Anglia është ‘nxehur’ me fitore në prag të ndeshjes me Kroacinë, duke mposhtur rezultat 2-1 Slloveninë, në miqësoren e zhvilluar në Wembley.Një penalti e shndërruar në gol nga Frank Lampard ia dha epërsinë Anglisë që në pjesën e parë të ndeshjes (31’), para se zëvendësuesi Jermain Defoe të vazhdojë formën e tij të shkëlqyeshme duke dyfishuar epërsinë në pjesë të dytë (63’).Një gol i vonshëm i shënuar nga Zlatan Ljubijankic, vetëm se ngushtoi disavantazhin e mysafirëve (85’).Në miqësoren tjetër, Holanda ka shënuar fitore bindëse ndaj Japonisë me rezultat 3-0, që të tre golat të shënuar në pjesën e dytë (Van Persie 69’, Sneijder 73’ dhe Huntelaar 87’).Fitore në takim miqësor ka shënuar edhe Gjermania, që ka mposhtur Afrikën e Jugut me rezultat 2-0.
Kombëtarja e shpresave të Shqipërisë ka shënuar fitore minimale kundër kombëtares U21 të Azerbajxhanit, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet për Euro 2011.Pas një pjese të parë pa gola në stadiumin “Niko Kovana” të Durrësit, i vetmi që gjeti rrjetën në pjesën e dytë ishte i riu i Partizanit të Tiranës, mesfushori Erando Karabezi. Fitorja është e para për të rinjtë e trajnerit Artan Bushati pas dy humbjeve të mëhershme, që të dyja ndaj Skocisë.
Sulmuesi i rikthyer te Dinamo Kievi, Andriy Shevchenko, ka shënuar një gol në fitoren e thellë prej 5-0 të Ukrainës ndaj Andorrës, në kuadër të ndeshjes së grupit 6 kualifikuese për Botërorin 2010.Ndeshja u karakterizua me tre gjuajtje nga penaltia, të tria për Ukrainën në pjesën e dytë të ndeshjes. Ukrainasit avancuan dy herë që në pjesë të parë të ndeshjes. Pas 19 minutash Andriy Yarmolenko shënoi për t’i dhënë avantazhin vendasve, ndërsa rezultatin e dyfishoi Artem Milevsky në çastet e fundit të pjesës së parë. Shevchenko gjeti golin në minutën e 73-të, duke shënuar nga penaltia. Edhe dy golat tjerë për vendasit erdhën nga penaltia dhe që të dyja në çastet e fundit të ndeshjes (Milevsky dhe Yevgen Seleznyov). Nga ndeshjet tjera, Skocia ka mposhtur si vendas Maqedoninë me rezultat 2-0 në kuadër të grupit 9, derisa në grupin 5 Bosnja dhe Hercegovina po ashtu ka fituar me po të njëjtin rezultat në udhëtim te Armenia. Në grupin e 4-të, Finlanda është rikthyer nga disavantazhi 1-0 për të shënuar dy gola në 15 minutat e fundit të ndeshjes dhe për të fituar me rezultat 2-1. Në po të njëjtin grup Rusia ka fituar me rezultat 3-0 në fushë vendore ndaj Lihtenshtajnit.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, mbështet idenë për transferimin e bashkëkombësit të tij Lionel Messi te Nerazzurët, ndërsa ai është i gatshëm të ndihmojë që ky transferim të realizohet.Të premten mediat italiane kanë njoftuar se kampioni i Italisë ka arritur marrëveshje me babanë e Messit, Jorge, që në të ardhmen lojtari më i mirë në botë për momentin, ta veshë fanellën zikaltër. “Kam ditur për kontaktet në mes të Interit dhe Messit. Presidenti (Moratti) ka folur me mua për këtë gjë”. “Transferimi i tij nga Barcelona, tani për tani është i pamundur, mirëpo mund të arrihet pas dy ose tre vitesh”, ka thënë Zanetti për “La Gazzetta Dello Sport”.
Mbrojtësi gjeorgjian Kakha Kaladze do ta luajë sonte ndeshjen e parë pas më shumë se gjysmë viti, edhe atë pikërisht kundër Italisë.
Në një intervistë për “Il Giornale”, Kaladze ka treguar se ndjehet mirë dhe i ka kaluar të gjitha testet dhe është i gatshëm për lojë. Mbrojtësi do të jetë po ashtu edhe në dispozicion të Milanit, që është thelluar në krizë pas humbjes prej 4-0 nga Interi në Derby della Madonnina. “Milani më ka dhënë shumë dhe jam i gatshëm për t’u kthyer. Kam luajtur në shumë pozita- kam filluar në mesfushë, kam luajtur si mbrojtës krahu, pastaj si qendërmbrojtës. Nuk e kam të vështirë që t’i ndërroj detyrat”, ka thënë 31-vjeçari.
