Mediat britanike njoftojnë se Arsenali ka bërë një ofertë prej 17.3 milionë euro për sulmuesin e Real Madridit, Klaas-Jan Huntelaar.
“Sunday Express” shkruan se trajneri Arsene Wenger e ka caktuar holandezin si zëvendësues të Emannuel Adebayor, i cili u largua në drejtim të Manchester Cityt. Ndërkohë, trajneri i Realit, Manuel Pellegrini, ka thënë se Huntelaar nuk ka vend në skuadrën e tij, prandaj transferimi i holandezit në Emirates është më se i mundur, porse Topçinjtë duhet të konkurrojnë me Tottenham Hotspur për të siguruar shërbimet e ish-sulmuesit të Ajaxit.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, u ka dhënë fund spekulimeve disajavëshe në lidhje me të ardhmen e tij, duke thënë se do t’i qëndrojë besnik skuadrës aktuale.
Manchester City është shumë i interesuar për të fituar shërbimet e mbrojtësit anglez, saqë i ka ofruar një pagë rekorde për të veshur fanellën e ‘pasanikëve’. Mirëpo, në fund 28-vjeçari ka heshtur spekulimet duke thënë se do të vazhdojë të luajë në Stamford Bridge dhe nuk do të ndërrojë fanellë. “Së fundmi ka pasur shumë spekulime në lidhje me të ardhmen time, prandaj dëshiroj ta pastroj këtë gjë njëherë e përgjithmonë”. “Unë i jam përkushtuar plotësisht Chelseat dhe gjithmonë ka qenë kështu. Po ashtu, Chelsea gjithmonë ma ka bërë të qartë se nuk e ka në plan të pranojë ndonjë ofertë për mua”, shkruan në deklaratën e Terryt në faqen zyrtare të Bluve.
Piloti i McLarenit, Lewis Hamilton, ka dalë fitues në garën për Çmimin e Madh të Hungarisë.
Ishte kjo fitorja e parë e kampionit në fuqi që nga fitorja e vitit të kaluar në Kinë, me ç’rast kishte kaluar 11 gara radhazi pa u përfshirë në top-treshin e parë. Vendin e dytë e zuri piloti i Ferrarit, Kimi Raikkonen, ndërsa i treti përfundoi piloti i Red Bullit, Mark Webber Udhëheqësi i Kampionatit të sivjetmë, Jenson Button, u rendit i shtati dhe tani gjendet vetëm 18.5 pikë para Webberit. Gara u zhvillua në mungesë të pilotit të Ferrarit, Felipe Massa, i cili vazhdon të qëndrojë në spital si pasojë e disa frakturave që pësoi në kokë pas një aksidenti në provat zyrtare të të shtunës.
Yaya Toure beson se Zlatan Ibrahimovici do të dëshmojë të jetë transfer shumë i suksesshëm në Camp Nou.
“Ai është i gjatë dhe është sulmues me aftësi teknike, ndërsa kualitetet e tij mund të na ndihmojnë shumë”, ka thënë Toure për faqen zyrtare të Barcës. Mediat spanjolle kanë spekuluar se trajneri Pep Guardiola mund ta angazhojë lojtarin nga Bregu i Fildishtë që të luajë si mesfushor ofanziv, duke qenë se deri më tani Toure ka dalë i suksesshëm në të gjitha pozitat ku ka luajtur. “Unë jam një lojtar ekipor që mundohem të jap më shumë për punën kolektive sesa për performancën time personale”, është shprehur ish-lojtari i Monacos.
Pas fitores prej 2-1 kundër Sevillas në kuadër të Peace Cup, trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara, tashmë ka fituar vetëbesim për fuqinë e të zgjedhurve të tij.
“Fitorja padyshim që na ka dhënë vetëbesim. Suksesi të ndihmon të punosh në një mënyrë më të relaksuar dhe të jep entuziazëm për të shkuar përpara”. “Duhet të shtoj se e mposhtëm Sevillan, e cila është njëra nga top-skuadrat evropiane”. “Jemi këtu për ta fituar Kupën e Paqes. Do të ishte interesante ta mposhtnim Cristiano Ronaldon dhe ekipin e tij (Real Madrid). Jam shumë i lumtur për formën e skuadrës time, mirëpo padyshim një fitore e një kalibri të madh do të ishte një shtytje maksimale”, ka thënë Ferrara për “Corriere dello Sport”.
Milani nuk po ka sukses në transferimin e lojtarëve këtë afat kalimtar duke marrë parasysh edhe buxhetin e kufizuar, ndërsa mesfushori Gennaro Gattuso ka thënë se Rossonerët kanë nevojë për përforcime.
“Milani është skuadër konkurrente, mirëpo neve na mungon diçka. Deri më 31 gusht do të shpresojmë për një dhuratë nga presidenti ynë”. “Kemi nevojë për një qendërsulmues dhe një mbrojtës krahu, përndryshe Milani ende është skuadër e fuqishme me ata lojtarë që ka”, ka thënë Rino për “SkySport24”.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka deklaruar se transferimi i ri i Bluve, Yuri Zhirkov, do të bëhet një emër i madh në Stamford Bridge.
