Kampioni në fuqi i Formula 1, Lewis Hamilton, ka fituar pol-pozicionin e parë të sezonit në garën për Çmimin e Madhe të Evropës, derisa nga reshti i parë, pozita e dytë, do të niset edhe shoku i tij i skuadrës McLaren, Heikki Kovalainen.

Për 24-vjeçarin, fitues i garës së mëhershme në Hungari, ky do të jetë pol-pozicioni i 14-të në karrierë, i cili e kaloi shtegun për 1 minutë e 38.18 sekonda, për 5 të qindta më i shpejtë se Heikki Kovalainen.

Lideri i tabelës, ngasësi i Brawn GP, Jenson Button, do të niset nga pozita e pestë, prapa shokut të tij i skuadrës, Rubens Barrichello (i treti) dhe ngasësit të Red Bull, Sebastian Vettel (i katërti).

Rivali i Button për titull, ngasësi tjetër i Red Bull, Mark Webber, ka përfunduar i nënti në kualifikimet për garën e Valencias.

Manchester City ka arritur vetëm një fitore minimale prej 1-0 në shtëpi të vet përballë ekipit të porsakualifikuar në Ligën Premier, Wolves, pavarësisht se dominoi ndaj vizitorëve.

Autori i golit të vetëm të Cityt ishte përforcimi i verës Emmanuel Adebayor, i cili pranoi një top nga Carlos Tevez brenda zonës në minutën e 17-të të lojës. Me tre pikët e reja City mbledh nëntë pikë, maksimalisht, nga tre ndeshje në Ligën Premier.

Fitore minimale prej 1-0 ka shënuar edhe Hull City në fushë vendore ndaj Bolton Wanderers, derisa Birminghami ka barazuar pa gola para tifozëve të vet ndaj Stoke Cityt.

Prej ndeshjeve tjera, Sunderlandi ka arritur të rikthehet nga disavantazhi 1-0 për të shënuar fitore 2-1 ndaj Blackburnit në fushë të vet. Për Blackburnin shënoi Gael Givet pas 21 minutash lojë, ndërsa fitoren ekipit të Lorik Canës ia solli Kenwyne Jones me të dy golat e shënuar (32’, 53’).

Pas një pjese të parë pa gola, Manchester United është rikthyer furishëm në pjesën e dytë për të shkatërruar Wiganin me rezultat 5-0 në ndeshjen e zhvilluar në DW Stadium.

Të nevrikosur nga humbja e mesjavës ndaj Burnleyt dhe pas pjesës së parë të barabartë, djajtë e kuq shpërthyen në pjesën e dytë duke shënuar tre gola brenda tetë minutave, dy të shpejtë nga Wayne Rooney (56’ dhe 58’) dhe një tjetër nga Dimitar Berbatov (65’).

Zëvendësuesi Michael Owen tregoi një paraqitje të shkëlqyeshme, duke shënuar golin e parë të tij në Premier League për klubin me anë të përfundimi të kujdesshëm, pesë minuta para fundit të kohës së rregullt, ndërsa Nani e shndërroi në gol një gjuajtje të lirë në kohën shtesë të ndeshjes.

United ka dy fitore nga tre ndeshje në Premier League, derisa Wigan pësoi humbjen e dytë radhazi, pas fitores së vetme të shënuar në javën e parë.

Topçinjtë e Arsenalit kanë vazhduar edhe me një fitore të thellë në sezonin e ri të Ligës Premier, duke mposhtur kësaj here Portsmouth me rezultat 4-1 në ndeshjen e zhvilluar në Emirates Stadium.

Përveç katër golave të shënuar, londinezët keqpërdorën një mori rastesh të tjera, gjatë një paraqitje të shkëlqyeshme për të shënuar fitoren e dytë të sezonit të ri.

Rezultati u hap pas 18 minutash lojë me anë të Abou Diaby, i cili pranoi një pasim të shkëlqyeshëm nga Eduardo Da Silva për të shënuar nga afërsia. I njëjti lojtar, Diaby, dyfishoi rezultatin pas tre minutash tjera (21’), kësaj here falë një asistimi nga Emmanuel Eboue.

Mysafirët shpresuan për një rezultat pozitiv kur tetë minuta para fundit të pjesës së parë Kaboul shënoi me kokë pas një harkimi nga Belhadj.

