Sulmuesi i ri i Barcelonës, Keirrison, është lejuar të largohet nga Barcelona si huazim njëvjeçar në klubin portugez Benfiica.Kampioni i Evropës ishte i interesuar ta huazojë sulmuesin brazilian te ndonjë klub ku ai do të mund të merrte eksperiencë evropiane, para se t’i jepte rastin të luajë në Camp Nou. Benfica sot ka lëshuar një deklaratë ku ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Barcelonën për të nënshkruar me 20-vjeçarin si huazim njëvjeçar, me opsion edhe për një vit tjetër. Ish-sulmuesi i Palmeiras është përforcimi i tretë i Benficas këtë verë, pasi klubi portugez tashmë ka transferuar Javier Saviola dhe Weldon.
Shtatëherë kampioni i botës në Formula 1 dhe këshilltari aktual i Ferrarit, Michael Schumacher, mund ta lë anash pensionin dhe të kthehet për ta zëvendësuar të lënduarin Felipe Massa që nga gara për Çmimin e Madh të Evropës që do të mbahet në Valencia muajin që vjen.Piloti brazilian Felipe Massa të shtunën pësoi një aksident gjatë provave zyrtare për Çmimin e Madh të Hungarisë dhe aktualisht është duke u trajtuar në Budapest, pas një ndërhyrje kirurgjike si pasojë e frakturave në kokë. Sipas parashikimeve, Massa nuk do të jetë në gjendje ta vazhdojë Kampionatin e sivjetmë të Formula 1, kështu që Ferrari është në kërkim të një zëvendësuesi për pjesën e mbetur të sezonit.Të martën, zëdhënësja e legjendës gjermane Michael Schumacher ka nxitur spekulime dhe shpresë se Schumacher mund ta drejtojë sërish bolidin e kuq.“Gjithçka do të analizohet nga Ferrari. Nëse ata kërkojnë nga Michael (që ta zëvendësojë Massan), ai do të mendojë për këtë gjë”.“Në rastet tjera do të thosha se ai nuk është i interesuar, sepse ai po ia kalon mirë me jetën e tij dhe nuk u mungon asgjë, mirëpo tani është një situatë ndryshe”, ka thënë zëdhënësja e tij për BBC.Nga ana tjetër, menaxheri i Schumacher, Willi Weber, ka mohuar çdo mundësi që gjermani të mund të pilotojë sërish. Emri tjetër që qarkullon për ta zëvendësuar të lënduarin Felipe Massa, është piloti i Renaultit, Fernando Alonso, për të cilin edhe ashtu spekulohet se do t’i bashkëngjitet Ferrarit në vitin 2010.
Pronari i Milanit, Silvio Berlusconi, thotë se Rossonerët nuk do të blejnë më lojtarë më të moshuar se 30 vjeç.Pas shitjes së Kaka, Berlusconi deklaroi se Milani do të fillojë një cikël të ri, ndërsa tani thotë se klubi i tij nuk do të angazhojë më lojtarë ‘të vjetër’.“Nuk do të blejmë më lojtarë më të vjetër se 30 vjeç, sepse tashmë kemi shumë të tillë. Do të orientohemi kah ata që kanë më pak se 23 vjet”, është shprehur Berlusconi.
Fernando Morientes ka kompletuar transferimin e tij te Olympique de Marseille, ndërsa trajneri Didier Deschamps ka deklaruar se sulmuesi spanjoll është një shtesë e rëndësishme e klubit.“Të sjellësh në skuadër një lojtar i cili do të shënojë më shumë se 20 gola në merkaton aktuale kushton 15 milionë euro. Djibril Cisse u largua ndërsa neve na ka mbetur vetëm Brandao si qendërsulmues. Prandaj na duhej dikush tjetër i cili mund të luajë në sulm”.“Morientes ka një paraqitje të mirë fizike, dhe ndoshta ka më shumë teknikë se Brandao. Nuk them dhe do ta inkuadroj Fernando Morientesin në formacionin bazë, por e njoh atë mirë dhe ai gjithmonë ka shënuar gola”, ka thënë Deschamps për Football365.
Luis Figo ka mohuar spekulimet kinse do ta shtyjë pensionimin e tij, për t’iu bashkëngjitur Real Mallorcas ose Tottenham Hotspurit këtë afat kalimtar.“Kam dëgjuar për interesimin (e Tottenham) mirëpo njeriu që ka shprehur interesim (pronari i ri i Spursave) nuk është ende president i klubit”.“Asistenti im është në dijeni për interesimin e Mallorcas, por për momentin prioriteti im është që të pushoj dhe nuk mendoj që të kthehem sërish në fushë”.“Nëse do të dëshiroja të luaj futboll do të vazhdoja të luajë për Interin”, ka thënë Figo.
