Kapiteni i Manchester United, Gary Neville, ka hedhur poshtë supozimet se ekipi anglez do të dështojë pa mesfushorin Cristiano Ronaldo.Ronaldo u transferua te Real Madridi për një shumë rekorde prej afro 95 milionë eurosh, ndërsa edhe me largimin e sulmuesit Carlos Tevez, shumica e vënë në dyshim qëndrueshmërinë e kampionit në fuqi të Ligës Premier. “Një vështrues shkurt-pamës, i cili mbase nuk e ka përcjellë United gjatë 20 viteve të fundit mund të thotë se nuk do të jemi në gjendje të rikuperohemi. Por ne gjithmonë kemi pasur emra të mëdhenj që janë larguar e që i kanë dhënë mundësinë dikujt tjetër të del në pah dhe të zhvillohet”, ka thënë Neville. “Mendoj se kjo do të ndodhë edhe këtë sezon. Mund të shihni një stil lehtësisht të ndryshëm të futbollit, por definitivisht do t’i shihni lojtarët duke ecur përpara”, ka shtuar veterani i Manchesterit.
Mesfushori i Liverpoolit, Lucas Leiva, është i gatshëm ta shfrytëzojë largimin e Xabi Alonsos dhe të përfshihet në ekipin e parë.Leiva, i cili arriti para dy vitesh nga Gremio, nuk ka pasur shumë hapësirë në Liverpool dhe shpesh ka qenë në plan të dytë te Benitez. Edhe krahas arritjes së mesfushorit italian Alberto Aquilani, Leiva shpreson se largimi i Alonsos do të thotë edhe minutash më i madh për të. “Unë gjithmonë kam qenë i gatshëm dhe tash kur Xabi u largua, shpresoj se do të ketë më shumë mundësi për mua. Në stërvitje punoj me ngulm, duke u përpjekur të fitoj vend në ekip”, ka thënë Leiva. “Ndjehem mirë dhe shpresoj se do të kem një sezon të mirë. Dua të luaj çdo të diel, por jam i vetëdijshëm se Liverpooli ka një përbërje të madhe. Duhet vetëm të pres dhe ta respektoj çdo vendim të trajnerit”, ka shtuar braziliani.
Sir Alex Ferguson mendon se edhe krahas investimeve të mëdha nga Mancheste City, vështirë se ky ekip do të mund të hyjë në katërshen më të madhe të Ligës Premier.Ferguson mendon se Manchester United, Liverpool, Chelsea dhe Arsenali, sërish do të ndajnë katër pozitat e para të tabelës së Ligës Premier. “Vështirë se ndonjë ekip do ta thyejë katërshen e madhe, pasi këto katër ekipe kanë vazhdueshmëri dhe kualitet. Në disa vitet e kaluara këto ekipe luftonin në gjysmëfinale dhe finale të Kupës Evropiane. Kjo është një vazhdueshmëri dhe nivel i lartë i lojës”, thotë Ferguson. “Mendoj se secili në Evropë e njeh ligën angleze si të fuqishme, edhe krahas asaj që disa njerëz mendojnë se Real Madridi dhe Barcelona sërish do të fillojnë të dominojnë. Dyshoj në këtë”, ka shtuar skocezi.
Portieri i Arsenalit, Manuel Almunia, thotë se eliminimi nga Celtic në Ligën e Kampionëve do të ishte ‘tragjedi’ për topçinjtë.Shorti i djeshëm e nxori ekipin anglez në ballë të atij skocez në rundin kualifikues të fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Por, portieri i ekipit anglez Manuel Almunia nuk mendon se Celtic do të jetë problem për Arsenalin. “Do të ishte tragjedi të mos jemi në Ligën e Kampionëve të këtij viti. Ka aq shumë ekipe të mira në short, por ne jemi më të mirët”, ka thënë Almunia.
Fituesi i Kupës së Italisë, Lazio, ka mposhtur me rezultat 2-1 kampionin e Serie A, Interin, për të fituar Superkupën e Italisë në ndeshjen e sotme të zhvilluar në Pekin të Kinës.Para një stadiumi të mbushur me 70 mijë tifozë, Lazio doli më e qëndrueshme se Interi për të ngritur trofeun e Superkupës së Italisë për të tretën herë në histori. Interi ishte ekip më i mirë për pjesën më të madhe të ndeshjes, por dy gola të shënuar në pjesën e dytë nga romakët ishin vendimtarë për fitoren e tyre, dhe gjithçka mundën të bëjnë më pas nerazurët ishin të ngushtojnë rezultatin. Djelmoshat e drejtuar nga trajneri Jose Mourinho kishin posedimin e topit dhe rastet më të mira, por nuk arritën të gjejnë rrejtën e kundërshtarëve. Ndryshe nga pjesa e parë e ndeshjes, 45 minutat e dyta të ndeshjes sollën tri gola. Lazio morri avantazhin pas 63 minutash lojë, kur Francelino Matuzalem goditi dy herë në drejtim të portës së Julio Cesar, i cili arriti të mbrojë të parën, por jo edhe të dytën. Tre minuta më vonë biankocelestët dyfishuan rezultatin, me anë të sulmuesit Tommaso Rocchit (66’).

