Të mërkurën është publikuar kalendari i Kampionatit italian në futboll, ndërsa kampioni Inter do ta fillojë sezonin e ri me ndeshjen kundër skuadrës së promovuar ne Serie A, Bari, ndërsa një javë më pas do të përballet me rivalin e qytetit, Milan.“Në Ligë secila ndeshje është e vështirë, sepse asnjëherë nuk e di se çfarë rreziku vjen. Ne e dimë këtë mirë, sepse e kemi dëshmuar me rezultatet e treguara në vitet e fundit”. “E dimë potencialin e skuadrës sonë dhe e dimë se mund të fitojmë kundër të gjithëve, dhe gjithmonë do ta japim më të mirën përballë çdo kundërshtari”. “Do të mundohemi të japim maksimumin që ta konfirmojmë veten si kampionë. Dëshirojmë ta fitojmë titullin e pestë radhazi”, ka thënë kapiteni i Interit, Javier Zanetti.
Ish-mesfushori Edgar Davids beson se Juventusi është i gatshëm të pushtojë trofe, pas një rregullimi të madh që ka bërë gjatë kësaj vere.Ciro Ferrara u bë trajner, Fabio Cannavaro, Diego dhe Felipe Melo u transferuan në Juventus, dhe Davids beson se Juventusi do të arrijë të fitojë trofe sezonin e ardhshëm.
Trajneri i Milanit, Leonardo, ka deklaruar se Interi dhe Juventusi kanë skuadra më të forta se Rossonerët, mirëpo ai e konsideron sezonin e ri si një sfidë për të dhe të zgjedhurit e tij.“Jam i lumtur dhe entuziast për këtë sfidë. Stoli i Milanit është shumë i rëndësishëm dhe mua më qeshet kur lojtarët më thirrin trajner, sepse ende nuk jam mësuar me këtë emër”. “Milani ka identitetin e vet historik. Ka periudha kur gjithçka shkon mirë, dhe ka periudha kur duhet të djersitemi më shumë dhe të analizojmë mirë detajet, siç po ndodh tani”. “Tani për tani Interi është favorit. Juve është po ashtu skuadër e fuqishme, mirëpo mund t’u them se prapëseprapë ne mund të jemi befasia”. “Ekipi ynë është shumë i vogël, duke qenë se jemi të përkushtuar në shumë kompeticione, prandaj kemi nevojë për emra të tjerë në skuadër”, është shprehur Leonardo për RAI.
Transferi i sivjetmë i Juventusit, Diego, i cili të martën mbrëma shënoi golin debutues për Zonjën e Vjetër në kuadër të Peace Cup, ka dhënë mendimet e tij për skuadrën bardhezi.“Dje ishte një ditë e përsosur. Jam shumë i lumtur, sepse goli ishte i rëndësishëm për mua”. “Juventusi është njëra nga skuadrat më të mira në botë dhe ne mund të fitojmë gjithçka”, ka thënë braziliani. Juve ka fituar dy ndeshjet në kuadër të Grupit A të Kupës së Paqes, që do të thotë se është kualifikuar në gjysmëfinale, ku të premten do të përballet me Real Madridin. “Ndeshja kundër Real Madridit do të jetë e veçantë, mirëpo forma jonë nuk është aq e mirë”, ka shtuar ish-lojtari i Werder Bremenit, i cili është shprehur se ëndrra e tij është që të luajë në Kampionatin Botëror 2010 me Brazilin, kështu që do të japë më të mirën nga vetja me Juventusin që të sigurojë vend në formacionin e ngjeshur të Selecaos.
Është publikuar kalendari i ndeshjeve të sezonit 2009/2010 në Serie A, ndërsa kampioni Inter në ndeshjen e parë do ta presë Barin.Sipas të dhënave nga “Corriere dello Sport”, Roma do ta vizitojë Genoan në ndeshjen e parë, Juventusi do të përballet me Chievon, ndërsa Milani do të udhëtojë te Sienna. Lajmi më interesant është se Juventusi dhe Milani do të përballen në javët e fundit të sezonit (19 dhe 38), që do të jetë përballje e jashtëzakonshme, sidomos nëse këto dy skuadra do të arrijnë të garojnë për titull. Ndërkohë java e dytë e sezonit të ri duket të jetë më ‘e nxehta’ kur kihet parasysh se do të përballen Interi dhe Milani, ndërsa Juventusi do të luajë kundër Romës. Java e 15-të po ashtu do të jetë njëra nga më interesantet, kur do të zhvillohet Derbi i Italisë, ndërmjet Interit dhe Juventusit, dhe derbi romak, ndërmjet Romës dhe Lazios. Serie A fillon më 22 gusht 2009 dhe përfundon më 16 maj 2010, për t’i dhënë përfaqësueses së Italisë afër tri javë për t’u përgatitur për Kampionatin Botëror 2010 që zhvillohet verën e ardhshme në Afrikën e Jugut.
