Fiorentina ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me mesfushorin e Juventusit, Cristiano Zanetti, duke konfirmuar pohimin e agjentit të lojtarit.
“Fiorentina e ka marrë atë. Dy klubet kanë arritur marrëveshje, si edhe lojtari. Mund të them se ai është një nënshkrim i qëlluar për toskanët, duke parë se Cristiano është 100% i gatshëm dhe mund t’i japë një krah të madh violas”, ka thënë agjenti i lojtarit. 32-vjeçari Zanetti, i cili filloi karrierën pikërisht me Fiorentinën, rikthehet në Artemio Franchi për një shumë, e cila besohet të jetë rreth 2 milionë euro dhe raportohet se ka nënshkruar marrëveshje tre-vjeçare.
Sulmuesi holandez, Dirk Kuyt, thotë se Liverpooli ka besimin dhe përvojën për t’i dhënë fund pritjes 20-vjeçare për titullin e Ligës Premier.
“Ky ekip mund të jetë krenar me vetveten dhe me mënyrën se si luajti sezonin e kaluar. Ne mund t’i mbajmë kokat lart. Sezonin e kaluar ne i mposhtëm ekipet më të mëdha si Manchester United dhe Chelsea, dy herë në ligë”, ka thënë Kuyt. “Mund të themi se ka pasur shumë barazime në ndeshjet në shtëpi, por duhet të mësoni nga kjo pasi jemi një ekip i ri. Kemi një besim shumë më të madh tash se mund të shkojmë më tej dhe të arrijmë atë që dëshirojmë për shkak se kualiteti është këtu dhe progresi po ashtu”, ka shtuar holandezi.
Trajneri i Anglisë, Fabio Capello, ka dërguar një mesazh të qartë në drejtim të mesfushorit David Beckham – luaj në Evropë në vitin e ardhshëm ose mungo në Kupën Botërore 2010.
Beckham ka luajtur në United me Los Angeles Galaxy që nga viti 2007, kur u transferua nag Real Madridi. Mesfushori kaloi disa muaj i huazuar në Itali te Milani, në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar dhe arriti të rikthehet në kombëtaren angleze. Capello, i cili menaxhoi Beckhamin edhe në Real Madrid, ka thënë se dyert do të jenë të mbyllura për 34-vjeçarin derisa ai nuk bën të njëjtën lëvizje edhe këtë dimër. “Beckham e di mirë se nëse nuk rikthehet në kampionatet e mëdha evropiane në dhjetor, ai nuk do të ketë shans për Kupën Botërore”, ka thënë Capello për La Gazzetta dello Sport. Beckham po ashtu është lidhur me një kalim në formë huazimi në Angli, ku favorit janë Tottenham dhe Chelsea.
Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, është i bindur se partneriteti i tij me mbrojtësin brazilian Thiago Silva do t’i ndihmojë Milani të arrijë te titujt këtë sezon.
“Thiago është një mbrojtës shumë i fortë. Ai është fizikisht i fuqishëm, ka personalitet të shkëlqyeshëm dhe ka disa kualitete të shkëlqyeshme teknike”, ka thënë Nesta. “Kuptimet mes nesh po përmirësohen dhe braziliani do t’i ndihmojë Milanit drejt perfeksionimit”, ka shtuar italiani.
Menaxheri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka përjashtuar një ofertë të re për mesfushorin e Bayern Munichut, Franck Ribery.
Francezi një kohë të gjatë është lidhur me një kalim në Real Madrid, por Bayerni ka qenë i vendosur të mos lejojë largimin e tij. Së fundi trajneri i klubit mbretëror ka mohuar se Reali mund të bëjë edhe një ofertë për lojtarin. “Ka pasur shumë spekulime me shumë emra, por ekipi tash është komplet. Ka ende disa lojtarë të cilët duhet largohen në drejtim të ekipeve tjera. Për momentin, nuk ka synime për të sjellë ndonjë përforcim tjetër”, ka thënë Pellegrini.
Mesfushori anglez Shaun Wright-Phillips thotë se Manchester City mund të jetë sfidues për titullin e Ligës Premier këtë sezon.
“Jam rikthyer për tu përpjekur dhe për të ndihmuar klubin të arrijë sukses, të fitojë diçka. Këtë bëra edhe herën e parë kur isha pjesë e klubit. Tash gjithnjë e më shumë lojtarë po arrijnë dhe ka më shumë gjasa për atë që synoj unë”, ka thënë mesfushori. “Nëse punomë me ngulm kurrë nuk i dihet (mund të fitojmë titullin). Kemi më pak ndeshje se të tjerët pasi nuk jemi në Evropë. Mund të përqendrohemi në gjërat në vend dhe kemi më shumë gjasa për të qenë në formë”, shton Wright-Phillips.
Sipas mediave italiane, kampioni i Italisë, Inter, është ekipi i fundit që është hedhur në garë për të marrë shërbimet e sulmuesit të Bayern Munichut, Frank Ribery.
Nerazurët janë në kërkim të një mesfushori, me mesfushorët e Real Madridit, Wesley Sneijder dhe Rafael van der Vaart, dhe atë të Chelseat, Deco, që janë në listën e dëshirave. Por sipas Gazzetta dello Sport, presidenti i klubit Massimo Moratti ka një cak tjetër. Pas largimit të Zlatan Ibrahimovic presidenti dëshiron një yll të ri dhe kreativ në ekip, andaj është duke menduar seriozisht për të angazhuar Frank Riberyn. Megjithatë realizimi i këtij qëllimi të vështirë është pak i besueshëm, duke marrë parasysh listën e gjatë të klubeve që e dëshirojnë lojtarin, si Real Madrid, Manchester United dhe Chelsea, ndërsa vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë e klubit spanjoll.