Të martën, skuadra e Interit e ka prezantuar sulmuesin Samuel Eto’o, i cili shpreson se do ta përsërisë suksesin te Barcelona edhe me fanellën zikaltër.“Kam kaluar vite të bukura me fanellën e Barcelonës. I jam shumë falënderues skuadrës, klubit dhe tifozëve. Gjithmonë e kam mbrojtur fanellën me respekt të madh dhe largohem nga Barcelona me kokën lartë”. “Të gjithë lojtarët që janë transferuar nga Barcelona tek Interi kanë vazhduar të luajnë mirë, si p.sh Suarez dhe Ronaldo. Për mua kjo është një iniciativë për të luajtur mirë”. “Dëshiroj të shkruaj historinë e Interit dhe shpresoj se do të arrij sukses në këtë drejtim. Kam fituar thuajse gjithçka te Barcelona dhe shpresoj se të njëjtën gjë do ta bëj edhe këtu”, ka thënë Eto’o gjatë prezantimit të tij.
Klubi francez Lyon do të shtojë edhe një lojtar në radhët e veta, sulmuesin e Fenerbahces, Daniel Guiza.28-vjeçari iu bashkua ekipit turk nga Mallorca, me të cilin ekip shënoi 27 gola në një sezon të vetëm, para se të ndihmojë edhe Spanjën të fitojë Kampionatin Evropian. Fernerbahce pagoi 16 milionë euro për sulmuesin, i cili megjithatë shënoi vetëm 11 gola në ligë. “Oferta nuk është shumë e lartë krahasuar me çmimin që kemi paguar ne. Por ai dëshironte të largohej, andaj ne e pranuam atë dhe jemi në kërkim të një sulmuesi tjetër”, ka thënë Daum.
Sipas mediave italiane, ekipi i Chelseat është i gatshëm të ofrojë sulmuesin Claudio Pizarro dhe të paguajë 12 milionë euro për shërbimet e mesfushorit Andrea Pirlo.Pirlo një kohë të gjatë është duke u lidhur me një kalim në Chelsea por Adriano Galliani në disa raste ka mohuar se rosonerët kanë pranuar ofertë për mesfushorin.Chelsea me kërkesë të trajnerit Carlo Ancelotti, do të ofrojë 12 milionë euro dhe shërbimet e Claudio Pizarro (i cili sezonin i huazuat te Werder Bremen), për të marrë shërbimet e Pirlos.Trajneri i Milanit, Leonardo, ka bërë të ditur se ai ka nevojë edhe për dy përforcime, një sulmues dhe një mbrojtës, dhe mund të jetë i interesuar për sulmuesin nga Peruja. Sipas Sportmediaset, Chelsea e vlerëson sulmuesin 10 milionë euro, andaj oferta për Andrea Pirlo do të jetë afro 22 milionë euro, që mund t’i përgjigjet Milanit.
Agjenti i lojtarit të Liverpoolit, Andrea Dossena, Roberto Laflorio, thotë se klubi anglez ka pranuar ofertën e Napolit dhe tash në pyetje janë vetëm disa ditë kur lojtari do të rikthehet në Itali.Aventura njëvjeçare e Andrea Dossena në Angli është para fundit, pasi Liverpooli raportohet se e ka pranuar ofertën e Napolit për shërbimet e mbrojtësit të majtë.“Liverpooli ka pranuar ofertën e Napolit. Tash janë në pyetje vetëm disa ditë. Klubet tashmë janë marrë vesh, Liverpooli e ka pranuar ofertën e Napolit, por unë nuk di asgjë më shumë”, ka thënë Roberto Laflorio.“Sa i takon Andrea, nuk ka kurrfarë problemesh, do të jenë në pyetje vetëm ditët. Presim ftesën e Napolit për t’i definuar detajet”, ka shtuar agjenti.
Sipas "The Daily Mail", Manchester City dhe Arsenali kanë arritur marrëveshje për transferimin e Kolo Toure për shumën prej 15 milionë funtesh (17 milionë euro).‘Pasanikët’ paralajmëruan se janë në kërkim të tre lojtarëve, John Terryt (Chelsea), Kolo Toures (Arsenal) dhe Joleon Lescott (Everton). Mirëpo pas dështimit për transferimin e Terryt, i cili vendosi të qëndrojë në Stamford Brudge, City shpejtoi të sigurojë shërbimet e Kolo Toure. Ndërsa së shpejti pritet edhe transferimi i Lescott, derisa ekziston mundësia që edhe lojtari i West Ham United, Matthew Upson, këtë javë ta vesh fanellën e Cityt.
