Sipas mediave italiane, Francesco Totti ësthë i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje të re me Romën këtë javë, e cila do ta mbajë atë në Olimpico deri në vitin 2014.
Pas një jave turbulente gjatë të cilës Luciano Spalleti dha dorëheqje, ndërsa Claudio Ranieri erdhi në kreun e ekipit, përfundimisht do të ketë edhe lajme të mira për fansat e klubit romak. Kapiteni do ta vazhdojë besimin e tij dhe do të nënshkruajë marrëveshje të re, sipas të cilës do të fitojë rreth 4 milionë funte në vit. Presidentja e klubit, Rosela Sensi më herët pati deklaruar se puna është e kryer, por ata sot është dashur të mbajnë një takim dhe të vendosin edhe për zyrtarizmin e dokumenteve të shkruara. Totti është i lindur në Romë dhe është legjendë e vërtetë e klubit. Ai disa herë ka deklaruar se dëshiron ta përfundojë karrierën në Olimpico.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti Kampioni i Italisë, Interi, ka kërkuar nga Sports Investment Group të mendojë disa opsione për stadium të ri të klubit.
Nerazurët tashmë një kohë të gjatë janë në përpjekje për të ndërtuar një stadium modern, ndërsa sipas mediave kapaciteti i stadiumit të ri do të ishte rreth 60 mijë ulëse dhe projekti do të përfundonte në vitin 2014. “Punojmë në një shtëpi të re të Interit dhe krijojmë opsione të cilat do të duhet të jenë përzierje e të kaluarës së klubit dhe të ardhmes me shumë teknologji dhe multimedia”, ka thënë menaxheri i projektit, Nicholos Gancikoff për Gazzetta dello Sport. Përveç Interit me stadium të vet në vitin 2011 pritet të bëhet edhe Juventusit, ndërsa Milani sheh mundësinë për ta blerë San Siron, stadiumin të cilin e ndajnë me Interin. Stadiume të reja përpiqen të ndërtojnë edhe Fiorentina dhe Genoa.
Rafinha Milani tashmë ka filluar të mendojë për afatin kalimtar të janarit, për të provuar shanset e transferimit të Rafinha (Schalke), Gareth Bale (Tottenham Hotspur) dhe ta rikthejë David Beckhamin (L.A. Galaxy).
Rossonerët kanë nevojë për një mbrojtës të majtë dhe një mbrojtës të djathtë, ndërsa “Il Corriere Dello Sport” njofton se trajneri Leonardo ka shënjestruar dyshen Bale dhe Rafinha për këto pozita. Ndërkohë, vetë Beckham ka shprehur dëshirën që të kthehet sërish në San Siro, gjë që do t’i ndihmonte për të siguruar një vend në përfaqësuesen e Anglisë, por njëkohësisht do t’i jepte shtytje të madhe mesfushës së Milanit.
Rekorderi francez Thierry Henry e ka shokuar trajnerin Raymond Domenech duke i thënë pikërisht atë që mendojnë lojtarët e përfaqësueses së Francës për metodat e tija trajnuese.
Sulmuesi i Barcelonës i ka thënë trajnerit se lojtarët që përfaqësojnë Francën janë mërzitur dhe janë të hutuar nga ajo që kërkohet të bëjnë në seancat stërvitore. “Trajner, kemi diçka për të të thënë. Po flas në emër të ekipit. Jemi duke u mërzitur me seancat e tua trajnuese. Në 12 vite me përfaqësuesen e Francës, asnjëherë nuk kam qenë në nj situatë të këtillë”. “Nuk dimë si të luajmë, ku të qëndrojmë në fushë, si të organizohemi. Nuk dimë çfarë të bëjmë. Nuk kemi stil, nuk kemi udhëheqje. Nuk po shkon”, citohet Henry nga “Le Parisien” t’i ketë thënë Domenechut.
