Nicklas Bendtner është në bisedime me Arsenalin për të vazhduar marrëveshjen dhe është i sigurt se kjo do të arrihet shumë shpejt.

Sulmuesi danez ka qenë me topçinjtë gjatë katër viteve të kaluara, edhe pse kaloi një sezon i huazuar te Birminghami.

Pas largimit të Emmanuel Adebayor, Bendtner pritet të luajë një rol edhe më të rëndësishëm në ekipin e Arsenalit.

“Ende jemi në bisedime dhe shpresoj se do të arrijmë marrëveshje. Së paku nuk ka pengesa. Që kur isha 16 vjeçar ambicia ime ishte të luaj për ekipin e parë”, ka thënë 21-vjeçari.

Sipas sportives spanjolle Marca, klubi i pasur Manchester City nuk ka hequr dorë nga nënshkrimi me yllin e Barcelonës, Lionel Messi, dhe është i vendosur ta marrë atë me çfarëdo çmimi.

Argjentinasi aktualisht është në bisedime me Barcelonën për të nënshkruar marrëveshje të re dhe City dëshiron ta shfrytëzojë situatën për të ringjallur interesimin për futbollistin e talentuar.

Besohet se klubi nga Liga Premier i është drejtuar agjentit të Messit për t’i bërë me dije lojtarit interesimin e tyre, duke i ofruar një çek të zbrazët, që do të thotë se ai mund ta shkruajë vet çmimin që kërkon.

Kjo nuk është hera e parë që City ka shprehur interesim për Messin. Në afatin kalimtar të dimrit klubi anglez ishte i gatshëm të paguajë klauzulën e lëshimit, që thuhet të jetë rreth 150 milionë euro dhe ofroi atij 12 milionë euro për sezon, pa taksa.

Legjenda e futbollit botëror, aktualisht trajner i përfaqësueses së Argjentinës, Diego Maradona, ka dhënë mendimet e tij për Kaka, Milanin dhe Ronaldinhon.

Maradona ka thënë se transferi i sivjetmë i Real Madridit, Ricardo Kaka, do të shpërthejë sërish te skuadra e re.

“Madridi do të ndryshojë shumë me Kaka, ai do t’i japë Realit një dimension shtesë”, është shprehur Maradona për fifa.com.

Trajneri i Argjentinës ka folur edhe për pozitën e vështirë të Milanit, duke shpresuar që Ronaldinho të kthehet në formën e tij më të mirë.

“Ekipet janë ashtu si janë. Milani po vuan, Interi po vazhdon të jetë në formë”.

“Jam i intriguar nga Ronaldinho. Ai duket sërish në formë, mirëpo e ka humbur atë fuqinë eksploduese që e ka pasur. Do të më pëlqente ta shihja atë sërish në magjinë e dikurshme...”, ka thënë Maradona.