“Zhirkov nuk është befasi. Ai është një lojtar shumë i mirë”, ka thënë Ancelotti për “The Mirror” duke iu referuar golit të cilin e shënoi rusi kundër Milanit. Pastaj, trajneri i ka thënë edhe disa fjalë për ndeshjen kundër ish-skuadrës së tij. “Milani luajti mirë, por ne u angazhuam më shumë dhe jemi të lumtur me fitoren. Ne e dimë që duhet të përmirësohemi më shumë”, ka shtuar Ancelotti.
Duket se sulmuesi argjentinas Julio Cruz ka vendosur për të ardhmen e tij, ndërsa Roma është skuadra ku ai dëshiron ta vazhdojë karrierën.
“Sky Sport 24” shkruan se ish-sulmuesi i Interit do të nënshkruajë kontratë njëvjeçare, me opsionin për ta vazhduar edhe një vit. Ndërsa do të fitojë 1.8 milionë euro për sezon. Cruz refuzoi një pagë të madhe nga Panathinaikosi për të qëndruar në Itali, ndërsa nga Serie A, Lazio dhe Napoli kanë qenë skuadrat më të interesuar për shërbimet e tij.
Menaxheri i Sunderlandit, Steve Bruce, ka konfirmuar se është në bisedime me Tottenham Hotspur për të siguruar shërbimet e sulmuesit Darren Bent.
“Darren Bent është një tjetër lojtar ku e kemi përqendruar interesin tonë. Bisedimet po shkojnë shumë mirë”. “Shpresojmë se do të mund të bëjmë diçka. Duhet të arrijmë marrëveshje për çmimin- dhe kjo ende nuk është arritur. Megjithatë ne jemi duke biseduar”, ka thënë Bruce për “Sunday Sun”. Ditë më parë Sunderlandi siguroi shërbimet e mesfushorit kosovar Lorik Cana.
Felipe Massa Felipe Massa është zgjuar dhe tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore.
Piloti i Ferrarit do t’i nënshtrohet disa analizave të tjera për të përcaktuar sakte kushtet në të cilat ndodhet. Të shtunën braziliani pësoi një aksident gjatë provave për Çmimin e Madh të Hungarisë në Formula 1.
Legjenda e Bayern Munichut, Stefan Effenberg, beson se është vetëm çështje kohe transferimi i Franck Ribery te Real Madridi.
“Besoj se do të ndodhë, por askush nuk e di kur. Megjithatë mendoj se lojtari duhet të jetë i sinqertë me klubin e tij, dhe të mos nënshkruajë kontrata të cilat nuk planifikon t’i respektojë”. “Mund ta paramendoj se në një rast të këtillë, paratë janë një faktor shumë i rëndësishëm, dhe shifrat e tilla luajnë me kokën tënde”, ka thënë Effenberg për gazetën “TZ”.
Manchester City është i vendosur që të ndërtojë një skuadër e cila do t’ia sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.
“The Times” shkruan se deri në fund të gushtit, ‘pasanikët’ planifikojnë blerjen e John Terry (Chelsea), Kolo Toure (Arsenal) dhe Joleon Lescott (Everton). Njoftohet se City planifikon të shpenzojë afër 100 milionë funte (115.6 milionë euro) për të transferuar këta lojtarë.
Dani Parejo ka kompletuar transferimin nga Real Madridi te Getafe.
Getafe ka konfirmuar zyrtarisht blerjen e lojtarit, i cili ka kushtuar 3 milionë euro, ndërsa Mbretërit e kanë lënë hapur edhe opsionin e blerjes së sërishme brenda dy vitesh. 20-vjeçari gjysmën e parë të sezonit të kaluar ishte i huazuar te Queens Park Rangers, ndërsa në dhjetor u kthye në Bernabeu.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, dëshiron të arrijë sukseset e Cristiano Ronaldos.
“Kuptohet, ambicia ime është që të më shohin ashtu siç ishte Cristiano Ronaldo te Manchester United”. “Por për të bërë atë duhet që Liverpooli të fitojë trofe. Dhe vetëm atëherë njerëzit do të flasin në të njëjtë mënyrë për Liverpoolin dhe mua, sikurse për Unitedin dhe Ronaldon”, ka thënë spanjolli për “Daily Mirror”.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se Blutë nuk kanë nevojë të bëjnë shpenzime të mëdha këtë afat kalimtar pasi që kanë një ekip të mirë.
Deri më tani, Chelsea ka siguruar shërbimet e Yuri Zhirkov dhe Daniel Sturridge, dhe kuptohet ka angazhuar trajnerin Carlo Ancelotti. “Nuk mendoj se është e domosdoshme që Chelsea të shpenzojë shuma të mëdha parash”. “Ka disa lojtarë të cilët po të vinin këtu do të ishin shtesë e mirë e klubit, po ashtu ka miliona të tjerë, të cilët nuk do të sillnin shumë në skuadër, sepse ne tashmë jemi shumë të fortë”, ka thënë Lamps për “News of the World”.
Simboli i Romës, Francesco Totti, së bashku me ikonën e Juventusit, Alessandro Del Piero, dhe legjendën e Real Madridit, Raul, janë ndër lojtarët e rrallë aktivë që e kanë kaluar thuajse gjithë karrierën në një klub të vetëm duke u bërë 'flamurët' të skuadrave të tyre.