Por edhe pjesa e dytë i takoi në tërësi ekipit vendas, të cilët shënuan edhe dy gola të tjerë. Ish-kapiteni William Gallas edhe kësaj here u fut në listën e golashënuesve, kur dërgoi topin në rrjetë pas një rrëmuje para portierit David James, gjashtë minuta në pjesë të dytë.

I riu Aaron Ramsey shënoi golin e parë në Ligën Premier pas një pasimi nga Robin Van Persie, për të vulosur rezultatin në minutën e 68-të. Fitorja është e dyta për Arsenalin në dy ndeshje në ligë, ndërsa humbja e tretë në po aq ndeshje për Portsmouth.

Bayern Munich vazhdon të jetë pa fitore në sezonin e ri, madje duke pësuar humbje befasuese me rezultat 2-1 nga ekipi i sapo-kthyer në Bundesliga 1, Mainz.

Golat për vendasit u shënuan që të dyja në pjesën e parë të ndeshjes, me Andreas Ivanschitz që hapi rezultatin pas 25 minutash me një goditja nga largësia, dhe Aristide Bance që dyfishoi tetë minuta para fundit të pjesës së parë.

I vetmi gol për bavarezët ishte një autogol në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes, i shënuar Nikolce Noveski (47’), pas një harkimi të topit nga ana e Thomas Mueller.

Në anën tjetër Bayer Leverkusen ka vazhduar fillimin e fuqishëm të sezonit, duke shënuar fitore prej 5-0 ndaj Freiburg, derisa Borussia Dortmund dhe Stuttgart kanë ndarë pikët pas barazimit 1-1.

Ish-trajneri i kombëtares së Italisë dhe drejtor i Milanit, Cesare Maldini, thotë se menaxheri i Interit, Jose Mourinho, vetëm se kërkon publicitet duke u futur në zënkë me Marcello Lippin.

“Pyetja e vjetër ‘kush do ta fitojë titullin’ është një intervistë klasike e para-sezonit. Lippi, edhe pse është trajner i kombëtares së Italisë, ka të gjitha të drejtat për të shprehur opinionin e tij”, ka thënë Maldini, i cili ishte në detyrë të kombëtares në Kupën Botërore 1998.

“E vërteta është se Mourinho vetëm dëshiron vëmendje. Ai gjithmonë do të jetë në qendër të vëmendjes dhe do të jetë në fokus të mediave, andaj ka krijuar kundërthënie nga asgjë”, ka shtuar italiani.

Mesfushori brazilian i Sevillas, Adriano, nuk është duke e gjetur veten dhe dëshiron të largohet nga ekipi spanjoll.

Anësori brazilian është duke u matur nëse të largohet nga ekipi spanjoll para se të mbyllet afati kalimtar i verës.

“Nuk jam i sigurt se ai dëshiron të vazhdojë me klubin. Në ditët në vazhdim do të ketë një deklaratë zyrtare nga ai”, ka thënë agjenti i lojtarit, La Razon.

Muaji i Ramazanit ka prekur edhe Real Madridin, me tre yjet myslimanë, Lassana Diarra, Mahamadou Diarra dhe Karim Benzema, të cilët tashmë kanë filluar agjërimin gjatë këtij muaji të shenjtë të besimit islam, shkruajnë mediat spanjolle.

Sipas gazetës AS, mjekët e klubit kanë dizajnuar një program të veçantë për të mbajtur të hidratuar lojtarët, pasi stërvitjet në këtë verë të nxehtë pa qenë në gjendje të konsumojnë lëngje mund të çojë në molisje dhe lëndime serioze.

Për fat, muaji i ramazanit nuk do të ketë shumë ndikim në ndeshjet e Real Madridit, pasi këtë muaj klubi mbretëror ka vetëm tre ndeshje në orar në kuadër të La Liga, kundër Deportivo, Espanyol dhe Xerez.

Dy futbollistët francez Lassana Diarra dhe Karim Benzema po ashtu do të jenë pjesë edhe e dy ndeshjeve me kombëtaren e Francës, ndaj Rumanisë dhe Serbisë në muajin e ardhshëm.

Në anën tjetër, siç raporton Sport, treshja e Barcelonës të cilët i takojnë besimit islam, Eric Abidal, Seydou Keita dhe Yaya Toure, kanë hequr dorë nga agjërimi për hir të zotimeve të tyre profesionale me klubin.