Liverpool ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Real Madridin për të lejuar largimin e mesfushorit spanjoll Xabi Alonso nga Anfield.
Lojtari tash do të zhvendoset në Bernabeu sapo t’i kalojë me sukses testet mjekësore, për të cilën gjë nesër do të udhëtojë në Madrid. “Liverpooli këtë mbrëmje konfirmon se ka arritur marrëveshje për shitjen e Xabi Alonsos në Real Madrid. Kushtet e marrëveshjes do të mbeten të fshehta dhe të pazbuluara”, thuhet në deklaratën e Liverpoolit. Sipas mediave angleze shuma e transferimit ka qenë 34 milionë funte dhe Liverpooli nuk ka pranuar të zbresë aspak çmimin e lojtarit.
Rezart Taçi është tërhequr përfundimisht nga synimet qe kishte kompania e tij për të blerë 80% te aksioneve të klubit te Serie A, Bologna.
Kjo është përgjigja që i ka dhënë në distance biznesmeni shqiptar familjes Menarini, e cila shpresonte ende në një vazhdim te tratativave për blerjen e kësaj skuadre. “Mund të konfirmoj se nuk bëmë efektive e marrëveshjen e arritur para pak ditësh. Por detajet nuk mund t’i bëj publike tani”, ka deklaruar Taçi për Top Channel. Pak ditë me parë ai ka pasur një takim edhe me kryeministrin italian, njëkohësisht presidentin e Milanit, Silvio Berlusconi, takim që ndoshta ka ndikuar në vendimin e tërheqjes së Rezart Tacit, sipas mediave italiane, për një ofertë më të mire. Por vetë presidenti i kompanisë “Taçi Oil” përgënjeshtron një gjë të tillë. “Është e vërtetë që pata një takim me kryeministrin Berlusconi në Palazzo Chigi, por nuk besoj se kryeministri italian, me gjithë problematikat që ka, të flasë edhe për çështjet e futbollit”, është shprehur Taçi. Janë të shumta aludimet që bëhen për tërheqjen e Taçit nga oferta që kishte bërë për Bolognan. Mediat italiane flasin për një problem bilancesh të kompanisë “Activa” të familjes Menarini, apo për mbivlerësim aksionesh, por duket se është një ndryshim preferencash klubesh për Rezart Taçin, i cili pohon se ka ende interes për klubet e Serie A dhe se shpreson qe ne sezonin e ri emri i tij do të jetë mes presidentëve të këtij kampionati. “Ne vazhdojmë të mbetemi të interesuar për futbollin dhe tregun energjetik italian. Qeveria italiane i ka hapur rrugë projekteve tona energjetike. Shpresoj që të arrij që këtë sezon të jem i pranishëm në Serie A”, ka shtuar Taçi.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, është shprehur i kënaqur që nuk do të përballet më në La Liga me sulmuesin kamerunas, Samuel Eto’o.
Gjatë kohës që qëndroi te Blaugranët, Eto’o ka shënuar më shumë se 100 gola, dhe prezenca e tij në fushë ka qenë tmerr për çdo portier kundërshtar. “Jam shumë i kënaqur që Eto’o u largua. Për mua ai ishte një makth”, është shprehur Casillas duke shtuar se “Eto'o dhe Ibrahimovic janë dy lojtarë të mëdhenj” dhe se është i bindur që Ibra do të jetë i suksesshëm në Camp Nou.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, ka kërkuar nga drejtuesit e skuadrës që ta transferojnë mesfushorin e Arsenalit, Cesc Fabregas.
Sipas “Tuttosport”, zëvendëspresidenti Adriano Galliani ka marrë pohimin nga Berlusconi që të bëjë ofertë për spanjollin, ndërkohë që trajneri i Topçinjve, Arsene Wenger, ka premtuar se do t’ia shesë Fabregasin Milanit. Po i njëjti burim pohon se Milani do t’i ofrojë Arsenalit 35 milionë euro për shërbimet e lojtarit, ndërsa Fabregasit do t’i ofrohet kontratë pesëvjeçare me pagë prej katër milionë eurosh për sezon.
Spekulimet për transferimin e Xabi Alonsos te Real Madridi po vazhdojnë. Sipas njoftimeve të reja, Mbretërit janë pajtuar të paguajnë shumën e kërkuar nga Liverpooli, për të fituar shërbimet e mesfushorit spanjoll.
Përfaqësuesit e të dyja skuadrave janë takuar, ndërsa “The Liverpool Daily Post” njofton se Los Blancos janë pajtuar të paguajnë 35 milionë euro për Alonson, si edhe do të paguajnë edhe 2.5 milionë shtesë, në bazë të performancave të lojtarit. “Ky takim na ka shërbyer për t’i nxjerrë letrat në tavolinë. Nevojiten edhe bisedime tjera”, ka thënë drejtori menaxhues i Liverpoolit, Christian Purslow.