Sulmuesi i ri i Wolfsburgut, Obafemi Martins, ka fajësuar ish-klubin e tij Newcastle United për largimin e tij.
“Mbeta pa asnjë opsion përveçse të largohem nga Newcastle. Vendi u bë si një thertore. Askush nuk dinte se çfarë po ndodh. Klubi filloi të lëvizë qorras pas rënies nga Liga Premier dhe më e keqja ishte se nuk kishte komunikim me lojtarët”, ka thënë Martins. “Lojtarët shpresonin se Alan Shearer do ta mbajë pozitën e menaxherit, por klubi nuk ishte i aftë të marrë vendim. Dhe pa menaxher dhe me shumë nga lojtarët më të mirë që dëshironin të largohen, ndjeva se nuk kam të ardhme atje”, ka shtuar nigeriani.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, qëndron në krah të portierit Ben Foster pas paraqitjes së tij zhgënjyese në ndeshjen e djeshme në Wembley.
“Duke e njohur Ben dhe aftësitë që ka, ai do të mund t’ia kishte dalë më mirë në golin e dytë. Sidoqoftë, kjo ishte sfida e parë e tij e madhe”, ka thënë Ferguson. “Ai ka pritur një kohë të gjatë, ka kaluar lëndime dhe në para-sezon unë kam angazhuar të tri portierët, dhe ndoshta nuk ndamë shumë minutazh për të. Por më e rëndësishmja është se, duke njohur aftësitë e tij, nuk duhet të shqetësohem shumë”, ka shtuar skocezi.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka mohuar spekulimet se Gonzalo Higuain dhe Arjen Robben, mund të largohen nga Santiago Bernabeu.
Pellegrini ka thënë se Higuain “nuk ka qenë asnjëherë në listën e transfereve”, ndërsa i pyetur për Robbenin, ai është përgjigjur se asnjëri nga këta lojtarë nuk është në listën e atyre që do të largohen. Së fundmi, Robben ka refuzuar një ofertë nga Tottenham Hotspur dhe ka shprehur dëshirë të qëndrojë te Los Blancos.
Milani ka qenë aktiv në merkato gjatë këtij afati kalimtar, duke kërkuar një sulmues, edhe pse me disa sosh nuk ka pasur sukses.
Edhe pse mendohej se pas transferimit të Klaas-Jan Huntelaar transferimet për Rossonerët kanë marrë fund duke llogaritur mungesën e fondeve, trajneri Leonardo thotë të kundërtën. “Afati kalimtar? Është i hapur deri më 31 gusht, kështu që nuk do të ishte e drejtë të themi se për ne ka marrë fund. Ende kemi në shënjestër disa lojtarë”. “Ende jemi duke u përgatitur, dhe do të vazhdojmë punën që ta gjejmë formën tonë më të mirë para fillimit të sezonit”. “Kemi zhvilluar disa ndeshje dhe tani i dimë pozitat të cilat duhet t’i përmirësojmë”. “Arritëm të nënshkruajmë me Huntelaar dhe ai do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm, sepse ai ka një aftësi të jashtëzakonshme para golit. Jam shumë i lumtur që ai na është bashkëngjitur”, ka thënë Leonardo për Milan Channel.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Txiki Begiristain, nuk e ka mohuar mundësinë që skuadra e tij të tentojë transferimin e kapitenit të Arsenalit, Cesc Fabregas.
“Varet nga ajo se sa dëshirojmë të shpenzojmë. Nëse shpenzojmë shumë para, atëherë (transferimi) mund të realizohet”. “Nuk e dimë sa kushton. Nuk e kemi pyetur Arsenalin. Nëse konsiderojmë se vlera (që do të kërkohet) është e tepruar, atëherë nuk do ta kërkojmë”, ka thënë Begiristain për “Marca”.
Superylli i Real Madridit, Kaka, ka thënë se dëshiron t’i fitojë të gjitha trofetë me Los Blancos, duke llogaritur edhe praninë e superyllit tjetër, Cristiano Ronaldo.
“Dëshiroj të fitoj La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve. Jam i lumtur që jam këtu dhe jam shumë i lumtur që do të luaj krahas lojtarit tim të preferuar, Cristiano Ronaldo”. “Secilën herë që e shoh ma përkujton golin e bukur që e shënoi në finalen e Ligës së Kampionëve të sezonit 2007/2008. Prandaj planifikoj që t’i fitoj të tria trofetë me të dhe me pjesën tjetër të skuadrës”, ka thënë braziliani për “Corriere dello Sport”.
Njoftohet se sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, do të debutojë me fanellën e re në ndeshjen miqësore të të mërkurës kundër Manchester Cityt.
Sport.es shkruan se Ibra nga e hëna do të fillojë stërvitjet e plota, ndërkohë që do t’i bëhet radiografia e dorës, të cilën e kishte thyer sa luante për Interin. Boshnjaku me pasaportë suedeze është rikuperuar mirë, kështu që stërvitjet e këtyre dy ditëve do të vendosin nëse ai do të debutojë në ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Mançesterit, kundër ‘pasanikëve’.