Në ditët në vijim do të nënshkruhet edhe kontrata e transferimit të Zlatan Ibrahimovicit te Barcelona, ndërsa “El Mundo Deportivo” e ka cituar lojtarin të ketë thënë se është shumë i entuziazmuar që do të luajë për Blaugranët.
“Jam i lumtur si një fëmijë. Mezi po pres të filloj këtë aventurë të re. Jam pafundësisht i lumtur”, është cituar të ketë thënë Ibracadabra. Ibrahimovic do të kalojë nga Interi te Barcelona, ndërsa veç shumës prej 50 milionë eurosh, katalunasit do t’ua japin zikaltërve edhe kartonin e Samuel Eto’o-s, ndërsa Aliaksandr Hleb do të kalojë në Giuseppe Meazza në formë huazimi.
Milani nuk arrin të sigurojë një qendërsulmues, dhe kjo mund ta detyrojë trajnerin Leonardo që ta angazhojë Alexandre Paton në këtë rol.
Në një intervistë me “La Gazzetta dello Sport”, braziliani ka kërkuar nga trajneri i tij që të mos e detyrojë të luajë si sulmues kryesor, pasi që ai më mirë luan prapa qendërsulmuesit. “Këtë sezon dëshiroj të luaj si sulmues i dytë. Nuk e kam fizikun për të luajtur si sulmues i parë”. “Nëse do të luaj në pozitën time më të mirë në vazhdimësi, atëherë do të luaj shumë më mirë sesa sezonin e kaluar”, ka thënë 19-vjeçari.
Sulmuesi i Juventusit, Vincenzo Iaquinta, thotë se skuadra e tij dëshiron ta fitoje Kupën e Paqes.

Zonja e Vjetër e filloi për së mbari këtë turne duke e mposhtur Sevillan të premten mbrëma me rezultat prej 2-1, ndërsa Iaquinta ishte njëri nga golashënuesit.

“Ne jemi këtu për të fituar, dhe nëse luajmë kundër Real Madridit, atëherë do të dëshirojmë edhe më shumë për të fituar”.

“Këto ndeshje janë gjithmonë të rëndësishme dhe ne po paraqitemi mirë. Ende jemi duke e pritur Diegon, ashtu që të luajmë në mënyra të ndryshme’, tha sulmuesi italian për “Goal.com Italia”.

Nje incident i rende ka ndodhur gjate sesionit te dyte te provave zyrtare te Cmimit te Madh te Hungarise. Nje pjese mekanike qe eshte shkeputur nga makina e Rubens Barrichello, ka goditur ne koke pilotin e Ferrarit, duke e bere te humbase ndjenjat perpara futjes ne nje kthese te shpejte.

Massa ka dale nga pista dhe eshte perplasur me murin mbrotjes qe rrethon pisten. Ne vendngjarje kane shkuar menjehere autoambulanca qe i kane dhene ndihmen e pare nen-kampionit te botes.

Nuk ka ende asnje lajm te sigurt per gjendjen e pilotit, nderkohe qe ai po transportohet me helikopter drejt nje qendre mjeksore.

Nderkohe, pas perfundimit te provave zyrtare, i pari eshte renditur piloti i Renault, Fernando Alonso i ndjekur nga dy pilotet e Red Bull, Vettel dhe Webber.

Strategu i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se pret më të mirën nga sulmuesi në arritje, Zlatan Ibrahimovic.

Pasi Inter dhe Barcelona i përcaktuan të gjitha detajet për transferimin e Zlatan Ibrahimovic, është vetëm çështje ditësh ose orësh se kur marrëveshja do të zyrtarizohet.

“Pres më të mirën nga Zlatan Ibrahimovic. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, por nuk dua të jap komente shtesë pasi ende nuk ka deklaratë zyrtare dhe teknikisht ai është ende lojtar i Interit”, ka thënë Guardiola, pas takimit të mbrëmshëm përballë Tottenham.

Mesfushori anglez David Bekham thotë se ai do të dëshironte sërish të luajë për ish-klubin e tij Manchester United.

Pas gjysmës së dytë të sezonit të fundit të kaluar si i huazuar në Milan, Beckham është rikthyer në Amerikë ku nuk u prit shumë mirë nga fansat e Los Angeles Galaxy.

Mediat angleze vazhdojnë të spekulojnë për një rikthim të tij në Evropë, ku krahas Milanit përmenden edhe Tottenham dhe Chelsea. Por anglezi ka thënë së fundi se do të dëshironte të rikthehet te United.

“Do të doja të rikthehem në United, pasi ata janë ekipi për të cilin bëj tifo. Për mua ata janë fansat më të mirë në botë. Ai është klubi më i mirë për të cilin kam luajtur, por unë kam 34 vite dhe tashmë jam i moshuar. United gjithmonë është një ekip ku secili profesionist do të dëshironte të luajë“, thotë Beckham.