Mbrojtësi i ri i Juventusit, Lorenzo Ariaudo, konsiderohet tepricë në skuadër, sidomos pas ardhjes së Fabio Cannavaros, kështu që bardhezinjtë planifikojnë ta huazojnë atë në ndonjë skuadër për të përfituar më shumë përvojë.
Skuadra e Livornos është e interesuar ta transferojë mbrojtësin 20-vjeçar, i cili sezonin e kaluar debutoi në Serie A. Kuptohet, Juve nuk do ta shesë Ariaudon, pasi që planifikon ta shfrytëzojë atë në të ardhmen, duke qenë se konsiderohet si njëri nga mbrojtësit premtues në Kampionatin italian.
Barcelona është gati t’i ofrojë 14 milionë euro Manchester Unitedit për të fituar shërbimet e mbrojtësit Jonny Evans.
Blaugranët planifikojnë ta përforcojnë mbrojtjen, ndërsa “The Daily Mail” shkruan se 21-vjeçari është pjesë e këtij plani. Mbrojtësi uruguaian i Barcës, Martin Caceres, është shumë pranë kalimit te Juventusi, kështu që Pep Guardiola nuk dëshiron të lë boshllëk në repartin defanziv.

Sulmuesi ukrainas Andriy Voronin është i bindur se ai do të ketë një ndikim të madh në Liverpool në sezonin e ardhshëm.
Voronin kaloi një sezon si i huazuar te Hertha Berlini, ku ishte një prej më të spikaturve në ekip, ndërsa për sezonin e ri është rikthyer te të kuqtë. “Kam biseduar me Rafa Benitez para se të rikthehem se ai më tha se duhet të punoj shumë për të siguruar vend në formacionin e parë. Nuk kam frikë nga konkurrenca që kam këtu. Përgatitem për të luftuar për vend në ekipin e parë dhe nuk planifikoj të qëndroj në stol”, ka thënë Voronin. “Doja të qëndroja te Hertha, nuk ka mëdyshje në këtë. Isha shumë i zhgënjyer, pasi dhashë më të mirën nga vetja. Por shpresoj të kem një sezon të shkëlqyeshëm edhe në Liverpool”, ka shtuar ukrainasi.
Sipas mediave angleze, Tottenhami është i gatshëm për të angazhuar sulmuesin holandez të Real Madridit, Klaas Jan Huntelaar.
Harry Redknapp nuk heq dorë nga përpjekja për të angazhuar Klaas Jan Huntelaar, i cili pritet të largohet nga klubi spanjoll këtë verë. Darent Bent është në prag të kalimit në Sunderland, ndërsa Redknapp kërkon blerës edhe për Roman Pavlychenkon me qëllim që ta zvogëlojë konkurrencën në sulm. Rusi është në radar të disa ekipeve, si Stuttgart, Roma dhe Besiktas. Pas angazhimit të Peter Crouch, trajneri ka në disponim edhe Jermaine Defoe dhe Robbie Keane. Por Redknapp dëshiron të sjellë edhe Huntelaar, i cili muajin e kaluar refuzoi të kalojë në Stutgart. Por në konkurrencë për holandezin janë edhe Arsenal dhe Milan.
Sulmuesi i Bordeaux, Marouane Chamakh, raportohet se dje ka qëndruar në Londër për të biseduar me Arsenalin.
Sipas Daily Mail, Chamakh ka qëndruar në kryeqytetin britanik në përpjekje për të arritur marrëveshje me Arsenalin, pasi prishi raportohet me ekipin francez.Sulmuesi nga Maroku është i tmerruar me kërkesat prej 15 milionë funtesh nga Bordeaux, pavarësisht se ka vetëm edhe një vit të mbetur nga kontrata e tij.Arsene Wenger thuhet se është shumë i interesuar të nënshkruajë me 25-vjeçarin, por nguron të paguajë madje edhe gjysmën e kësaj shume. Oferta e tij prej 6 milionë funtesh raportohet se u refuzua javën e kaluar nga kampioni francez.
Trajneri i Milanit, Leonardo, edhe njëherë ka deklaruar se ekipi italian ka nevojë të fuqizohet para se afati kalimtar të mbyllet në fund të muaji.
“Afati kalimtar është i hapur deri më 31 gusht, ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ekipi tashmë është i mirë, por ka nevojë të fuqizohet”, ka thënë Leonardo.“Ne kemi nevojë për lojtarë të tjerë për ta kompletuar ekipin. Unë besoj se është e rëndësishme të kemi edhe një sulmues dhe një mbrojtës anësor”, ka shtuar trajneri i rosonerëve.