"Leggo" njofton se mbrojtësi i Barcelonës, Martin Caceres, mund të transferohet te Juventusi në formë huazimi, gjatë orëve të ardhshme.Thuhet se drejtori sportiv i Bianconerëve, Alessio Secco, do të takohet gjatë ditës së sotme me përfaqësuesit e Barcelonës për të caktuar termet e marrëveshjes. Më herët është arritur marrëveshja ndërmjet dy skuadrave për huazimin njëvjeçar të uruguaianit, ndërsa në marrëveshje përfshihet edhe mundësia që në fund të sezonit Juventusi mund ta blejë 22-vjeçarin për shumën prej 15 milionë eurosh.
Bashkëlojtari i David Villas te Valencia, David Albelda, ka thënë fjalë të mira për sulmuesin spanjoll dhe e ka mbështetur vendimin e klubit për mosshitjen e tij.“Villa është i të njëjtit nivel me Cristianon dhe është më i mirë se Benzema”. “Madridi po investon shumë para... Mirëpo nuk është e drejtë që të paguajë shuma të majme parash për të huajt dhe të kërkojë çmim të arsyeshme për futbollistët spanjollë”. “Dhe nëse e krahason Villan me lojtarët të cilët i ka blerë Madridi, edhe për të (Villan) duhet të paguhet një shumë ekstravagante”, ka thënë Albelda për “AS”.
John Terry ka dalë me deklaratë për të treguar vendimin e tij se do të qëndrojë te Chelsea, ndërsa thotë se edhe trajneri i përfaqësueses së Anglisë, Fabio Capello, është i lumtur që do ta shohë atë duke luajtur në nivelet më të larta të futbollit para Kampionatit Botëror.“Të jesh në Ligën e Kampionëve është një gjë shumë e madhe. Nuk e di se si do të ishte reagimi i zotëri Capellos po të mos luaja në Ligën e Kampionëve”. “Jam i entuziazmuar dhe jam po ashtu i lumtur. Ne po dukemi shumë mirë në Angli dhe mendoj se ky mund të jetë një vit i suksesshëm për ne”, ka thënë Terry për “The Mirror”.
Njoftohet se Real Madridi dhe Liverpooli kanë arritur marrëveshje për transferimin e Alvaro Arbeloas në Santiago Bernabeu.Sipas “AS”, Arbeloa ka arritur marrëveshje me Los Blancos në lidhje me kushtet e kontratës, ndërsa Mbretërit janë pajtuar t’u paguajnë Të Kuqve 4 milionë euro për të fituar shërbimet e 26 vjeçarit. Po ashtu njoftohet se Liverpooli ka arritur marrëveshje edhe me Napolin për shitjen e Andrea Dossenas te klubi italian për 4.5 milionë euro.
Simboli i Romës, Francesco Totti, ka deklaruar se në pesë vitet e ardhshme Giallorossët do ta fitojnë së pkau një herë titullin e kampionit në Itali.“Do të luaj për Romën edhe pse vite të tjera me ç’rast do ta kem mundësinë për të thyer rekorde të reja”. “Me vullnetin që kam, mendoj se mund të arrijmë shumë. Do të mundohemi dhe do ta kërkojmë Scudetton edhe njëherë, sepse është objektivi primar i imi, i klubit dhe i gjithë qytetit”, ka thënë Totti për “Corriere dello Sport”.
Pas shkuarjes tek Interi, Samuel Eto’o ka refuzuar të krahazohet me Zlatan Ibrahimovicin, vendin e të cilit e ka zënë në Giuseppe Meazza.“Nuk ndjehem inferior ndaj Ibrahimovicit. Unë jam Samuel Eto’o dhe nuk mund të krahasohem me askënd”, ka thënë kamerunasi për “Gazzetta dello Sport”, i cili pastaj e ka lëvduar sulmuesin argjentinas, Diego Milito. “Milito është një futbollist i shkëlqyer dhe asnjëherë nuk është vështirë të krijosh marrëdhënie të mira me të shkëlqyerit”. “Unë jam këtu për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe e di se sa shumë rëndësi ka ky trofe për Nerazzurët”, ka shtuar ish-sulmuesi i Barcelonës.
















