Milani e ka shtuar edhe mesfushorin e Real Madridit, Mahamadou Diarra, në listën e opsioneve për të zëvendësuar Andrea Pirlon, i cili në sezonin e ardhshëm mund të luajë për Chelsean.Sipas Milannews.it, rosonerët janë duke përcjellë Diarran, dhe sipas raporteve Reali dëshiron ta lëshojë të largohet lojtarin nga Mali. Diarra më herët është lidhur edhe me një kalim në Juventus, por transferimi dështoi. Së fundi u tha se klubi italian kishte përcjellë mesfushorin e Sao Paulo, Hernanes, por çmimi prej 14 milionë eurosh ka frikësuar drejtuesit e klubit.
Bologna, e cila së fundi u ble nga biznesmeni shqiptar Rezart Taci, është duke u përpjekur të rindërtojë ekipin dhe ka në plan të bëjë ofertë për sulmuesin e Sevillas, Ernesto Chevanton.Ekipi italian tashmë synon diçka më shumë se sa mbetja në Serie A, një kualifikim për në garat evropiane, dhe shqiptari është i gatshëm të harxhojë për të sjellë përvojë në ekip. Chevanton shihet si një lojtar me profil të duhur për të ndihmuar synimet e Bolognas. Pavarësisht deklaratave se ai do të dëshironte të qëndrojë me Sevillan edhe sezonin e ardhshëm, ekipi spanjoll e ka bërë të qartë se ai nuk do të jetë lojtar i rëndësishëm as në sezonin e ri. Ndryshe, një rikthim në Seria A mund t’i japë rastin Chevanton të përsërisë suksesin të cilin e pati gjatë tri viteve me ekipin e Lecces, në mes të 2001 dhe 2004.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, thotë se pavarësisht humbjes në finalen e Peace Cup ndaj Aston Villas, pjesëmarrja në këtë garë ka qenë një përvojë pozitive.“Ne sapo jemi rikthyer në Itali pas një shkëlqimi të gjatë dhe frytdhënës në Spanjë. Sigurisht se është për keqardhje mënyra se si përfundoi. Jam i bindur se kjo do të na ndihmojë të fitojmë dhe nëse do të sillnim trofe në shtëpi, kjo do të na ndihmonte edhe më shumë të premtojmë triumfe të reja”, ka thënë Buffon. Biankonerët humbën një varg rastesh gjatë ndeshjes dhe pastaj u mposhtën në penalti, duke humbur 4-3 ndaj rivalëve anglezë. “Në fund të ndeshjes po thuajse qeshja, duke menduar se edhe kur mbroj disa penalti, ne nuk mund të fitojmë. Andaj, kjo do të thotë se duhet të përpiqemi edhe më shumë. Dua që ndeshjet të përfundojnë pas 90 minutash”, ka shtuar Buffon.
Arsenali e sheh ish-legjendën e klubit, mesfushorin francez Patrick Vieira si një pasues të menaxherit aktual Arsene Wenger.Sipas People, ish-kapiteni i Arsenalit pritet të zhvillojë bisedime me Wenger këtë javë për mundësinë e rikthimit te Arsenali pas disa sezonesh të kaluara te Interi. Dhe, edhe pse 33-vjeçari do të nënshkruajë vetëm si lojtar, burime nga klubi kanë dhënë shenja se Arsenali dëshiron ta shohë atë në stafin stërvitor të ekipit, pas Kupës Botërore të verës së ardhshme. Wenger, 59-vjeçar, ka kontratë me Arsenalin deri në vitin 2011 dhe, deri tash, asnjë pasues i tij nuk është identifikuar.
Nënshkrimi i i ri Interit, Samuel Eto'o, i cili ka shënuar më shumë se 100 gola me Barcelonën, ka deklaruar se ai nuk pendohet që është bashkuar me nerazurët, të cilët i përshkruan si një ‘atmosferë familjare’.“Kjo është ajo që i kam thënë familjes time: Iu kam thënë se jam gjithnjë e më shumë i bindur për vendimin që e kam marrë për t’iu bashkuar Interit”, ka thënë Eto’o për La Gazzetta dello Sport. “Tashmë kam filluar të eci nëpër Milan. Më pëlqen qyteti, në disa gjëra më kujton Madridin, dhe njerëzit në rrugë që më kanë njohur nuk më kanë mërzitur shumë. Sigurisht, gjithkush më ka kërkuar të njëjtën gjë, ‘Eto’o e duam Ligën e Kampionëve’,”, ka shtuar kamerunasi.
Dy klubet janë në biseda të avancuara për të arritur marrëveshje për transferimin e Sneijder në Giseppe Meazza. Për momentin Interi ka ofruar 12 milionë funte për Sneijder, që është pak e ulët në krahasim me çmimin që kërkon Reali. Por, edhe pse trajneri i Interit, Jose Mourinho, thotë se Maicon nuk është për shitje, Tuttosport ka shkruar se Reali është duke kërkuar që në ofertën për holandezin të përfshihet edhe braziliani.
