Kombëtarja shqiptare ka shënuar një fitore të thellë prej 6-1 në miqësoren përballë kombëtares së Qipros të zhvilluar në Qemal Stafa.

Kuqezinjtë kaluan të parët në epërsi me anë të 11-metërshi të shndërruar në gol nga Ervin Skela pas 25 minutash lojë. Mysafirët arritën të barazojë me anë të Constantinos Charalambidis (37’), por pak para fundit të pjesës së parë Skela, po nga penaltia riktheu epërsinë për kombëtaren (44’).

Pjesa e dytë solli edhe katër gola të shpejtë, të gjithë në të mirë të Shqipërisë. Së pari ishte Erjon Bogdani në minutën e 65-të, ndërsa tre minuta më pas mysafirët shënuan në portën e gabuar (68-të).

Nuk vonoi as edhe dy minuta dhe pasoi një goli bukur i shënuar nga Ansi Agolli, para se një gol i gjashtë i shënuar nga Emiljano Vila të vulosë gjithçka sa i takon dilemës së fituesit, 15 minuta para fundit të kohës së rregullt.

Ndërkohë kombëtarja U21 ka pësuar me rezultat 2-1 në miqësoren ndaj kombëtares U21 të Maltës.

Argjentina i ka bërë ballë mungesës së të lënduarit Lionel Messi për të mposhtur Rusinë me rezultat 3-2 në miqësoren e zhvilluar në Lokomotiv Stadium të Moskës.

Messi u la jashtë loje pasi dëmtoi muskulin në seancën stërvitore në prag të ndeshjes.

Igor Semshov i dha epërsinë Rusisë në minutën e 17-të, ndërsa për argjentinasit barazoi Sergio Aguero në minutën e fundit të pjesës së parë të ndeshjes.

Nuk kaloi as një minutë në pjesën e dytë kur Lisandro Lopez i dha Argjentinës avantazhin prej 2-1, ndërsa Jesus Datolo shënoi golin e tretë në minutën e 59-të.

Roman Pavlyuchenko e ngushtoi disavantazhin e rusëve në 3-2 me anë të një gjuajtje të lirë të devijuar në minutën e 78-të të lojës.

Kalimi i Cristiano Zanettit te Fiorentina është përcjellë me disa komentime të ndryshme, mirëpo vetë lojtari ka reaguar për t’i qartësuar gjërat.

“Mos thoni gjëra absurde, tregimi duhet të shpjegohet si i plotë. Unë kam përcjellë sjelljen e Juventusit ndaj meje dhe kam shikuar skuadrat tjera”.

“Ata nuk e kishin në plan të ma rinovonin kontratën. Kjo është çështje respekti. Kam dëgjuar disa gjëra nga Secco, ndaj të cilave duhet të reagoj.

“Asnjëherë nuk kam kërkuar garanci të çfarëdo lloji në jetën time. Në fund të fundit, puna të cilën e bëj është garancia ime”, ka thënë Zanetti për “La Gazzetta dello Sport”.

Kapiteni frymëzues i Liverpoolit, Steven Gerrard, do të jetë i gatshëm për të luajtur në ndeshjen e parë të Ligës Premier, të cilën Redsat do ta zhvillojnë të dielën kundër Tottenham Hotspur.

Mesfushori anglez është lënduar në ije, dhe kjo ishte arsyeja e tërheqjes së tij nga ndeshja miqësore e Anglisë kundër Holandës, që zhvillohet të mërkurën.

Megjithatë, ‘hajmalia’ e Të Kuqve ka vazhduar stërvitjet, dhe sipas “Liverpool Daily Post”, ai do të luajë të dielën kundër Suprsave.

Strategu i Romës, Luciano Spalletti, pranon se është i interesuar për mbrojtësin e Interit, Nicolas Burdiso.

“Mendoj se kemi një ekip të mirë, i cili do të kryejë me sukses detyrën dhe kemi disa lojtarë të rinj të cilët në të ardhmen do ta bëjnë ekipin edhe më të mirë. Në sezonin e ri mund të luftojmë me Interin, Juventusin dhe Milanin ose si edhe vitin e kaluar të jemi në garë për vendin e katërt. Gjithçka është e mundshme”, ka thënë Spalletti.

“Roma ka ekip të mirë si rezultat i investimeve të qëlluara në të kaluarën. Burdiso? Ai është një lojtar me përvojë të madhe dhe kemi vendosur ta ndjekim, dhe e dimë se ka kualitet që mund të sjellë diçka plus për ekipin tonë”, ka shtuar italiani.

Ish-mesfushori i Arsenalit, Aliaksandr Hleb, thotë se ai është penduar që është larguar nga Arsenali në sezonin e kaluar.

Bjellorusi u transferua në Camp Nou në verën e kaluar por dështoi të gjejë vend në ekipin e parë të gjigantit spanjoll, Barcelonës, dhe këtë verë ai u rikthye te ish-klubi i tij, Stuttgart.

“Sigurisht jam penduar që jam larguar nga Arsenali. Kam luajtur çdo javë për njërën prej ekipeve më ngazëlluese në Evropë, një ekip që gjithmonë ka qenë në top katërshin e Ligës Premier dhe ishte në mesin e konkurrentëve për Ligën e Kampionëve”, ka thënë Hleb.

“Po ashtu jam stërvitur nën drejtimin e njërit prej trajnerëve më të mirë në botë, me Arsene Wenger. Largimi nga Arsenali për mua nuk ishte një lëvizje e mirë”, ka shtuar më tej bjellorusi.

