Kishte sjellje të fansave ndaj meje, të cilat nuk ishin aspak të këndshme. Nuk mund të kuptoj se pse ata ishin hedhur pas meje. Kam dhënë më të mirën për ta dhe isha shumë i lumtur atje”, ka thënë sulmuesi nga Togo. “Shënova 30 gola në sezon dhe nuk është faji im që kërkohesha nga Milani, Barcelona ose Real Madridi. Çdo verë Barcelona është përpjekur të nënshkruajë edhe me Cesc Fabregas. Por fansat kurrë nuk u kthyen kah ai”, ka shtuar Adebayor.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka ripohuar se beson se ekipi i tij do të jetë më i fuqishëm në sezonin e ardhshëm, pavarësisht shitjes së yllit Cristiano Ronaldo.
“Diferenca më e dukshme këtë herë është se nuk është Cristiano Ronaldo dhe fansat do ta ndjejnë mungesën e tij. Por ne ende kemi standarde të larta dhe shpresojmë se këtë sezon do të vazhdojmë në atë mënyrë”, ka thënë Ferguson. “Ka një dëshirë të madhe që ne të mbetemi në standardet e larta të suksesit, të cilat Manchester United i meriton”, ka shtuar skocezi.
Skuadrat shqiptare që garuan në Europa League (ish-Kupa UEFA) janë turpëruar nga kundërshtarët e tyre.
Skuadra nga Superliga shqiptare, Flamurtari, është mposhtur me rezultat prej 8-1 nga ekipi skocez Motherwell. Ndeshja e parë e zhvilluar në Vlorë kishte përfunduar me fitoren minimale të Flamurtarit prej, 1-0, që do të thotë se Motherwell ka fituar me rezultat të përgjithshëm prej 8-2. Pakëz më mirë ka kaluar Vllaznia, që është mposhtur nga Rapid Wien me rezultat prej 3-0 në “Loro Boriçi”, mirëpo nëse llogaritet edhe ndeshja e parë, atëherë skuadra shqiptare eliminohet nga garat e mëtutjeshme të Europa League me rezultat të përgjithshëm prej 0-8. Edhe ekipi kumanovar Milano nuk ka kaluar më mirë, pasi që në ndeshjen e të enjtes është mposhtur me rezultat prej 8-2 si mysafir i Slaven Koprivnica. Ndeshja e parë e zhvilluar në Kumanovë kishte përfunduar me rezultat prej 0-4 në disfavor të Milanos, kështu që Slaven Koprivnica vazhdon garën me fitore të përgjithshme prej 12-2.