Nënshkrimi i ri i Galatasarayt, Elano, thotë se ai është detyruar të largohet nga Manchester City nga menaxheri Mark Hughes.“Jam shumë, shumë i zhgënjyer që largohem nga Manchester City. E kam dashur këtë klub dhe e kam dashur Anglinë. Jam i dëshpëruar që largohem nga gjithë miqtë dhe fansat që i kam bërë këtu”, ka thënë Elano. “Doja të qëndroja por rrethanat më detyruan të largohem. Nuk u aktivizova me rregull nga menaxheri. Menaxheri ka ndërtuar tash një ekip ashtu siç dëshiron ai, dhe për këtë arsye pres që ai ta fitoj Ligën Premier këtë sezon”, ka shtuar braziliani.
Ish-sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, nuk mund të besojë çmimin të cilin Barcelona e pagoi për të.Barcelona raportohet se ka paguar rreth 50 milionë euro si dhe ka lejuar sulmuesin Samuel Eto'o të lëvizë në drejtim të kundërt, për të marrë shërbimet e suedezit. “Asnjë lojtar nuk vlen për aq para sa klubet paguajnë sot. Faji është te mediat të cilët iu lënë disa çmime të dallueshme njerëzve, por madje as edhe Diego Maradona nuk ka vlejtur aq. Sidoqoftë, kështu është tregu tash dhe duhet ta pranojmë”, ka shtuar suedezi.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka shpjeguar se pse ai kurrë nuk flet për planet e tij të transferimeve.“Ne nuk bëjmë komente për transferimet. Nëse nënshkruajmë me dikë, atëherë do ta zbulojmë”, ka thënë Wenger. “Lexoj në gazeta se unë i kam telefonuar atij ose këtij. Interesohem për shumë, por kurrë nuk flas për këtë, pasi duhet ta pranoni se kjo mund të shqetësojë lojtarin, kjo mund të shqetësojë klubin”. “Nëse transferimi nuk ndodh, atëherë keni një lojtar të pakënaqur, andaj unë i mbaj të gjithë sa më qetë që mundem”, ka shtuar francezi.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, është i pakënaqur me paraqitjen e ekipit të tij pas humbjes së mbrëmshme prej 3-0 nga Espanyol.Ish-sulmuesi i Chelseat, Ben Sahar, shënoi dy herë në pjesën e dytë, për të çuar në tre numrin e golave të Espanyol, pas një shënimi të hershëm të Luis Garcia, derisa ekipi spanjoll festoi hapjen e stadiumit të ri Estadi Cornella-El Prat me fitore. “Ndeshja ishte shumë e rëndësishme për ta. Për ne ishte një ndeshje miqësore, por duhet të luani në nivel çdo ndeshje dhe duhet të punoni më me ngulm se që bëmë ne sot. Për 25 minuta në pjesën e parë ishim okay, por pjesën tjetër të ndeshjes ata ishin mbi ne, duke fituar çdo të dytin top dhe sfidë. Nuk mund të fitoni ndeshje nëse nuk punoni shumë”, ka thënë spanjolli.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se është duke shijuar futbollin anglez ndryshe nga ajo që ai ka përjetuar në stolin menaxherial të Milanit.“Përshtypjet e mia të para janë se këtu në Angli nuk ka shumë presion mbi menaxherët. Në Itali presioni është shumë më i madh, nga lojtarët, nga fansat dhe nga gazetarët”, ka thënë Ancelotti. “Këtu është shumë mirë, së paku deri tani. Nuk e di nëse pas ndonjë disfate kjo do të ndryshojë”, ka shtuar italiani.
Sulmuesi i ri i Manchester United, Michael Owen, do t’i heshtë kritikët duke shënuar shumë gola në Old Trafford.“Ekipi ka humbur dy lojtarë, Tevez, i cili ka shënuar disa gola, dhe Ronaldo, i cili ka shënuar shumë gjatë dy sezoneve të fundit. Ka një zbrazëtirë të madhe për t’u mbuluar dhe shpresoj se unë mund të ndihmoj mbulimin e saj sa i takon golave”, ka thënë Owen. “Këtë nuk mund ta bëj i vetëm, por do të ndihmoj. Kur nënshkruani me United jeni i ngazëllyer për shumë gjëra dhe një prej tyre është të shënosh shumë gola, pasi këtu do të fitoj më shumë raste se në ekipet tjera”, ka shtuar anglezi.
Topçinjtë e Arsenalit kanë dalë fitues në Emirates Cup, pasi mposhtën Rangers me rezultat 3-0 në finalen e së dielës mbrëma.Arsenali shënoi dy gola të hershëm për të zhvilluar më pas një lojë më të qetë. Jack Wilshere shënoi dy herë për të futur në sandviç golin e Eduardo da Silva, në fitoren e dytë të topçinjve në Emirates Cup.Wilshere hapi rezultatin pas vetëm 120 sekondash, derisa Eduardo e dyfishoi atë pas dhjetë minutash tjera. 17-vjeçari vulosi dilemën e fituesit me golin e tij të dytë dhe të tretin për Arsenalin në minutën e 72-të.Në ndeshjen tjetër të Emirates Cup, Atletico Madrid dhe Paris Saint Germaine kanë luajtur baras 1-1. Atletico kaloi në epërsi me golin e Sergio Aguero të shënuar nga penaltia në fund të pjesës së parë (41’), ndërsa për francezët barazoi Ludovic Giuly në pjesën e dytë të lojës (71’).
