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se ai pret ‘shumë‘ gola nga përforcimi i ri i ekipit, Michael Owen.

Owen u transferua te kampioni i Premier League muajin e kaluar, pasi mbeti lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës së tij me Newcastle në fund të sezonit të kaluar.

“Nëse i shihni shënimet e tij në disa vitet e kaluar, madje edhe në dy vitet e vështira të fundit në Newcastle, ai shënon gol në çdo dy ndeshje. Ai lehtë mund të luajë në një nivel të tillë, pra të vazhdojë të shënojë një gol në çdo dy ndeshje. Andaj nëse luan 25 ndeshje për mua sezonin e ardhshëm, mendoj se do të shënojë deri në 15 gola”, ka thënë Ferguson.

Antonio Caliendo, agjenti i sulmuesit të Juventusit, David Trezeguet, thotë se klientit të tij nuk i pengon t’i bashkëngjitet Milanit.

“Nëse marrim një ofertë zyrtare, atëherë nuk do të na pengonte që të fillojmë negociatat me Milanin”.

“Vlerësimi që bëjnë (trajneri i Milanit) Leonardo dhe klubi për Trezeguet paraqet një mundësi të mirë për t’i diskutuar seriozisht gjërat”.

“Gjithmonë mund të gjejmë një zgjidhje kur të gjithë tregojnë vullnet të mirë. Për Milanin ia vlen sakrifica dhe David është i gatshëm t’i respektojë kërkesat e një klubi të ri”, ka thënë Caliendo për “Il Corriere Dello Sport”.

Trajneri i Milanit, Leonardo, shpreson që Andrea Pirlo të mos largohet nga Rossonerët në drejtim të Chelseat.

Që nga kalimi i Carlo Ancelottit te Blutë, vazhdimisht ka pasur spekulime se mesfushori italian mund t’i bashkëngjitet ish –trajnerit të tij në Stamford Bridge.

“Merkatoja ka edhe shumë kohë për t’u mbyllur, por vërtet shpresoj që Pirlo të qëndrojë me ne”, ka thënë Leonardo.

Sulmuesi i Chelseat, Andriy Shevchenko, shpreson që të mbetet një kohë më të gjatë në Stamford Bridge, përkundër dështimit me fanellën blu.

Ukrainasi u transferua te Chelsea në vitin 2006, mirëpo dështoi të shfaqte formë të mirë, ndërsa sezonin e kaluar u kthye në formë huazimi te Milani, ku po ashtu nuk i bindi drejtuesit kuqezi që ta mbajnë në San Siro.

“Kam edhe një vit në kontratën time me Chelsean dhe shpresoj të qëndroj këtu dhe të ndihmoj në fitimin e trofeve”, ka thënë dikur-njëri nga sulmuesit më të mirë në botë për "Sky Sports News”.