Sulmuesi i dikurshëm i Lazios dhe Juventusit, Paolo Di Canio, është emri më i fundit nga bota e futbollit që e ka lëvduar mesfushorin e Juves, Diego.
“Ai është i vetmi ‘trequartista’ (mesfushor ofanziv prapa sulmuesve) i vërtetë në botë. Ai është model se si duhet një lojtar të lëvizë nëpër fushë. Është shumë vështirë për ta ndaluar dhe kualitetet e tija teknike janë mbi mesatare”.“Mënyra se si e interpreton rolin e tij, është e nivelit të lartë. A është ai më i mirë se Kaka? Po, ish-lojtari i Milanit nuk mund të vallëzojë nëpër fushë siç bën Diego”, ka thënë Di Canio për “Tuttosport”.
Ish-mbrojtësi i Milanit, Cafu, beson se është rrezik që Rossonerët të mbështeten te Ronaldinho, duke thënë se ish-ekipi i tij do të mbetet pa asnjë trofe nëse mbështetet te braziliani.
“Një ekip nuk mund të mbështetet vetëm te një lojtar si Ronaldinho. Ai duhet të dëshmohet se është i rëndësishëm, mirëpo nuk mund ta bëjë vet asgjë”.“Të tjerët duhet të luajnë dhe të ndihmojnë. Ronaldinho i di përgjegjësitë e tij, dhe ai është fundamental për Milanin tash kur Kaka është larguar. Ai duhet të luajë më shumë. Por, Milani nuk do të fitojë asgjë nëse bazohet vetëm në të”, ka thënë Cafu “La Gazzetta Dello Sport”.
Sulmuesi italian Luca Toni ka thënë se do të largohet nga Bayern Munichu nëse trajneri Louis van Gaal nuk e konsideron si pjesë të ekipit të parë.
Me ardhjen e Mario Gomezit, Toni pritet të jetë në stolin rezervë të bavarezëve, gjë që nuk i pëlqen ish-sulmuesit të Fiorentinës, dhe kjo mund të jetë arsye e largimit të tij nga Allianz Arena.“Unë jam i vetëdijshëm për kualitetet e mia dhe po ashtu janë edhe një numër i madh skuadrash...Nëse nuk jam pjesë e rregullt e ekipit të parë do të shikoj se çfarë ofrojnë skuadrat tjera”, ka thënë Toni për “Kicker”.
Giovanni Trapattoni ka dhënë opinionet e tij në lidhje me garën e sivjetme për Scudetto, e cila pritet të zhvillohet ndërmjet Interit dhe Juventusit.
“Interi ka humbur një lojtar të madh, Ibrahimovicin. Mirëpo ka sjellë Militon, Thiago Mottan, Eto’o-n, Sneijderin dhe Lucion. Të gjithë ata janë lojtarë të cilët veç kanë qenë të fortë dhe vazhdojnë të jenë të tillë”.“Nerazzurët janë ende favoritë, por e njoh (trajnerin e Juventusit) Ferraran dhe ai është dinak. Ferrara po ndërton një ekip të vërtetë.”“Mund të shihet qartë se pas golave të shënuar kundër Romës në Olimpico, lojtarët e vjetër dhe të ri kanë krijuar një njësi, pa xhelozi”. “Prandaj Interi duhet të ketë kujdes nga ky Juve ‘i vërtetë’”, ka thënë trajneri i Irlandës për “La Gazzetta dello Sport”.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, nuk është më trajneri më i paguar në botë, dhe këtë ‘titull’ tash e mban ish-menaxheri i Chelseat dhe kombëtares së Brazilit, Luis Felipe Scolari.
Braziliani ka nënshkruar kontratë 18-muajshe me ekipin nga Uzbekistani, Bunyodkor, ku do të fitojë plot 13 milionë euro për shërbimet e tij, duke e lënë prapa Mourinhon me 11 milionë për sezon, sa aktualisht merr. Fituesi i Kupës Botërore në vitin 2002, thotë se ai është këtu për të fituar dhe dëshiron ta përmirësojë lojën e futbollit në Uzbekistan. “Jam këtu pasi besoj se mund të kontribuoi në ngritjen e lojës uzbeke”, raportohet të ketë thënë Scolari.
