Blutë e Chelseat janë rikthyer nga disavantazhi 1-0 në pjesë të parë, për së shënuar fitore me rezultat 3-1 në fund të ndeshjes përballë ekipit të Lorik Canës, Sunderlandit.

Edhe pse dominuan si në posedim ashtu edhe në raste, pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me avantazh të ekipit vendas.

Pas një prekje të lehtë nga Cana, topi arriti te Kenwyne Jones, nga ku topi mbase pa pritur, në mesin e mbrojtjes mysafire, arriti te përforcimin e ri të ekipit Darren Bent, i cili nuk huqi nga afërsia, për të shënuar golin e dytë brenda tri ditësh (19’).

Por, pjesa e dytë ishte plotësisht në anën e mysafirëve edhe sa i takon golave. Barazimi erdhi me anë të Ballack, pas shtatë minuta lojë në pjesë të dytë (52’). Pas një ore lojë blutë fituan një penalti, derisa nga pika e bardhë nuk huqi Frank Lampard.

Të ‘egërsuar’ nga pjesa e parë Chelsea nuk e la me kaq, por shënoi edhe një gol të tretë, kësaj here me anë të një mesfushori tjetër, portugezi Deco, 20 minuta para fundit të kohës së rregullt.

Cana nuk lejoi që kartoni i parë i verdhë i tij në Ligën Premier të shtyhet më shumë se ndeshja e dytë e tij, duke u ndëshkuar në minutën 59-të, pas një ndërhyrje mbi mesfushorin Deco.

Në ndeshjen tjetër të sotme të Ligës Premier, Wigan është mposhtur në fushë të vet nga ekipi i porsapromovuar në elitën e futbollit anglez, Wolverhampton, me rezultat minimal 1-0.

Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero tashmë e ka të qartë se çfarë dëshiron këtë sezon, të fitojë skudeton me biankonerët dhe të jetë pjesë e Kupës Botërore me kombëtaren italiane.

“Entuziazmi dhe pasioni është bazë e punës time. Ëndërrova të bëhem një futbollist i madh dhe u bëra”, ka thënë Del Piero.

“Kampionati dhe Kupa Botërore janë dy qëllime të cilat shkojnë dorë pas dore, së bashku me përzgjedhjen e Lippit. Sigurisht se mund të arrijë në kombëtare përmes Juventusit dhe duhet të përqendrohemi. Kemi një ekip të shkëlqyeshëm dhe dëshirojmë të fitojmë”, ka shtuar italiani.

Sulmuesi 34-vjeçar ka shënuar 27 gola në 91 paraqitje që nga debutimi i tij në vitin 1995 me kombëtaren azure. Nëse përfshihet në Botërorin Afrika e Jugut 2010, kjo do të ishte pjesëmarrja e katërt e tij në një kampionat botëror, pas atyre në vitet 1998, 2002 dhe 2006.

Strategu i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se klubi ka nevojë edhe për një deri në dy përforcime dhe edhe njëherë ka potencuar se Cesc Fabregas nuk do të arrijë në Camp Nou.

Guardiola po ashtu ka pohuar se Ibrahimovic do të debutojë në ndeshjen e nesërme me Manchester Cityn, në takimin e vlefshëm për trofeun Juan Gamper Tophy.

“Zlatan duket mirë, ai mirë i adaptohet ekipit. Mendojmë se ai do të fitojë një minutash të vogël në takimin e nesërm për ta fituar ritmin, i cili i mungon”, ka thënë Guardiola.

“Kemi nevojë të bëjmë një deri në dy përforcime, por do të shohim se çfarë do të ndodhë. Edhe nëse dikush arrin, edhe nëse dikush nuk arrin, sërish gjithçka do të jetë OK, pasi ata që tashmë janë në dispozicion janë mirë”, ka shtuar spanjolli.

Werder Bremeni ka arritur të angazhojë sulmuesin e Chelsat, Claudio Pizarro, i cili sezonin e kaluar me sukses përmbylli huazimin te po ky klub.

