Atleti nga Xhamajka, Usain Bolt, ka thyer rekordin e tij në 100 metra duke e kaluar shtegun për 9.58 sekonda, për ta fituar medaljen e artë në Kampionatin e Atletikës në Berlin.

Paraqitja e tij theu kohën prej 9.69 sekondash të cilën e shënoi kur fitoi medaljen e artë në vitin e kaluar në Lojërat Olimpike në Pekin duke arritur në cak me një kohë të paparashikuar.

Amerikani Tyson Gay, kampion i vitit 2007, përfundoi i dyti me 9.71 sekonda, ndërsa xhamaikani Asafa Powell mori medaljen e bronztë me kohë prej 9.84.

“Ishte një moment i shkëlqyeshëm, por u ndjeva mirë në vetvete. E dija se nuk do të ishte një garë e lehtë, por bëra atë që duhej të bëja”, ka thënë Bolt pas garës.

Dy gola të shënuar nga Benoit Assou-Ekotto dhe përforcimi i ri Sebastien Bassong, i dhanë Tottenhamit fitoren 2-1 ndaj Liverpool në ndeshjen e fundit të javës së parë të sezonit të ri në Premier League, të zhvilluar në White Hart Lane.

Assou-Ekotto iu dha epërsinë Spurs-ave në fund të pjesës së parë ndeshjes (44’). Vendasit vazhduan mirë edhe në pjesën e dytë, por ishte kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, ai që shënoi dhjetë minuta pas pushimit për të barazuar rezultatin, duke qenë i saktë nga pika e bardhë, pasi më herët Glen Johnson u faulua nga portieri vendas, Heurelho Gomes.

Por pesë minuta më vonë, Tottenham riktheu epërsinë kur debutuesi Bassong gjeti shumë mirë me kokë topin e harkuar nga Skrtel.

Liverpooli kërkoi një penalti të vonshme, pasi Assou-Ekotto fauloi zëvendësuesin Andriy Voronin, por pa sukses. Në anën tjetër Tottenhami ishte një ekip më i mirë në fushë, me Robbie Keane që humbi tre raste të mira shënimi.

Rezultati është një goditje që në start për Liverpoolin, duke marrë parasysh se të gjitha ekipet tjera të top-katërshit nxorën pikë të plota në javën e parë.

Manchester United e ka filluar me këmbë të djathtë sezonin e ri 2009/2010 drejt tentativës për ta mbrojtur titullin e kampionit të Ligës Premier.

Ndeshja e zhvilluar të dielën në Old Trafford, ndërmjet Manchester United dhe Birmingham City, ka përfunduar me fitoren e vendasve me rezultat minimal prej 1-0.

Djajtë e Kuq ishin skuadër dukshëm më e mirë në fushë sesa kundërshtari i tyre, megjithatë kohë pas kohë, ata u rrezikuan nga lojtarët e Birminghamit, të cilët patën disa raste të mira shënimi.

Të vetmin gol në ndeshje e shënoi, Wayne Rooney (34’), i cili ishte padyshim njëri nga lojtarët më të mirë në këtë përballje.

Në këtë ndeshje të Ligës Premier, me fanellën e Manchester Unitedit debutoi transferi i sivjetmë Michael Owen, i cili pati një rast shumë të mirë në minutat shtesë të ndeshjes (90’+3), mirëpo dështoi të shënonte përballë portierit Joe Hart.

Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, thotë se goli i tij i fitores në ndeshjen e djeshme kundër Hull City ishte harkim, por përfundoi në rrjet.

“Ishte harkim”, ka thënë Drogba duke ngritur supet. Por festa e tij dëshmoi se ai e ka ditur se sa i rëndësishëm ishte goli.

“Gjithmonë është e rëndësishme të fitosh ndeshjen e parë. Ne e bëmë këtë. Lehtësimi tash është i dukshëm dhe po ashtu ka besim në njëri-tjetrin dhe sot treguam se secili mund të luftojë në mënyrën e duhur deri në fund të ndeshjes”, ka thënë sulmuesi.

Mesfushori francez, Frank Ribery, thotë se ai kurrë nuk ka thënë se dëshiron të largohet nga Bayern Munichu dhe ka dhënë shenja se dëshiron të mbetet në Allianz Arena.
Ish-lojtari i Marseillet ka folur për situatën e tij duke thënë se kurrë nuk ka kërkuar të largohet në drejtim të Real Madridit. “Kurrë nuk kam thënë se dua të shkoj në Real Madrid. Nëse do të doja të shkoj, do ta thosha këtë. Ajo që më pengon më së shumti është ajo që kurrë nuk kam folur asgjë. Tash nuk mund t’i ndaloj klubet të dërgojnë oferta”, ka thënë Ribery. “Krahas kësaj, Real nuk është klubi i vetëm. Janë edhe Barcelona, Manchester United dhe Chelsea. Ajo që unë mund të them është se ende jam pjesë e Bayernit. Dera vërtet është e mbyllur. Liderët e mi kërkojnë unë të mbetem”, ka shtuar francezi.
Simboli i Të Kuqve, Steven Gerrard, ka pranuar se është dëshirë jetësore e tij që ta fitojë titullin e Ligës Premier me Liverpoolin.
“Kam dëshirë të madhe që ta kem atë fotografi me bashkëlojtarët e mi duke e mbajtur trofeun e Ligës Premier”.“I kam mbushur 29 vjet dhe e di se koha nuk është në anën time, por është me rëndësi që të mos fiksohem pas titullit”, është shprehur kapiteni për “News of the World”.
Njoftohet se sulmuesi i Liverpoolit, Andriy Voronin, është shumë pranë rikthimit te Hertha Berlin për shumën prej 3.5 milionë eurosh.
Ukrainasi kaloi sezonin e kaluar në formë huazimi te Hertha duke shënuar 11 gola dhe duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës.Ekipi gjerman shpresonte që do të nënshkruajë me sulmuesin në fund të sezonit të kaluar, mirëpo bisedimet me Liverpoolin dështuan dhe Voronin u kthye sërish në Anfield.Mirëpo, “News of the World” njofton se ekipi nga Bundesliga ka kontaktuar me Redsat dhe është gati të ofrojë 3.5 milionë euro për të siguruar shërbimet e ukrainasit.
Arjen Robben është njëri nga lojtarët të cilët dëshiron t’i shesë presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, për të grumbulluar disa fonde, mirëpo holandezi ka refuzuar të largohet nga Santiago Bernabeu.
Sipas “El Mundo Deportivo”, Robben ka kërkuar nga Mbretërit që të mos ua ofrojnë atë skuadrave tjera.Perez dëshiron ta shes Robbenin dhe Wesley Sneijderin për të grumbulluar afër 40 milionë euro, me qëllim që t’i balancojë paksa fondet, mirëpo të dy holandezët nuk planifikojnë ta zhveshin fanellën e Los Blancos.
Arsenali është i interesuar të ndërhyrë në garën për ta transferuar mesfushorin në largim të Real Madridit, Rafael van der Vaart.
“The Mail on Sunday” njofton se Topçinjtë do të tentojnë transferimin holandezit duke i ofruar shtatë milionë euro Realit.“Vërtet dua të shkoj në Angli. Ka një numër të madh skuadrash ku mund të shkoj, në Gjermani, Spanjë dhe Itali. Po ashtu kam pasur një ofertë edhe nga Martin Jol që të kthehem te Ajax. Mirëpo asnjëri nga këto opsione nuk më tërheq”.“Dëshiroj të shkoj në Ligën Premier dhe e di se ku dëshiroj të luaj”, është cituar të ketë thënë Van der Vaart.