UEFA sot ka zbuluar emrat e lojtarëve të cilët do të luftojnë për çmimet UEFA Club Football Awards, që do të prezantohen para shortit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve në Grimaldi Forum në Monako më 27 gusht.

Barcelona do të dominojë në çmimet e këtij viti, me gjysmën e 12 konkurrentëve që vjen nga ky ekip.

Trajnerët e 16 ekipeve që kanë arritur fazën eliminatore të sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve do të japin notat e tyre për secilin pozicion dhe po ashtu do të nominojnë Futbollistin e Vitit të UEFA-së.

Në konkurrencë janë:

Portieri i vitit:

Petr Cech (Chelsea)
Victor Valdes (Barcelona)
Edwin van der Sar (Manchester United)

Mbrojtësi i vitit:

Gerard Pique (Barcelona)
John Terry (Chelsea)
Nemanja Vidic (Manchester United)

Mesfushori i vitit:

Steven Gerrard (Liverpool)
Xavi Hernandez (Barcelona)
Andres Iniesta (Barcelona)

Sulmuesi i vitit:

Samuel Eto'o (Barcelona, tash Inter)
Lionel Messi (Barcelona)
Cristiano Ronaldo (Manchester United, tash Real Madrid)

Klubi i Ligës Premier, Tottenham, vazhdon të ngulmojë për të marrë shërbimet e anësorit të Real Madridit, Arjen Robben.

Sipas People, Reali duhet të rikuperojë 100 milionë funte nga 220 milionët e harxhuara në nënshkrimet e verës.

Një varg menaxherësh të Premier League, përfshirë edhe atë të Tottenhamit, Harry Redknapp, kanë rikthyer interesimin për holandezin dhe mund të bëjnë ofertë deri në ditët e fundit të afatit kalimtar.

“Ekipe të ndryshme kanë pyetur për Robben. Ai është ende këtu pasi askush nuk ka bërë ofertë për të vlerësuar talentin e tij”, ka thënë drejtori sportiv i klubit, Miguel Pardeza.

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka thënë se ai do të ishte budalla nëse e injoron kërcënimin e rivalit të qytetit Manchester Cityt në garën për të fituar titullin e Ligës Premier.

“Do të ishte budallallëk nëse do të injoronim zhvillimet në Eastlands. Manchester City është një kërcënim i ri”, ka thënë Ferguson për ESPN.

”Ne mund të shikojmë vetëm sa mirë Chelsea ia doli në disa kampionate njëri pas tjetrit, pas një injektimi masiv nga rusët, për të kuptuar se paratë mund të flasin”, ka shtuar skocezi.

Ferguson ka thënë se ai kishte qenë kureshtar të dijë nëse Mark Huhges ishte i gatshëm të sfidonte titullin, duke thënë se djajtë e kuq nuk kanë frikë nga rivalët e tyre.

Mbrojtësi i ri i Arsenalit, Thomas Vermaelen, thotë se fitorja e thellë e të dielës ndaj Evertonit është dëshmi se ata janë pretendentë për titullin e Ligës Premier.

“Nuk mendoj se ne kemi ndonjë stimulim më të mirë, pasi njerëzit nuk kanë folur për ne si pretendentë për titullit. Ne duam të fitojmë ligën edhe në qoftë se njerëzit flasin për ne ose jo”, thotë holandezi.

“Ne do të mundohemi shumë në çdo ndeshje këtë sezon, për të fituar sa më shumë që mundemi dhe do të shohim se ku do të na çojë kjo. Kjo është e gjitha që mund të bëjmë, ka shtuar Vermaelen.

Mesfushori brazilian Kaka thotë se ai tashmë po përshtatet me bashkëlojtarin e tij të ri të Real Madridit, Xabi Alonso.