Klubi gjerman arriti marrëveshje me blutë për të angazhuar sulmuesin peruan, i cili rikthehet në klubin e Bundesligës, kësaj here si i përhershëm. 30-vjeçari shënoi 17 gola sezonin e kaluar dhe ndihmoi Werderin ta fitojë Kupën e Gjermanisë.

Pizarro ishte pjesë e Werderit edhe në periudhën nga viti 1999 deri në vitin 2001, pas të cilës u transferua në Bayern Munich.

Fulhami ka kompletuar nënshkrimin me anësorin irlandez Damien Duff nga Newcastle United.

Shuma e transferimit thuhet të jetë afro 4 milionë funte, edhe pse nuk është zbuluar, por është konfirmuar se Duff, 30-vjeçar, ka nënshkruar marrëveshje trevjeçare.

“Jam i lumtur që transferimi në Fulham është kompletuar dhe po pres t’i bashkohem pjesës tjetër të skuadrës në stërvitje, në përgatitje për dy ndeshje të rëndësishme këtë javë”, ka thënë Duff.

Irlandezi iu bashkua Newcastle nga Chelsea gjatë verës së vitit 2006 dhe luajti 86 ndeshje, duke shënuar gjashtë gola.

Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, ndihmoi ekipin e tij të mposhtë Juventusin në Berlusconi Trophy, pas gjuajtjes së penaltive gjatë mbrëmjes së të hënës.

Nesta ka munguar në ndeshje garuese për po thuajse një vit, për shkak të një varg lëndimesh dhe tash synon të jetë pjesë edhe e ndeshjes së parë të sezonit të ri gjatë vikendit kundër Sienës.

“Kam kaluar një vit në shtëpi dhe kam kuptuar se sa vështirë është të jesh larg fushës së lojës dhe të mos luash. Dua të përpiqem dhe të rikthehem të luajë në nivelin që kam luajtur më herët dhe të përpiqem të pensionohem sa më vonë që është e mundur”, ka thënë Nesta.

“Jam i lumtur me arritjen e Thiago Silva, tash duhet ende ta rikuperojmë Kaladze, por unë mendoj se në aspektin e mbrojtjes, jemi mirë”, ka shtuar italiani.

33-vjeçari është lojtar i Milanit që nga viti 2002, ku ka luajtur plot 157 ndeshje në ligë.

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se krijimi i Ligës Evropiane ku do të luajnë klubet më të fuqishme të kontinentit do të jetë realitet brenda 10 viteve.

Topçinjtë sot udhëtojnë në Glasgow në kuadër të ndeshjes së parë të rundit të fundit kualifikues për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

I pyetur nëse Celctic dhe rivali tjetër skocez Rangers, mund një ditë t’i bashkohen Ligës Premier, francezi ka thënë se më e mundshme është që të gjitha të drejtohen kah një ligë kontinentale.

“Besoj se keni dy pjesë në futbollin skocez. Rangers dhe Celtic, dhe pjesën tjetër. Do të thosha se Celtic dhe Rangers mund të garojnë në Ligën Premier, në top tetë ekipet. Ekipet tjera për momentin nuk janë të gatshme për këtë”, ka thënë Wenger.

“Por e shoh më shumë një Ligë Evropiane duke u ngritur në ndërkohë. Ligat kombëtare do të mbijetojnë, por brenda 10 vitesh do të kemi edhe një Ligë Evropiane”, shton francezi.

Përforcimi i ri i Juventusit, Diego, është i vendosur t’i ndihmojë ekipit të tij të fitojë skudeton këtë sezon dhe ai nuk do të lejojë askënd ta ndalojë.

Biankonerët dështuan të fitojnë ndaj Milanit në takimin e mbrëmshëm në Berlusconi Trophy, duke u mposhtur në penalti, pas barazimit 1-1. Diego, i cili shënoi për Juventusin në këtë ndeshje vazhdon të mbetet entuziast, pavarësisht këtij rezultati.

“Juventusi është në mesin e favoritëve. Por ka edhe ekipe të tjera. Nuk shqetësohem për Interin ose Milanin. Ne duhet të mendojmë të luajmë mirë”, ka thënë Diego, i cili është shprehur i kënaqur me formën e tij.