Të mërkurën Manchester City ka transferuar një tjetër lojtar të rëndësishëm, dhe ky është mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë, Kolo Toure.Sipas “Sky Sports News”, lojtari i transferuar nga Arsenali ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me skuadrën e tij të re.
Konfirmimin për këtë transferim e ka bërë agjenti i Toure, Saif Rubie, i cili ka thënë se kjo është një sfidë e re për klientin e tij, i cili me bashkëlojtarët e rinj do të mundohet ta shndërrojë Manchester Cityn në njërën nga skuadrat më të mëdha në botë.
Mbrojtësi veteran Christian Panucci gjatë ditës së mërkurë pritet që t’i bashkëngjitet Parmës.Tuttomercatoweb njofton se italiani, i cili aktualisht është lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Romën, mund të nënshkruajë për skuadrën e rikthyer në Serie A. Për Panuccin janë të interesuara edhe Fiorentina dhe Genoa, mirëpo duket se 36-vjeçari do të luajë për Parmën në sezonin e ri. Përveç qëndrimit tetëvjeçar te Roma, mbrojtësi italian gjatë karrierës së tij ka luajtur për skuadra të tilla, si Milan, Real Madrid, Chelsea, Inter dhe Monaco, ndërsa ka bërë 57 paraqitje edhe me fanellën e përfaqësueses së Italisë.
BMW ka tronditur garën e Formula 1, pasi ka zbuluar se nuk do të jetë pjesë e kësaj gare në sezonin e ardhshëm.Gjiganti gjerman i veturave ka bërë të ditur se ka vendosur të largohet nga gara e Formula 1 në fund të sezonit, por nuk do të heqë dorë nga sportet tjera motorike. “BMW Group nuk do të vazhdojë me kampanjën e Formula 1 pas fundit të sezonit 2009. Sigurisht, ky ishte një vendim i vështirë për ne, por është një hap i patundshëm në strategjinë tonë për rindërtimin e kompanisë”, ka thënë kryetari i bordit menaxhues të BMW, Dr Norbert Reithofer. “Ne vazhdimisht po i rishikojmë të gjitha projektet dhe iniciativat për t’i kontrolluar për zbatim dhe mbështetje. Kampanja jonë në F1 në këtë aspekt është më pak promovuese për ne”, ka shtuar Reithofer, i cili ka theksuar se ‘BMW do të vazhdojë të jetë e përfshirë aktivisht në garat tjera të sporteve motorike’. BWM do të bëhet kështu prodhuesi i dytë i madh në nëntë muaj që largohet nga kjo garë, pasi edhe Honda morri të njëjtin vendim vitin e kaluar. Ka frikë se edhe Toyota mund të marrë të njëjtin hap në disa javët në vazhdim.
Anësori bjellorus raportohet se është afër të bëjë rikthimin te ish-klubi i tij, Stuttgart, në formë të huazimit njëvjeçar.Hleb ishte përfshirë në marrëveshjen e shkëmbimit Samuel Eto'o-Zlatan Ibrahimovic në mes të Barcelonës dhe Interit, por ai e ka hedhur poshtë mundësinë për t’iu bashkuar ekipit italian. Kuptohet se mesfushori preferon të kalojë në Stuttgart, ku kaloi pesë vite të karrierës së tij nga 2000 deri në 2005, para se të nënshkruajë me Arsenalin. Sipas Sport, Barcelona ka arritur marrëveshje me Stuttgartin për të lejuar largimin e Hleb në formë huazimi, dhe bjellorusi pritet sot të tejkalojë testet mjekësore Ndërkohë raportohet se Barcelona do t’i paguajë Interit edhe 4.5 milionë euro shtesë për Ibrahimovic, pasi Hleb nuk është më pjesë e marrëveshjes.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Valeri Bojinov, është në prag të kalimit në Parma, pasi klubi italian tashmë ka marrë leje nga ai anglez për të huazuar bullgarin.Interesimin e Parmës e ka pohuar edhe vetë klubi anglez me anë të një deklarate në faqen zyrtare dhe duket se çështja tashmë i takon vetë lojtarit. “Mund të konfirmojnë se Valeri Bojinov është në bisedime me klubin italian Parma rreth kalimit si huazim. Pritet që gjatë ditëve në vazhdim bullgari të kompletojë përcaktimin e kushteve personale dhe t’i bashkohet ekipit të rikthyer në Serie A”, shkruhet në deklaratën e Cityt. Pas përforcimeve të radhës në sulmin e Cityt, si Roque Santa Cruz, Carlos Tevez dhe Emmanuel Adebayor, nga ekipi pritet të largohen edhe emra të tjerë të repartit ofensiv.