Me thashethemet se legjenda e Juventusit, David Trezeguet, është i gatshëm për t’u rikthyer te ish-ekipi i tij, Monaco, biankonerët janë hedhur në kërkim të zëvendësimit të tij, duke kthyer shikimin kah sulmuesi i Villarrealit, Giuseppe Rossi.
Ekipi spanjoll ka negociuar edhe më herët me klubin italian për mundësinë e shkëmbimit të lojtarëve, por nuk rezultoi asgjë nga këto biseda. Villarreali tash kërkon së paku 25 milionë euro për shërbimet e Rossit. Po ashtu në radarin e Juventusit është edhe sulmuesi i Napolit, Ezequiel Lavezzi, dhe ai i Lazios, Goran Pandev, me këtë të fundit që mund të arrijë që në janar, nëse në garë nuk futet edhe Interi.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, e ka përshkruar bashkë-lojtarin e tij te kombëtarja e Argjentinës, Lionel Messi, si lojtarin më të mirë në botë.
“Messi është lojtari më i mirë në botë, gjërat të cilat ai i bën me top janë të pabesueshme. Nëse dikush di se si ta ndalojë atë, ata duhet të më tregojnë. Për momentin, ai është një lojtar më ndryshe, është qejf dhe nder të jesh në të njëjtën skuadër me të”, ka thënë Zanetti. Ai ka folur edhe për ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kampionëve përballë Barcelonës, por ka thënë se më e rëndësishme për momentin është të fitojnë ndeshjen vendimtare për kualifikim për Kupën Botërore ndaj Paraguait të mërkurën. “Objektivi ynë i menjëhershëm është kualifikimi për në Kupën Botërore, por shumë shpejt do të jemi rivalë”, ka thënë 36-vjeçari.
Real Madrid ka kërkuar që mesfushori brazilian Kaka të rikthehet në klub sa më shpejtë që është e mundur, pasi ka mësuar se ai nuk do të jetë pjesë e ndeshjes së radhës me Brazilin, asaj përballë Kilit, për shkak të suspendimit.
Kaka morri karton të verdhë në fitoren 3-1 ndaj rivalit Argjentinës në ndeshjen e zhvilluar në Rosario të shtunën mbrëma, që e ndalon atë të luajë në ndeshjen e radhës kualifikuese për Botërorin 2010. Zyrtarët e Madridit tash kanë kërkuar nga Federata Braziliane e Futbollit ta lejojnë Kaka të rikthehet në Bernabeu, për t’u përgatitur më shumë për udhëtimin e të shtunës në Barcelona, ku do të përballen me Espanyolin.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Robinho, thotë se ekipi anglez këtë sezon ka kualitet të mjaftueshëm për të fituar titullin.
Braziliani, i cili është në detyrë me kombëtaren e tij, por për shkak të lëndimit të muskulit do të humbë ndeshjen me Kilin, sipas mediave angleze është cak i Barcelonës. Por ish-ylli i Real Madridit pranon se është i impresionuar nga transferimet e Cityt këtë verë dhe beson se ata mund të luftojnë për trofe. “Klubi i ka përcaktuar qëllimet e veta këtë sezon në një nivel shumë të lartë dhe këtë e ka treguar me paraqitjen në tregun e transferimeve. Kemi ndërtuar një përbërje më të fuqishme se sezonin e kaluar dhe mund të përballemi me cilindo ekip”, ka thënë Robinho. “Tash duhet të kuptojmë se duhet të jemi mentalisht më të fuqishëm. Duhet ta bëjmë atë këtë sezon dhe kemi gjithçka që është e nevojshme për ta fituar titullin. Sa më shumë mendoj në këtë, aq më shumë besoj se ky vit do të jetë i yni”, ka shtuar braziliani.