Mesfushori anglez Steven Gerrard është tërhequr nga përfaqësuesja e Anglisë për ndeshjen miqësore kundër Holandës, e cila zhvillohet të mërkurën.
Kapiteni i Liverpoolit nuk ka udhëtuar për në Amsterdam me pjesën tjetër të ekipit të Anglisë, për shkak të një lëndimi në ije, të cilin duhet ta tejkalojë për të qenë i gatshëm të dielën për të luajtur në ndeshjen e Ligës Premier kundër Tottenham Hotspur. Gerrard është lojtari i dytë që tërhiqet nga të zgjedhurit e Fabio Capellos, pasi që të njëjtën gjë e bëri edhe portieri Ben Foster.
Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, ka njoftuar të martën se nuk do t’i kthehet garës prestigjioze automobilistike, për shkak të lëndimeve që ka pësuar gjatë një aksidenti me motoçikletë në shkurt të këtij viti.
Kampioni i shtatëfishtë botëror duhej ta zëvendësonte pilotin e lënduar të Ferrarit, Felipe Massa, ndërsa rikthimi i tij pritej të bëhej këtë muaj në garën për Çmimin e Madh të Evropës, që do të mbahet në Valencia të Spanjës. Schumacher ka shkruar në faqen e tij se i ka njoftuar drejtuesit e Ferrarit se fatkeqësisht nuk është në gjendje për ta zëvendësuar Massan. “Vërtet jam munduar shumë që të mundësohet rikthimi im i përkohshëm, prandaj më vjen keq që kjo nuk u realizua”. “Pasojat e lëndimeve nga aksidenti me motoçikletë në shkurt, frakturat në regjionin e kokës dhe qafës, fatkeqësisht janë ende të rënda. Kjo është arsyeja që qafa ime ende nuk mund ta durojë stresin ekstrem që shkakton Formula 1”, është shprehur Schumacher.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se do të ishte një kënaqësi e veçantë po ta fitonte për të katërtën herë radhazi titullin e Ligës Premier.
“Të fitosh katër tituj është diçka të cilën do të dëshironim ta bënim dhe do të ishte një arritje e madhe”. “E dimë sa vështirë është ta fitosh këtë ligë. Sezonin e kaluar patëm një sfidë të mirë, duke qenë se duhej të shkonim në Japoni (për Kupën e Botës për Klube) dhe pastaj të luanim ndeshjet e mbetura, ndërsa në fund e fituam ligën, që është një arritje e madhe”. “Këtë sezon nuk e kemi këtë problem, edhe pse do të dëshiroja ta kishim. Mirëpo, është sërish një sfidë e madhe për ne”, ka thënë Ferguson për faqen zyrtare të United.
Njoftohet se Barcelonës i është dhënë drita e gjelbër për të biseduar me kapitenin e Arsenalit, Cesc Fabregas.
Katalunasit dëshirojnë ta rikthejnë ish-lojtarin e tyre, ndërsa mësohet se kanë një javë afat për ta realizuar marrëveshjen. “El Mundo Deportivo” njofton se Barca do ta bëjë ofertën këtë javë, duke qenë se transferimi duhet të realizohet deri më 18 gusht (kur Arsenali zhvillon ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve, meqenëse nëse Fabregas luan në atë ndeshje, atëherë Blaugranët nuk kanë dobi ta transferojnë).
Sipas tabloidit britanik "The Sun', Chelsea ka kontaktuar me Bayern Munichun për të diskutuar mundësinë e transferimit të Franck Ribery në Stamford Bridge.
Sipas këtij burimi, pronari i Bluve, Roman Abramovich, ka biseduar me menaxherin gjeneral të bavarezëve, Uli Hoeness, dhe së shpejti pritet udhëtimi i tij në Gjermani për t’u takuar me drejtuesit e Bayernit. Spekulohet se Chelsea do të ofrojë 47 milionë euro për ta bindur Bayernin që të heqë dorë nga superylli francez. Megjithatë, për të fituar shërbimet e Ribery, përveç rezistencës së Bayernit, Chelsea duhet të përballet edhe me konkurrencën e Manchester United, Liverpool, Inter, Barcelona dhe Real Madrid, që po ashtu kërkojnë shërbimet e francezit.
Sipas mediave franceze ekipi i Arsenalit ka hequr dorë nga ideja për të angazhuar sulmuesin e Bordeaux, Marouane Chamakh.
Sulmuesi u paralajmërua si një pasardhës i Emmanuel Adebayor, i cili këtë verë u largua nga Arsenali dhe u zhvendos në Manchester City.Arsene Wenger që para disa muajsh bëri të ditur se ata janë duke e përcjellë situatën e Chamakh dhe pas shitjes së Adebayor, topçinjtë ofruan 7 milionë euro. Por ekipi francez dëshironte më shumë para për sulmuesin, saktësisht 12 milionë euro.Por Wenger duket se nuk është i kënaqur me negociatat dhe sipas Canal+ Arsenali tashmë ka hequr dorë nga angazhimi i Chamakh. Për sulmuesin të interesuar kanë qenë edhe Sunderland dhe West Ham.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, është zotuar se do të shënojë 25 gola gjatë këtij sezoni.
Pas largimit të Cristiano Ronaldos, Rooney është premtuar nga Sir Alex Ferguson se do të luajë në pozitën e tij të favorizuar, në ballë të golit. Dhe tash sulmuesi zotohet se do të shpaguaj besimin dhe të shënojë së paku 25 gola për menaxherin.“Sigurisht se 25 është një cak që shpresoj se do ta arrij. Gjithmonë kam thënë se duhet të shënoj më shumë dhe shpresoj se do ta bëj këtë. Kam fituar atë që dua. Dua të luaj në mes. Menaxheri më tha se do të luaj atje gjatë gjithë sezon, andaj jam i ngazëllyer”, ka thënë Rooney.“Ai mund të ndryshojë mendjen e tij dhe çfarë do që thotë ai bëhet, por shpresoj se do të luaj atje për shumicën e sezonit. Nëse vazhdoj të shënoj gola do ta justifikoj”, ka shtuar anglezi.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, është i bindur se braziliani Lucas Leiva mund të mbulojë rolin e të larguarit Xabi Alonso.