Klubi italian Roma raportohet se ka ringjallur interesimin për sulmuesin e Tottenahmit, Roman Pavlyuchenko.Mediat italiane shkruajnë se në 24 orët e fundit Roma sërish ka kontaktuar me ndërmjetësuesit duke bërë pyetje për sulmuesin rus. Nëse nënshkrimi me ish-sulmuesin e Interit, Julio Cruz, i cili është i lirë që nga fundi i sezonit të kaluar, dështon të finalizohet, trajneri i Romës, Luciano Spalletti, pritet të kthehet kah sulmuesi shtatlartë, i cili nuk po e gjen veten në kampionatin anglez.
Presidenti i Bayern Munichut, Franz Beckenbauer, ka bërë të ditur se klubi gjerman është i gatshëm të shesë francezin Frank Ribery, por vetëm nëse dikush paguan 94 milionë euro.Beckenbauer thotë se ylli i ekipit është në të njëjtin nivel me Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, andaj nëse dikush dëshiron ta angazhojë atë do të duhet të paguajë aq sa ka kushtuar portugezi.“Çfarë duhet që Bayern të heqë dorë nga Ribery? Ne vetëm e ndjekim atë që ndodh në tregun e transferimeve. Dhe nëse Ronaldo vlen 94 milionë euro, Ribery ka të njëjtin çmim me portugezin”, ka thënë Beckenbauer për Bild.“Ribery, Ronaldo, Messi dhe Kaka, me siguri se janë lojtarët më të mirë në Evropë. Nëse dikush nuk planifikon ta harxhojë këtë shumë, atëherë ai do të mbetet me ne derisa nuk i skadon marrëveshje në vitin 2011”, ka shtuar gjermani.
Sportmediaset.it njofton se ish-trajneri i Interit, Roberto Mancini, është në bisedime për të marrë timonin e Zenit St. Petersburgut.Trajneri aktual i Zenitit, Dick Advocaat, ka vendosur të braktisë skuadrën ruse për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Belgjikës, kështu që nga dhjetori Mancini mund t’ia fillojë punës me skuadrën e re. Është spekuluar se ish-trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, mund ta marrë drejtimin e Zenitit, mirëpo ai e ka refuzuar këtë post. Kështu tani thuhet se mesfushori i dikurshëm i Sampdorias dhe Lazios mund ta marrë drejtimin e skuadrës Zenit St. Petersburg.
Liverpooli ka pohuar se është arritur marrëveshje me Real Madridin për transferimin e mbrojtësit të djathtë Alvaro Arbeloa.Spanjolli një kohë të gjatë u lidh me një kalim në Real Madrid, veçanërisht pas arritjes së Glen Johnson në Anfield, i cili do të jetë zgjedhja e parë në pozicionin e mbrojtësit të djathtë.Mediat që në vikend paralajmëruan se Arbeloa është në prag të transferimit në Real, pasi dy klubet kishin arritur marrëveshje, e cila do t’i sjellë ekipit anglez nga 4 deri në 5 milionë euro, dhe kjo u pohua sot edhe nga Liverpooli. “Kemi arritur marrëveshje me Real Madridin për shumën e dëmshpërblimit të Alvaro Arbeloa, i cili tash duhet t’i tejkalojë testet mjekësore”, thuhet në deklaratën e Liverpoolit.Spanjolli pritet të nënshkruajë marrëveshje pesëvjeçare me klubin mbretëror.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, nuk dëshiron që të vazhdojë më shumë ‘saga’ e transferimit të Xabi Alonsos.“The Mirror” njofton se Rafa i ka thënë mesfushorit spanjoll se nëse dëshiron të largohet në drejtim të Real Madridit, ai duhet ta kërkojë një gjë të tillë. Trajneri i Redsave nuk do ta lejojë largimin e Alonsos për më pak se 37 milionë euro, derisa Real Madridi ofron vetëm 27 milionë euro.