Sulmuesi i Milanit, Marco Borriello, mund të jetë në rrugë për t’u larguar nga San Siro, shkruajnë mediat italiane.
Ish-sulmuesi i Genoas është duke dështuar të gjejë golat nën drejtimin e trajnerit Leonardo dhe tashmë ka nxitur interesimin e Napolit. Milani është duke menduar seriozisht ta shesë Borriellon në janar dhe të shfrytëzojë paratë që do të marrë nga ai për të bërë ofertë të re për sulmuesin e Sevillas, Luis Fabiano. Një rikthim kah sulmuesi i Parmës, Alberto Paloschi, po ashtu është përmendur, me Borriellon që mund të përdoret për shkëmbim.
Pavarësisht këshillave nga Fabio Cannavaro, duket se mbrojtësi anësor i Interit, Davide Santon, e ka të qartë të ardhmen e tij.
Pasi komentet e mbrojtësit të Juventusit irituan trajnerin Jose Mourinho, së fundi vetë Santon ka shprehur besimin e tij për kampionin në fuqi të Serie A.“Dua të qëndroj në Inter dhe e gjithë çfarë mendoj është të luaj për nerazurët”, ka thënë i riu italian për Gazzeta dello Sport.
Mbrojtësi i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, thotë se shanset që ish-skuadra e tij, Liverpool, ta fitojë titullin e Ligës Premier këtë sezon janë minimale.
Arbeloa thotë se ‘të kuqtë’ kanë gabuar shumë me shitjen e mesfushorit Xabi Alonso, prandaj kjo humbje do t’u kushtojë edhe me trofe.“Gjëja që gjithmonë do ta them për Xabin është se ai nuk është njeriu që fiton ndeshjen, por ai është njeriu që fiton tituj”.“Ai sjell shumë baraspeshë dhe rregull në skuadër, dhe është e pamundur që të mos e vlerësosh se sa lojtar i rëndësishëm është”, ka thënë Arbeloa për People.
Kapiteni i Anglisë, John Terry, ka kërkuar nga skuadra e tij të jetë më agresive në përballjen e të mërkurës mbrëma kundër Kroacisë.
Tre Luanët janë nikoqirë të kroatëve në Wembley, ndërsa fitorja do t’ua siguronte vizën për Kampionatin Botëror 2010.“Mendoj se në 15 minutat e para duhet të jemi agresivë dhe të matemi me ta. Kur topi vihet në fushë dhe fillon loja, mendoj se kemi dëshmuar që mund të matemi me shumë skuadra në botë”, thotë Terry.Mbrojtësi i Chelseat ka shtuar se presioni i ndeshjes duhet të jetë mbi mysafirët dhe ka kërkuar nga bashkë-lojtarët e tij të kenë durim.
Barcelona planifikon ta transferojë mesfushorin e Interit, Patrick Vieira, gjatë afatit kalimtar të janarit.
Duke qenë se Yaya Toure dhe Seydou Keita do të luajnë për Kupën e Afrikës, blaugranët do të jenë të dobët në mesfushë, prandaj do të kenë nevojë për së paku një mesfushor defanziv.Sipas Sport.es, katalunasit kanë shënjestruar francezin si njeriun e duhur për ta plotësuar zbrazëtinë në fushë.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, ka thënë se bashkëlojtari i tij Wayne Rooney është lojtari më i mirë në Ligën Premier.
“Wayne është talenti më i madh në Ligën Premier. Kemi humbur një lojtar të madh si Ronaldo, mirëpo edhe kur ai ishte në skuadër, për mua Wayne ishte talenti më i madh natyral”. “Ai ka më shumë nga loja se Ronaldo. Ia dëshiroj të gjitha të mirat Cristianos, mirëpo ai i takon të kaluarës dhe Manchester Unitedi mund të bëhet edhe më i madh dhe më i mirë pa të”, ka thënë bullgari për “Sky Sports”.