“Lucas ka qenë lojtari më i mirë në para-sezon. Ai e tregoi këtë edhe kundër Atleticos. Ai është vërtet i fokusuar, duke punuar shumë dhe duke treguar kualitetet e tij”, ka thënë Benitez.“Ai e din se Aquilani do të ketë nevojë për kohë. Kur vendosëm ta sjellim Aquilanin e dinim se ai do të ishte jashtë për së paku një muaj, andaj e analizuam ekipin dhe menduam se me Javier Mascherano, Lucas, Steven Gerrard dhe Damien Plessis kemi mjaft fuqi në thellësi”, ka shtuar spanjolli.
Sulmuesi francez Karim Benzema, ka thënë se ishte pikërisht presidenti i klubit Florentino Perez ai që e ka bindur atë t’i bashkohet Realit dhe jo Barcelonës.
“Barcelona është një klub i shkëlqyeshëm, por ëndrra ime ishte të vij në Madrid. Dhe e dija se çfarë ka bërë Florentino Perez me klubin. E dija se çfarë ishte në gjendje të bënte klubi me një president si ai. Kjo është arsyeja se pse zgjodha këtë projekt”, ka thënë Benzema.Benzema po ashtu ka mirëpritur nënshkrimin e fundit të Realit, mesfushorin Xabi Alonso.“Ai është një nënshkrim i madh dhe siguron disa pasime shumë të mira. Ai do ta bëjë ekipin shumë më të mirë, pasi ai sjell aq shumë gjëra në mesfushë”, ka shtuar francezi.
Pasi nënshkroi marrëveshjen e re me Chelsean, sulmuesi Didier Drogba thotë se ai është i gatshëm për një sezon të madh.
“Për mua, gjëja më e rëndësishme është të kënaqem derisa jam në fushë. Kam shumë miq në Francë pa ekipe, pa kontrata, andaj e di se sa me fat jam që jam këtu dhe dua ta shijoj këtë”, ka thënë Drogba.“Ndjehem mirë. Dua të luaj dhe jam vërtet i lumtur që jam në fushë dhe që kam bashkë-lojtarë. Dua të dhuroj një sezon të mirë”, ka shtuar sulmuesi nga Bregu i Fildishtë.
Mesfushori i Evertonit, Marouane Fellaini, thotë se ata duhet ta fitojnë ndeshjen kundër Arsenalit gjatë vikendit kur fillon sezoni i ri i Ligës Premier.
“Arsenal është një kundërshtar i fuqishëm. Është një ndeshje e ligës ku luani kundër njërit prej katër ekipeve më të mira sezon pas sezoni. Ata ishin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, andaj duhet t’i ndizni të gjithë cilindrat për t’i mposhtur”, ka thënë Fellaini.“E dimë se duhet të tregojmë një paraqitje të shkëlqyeshme, për të nxjerrë një rezultat të mirë kundër Arsenalit”, ka shtuar mesfushori.
Përforcimi i ri i Liverpoolit, Glen Johnson, thotë se ai tash është më i pjekur se sa në kohën kur ishte në Chelsea.
“Do të them se jam më i pjekur. Ka pasur disa incidente të cilat u qetësuan dhe ishin krejtësisht gabim. Kjo nuk është për t’u shqetësuar. I kam lënë prapa dhe kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë Johnson.“Jam moshuar. Jam duke u përmirësuar gjithë kohën dhe kjo ka qenë faktor kyç. Më herët nuk luaja, andaj ishte e pamundur të përmirësohesh nëse nuk luan”, ka shtuar lojtari.Johnson po ashtu thotë se ai e shfrytëzon Kupën Botërore që zhvillohet verën e ardhshme në Afrikën e Jugut.
Menaxheri i West Ham United, Gianfranco Zola, është i ngazëllyer me formën para-sezonale të .
“Carlton Cole nuk është më befasi për mua. Për mua disa prej gjërave të vogla që ai bën janë të pabesueshme. Carlton Cole është duke u përmirësuar nga dita në ditë. Ai ishte i jashtëzakonshëm dhe jam shumë i kënaqur me paraqitjen e tij”, ka thënë Zola.Ndërkohë West Ham United dëshiron sa më shpejtë të mbyllë marrëveshjen me sulmuesin e Barcelonës, Eidur Gudjohnsen, edhe pse kërkesat e larta të islandezit bëjnë që arritja e marrëveshjes të shtyhet.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, thotë se Cristiano Ronaldo nuk është futbollisti më i mirë në botë, edhe pse portugezi fitoi çmimin e FIFA, Lojtari më i Mirë i Vitit 2008.
Edhe pse forma e Ronaldo nuk ishte aq impresive sezonin e fundit, ai ende vazhdon të jetë njëri prej futbollistëve më të mirë në botë, por jo më i miri sipas Benitez.“Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm, por nuk do të thosha se është më i miri. Kaka po ashtu është atje në maje, edhe Messi e Wayne Rooney, dhe unë besoj se ne kemi po ashtu dy lojtarë që mund të jenë më të mirët në botë, Steven Gerrard dhe Fernando Torres”, ka thënë Benitez.
Lojtari i liruar nga Real Madridi, mbrojtësi Michel Salgado, dëshiron një kalim në radhët e West Ham United.
Sipas britanikes People, Salgado dëshiron një përvojë në Ligën Premier, pasi prishi kontratën me klubin spanjoll. Ish-lojtari i kombëtares spanjolle është duke favorizuar Londrën dhe West Hami mund të jetë zgjidhje interesante për të. Tash ai dëshiron të provojë karrierë në Angli, para një zhvendosje të mundshme fitimprurëse në Lindjen e Largët.