Së shpejti Totti do të nënshkruajë kontratë të re me Giallorossët deri në vitin 2019, e cila do të mbajë në Olimpico deri në fund të karrierës dhe pastaj do t’i jepet ndonjë rol menaxherial.

“Roma është zgjidhja e jetës time. Mendoj se e kam merituar këtë kontratë të re me atë që kam treguar në fushë, dhe me respektin që kam pasur për familjen Sensi, për bashkëlojtarët e mi, për trajnerin dhe për tifozët”.

“Po të kisha shkuar në ndonjë skuadër tjetër, do ta kisha fituar Topin e Artë, mirëpo jam i lumtur që kam qëndruar, sepse ky ka qenë vendimi i zemrës time”, ka thënë numri dhjetë i Romës.

Në formën e tij më të mirë, Totti është kërkuar nga të gjitha skuadrat e mëdha evropiane, mirëpo ai vendosi që t’ia kushtojë të gjithë karrierën Romës, edhe pse ndoshta ka humbur shumë në planin personal.

Mesfushori argjentinas, Javier MascheranoMenaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez ka thënë se mesfushori argjentinas, Javier Mascherano është njëri nga lojtarët kyq të Liverpoolit i cili duhet të qëndrojë në Anfield. Mascherano është i kërkuar nga Kampioni i Europës, Barcelona, por Benitez nuk dëshiron ta shesë.