Sulmuesi i Fiorentinës, Adrian Mutu, është urdhëruar t’i paguajë Chelseat 17 milionë euro për shkak të sjelljes së tij vite më parë kur abuzoi me substanca, që e detyroi klubin anglez të ndërpresë kontratën e tij, para se ai t’i bashkohet Juventusit dhe pastaj Fiorentinës.
Madje ka pasur spekulime se lojtari mund të përjashtohet nga loja nëse nuk e paguan shumën, por Mutu thotë se ai nuk ka para. “Nuk kam 17 milionë euro dhe sinqerisht besoj se vetëm katër ose pesë lojtarë në botë e kanë atë shumë në diskonim. Ndihma e secilit është esenciale, por unë nuk synoj të bëhem mbledhës i fondeve. Madje edhe kundër Palermos, përkrahësit ma bënë me dije se nuk isha i vetëm në këtë betejë”, ka thënë Mutu.
Lionel Messi ka pohuar se Argjentina është më shumë se e aftë të mposhtë Brazilin, kur ata do të takohen të shtunën në ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2010, në Rosario.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë pasi Brazili ka lojtarë të shkëlqyeshëm, si edhe ne, dhe për këtë shkak mendoj se ne mund të fitojmë me lehtësi”, ka thënë Messi. “Ne e dimë se për çfarë po luajmë, të gjithë dëshirojmë të luajmë. Shpresojmë se kjo do të jetë një ndeshje e madhe për Argjentinën, dhe për mua po ashtu”, ka shtuar superylli i Barcelonës.
Trajneri italian Luciano Spalletti dje dha dorëheqje nga stoli drejtues i Romës dhe menjëherë u zëvendësua nga ish-trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri.
Spalletti është lidhur me një kalim në Milan që gjatë verës, menjëherë pas largimit të Carlo Ancelottit drejt Chelseat, dhe para se të caktohet Leonardo si trajner i ri i Milanit. Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka mohuar mundësinë që të bëhen ndryshime në stolin e rosonerëve. “Unë ende e konsideroj atë një trajner shumë të mirë i cili e bëri Romën të luajë mirë për shumë vite, por ne kemi Leonardon”, është cituar të ketë thënë Galliani. Spalletti ka qenë në drejtim të Romës që nga viti 2005, derisa Leonardo ka qenë vëzhgues dhe drejtor teknik në San Siro që nga fundi i karrierës së tij si lojtar.
Sipas rangimeve më të reja të FIFA-s, tri vendet e para mbahen nga Brazili, Spanja dhe Holanda.
Spanja do ta ketë mundësinë ta rikthejë vendin e parë (që ia mori Brazili pasi fitoi Kupën e Konfederatave) duke qenë se kanë disa ndeshje për të luajtur në javët e ardhshme. Sido që të jetë, Selecao me meritë gjenden në vendin e parë pasi që kanë fituar nëntë ndeshjet e tyre të fundit, derisa ndeshja e radhës është ajo kundër Argjentinës, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit të ardhshëm Botëror. Italia dhe Gjermania mbyllin top-pesëshin me pikë të barta, ndërsa deri në vendin e dhjetë renditen: Rusia, Anglia, Argjentina, Kroacia dhe Franca. Ndërkohë, Shqipëria është ngjitur një vend më lartë këtë muaj dhe pozicionohet e 93-ta në listën e përgjithshme të FIFA-s.
Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso, ka folur për largimin e tij nga Liverpooli ku kishte qëndruar pesë vite, duke e konsideruar largimin si të vështirë, mirëpo si diçka që duhej të ndodhte.
“(Largimi nga Liverpooli) ishte një vendim shumë i vështirë për mua. Pas pesë vitesh, mendoj se kam qenë shumë me fat që kam përjetuar mbrëmje të bukura në Anfield”. “Kam përjetuar mbështetjen e tifozëve më të mirë në botë dhe u jam shumë falënderues dhe gjithmonë do t’i kem në mendjen time”. “Verën e kaluar, klubi më propozoi që mund të shitesha për të transferuar lojtarë të rinj, dhe kjo ishte e vështirë për mua. Mirëpo e pranova si një profesionist dhe ai moment ndryshoi mendjen time, dhe mendoj se nga ai moment ishte koha për një ndryshim”, ka thënë spanjolli për “Sky Sports News”.