Dy lojtarët luajtën së bashku kundër Real Sociedad gjatë vikendit, dhe Kaka thotë për ish-lojtarin e Liverpoolit: “Është shumë lehtë të luash në këtë ekip me aq shumë kualitet. Xabi Alonso na ka dhënë shumë siguri dhe fluiditet”.

“Tash, gjëja më e rëndësishme është të gjejmë ekuilibrin e nevojshëm dhe mendoj se jemi të kompletuar kështu”.

“Ne kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin dhe mendoj se mund të bëjmë gjëra të shkëlqyeshme së bashku. Ekipi me Xabin ka pasur një posedim të lartë të topit dhe kjo është e rëndësishme”, ka shtuar braziliani.

Mesfushori Xavi Hernandez ka lavdëruar bashkëlojtarët e tij pas ndeshjes së parë të Superkupës së Spanjës, të cilën Barcelona e fitoi me rezultat 2-1 në udhëtim te Athletic Bilbao.

“Ky ekip kurrë nuk do të lodhet së fituari. Ne kemi të njëjtin trajner, të njëjtin ekip dhe të njëjtim sistem. Ne kemi luajtur me lojën tonë të zakonshme atraktive, sulmuese”, ka thënë Xavi.

Xavi, i cili shënoi golin e parë të Barcelonës, atë të barazimit, po ashtu ka falënderuar fansat e Bilbao për përkrahjen ndaj tij pas zëvendësimit.

“Është nder për mua pasi ata janë një publik i mrekullueshëm dhe kanë një stadium fantastik”, ka shtuar mesfushori.

Ish-drejtori sportiv i Juventusit, Luciano Moggi, ka folur për Interin dhe shanset e këtij ekipi të fitojë edhe Serie A edhe Ligën e Kampionëve.

Sipas Moggit, pas largimit të sulmuesit Zlatan Ibrahimovic drejt Barcelonës, nerazurët duhej të nënshkruanin një lojtar më ndryshe, pasi tash duhet ta ndryshojnë planin e lojës.

“Interi, pavarësisht se humbi Superkupën e Italisë, mbetet një ekip i fuqishëm. Nuk dua të përsëris veten, por këtë vit ata do të detyrohen të ndryshojnë shumë. Me Ibrahimovic ata kishin një lojtar i cili udhëhiqte ekipin, por me Milito dhe Eto’o, ata kanë dy lojtarë të rëndësishëm, por më ndryshe”, ka deklaruar Moggi.

“Tash ekipi duhet të luajë dhe të përkrahë sulmuesit. Në Pekin, sulmuesit ishin tepër të izoluar dhe mendoj se kjo është dëshmi se mesfusha nuk funksionon. Sidoqoftë, edhe kështu ata do të mund të fitojnë në Itali, por jo edhe në Ligën e Kampionëve”, ka shtuar italiani.

Everton raportohet se është i gatshëm të shesë mbrojtësin Joleon Lescott te Manchester City për një shumë prej 25 milionë funte.

Sipas People, menaxheri David Moyes, është në një pozitë të vështirë në kërkim për të transferuar një mbrojtës të qendrës.

City ende nuk ka ofruar më shumë se 18 milionë, me një shumë prej 22 milionë eurosh që është propozuar nga agjentët e tyre, por ende nuk ka asgjë zyrtare në këtë drejtim.

Evertoni thuhet se do ta lejojë Lescott të largohet sapo të gjejë zëvendësimin e tij, por jo për një shumë më të vogël se 25 milionë funte.

Sebastien Bassong thotë se debutimi i tij me gol në fitoren e djeshme të Tottenhamit ndaj Liverpoolit ishte ‘i përkryer’.

“Ishte një debutim i përkryer, ndeshja ime e parë me Spursat, dhe vërtet jam i lumtur që shënova për të ndihmuar ekipin të shënojë fitore”, ka thënë ish-mbrojtësi i Newcastle United.