Juventusi e ka filluar turneun Peace Cup 2009 me fitore prej 2-1 kundër Sevillas, ndërsa trajneri bardhezi Ciro Ferrara është shprehur shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij.
“Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur, prandaj doemos duhet t’u jap komplimente të gjithë lojtarëve për paraqitjet e tyre sonte”. “Jam shumë i kënaqur që u munduam shumë dhe shënuam dy herë. Djemtë bënë gjithçka që unë kërkova nga ata të bëjnë, dhe të gjithë kontribuuan”. “Kjo fitore është shumë e rëndësishme, sepse morali i fituar pas fitores ndaj një skuadre të madhe do të na ndihmojë në ambiciet tona për ta fituar garën”, ka thënë Ferrara për “Goal Italia”.
Festa e Bluve Yuri Zhirkov ka shënuar golin e parë në fanellën e Chelseat, i cili ishte edhe goli i fitores në ndeshjen miqësore kundër Milanit në kuadër të World Football Challenge.
Që në minutat e para të ndeshjes (7’), Blutë kaluan në epërsi me golin e Didier Drogbas. Milani u kthye në lojë në minutën e 38-të kur Clarence Seedorf barazoi rezultatin. Mirëpo, me golin e tij debutues (69’), Yuri Zhirkov ia dha fitoren Chelseat dhe trajnerit Carlo Ancelotti, kundër ish- skuadrës së tij.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, ka deklaruar se ka kërkuar nga mesfushori i Redsave, Xabi Alonso, që të mos largohet nga Anfield.
Alonso kërkohet me ngulm nga gjiganti spanjoll Real Madrid, ndërsa shumë shpejt pritet transferimi i tij në Bernabeu. “Bisedova me të dje dhe i thash t’i dëgjojë tifozët. Ata e duan Xabin. I thash, ndoshta duhet të qëndrosh”. “Ai është një lojtar shumë i mirë dhe unë do të jem shumë i kënaqur nëse qëndron. Të gjithë bashkëlojtarët e tij dëshirojnë që ai të qëndrojë. Nëse e mbajmë Xabin do të jem shumë i kënaqur”, ka thënë Benitez për faqen zyrtare të klubit.
Trajneri i Tottenham Hotspur, Harry Redknapp, ka shprehur interesimin e tij për transferimin e mesfushorit të Interit, Patrick Vieira.
Sipas të gjitha gjasave, francezi do të largohet nga zikaltrit këtë afat kalimtar, ndërsa njëra nga skuadrat me të cilat ka qenë i lidhur është Tottenhami. “Ende jam i interesuar për Patrickun dhe ai dëshiron të luajë këtu”, ka thënë Redknapp për “BBC Sport”, pas barazimit 1-1 në ndeshjen miqësore kundër Barcelonës.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, thotë se skuadra e tij duhet t’u kthehet trofeve.
“Nuk mendoj për arritjet personale këtë sezon. Gjëja më e rëndësishme për mua është që të fitoj trofe. Kjo është arsyeja pse erdha te Liverpooli”. “Ndoshta ky sezon është më i rëndësishëm se të tjerët, pasi që nuk kemi fituar trofe qe disa vite”. “Jam i sigurt se këtë vit mund ta fitojmë Ligën Premier ose Ligën e Kampionëve. Nuk do të jetë lehtë sepse kemi sfida të mëdha përpara, por ne mendojmë se mund të fitojmë”, është shprehur spanjolli.
Juventusi ka shënuar fitore me rezultat prej 2-1 kundër Sevillas në kuadër të Peace Cup, ndërsa trajneri i andaluzianëve Manolo Jimenez ka deklaruar se skuadra e tij ishte më e mirë në fushë derisa pësoi golin e parë.
Amauri dhe Iaquinta (26’ dhe 68’) shënuan për Juven, ndërsa dhjetë minuta pa përfunduar ndeshja, Squillaci ngushtoi epërsinë. “Derisa Juventusi shënoi golin e parë, e vetmja skuadër që u pa në fushë ishte Sevilla”. “Ne i shtymë ata mbrapa në gjysmën e tyre, por në futbollin italian mbrojtja është gjithmonë e fortë. Sido që të jetë, e përfunduam ndeshjen mirë dhe e mbështetëm Juven për muri”, ka deklaruar Jimenez.
Në një deklaratë zyrtare, Barcelona ka njoftuar se të dielën Zlatan Ibrahimovici do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore te klubi katalunas, para se të nënshkruajë kontratën dhe ta kompletojë transferimin e tij në Camp Nou.
Ibracadabra ka arritur marrëveshje me Barcën për detajet personale të kontratës, ndërkohë që Barcelona dhe Interi, po ashtu janë marrë vesh për transferimin, kështu që hapi i fundit para nënshkrimit janë ekzaminimet mjekësore. “Zlatan Ibrahimovic do të arrijë në Barcelonë të dielën për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore te Blaugranët, sepse secili lojtar që transferohet duhet ta bëjë këtë”. “Pasi që Barcelona ka arritur marrëveshje me Interin për të nënshkruar me lojtarin suedez, tani ai duhet t’i nënshtrohet një serie testesh mjekësore para se të nënshkruajë dhe t’i bashkohet klubit”. “Nga ana tjetër, Barcelona u ka dhënë leje Samuel Eto'o-s dhe Aliaksandr Hlebit, të cilët janë përfshirë në transferet e fundit, që të udhëtojnë në Milano dhe t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore tek Interi”, shkruan në deklaratën zyrtare të Barcelonës.
Të premten Sunderlandi ka konfirmuar se e ka transferuar mesfushorin kosovar Lorik Cana nga Olympique de Marseille, për shumën prej 5 milionë funtesh (5.8 milionë euro).
Trajneri i Sunderlandit, Steve Bruce, është shprehur mjaft i entuziazmuar që ka siguruar shërbimet e tashmë ish-kapitenit të Marseille. “Jam i ngazëllyer për ardhjen e Lorikut në skuadër, sidomos kur kihet parasysh numri i madh i skuadrave të interesuara për të nënshkruar me të”. “Ai sjell me vete një vlerë të madhe të përvojës, si në nivel klubesh, ashtu edhe në nivel të përfaqësueseve, dhe është një shtesë e madhe e klubit tonë”. “Të qenit kapiten i Marseille do të thotë shumë për një lojtar dhe për karakterin e tij, dhe jam i sigurt se ai do të jetë i jashtëzakonshëm te Sunderlandi”, ka thënë Bruce.