Strategu i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se ekipi i tij do të përfundojë në kreun e tabelës dhe shton se ata tashmë kanë një ekip mjaft të fuqishëm të jenë sfidues për titullin e Ligës Premier.

Topçinjtë nuk kanë fituar trofe që nga viti 2005 kur mposhtën Manchester United në kuadër FA Kupës, ndërsa derisa shumica e rivalëve u përforcuan këtë verë, Wenger shiti dy lojtarë me përvojë te City.

“Unë mendoj një gjë. Dhe kjo është se si Arsenali do të përfundojë në krye dhe të tjerët mund të bëjnë ç’të duan. Për ta vlerësuar potencialin është e nevojshme t’i shihni ndeshjet e sezonit përgatitor”, ka thënë Wenger.

“Ne jemi një ekip që luajmë në një mënyrë të caktuar të lojës dhe një ekip i gatshëm për betejë. Duhet të lëmë të tregojë koha. Nuk duhet të flasim shumë. E dimë se njerëzit janë skeptik për ne, por unë i lejoj njerëzit të flasin. Ne duhet të fitojmë në ndeshje”, ka shtuar francezi.

West Ham United vazhdon të shpresojë në transferimin e sulmuesit të Bayern Munichut, Luca Toni, dhe atë të Barcelonës, Eidur Gudjohnsen.

Sipas “The Guardian”, ekipi anglez planifikon t’i transferojë dy sulmuesit në formë huazimi, ashtu që të sigurojë menjëherë shërbimet e tyre para se të mbyllet ky afat kalimtar.

Trajneri i ‘Çekiçëve’, Gianfranco Zola, është admirues i ish-bashkëlojtarit të tij te Chelsea, Gudjohnsen, ndërkohë që Toni nuk është më sulmuesi i favorizuar te bavarezët.

Bisedimet ndërmjet Real Madridit dhe Interit për transferimin e mesfushorit holandez Wesley Sneijder, janë duke u zhvilluar edhe në mungesë të lojtarit.

Edhe pse në fillim thuhej se zikaltrit nuk dëshirojnë të paguajnë shifrën e kërkuar nga Mbretërit, “La Gazzetta dello Sport” njofton se ekzistojnë vetëm disa detaje të vogla që e dallojnë ofertën dhe kërkesën.

Sipas të njëjtit burim, Sneijder do të huazohet tek Interi për një vit, ndërsa Nerazzurët do t’u paguajnë Los Blancos shtatë milionë euro, por do ta kenë mundësinë për ta blerë lojtarin në fund të sezonit për 13 milionë euro shtesë.

Sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry, duket se do të mungojë në ndeshjen e të dielës për Superkupën e Spanjës, kundër Athletic Bilbaos, si pasojë e lëndimit të tendinit të Akilit.

Francezi është lënduar gjatë një ndeshjeje miqësore që u zhvillua në San Francisco, kundër ekipit meksikan Chivas.

Henry tashmë është tërhequr nga përfaqësuesja e Francës për ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror kundër Ishujve Faro, ndërsa mjeku i Barcës ka thënë se edhe paraqitja e tij kundër Bilbaos është e dyshimtë.

Duke folur për ndeshjen vendimtare të Brazilit dhe Argjentinës, për kualifikim në Kampionatin Botëror, superylli i Real Madridit, Ricardo Kaka, thotë se Argjentina nuk është në pozitë të mirë.

“Argjentina nuk është edhe aq mirë, derisa Brazili me një fitore, do të kualifikohet në Kampionatin Botëror”, është shprehur Kaka.

Argjentina dhe Brazili do të ndeshen në shtator, në Rosario, në ndeshjen e rivalëve të përjetshëm të Amerikës Latine.

Bayern Munichu është pranë arritjes së marrëveshjes me Chelsean për transferimin e Jose Bosingwas.

The Daily Mail” njofton se bavarezët janë pranë kompletimit të transferimit të Bosingwas, që do t’u kushtojë 17.5 milionë euro.

“Kemi nevojë për një mbrojtës të fortë dhe me përvojë në anën e djathtë, sidomos nëse e shfrytëzojmë Riberyn në një rol më ofanziv, ashtu siç po mendojmë.

“E dëshirojmë vetëm Bosingwan dhe nuk jemi të interesuar për ndonjë lojtar tjetër për këtë pozitë”, është shprehur menaxheri gjeneral i Bayernit, Uli Hoeness.

Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, thotë se skuadra aktuale e Los Blancos mund t’i fitojë të tria trofetë e mundshme në sezonin e ri.

“Ajo që bëri (Perez) është thuajse e pabesueshme. Prandaj ne jemi të obliguar që të tentojmë të fitojmë gjithçka, sepse tashmë kjo pritet nga ne”, ka thënë sulmuesi për “AS”.

Argjentinasi është shprehur se lojtarët e Realit duhet të sakrifikojnë për skuadrën, dhe duhet t’u binden vendimeve të trajnerit Manuel Pellegrini.

Skuadra e Milanit dëshiron ta transferojë mesfushorin e Torinos, Blerim Xhemajli.
Sipas Sportmediaset, Rossonerët do t’i ofrojnë Torinos katër milionë euro dhe shërbimet e Gianmarco Zigonit për ta transferuar tetovarin në San Siro. Derisa bisedimet për shqiptarin që përfaqëson Zvicrën janë në proces, Sportmediaset shkruan se portieri 35-vjeçar i Monacos, Flavio Roma, është duke kaluar ekzaminimet mjekësore te Rossonerët dhe shumë shpejtë pritet konfirmimi zyrtar i transferimit të tij.