Në një intervistë për “Il Giornale”, Kaladze ka treguar se ndjehet mirë dhe i ka kaluar të gjitha testet dhe është i gatshëm për lojë. Mbrojtësi do të jetë po ashtu edhe në dispozicion të Milanit, që është thelluar në krizë pas humbjes prej 4-0 nga Interi në Derby della Madonnina. “Milani më ka dhënë shumë dhe jam i gatshëm për t’u kthyer. Kam luajtur në shumë pozita- kam filluar në mesfushë, kam luajtur si mbrojtës krahu, pastaj si qendërmbrojtës. Nuk e kam të vështirë që t’i ndërroj detyrat”, ka thënë 31-vjeçari.
Përkundër se e ka filluar sezonin në bankën rezervë, sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, shpreson se do të jetë pjesë e planeve të trajnerit të Realit, Manuel Pellegrini, si dhe atij të Argjentinës, Diego Maradona.“Është e natyrshme dhe gjithkush ka dëshirë të fillojë (sezonin duke luajtur), por unë jam i qetë, sepse të gjithë do t’i kenë shanset e tyre”. “Sezoni është i gjatë, ka shumë ndeshje për t’u luajtur dhe do të mundohem t’i shfrytëzoj minutat që do të më jepen”. “Gjendem në njërën nga skuadrat më të mira në botë dhe jam i lumtur. Kam ngritur tre trofe brenda tre vitesh dhe nuk pendohem për asgjë”, ka thënë argjentinasi për “Marca”, i cili po ashtu shpreson të sigurojë një vend edhe në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, i cili më shumë se kushdo tjetër ka të drejtë të flasë për profesionin e tij, thotë se trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara, do të arrijë suksese të mëdha me Bianconerët.“Për mua Ferrara nuk është një zbulim. As diçka e re. Unë e njoh Ciron pasi jemi përballur disa herë si kundërshtar- ai do të ketë sukses, shumë sukses”.“Ai po drejton një skuadër të madhe siç është Juventusi dhe e di mirë këtë. Nuk ka asgjë të fshehtë, ai mund ta shohë edhe nuancën më të vogël. Mendoj se ai do ta ketë një të ardhme përplot arritje”, ka thënë Ferguson për “Tuttosport”.
Franca do ta fillojë ndeshjen e rëndësishme kundër Rumanisë pas lojtarin kryesor, Franck Ribery, njofton "L’Equipe".Anësori i Bayern Munichut ka pasur probleme me lëndim në këtë fillimsezoni, ashtu që trajneri Raymond Domenech ka vendosur të mos e përfshijë në njëmbëdhjetëshin e parë.Sipas të gjitha gjasave, Ribery do të shfrytëzohet si një zëvendësim i rëndësishëm gjatë ndeshjes, ndërkohë që trajneri preferon ta ruajë atë për ndeshjen e drejtpërdrejtë përballë liderit të Grupit të Shtatë, Serbisë që zhvillohet të mërkurën.
Sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Anglisë, Wayne Rooney, thotë se pozita qendrorë në sulm është pozita ku ai mund të bëjë më shumë për skuadrën sesa në rolin e sulmuesit të majtë.Trajneri i Anglisë, Fabio Capello, e ka shfrytëzuar Rooneyn në qendër të sulmit, ndërkohë që anglezi ka shënuar 10 gola në 8 ndeshjet e fundit me përfaqësuesen. “Nuk mendoj se mund ta shpreh veten dhe të kem ndikim në një ndeshje, ashtu siç e bëj kur luaj përpara (në qendër). Në anën e majtë është vështirë duke lëvizur lartë e poshtë gjatë gjithë ndeshjes”, ka thënë Rooney për “The Telegraph”.
Mesfushori i Brazilit dhe Juventusit, Felipe Melo, thotë se Diego duhet të luajë në ndeshjen vendimtare të të shtunës, të cilën Brazili e zhvillon si mysafir i Argjentinës.‘Plejmejkeri’ bardhezi ka pasur një start të shkëlqyer në Serie A, mirëpo ai është anashkaluar nga trajneri i Selecao, Carlos Dunga. “Nëse ai luan për Brazilin, atëherë do të isha i lumtur. Ai është një mik i mirë dhe një lojtar i shkëlqyer”, ka thënë Melo.
Mesfushori i Liverpoolit, Alberto Aquilani, ka deklaruar se do ta dëshmojë veten me Redsat porsa të rikuperohet plotësisht, pas ndërhyrjes kirurgjike në nyje.“E di se Liverpooli ka shpenzuar miliona për të më transferuar dhe unë jam këtu të dëshmoj se vlej”, ka thënë Aquilani për faqen zyrtare të Të Kuqve. Ish-lojtari i Romës ka thënë se i pëlqen Liga Premier, për stilin, dinamikën dhe spektaklin, porsa nuk e ka quajtur si liga më e mirë në Evropë. “Nuk mund të them nëse është liga më e mirë në Evropë, por padyshim që është më spektakulare, dinamike dhe sfiduese”, ka shtuar italiani.