“Të fitosh ndeshjen e parë është vërtet mirë për ngritjen e vetëbesimit dhe është mirë për trurin e ekipit. Por të luash në krah të Ledley (King) është lehtë pasi ai flet gjithë kohën dhe më ndihmon, andaj vetëm duhet të angazhohem shumë, si ai”, ka shtuar Bassong.

Menaxheri i Birmingham Cityt, Alex McLeish, e vlerëson yllin e Manchester United, Wayne Rooney në nivelin e legjendave të futbollit, Zinedine Zidane dhe Michel Platini.

Pas humbjes së djeshme në Old Trafford, Eck ka thënë: “Aq shpesh vijnë futbollistë natyral. Kemi parë lojtarë si Zidane dhe Platini dhe tash aty është Wayne Rooney”.

“Ata janë natyral dhe është shumë vështirë të luash kundër tyre. Kurrë nuk mund t’i stërvitësh ata. Mund t’iu thuash disa gjëra dhe të bisedosh me ta për lojën në pozicion, por kjo është e gjitha”, ka shtuar McLeish.

Sulmuesi kosovar me nënshtetsi finlandeze, Shefki Kuqi, ka vazhduar shkëlqimin me ekipin e Bundesliga 2, Koblenz, duke shënuar dy golat që i sollën fitoren ekipit përballë Arminia Bielefeld.

Ekipi për të cilin aktivizohet Besart Berisha kaloi në epërsi të dyfishtë në pjesën e dytë me golat e Federico (59’) dhe Janjic (73’), por 10 minuta para fundit të ndeshjes, Shefki Kuqi ngushtoi rezultatin.

Katër minuta më vonë, Benjamin Lense barazoi rezultatin, për t’i mundësuar sërish Kuqit një minutë më vonë të shënojë golin e fitores për vendasit (85’).

Për Koblenz një orë lojë bëri edhe vëllai më i ri i Shefkiut, Nijazi Kuqi, ndërsa te Arminia Bielefeld, Berisha qëndroi gjithë ndeshjen në stol.

Kampioni i Spanjës, Barcelona, është rikthyer nga disavantazhi 1-0 për të fituar në fund me rezultat 2-1 në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës përballë Athletic Bilbao që u zhvillua të dielën mbrëma.

Takimi nxjerr përballë fituesin e Ligës së Spanjës dhe atë të Kupës së Mbretit. Por Barcelona fitoi të dyja garat sezonin e kaluar, andaj Bilbao pati rastin të përpiqet të hakmerret ndaj Barcelonës, pas humbjes 4-1 në finalen e Kupës së Mbretit.

Oscar de Marcos ishte ai që çoi në avantazh Bilbaon në fund të pjesës së parë të ndeshjes. Por pjesa e dytë u takoi blaugranëve. Xavi Hernandez barazoi në minutën e 58-të, dhjetë minuta para se Pedro Rodriguez të shënojë golin e fitores me një goditje të shkëlqyeshme nga largësia.

Bilbao nuk arriti të nxjerrë një barazim dhe do të ketë një sfidë të vështirë në ndeshjen e kthimit, që zhvillohet në Camp Nou javën e ardhshme.

Britaniku Andy Murray është rikthyer nga një set disavantazh, për të fituar dy setet e radhës dhe për të mposhtur argjentinasin Juan Martin Del Potro në finalen e Canada Masters në Montreal.

Një ditë pasi zëvendësoi Rafael Nadal në pozitën e numrit dy të botës, Murray ka bërë një paraqitje të shkëlqyeshme për të mposhtur Del Potron gjatë finales që zgjati dy orë e 42 minuta.

Del Potro fitoi setin e parë me 7-6, por u mposht me të njëjtin rezultat në setin e dytë. Seti i tretë, vendimtar, i takoi plotësisht Murrayt, i cili e fitoi bindshëm, 6-1.

Kjo ishte fitorja e pestë e Murrayt këtë sezon, i cili bëhet britaniku i parë në 128 vite që fiton turneun kanadez.