Juventusi gjatë vikendit do të presë para tifozëve të vet, ekipi e Chievos në ndeshjen e javës së parë të Serie A.

Kampioni i Spanjës dhe Evropës, Barcelona, ka kërkuar nga Liverpooli të caktojë çmimin e anësorit Albert Riera.

Siç shkruan sportivja spanjolle Sport, drejtori sportiv i Barçës, Txiki Begiristain, i është drejtuar Liverpoolit ditëve të fundit për të pyetur për çmimin e mesfushorit spanjoll.

Që nga zhvendosja e tij në Anfield, Riera ka qenë vazhdimisht pjesë e kombëtares së Spanjës nën urdhrat e Vicente del Bosque dhe mediat shkruajnë se menaxheri Rafa Benitez do të mendonte të shesë atë, nëse ndonjë ofertë e majme arrin në tavolinën e klubit.

Milani ka mposhtur Juventusin në penalti, pas barazimit 1-1, për të fituar trofeun Luigi Berlusconi Trophy në miqësoren e sotme në San Siro.

Vendasit luajtën me sistem 4-3-1-2 me Ronaldinhon prapa dy sulmuesve Alexandre Pato dhe Klaas Jan Huntelaar, ndërsa të njëjtin sistem e përdori edhe Juventus, me Diego prapa David Trezeguet dhe Vincenzo Iaquinta.

Avantazhin Juventusit ia dha përforcimi i ri, Diego, në minutën e 27-të të ndeshjes, kur braziliani bëri një vrap në mes të fushës dhe dërgoi një goditje nga distanca, e cila u devijua nga mbrojtësi Thiago Silva dhe mposhti portierin Marco Storari.

Milani arriti të barazojë vetëm në pjesën e dytë të ndeshjes, kur sulmuesi brazilian Alexandre Pato dërgoi topin me kokë në rrjetën e Gianluigi Buffon, pas një harkim të përkryer nga zëvendësuesi Ignazio Abate.

Ronaldinho humbi një shans në minutat e fundit të ndeshjes, kur pas një lëvizje të mirë, kaloi Felipe Melon dhe Nicola Legrottaglien, por goditja e tij përfundoi jashtë shtylle, për të çuar lojën në penalti, ku më të saktë ishin rosonerët.

Mesfushori Javier Mascherano thotë se ai ia ka dhënë besimin Liverpoolit dhe menaxherit Rafa Benitez.

“Barcelona ka kontaktuar agjentin tim për të parë një transferim të mundshëm. Por, gjithmonë kam qenë profesionist dhe kurrë nuk e kam lënë klubin të thatë, andaj nuk do ta bëja as këtë herë me Liverpoolin”, ka thënë Mascherano.

“Gjithmonë do ta vlerësoj faktin se Benitez më transferoi kur as Carlos Tevez e as mua nuk na jepej rasti në West Ham. Benitez është një person shumë serioz dhe shumë i qartë. Ai ka folur me mua dhe më ka thënë se isha lojtar kyç dhe se nuk mund ta braktisja klubin vetëm për arsye financiare”, ka shtuar argjentinasi.

Mascherano po ashtu ka shprehur optimizmin e tij se këtë sezon do të mund të ngrejë trofeun e Ligës Premier.

“Vitin e kaluar ishim aq afër për të qenë kampionë dhe do të kthehemi në garën për titull sërish”, ka thënë më tej Mascherano.

Sunderland dhe Evertoni mund të mposhten nga Hamburg në garën për të marrë shërbimet e mbrojtësit të Arsenalit, Philippe Senderos.

Zvicerani është duke u kërkuar nga të dy klubet e Ligës Premier, me menaxherin e Sunderlandit, Steve Bruce, që është më i gatshëm të dërgojë ofertë në drejtim të Arsenalit.

Por, sipas Daily Mail, Senderos së fundi ka tërhequr edhe vëmendjen e klubit të Bundesligës, Hamburg, që është i gatshëm të ofrojë 5 milionë funte për të.

Evertoni tashmë ka kthyer vëmendjen kah kapiteni i kombëtares angleze U21, mbrojtësi i Newcastle, Steven Taylor, duke refuzuar të paguajë 4 milionë funte për Senderos.