Sulmuesi italian Vincenzo Iaquinta është i gatshëm ta ndëshkojë Gjeorgjinë në ndeshjen e të shtunës mbrëma në Tbilisi, ku pritet që sulmuesi i Juventusit të startojë në sulm me Giuseppe Rossin.“Gjithmonë jam ndier si startues i rregullt në këtë ekip. Unë jam i këtillë, asnjëherë nuk heq dorë, as atëherë kur duhet të qëndroj në stol”. “Unë luaj mirë krahas Rossit dhe ky është shansi im i madh. Duhet t’i krijoj vetë shanset e mia”, ka thënë Iaquinta për “Il Corriere Dello Sport”.
Sulmuesi i Milant, Klaas-Jan Huntelaar, është i gatshëm t’i hakmerret ish-skuadrës së tij Real Madrid, kur dy skuadrat do të përballen në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.“E di se ndeshja do të luhet në tetor. Do të luajmë kundër Realit dhe do të ishte madhështore po ta vendosja nënshkrimin tim në atë përballje”. “Brenda gjashtë muajsh kam pasur tre trajnerë dhe tre presidentë. Shënova tetë herë në Spanjë sezonin që shkoi dhe isha sulmuesi më i mirë gjatë asaj periudhe. Reali pagoi 27 milionë euro për mua, por prapëseprapë më shitën”, ka treguar holandezi për Ilsussidiario.net.
Portieri i Brazilit, Julio Cesar, është i bindur se përfaqësuesja e tij do të nxjerrë rezultat pozitiv në ndeshjen e të shtunës kundër Argjentinës.“Po të isha lojtar i Argjentinës do të isha i preokupuar me Brazilin”, ka thënë portieri Interit, duke shtuar se megjithatë ka respekt për kundërshtarin e tij. Edhe Cesar, si të gjithë argjentinasit, ka vënë bastin mbi superyllin Leo Messi: “Messi është lojtar nga një tjetër planet”, shprehet ai.
Sipas ish-trajnerit të Romës, njëkohësisht trajnerit më me përvojë në Itali, Carlo Mazzone, gara për Scudetto në sezonin 2009/2010, do të zhvillohet ndërmjet Juventusit dhe Interit.“Këtë sezon, për Scudetto pres përballje kokë më kokë ndërmjet Juventusit dhe Interit”. “Milani do t’u shkojë prapa, sepse nuk mendoj që (Rossonerët) do të mund t’i rikuperojnë të gjitha ndryshimet që kanë bërë deri më tani”, ka thënë Mazzone për “Corriere dello Sport” duke shtuar se edhe sigurimi i një vendi për në Ligën e Kampionëve do të paraqesë një garë të fortë. “Tash për tash Fiorentina është favoriti im, mirëpo aty është Genoa që është shumë afër, Sampdoria skuadër e cila mund të jetë zbulimi i këtij sezoni, Lazio, Napoli, Roma dhe Palermo”, ka shtuar Mazzone.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, thotë se ndeshja e të shtunës ndërmjet Argjentinës dhe Brazilit, e cila do të zhvillohet në qytetin e tij Rosario, është ndeshja ku ai do të shkëlqejë.Trajneri i Argjentinës, Diego Maradona, ka kërkuar që kjo përballje të transferohet nga Buenos Airesi, në qytetin e lindjes së Messit, me qëllim që t’i japë motivim shtesë lojtarit më të mirë në botë. “Është shumë e veçantë që do të luaj në qytetin tim. Kjo është ndeshja ime- një ‘Clasico’ të cilin Brazili do të mundohet ta fitojë. Nuk ka rëndësi nëse shënoj unë ose ndonjë bashkëlojtar e bën këtë, por ajo që është e rëndësishme është fitorja”. “E dimë se kjo ndeshje është e rëndësishme dhe ne jemi të bindur se do ta fitojmë”, ka thënë Messi.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, thotë se nuk ka nevojë të jetë si superylli brazilian i Real Madridit, Ricardo Kaka, për të luajtur futboll të mirë.“Nuk duhet të jem Kaka që ta luaj futbollin tim. Ne jemi dy lojtarë të ndryshëm që po mundohemi të japim më të mirën për skuadrat tona”, ka thënë Iniesta, i cili ende nuk është aktivizuar në sezonin e ri, si pasojë e një infeksioni. “Tash për tash po mendoj vetëm për (ndeshjen kundër) Getafe”, ka shtuar spanjolli në një intervistë për “AS”.
