Interi, i tronditur nga dy golat e shpejtë të pranuar, arriti vetëm të ngushtojë disavantazhin, 12 minuta para fundit të kohës së rregullt, me anë të përforcimit të ri, Samuel Eto’o, i cili pranoi një asist nga zëvendësuesi Mario Balotelli. Nerazurët menduan se barazuan pesë minuta para fundit, kur Diego Milito mposhti portierin Muslera, por goli u anulua për shkak të pozicionit të Eto’o në ballë të portierit. Pavarësisht humbjes së rastit për të fituar Superkupën e Italisë për të dytin sezon radhazi, Interi tregoi se është ekip i fuqishëm dhe se do të jetë pretendent kryesor për titullin në kampionatin italian.
Mediat spanjolle përcjellin lajmin se drejtuesit e Real Madridit tashmë kanë arritur marrëveshje me Frank Ribery për ta angazhuar mesfushorin në vitin 2010.Presidenti i ri i klubit mbretëror, Florentino Perez, publikisht ka pranuar se ai e dëshiron Frank Riberyn këtë verë si pjesë të projektit të tij. Por Bayerni nuk dëshiroi të dëgjojë për shitjen e francezit dhe nuk lejoi largimin e tij. Pas angazhimit të Xabi Alonsos, Jorge Valdano tha se nuk do të ketë përforcime të reja, por Reali megjithatë nuk do të heqë dorë nga Frank Ribery. Sipas AS, Florentino Perez tashmë ka arritur marrëveshje me agjentin e Ribery për të transferuar francezin në vitin e ardhshëm dhe i cili raportohet se do të nënshkruajë marrëveshje pesëvjeçare me klubin spanjoll. Reali do të ketë një detyrë shumë më të lehtë të marrë shërbimet e lojtarit në verën e ardhshme, pasi kontrata e tij skadon në vitin 2011, dhe sipas artikullit 17 të FIFAs, lojtari mund ta blejë marrëveshjen për një shumë prej 16 deri 22 milionë euro.
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, thotë se ai është i lumtur në klub dhe se kurrë nuk do të largohet nga ekipi spanjoll.“Kurrë nuk kam pasur probleme. Kurrë nuk do të largohem nga këtu. Unë vetëm dua të vazhdoj të luaj”, ka thënë Messi.Argjentinasi, i cili është në negociata me Barcelonën për të fituar marrëveshje të re, sipas të cilës thuhet se do të fitojë pagë vjetore prej 9.5 milionë eurosh, po ashtu ka komentuar edhe ndryshimet e fundit në ekip.“Ata të cilët kanë arritur do të na bëjnë edhe më të fuqishëm. Eto’o dha gjithçka për Barcelonën me motivimin dhe golat e tij. Tash Ibra do ta bëjë këtë. E kam parë shpesh duke luajtur për Interin, dhe jam i befasuar me aftësitë e tij. Ai është aq i madh dhe i shkëlqyeshëm me top dhe ka goditje të fuqishme”, ka shtuar Messi.
Mesfushori i Milanit, Andrea Pirlo, thotë se ai ka refuzuar mundësinë për t’iu bashkuar Chelseat dhe ka vendosur të qëndrojë në San Siro pasi këtë vit rosonerët kanë ekip më të mirë për të fituar.Italiani ishte në prag të kalimit në Chelsea, ku do të ribashkohej me ish-trajnerin e tij Carlo Ancelotti, por Milani refuzoi ofertën bluve.“Kam qenë i qetë gjatë gjithë situatës. Agjenti im vazhdimisht më ka informuar dhe e dija se kishte ofertë nga Chelsea. Por unë dëshirova të qëndroj në Milan. Kurrë nuk kam kërkuar të largohem”, ka thënë Pirlo.“Unë dua të fitoj. Të fitoj dhe këto nuk janë vetëm fjalë. Jam i bindur se mundemi të fitojmë. Kam qëndruar këtu pasi kemi një ekip i cili mund të luftojë në të gjitha frontet dhe jo vetëm në Itali”, ka shtuar italiani.
Trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara, thotë se ‘dajaku’ që hëngrën nga Villarreali është vetëm një këndellje e nevojshme për ekipin e tij.Juve u mposht me rezultat 4-1 nga kundërshtari spanjoll, dhe Ferrara s’ka si të jetë i kënaqur me një humbje kaq të thellë.“Ne ishim mbushur me lëvdata dhe ia kemi dalë mirë deri tash, por kjo shuplakë në fytyrë do të na bëjë neve mirë për të rikthyer këmbët sërish në fushë”, ka thënë Ferrara,“Do të rikthehemi në punë në mënyrë të relaksuar. Ky është një ekip i nivelit të lartë, duke shikuar këtë mbrëmje. Ne jemi të shqetësuar, por po ashtu të bindur se mund t’ia dalim mirë në të ardhmen”, ka shtuar italiani.
Klubi spanjoll Atletico Madrid raportohet se është duke kërkuar mesfushorin e Olympique Marseille, Mathieu Valbuena.25-vjeçari është nxjerrë në shitje nga Marseille këtë verë dhe pavarësisht interesimit nga klube të tjera si Liverpool dhe Aston Villa, Atletico shihet si favorit për të nënshkruar me mesfushorin.Valbuena është lojtari i dytë i rëndësishëm i Marseillet, që largohet pas arritjes së trajnerit të ri Didider Deschamps, pasi më herët nga ekipi francez u largua edhe Lorik Cana, i cili kaloi në Sunderland. Valbuena do t’i kushtojë Atleticos plot 5 milionë funte.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se ai është duke menduar të vazhdojë karrierën si menaxher pasi të pensionohet nga loja aktive e futbollit.“Menaxhimi më duket interesant tash. Nuk e kam dashur atë vite më parë, por kur kam punuar me aq shumë menaxherë të mirë dhe kam parë lojtarët e rinj të cilët zhvillohen, kam menduar se dua të punoj në këtë drejtim”, ka thënë Lampard.“Kam folur me John Terryn për këtë dhe dëshirojmë ta bëjmë këtë së bashku. Jam i sigurt se ai mund të jetë një menaxher i mirë, dhe është shumë inspirues. Por kush e di?”.“Mbaj mend se babai im thoshte se Harry Redknapp ishte personi i fundit që mund të bëhej menaxher, pasi ai nuk mendonte aspak. Ai vetëm luante, kënaqej dhe pastaj befas u bë menaxher i mirë”, ka shtuar anglezi.
Përzgjedhësi i kombëtares angleze, Fabio Capello, do ta len sulmuesin e Manchester United, Michael Owen, jashtë ekipit për miqësoren kundër Holandës.Sipas The Sun, Owen, 29-vjeçar, ishte përfshirë në ekipin rezervë 32-lojtarësh për deshjen e të mërkurës kundër Holandës. Por pas shumë rasteve të humbura në ndeshjen e mesjavës kundër Valencias, ai nuk do të përfshihet në ekipin përfundimtar. “Fabio mendon se Michael pati një lojë të mirë kundër Valencias, por ai është i alarmuar me shanset që ai humbi. Ai ka katër sulmues në kokë dhe Michael duhet të përparojë edhe më shumë”, ka shtuar burimi.
Everton dhe Tottenham vazhdojnë të kërkojnë përforcimet e radhës me sulmuesin e Interit, Victor Obinna, që raportohet se është caku i ri i klubeve angleze.Sipas Gazzetta dello Sport, Obinna është duke u përcjellë nga një numër klubesh evropiane, ndërsa dy klubet angleze, Tottenham dhe Everton, së bashku me atë gjerman Schalke dhe atë italian Parma, janë duke udhëhequr për të marrë shërbimet e tij.Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, raportohet se është i gatshëm të ofrojë 3 milionë funte për nigerianin, i cili verën e kaluar për pak sa nuk iu bashkua Evertonit.
Kampioni i Bundesligës, Wolfsburg, ka shënuar fitore 2-0 në ndeshjen e parë derbi të javës së parë të kampionatit gjerman, përballë Stuttgartit.Pavarësisht rasteve në të dyja anët, pjesa e parë e ndeshjes në Volkswagen-Arena përfundoi pa gola. Vendasit kaluan në epërsi pas 26 minutash në pjesë të dytë me anë të Zvjezdan Misimovic (71'), ndërsa rezultatin e dyfishi Grafite, tetë minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes (82').
