Të martën mbrëma, Felipe Melo debutoi me fanellën e Juventusit në ndeshjen kundër skuadrës koreane Seongnam Ilhwa, të cilën Bianconerët e fituan me rezultat prej 3-0, ndërsa njëri nga golashënuesit ishte braziliani Diego.“Kemi një sezon të gjatë përpara vetes dhe ne mund të planifikojmë arritje të mëdha me Diegon”. “Scudetto-ja është një ëndërr, mirëpo ne po punojmë për ta realizuar atë”, ka thënë mesfushori bardhezi.
Fernando Torres thotë se Liverpooli ka nevojë për një lojtar të veçantë për ta kompletuar ekipin.Sipas spanjollit, Redsat kanë nevojë ose për një sulmues të tipit të Wayne Rooneyt dhe Carlos Tevezit, ose për një mesfushori sikurse David Silva dhe Andres Iniesta. “Kemi mungesa të lojtarëve si Rooney dhe Tevez të cilët mund të luajnë edhe si sulmues edhe si mesfushorë, duke shkaktuar problem për mesfushën dhe mbrojtjen kundërshtare”. “(Ose) Liverpooli ka nevojë për një lojtar si David Silva dhe Andres Iniesta, të cilët mund të shkojnë thellë përpara dhe të gjejë një hapësirë të papritur, të shfrytëzojnë kualitetet e tyre dhe ta hapin lojën”, është cituar Torres nga “The Sun”.
Sipas tabloideve britanike, Milani ka refuzuar ofertën e Chelseat për mesfushorin italian Andrea Pirlo.“Daily Mail” shkruan se Blutë kanë ofruar 10 milionë euro dhe shërbimet e Claudio Pizarros, dhe huazimin e Michael Mancienne, për ta transferuar Pirlon. Ndërkohë “The Sun” shkruan se oferta ka qenë 14.5 milionë euro dhe vetëm shërbimet e Pizarros, si do që të jetë të dy tabloidët shkruajnë se oferta është refuzuar.
Frank Lampard e ka caktuar Ligën Premier si objektiv të Chelseat në sezonin e ri.Edhe pse mesfushori anglez ka pranuar se Liga e Kampionëve mbetet ende si trofe i shumëkërkuar i Bluve, megjithatë prioritet për të është Kampionati anglez. “Unë jam rritur duke shikuar Ligën premier para së gjithash, dhe është një ndjenjë e bukur të jesh ekipi më i mirë në vendin tënd, kështu që e dëshiroj sërish trofeun”. “Padyshim se Liga e Kampionëve është diçka që dua ta fitoj, së paku njëherë në karrierën time, mirëpo për mua Liga Premier është ajo ku duhet të tregojmë qëndrueshmëri në nivelet që kemi pasur disa vite më parë”, është shprehur Lampard për faqen zyrtare të Chelseat.
Edhe pse pjesën më ta madhe të afatit kalimtar Roma nuk ishte aktive në nerkato për shkak të vështirësive financiare, duket se Giallorossët dëshirojnë të ndërhyjnë për të fituar shërbimet e anësorit të Real Madridit, Arjen Robben.“Corriere dello Sport” shkruan se derisa kryeqytetasit po mundohen ta bindin sulmuesin argjentinas Julio Cruz të transferohet në Olimpico, ata njëkohësisht dëshirojnë të dinë edhe për disponueshmërinë e mesfushorit holandez. Sipas të gjitha gjasave, Roma do të tentojë ta huazojë Robbenin duke qenë se nuk mund të grumbullojnë para për blerjen e tij, por njëkohësisht problematike mbetet edhe paga e holandezit, e cila është pesë milionë euro për sezon.
Liga Evropiane e Boksit (EuroLeague) e ka pranuar Federatën e Boksit të Kosovës si anëtarë me të drejta të plota, dhe kështu për herë të parë iu jepet mundësia klubeve kosovare që të garojnë në të gjitha ligat dhe turnetë evropiane. Vendimi për pranimin e Kosovës në këtë ligë është marrë nga zyrtarët e EuroLeague-s së boksit gjatë një takimi në Gyor të Hungarisë.Federata e Boksit e Kosovës në fillim të këtij viti kishte bërë kërkesë për pranim në këtë ligë, por dy herë ishte refuzuar kërkesa e saj. Mirëpo qëndrimi i zyrtarëve më të lartë të Ligës, ndryshoi një muaj më parë kur drejtori i kësaj lige Sizlard Bolla dhe sponzori Ivo Dvorak, vizituan vendin tonë dhe ishin prezent në disa turne të boksit me çka u ndan të kënaqur si me organizimin e këtyre turneve e po ashtu edhe me cilësinë e boksit.