Mesfushori holandez Rafael van der Vaart nuk ka zgjidhje tjetër pos të largohet nga Real Madridi këtë verë, pasi është ‘dëbuar’ nga trajneri Manuel Pellegrini.
“Nuk kam asgjë më shumë për të thënë për Pellegrinin. Qëndrimi i tij është i qartë. Çfarë më shumë mund të pres nga ai kur që tash gjatë përgatitjeve në para-sezon kam qëndruar në stol?”, ka thënë Van der Vaart për gazetën holandeze AD.“Për momentin jam duke u stërvitur sikur asgjë e keqe nuk ka ndodhur, por në të vërtetë gjithçka po shkon keq. Zhgënjimi im dhe humbja e shpresave janë të dukshme. Çfarë mund të them për Pellegrinin kur ai nuk dëshiron që unë të luajë as një ndeshje të vetme miqësore?”.“Shanset e mia që të luajë në Real Madrid janë afër zeros, për të mos thënë hiç. E duhet të jemi real. Nuk kam vend në këtë ekip dhe gjëja më e mirë është të paketohem dhe largohem sa më shpejt që është e mundur”, ka shtuar ish-lojtari i Hamburgut.
Evertoni është i bindur se do të sigurojë shërbimet e mbrojtësit të Arsenalit, Philippe Senderos, për një shumë më të ulët.
Sipas Daily Mail, menaxheri i Evertonit, David Moyes, tashmë një kohë është në ndjekje në mbrojtësit zviceran të qendrës. Të inkurajuar nga raportet në Gjermani, se Senderos ka injoruar interesimin nga Hamburg dhe Hertha Berlin, Evertoni shpreson të arrijë të transferojë mbrojtësin për një shumë jo më të madhe se 3 milionë funte.Në anën tjetër në largim e sipër nga Evertonit është mbrojtësi Joleon Lescott, i cili një kohë të gjatë është cak i Manchester Cityt.
Mbrojtësi italian Gianluca Zambrotta ka porositur drejtuesit e Milanit t’i rezistojnë ofertës së Chelseat për Andrea Pirlon.
Mediat një kohë të gjatë shkruajnë se Pirlo është në rrugë për të kaluar te Chelsea, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. I fundit prej rosonerëve që dëshiron mbetjen e Pirlos, është Zambrotta.“Shpresoj se Andrea do të qëndrojë me ne, pasi ai është një lojtar shumë i rëndësishëm. Por nuk na takon neve të themi se kush do të qëndrojë ose kush duhet të largohet”, ka thënë ish-mbrojtësi i Barcelonës.
Mesfushori i Romës, Alberto Aquilani, raportohet se tashmë ka arritur pajtim për kushtet personale me ekipin e Liverpoolit dhe pritet të transferohet në Ligën Premier.
Sky Sport Italia shkruan se Aquilani është pajtuar të nënshkruajë marrëveshje katërvjeçare, të vlefshme 3.5 milionë funte në sezon.Roma ka dashur të shesë Aquilanin në disa raste gjatë kësaj vere, muajin e kaluar Luciano Spalletti tha se klubi do t’i dëgjojë ofertat të cilat i përshtaten lojtarit dhe klubit, dhe duket se tash kjo vërtet do të ndodhë.
Mesfushori i Arsenalit, Tomas Rosicky, është i ngazëllyer me rikthimin e tij në para-sezon, pas një mungese më shumë se njëvjeçare.
Çeku zhvilloi ndeshjet e tij të para në kuadër të Emirates Cup kundër Atletico Madrid dhe Rangers.“Është ndjenjë e shkëlqyeshme të rikthehesh dhe të luash sërish në këtë stadium, pasi ka qenë shumë gjatë për mua”, ka thënë Rosicky, i cili ndeshjen e fundit e zhvilloi në janar të vitit 2008 në Emirates Stadiumun, në kuadër të Kupës FA kundër Newcastle United.“Ka qenë tmerruese (të jesh i lënduar), por nuk dua të flas më shumë për këtë. Tash jam rikthyer dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”, ka shtuar çeku.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka thënë se ekipi i tij nuk do ta nënvlerësojë Lazion para ndeshjes së Superkupës së Italisë që zhvillohet më 8 gusht në Pekin.
“Ne do të udhëtojmë në Pekin me idenë për të sjellë në shtëpi trofeun e parë të sezonit, dhe janë të gjitha kushtet ideale për t’ia dalë mirë”, ka thënë Zanetti. “Është e vërtetë se këtë para-sezon kemi udhëtuar shumë. Shpresojmë që kjo të mos ndikojë në ne. Jemi mësuar me këtë. Lazio është një ekip që duhet vlerësuar, ata kanë një trajner inteligjent dhe mund të na shkaktojnë telashe, por kjo do të varet prej nesh”, ka shtuar Zanetti.