“Sot kemi marrë një letër konfirmuese nga presidenti i Euroligës, Sizlard Bolla, i cili na ka njoftuar se në mbledhjen e fundit të Euroligës është marrë vendimi që prej muajit shtator, Kosova të jetë pjesëmarrëse e garave në këtë ligë”, është shprehur zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.
Meqenëse Kosova është pranuar në EuroLeague, atëherë pritet që përfaqësuesja e Kosovës të garojë në këtë ligë që nga muaji shtator kur edhe fillon sezonin 2009/2010. Klubet kosovare të boksit do t’i kenë të drejtat e plota që të garojnë në sezonin 2009/2010. Ndërkohë, boksierët kosovarë që tani mund të boksojnë ose të nënshkruajnë për ndonjë klub evropian.
Ekipi i West Ham United ka udhëtuar në Pekin për "Trofeun aziatik të Ligës Premier", ndërsa mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane, Valon Behrami, është lënë në Angli për të vazhduar me rikuperimin nga lëndimi që pësoi në mars.“Valon Behrami po stërvitet dhe po përparon shumë, shumë mirë. Arsyeja e vetme që nuk e kemi marrë me vete është sepse ai nuk mund t’i bëjë këtu disa gjëra që i bën atje”.
“Ai ka punuar në fushë, ka vrapuar ka luajtur me top, dhe po ia kalon shumë mirë”, ka thënë trajneri i West Hamit, Gianfranco Zola.
Real Madridi dhe Juventusi kanë shënuar fitore respektive kundër LDU de Quito dhe Seongnam Ilhwa në kuadër të Peace Cup, ndërkohë që Cristiano Ronaldo dhe Diego, kanë shënuar golat e parë për skuadrat e tyre të reja.Mbretërit kanë fituar me rezultat prej 4-2, ndërsa të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë.
Golin e parë në ndeshje e shënoi Ronaldo nga pika e bardhë (48’), ndërsa golat tjerë për Realin i shënuan Granero (53’), Metzelder dhe Negredo (90’). Derisa dy golat për ekipin LDU de Quito i shënoi Vera Torres (68’ dhe 86’).
Në të njëjtën garë, Juventusi ka shënuar fitore kundër Seongnam Ilhwa me rezultat prej 3-0.
Transferi i sivjetmë i bardhezinjve, Diego, shënoi golin e dytë në ndeshje (53’), derisa dy golat tjerë i shënuan Iaquinta (40’) dhe Legrottaglie (70’).
Me të arritur në ekipin e Interit pas shitjes së Zlatan Ibrahimovicit në Barcelonë, Samuel Eto'o refuzoi të krahasohet me njeriun që do ta zëvendësojë atë në Barcelonë, Zlatan Ibrahimovicin. "Nuk ndihem inferior ndaj Ibrahimovic. Jam Samuel Eto'o dhe nuk mund të krahasohem me askënd." tha ai për Gazzetta dello Sport.
Sulmuesi spanjoll, David Villa, i cili një kohë të gjatë i lidh me një kalim në Real Madrid dhe Barcelona, thotë se është i lumtur që ka mbetur në Valencia.Real Madridi dhe Barcelona ishin seriozisht të interesuar për David Villan, por Valencia nuk hoqi dorë lehtë nga lojtari më i mirë i ekipit.“Më ishte thënë se duhet ta lëshoj Valencian për të mirën e klubit, por më pastaj u rimenduan. Situata ime varet nga vendimi i klubit. Ata vendosën të mbeten dhe unë jam i lumtur për këtë”, ka thënë Villa.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se djajtë e kuq mund t’ia dalin edhe pa Ronaldon në ekip, por e ka vënë në pyetje baraspeshën e Real Madridit.“Edhe unë e di mirë se humbja e 26 golave në sezon nga një futbollist anësor është vështirë të zëvendësohet, por do të përpiqemi pasi një gjë e tillë është natyrore për këtë klub dhe pritjet nuk ndryshojnë pavarësisht nëse e keni Ronaldon ose Valencian”, ka thënë Ferguson.“I kam thënë Ronaldos kur u largua se në Real mund të luajë si mbrojtës i qendër; mendoj se nuk kanë një të tillë. Nuk do të doja të jem Pellegrimi dhe ta zgjedh ekipin. Është vështirë me gjithë ata individualistë të arrihen ekuilibri i duhur”, ka shtuar skocezi.
















