Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë sot një shkresë nga shtëpia e futbollit botëror, FIFA, të nënshkruar nga presidenti i saj, Sepp Blatter.
Në këtë letër thuhet: “I nderuari president Vokrri, ju faleminderit për letrën tuaj të datës 24 gusht, 2009. Ne jemi duke shqyrtuar situatën (rastin) tuaj në pikëpamje jo vetëm të federatës, por edhe të klubeve dhe lojtarëve. Ne do t’u kontaktojmë sërish pas takimit të ardhshëm të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, i cili do të zhvillohet në fund të këtij muaji në Rio de Zhaniero”.
Në postën elektronike të Federatës së mundjes të Kosovës ka arritur një ftesë nga kreu i Federatës ndërkombëtare të mundjes (FILA), Raphael Martinetti, për të përcjellë Kampionatin Botëror në mundje për seniorë që do mbahet nga data 21-27 shtator në Herning të Danimarkës.
Kryetari i FMK-së, Naim Muja, ka konfirmuar se i është përgjigjur pozitivisht ftesës dhe së bashku me sekretarin e përgjithshëm të federatës, Sylejman Shala, do të marrin pjesë në këtë aktivitet. “Gjatë qëndrimit tonë në Danimarke do të kontaktojmë më krerët më të lartë të FILA-s që Federata e Mundjes e Kosovës të pranohet më drejta të plota në këtë institucion”, ka thënë Muja.
Skuadra e Milanit ka njoftuar se ia ka vazhduar kontratën mesfushorit Massimo Ambrosini deri në vitin 2011.
Dy palët kanë biseduar gjatë kësaj vere në lidhje me zgjatjen e kontratës, ndërsa pas një dialogu jo shumë të gjatë është arritur marrëveshja. Vazhdimi i kontratës vjen vetëm disa muaj, pasi klubi kishte njoftuar se Ambrosini mund të jetë kapiteni i ri i Milanit. Ambrosini luan për Rossonerët që nga viti 1995 kur u transferua nga Cesena, ndërsa sipas të gjitha gjasave, ai do ta mbyllë karrierën në San Siro.
Mesfushori gjerman Bastian Schweinsteiger thotë se atij i interesojnë medaljet me Gjermaninë dhe jo statistikat për paraqitjen e tij me fanellën e përfaqësueses.
Në ndeshjen e të mërkurës kundër Azerbajxhanit, mesfushori i Bayern Munichut do ta shënojë paraqitjen e 70-të me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, ndërsa është vetëm 25-vjeç. Me këtë moshë, Schweinsteiger mund ta thyejë rekordin të cilin e mban legjenda gjermane Lothar Matthaus, me 150 paraqitje për Gjermaninë. “Më mirë do ta përfundoj karrierën me 90 paraqitje dhe ta fitoj Kupën e Botës ose Kampionatin Evropian, sesa ta përfundoj karrierën si lojtari me më shumë paraqitje pa fituar asnjë titull të madh”, ka thënë Schweinsteiger.
Trajneri i Italisë, Marcello Lippi, nuk pret asgjë tjetër veç fitores kundër Bullgarisë, në ndeshjen e të mërkurës mbrëma.
Nëse Azzurët e fitojnë këtë ndeshje, ata do të jenë shumë pranë kualifikimit për Kampionatin e ardhshëm Botëror. “Kjo është ndeshja më e rëndësishme për ne, sepse do ta mbyllë diskutimin sa i përket kualifikimit”. “Ne jemi skuadër më kualitative, si në aspekt fizik, ashtu edhe në aspekt teknik. Nuk ka rëndësi kush shënon, madje edhe nëse ndonjë mbrojtës i tyre shënon, me rëndësi është që ta përfundojmë ndeshjen me fitore”, ka thënë Lippi.
Kapiteni i dikurshëm i Arsenalit, Tony Adams, mendon se Topçinjtë janë duke përparuar vazhdimisht, por kur është fjala për ta fituar titullin e Ligës Premier, ata ngecin.
“Ata janë shumë pranë. Mendoj se Arsene (Wenger) po mundohet t’u dëshmojë të gjithëve se e kanë gabim dhe ta fitojë Ligën me këtë grup lojtarësh, dhe shpresoj ta bëjë këtë”. “Por, siç thash, shpresoj të dëshmojë se edhe unë e kam pasur gabim. Shpresoj që djemtë arrijnë sukses dhe e fitojnë titullin këtë vit. Por unë mendoj se ende nuk munden”, është shprehur Adams për “Sky Sports News”.
Në ndeshjen e zhvilluar në Kopenhagë në prill të këtij viti, Danimarka e kishte mposhtur Shqipërinë me rezultat 3-0, por lojtari që mungoi në atë ndeshje, Lorik Cana, thotë se të mërkurën mbrëma do të ketë një Shqipëri tjetër në fushë.
“Vërtet është kundërshtari që ka pasur më shumë sukses dhe ka shumë mundësi të jetë në krye të grupit. Këtë e tregojnë vetë rezultatet që kanë arritur. Kanë shumë pikë për aq ndeshje sa kanë luajtur”. “Normalisht do të vijnë këtu për të mbyllur gjithçka për sa i përket vendit të parë. Nga ana tjetër, ne jemi në rrugën e kolaudimit të ekipit të së ardhmes dhe testi me kundërshtarë të fortë është prova më e mirë për të krijuar ide më të qarta”. “Jam i bindur se do të jetë një tjetër lojë, një tjetër ndeshje nga ajo që kemi treguar në Kopenhagë para disa muajsh”, citohet Cana nga “Top-Channel”. Nëse Danimarka shënon fitore në “Qemal Stafa”, atëherë do të sigurojë kualifikimin për Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Jorge Valdano thotë se Alvaro Negredo do të kthehet një ditë të luajë në Bernabeu së bashku me disa lojtarë të rinj të cilët janë larguar nga Los Blancos.
Negredo kaloi te Sevilla për shumën prej 15 milionë eurosh, ndërsa Mbretërit e kanë mundësinë që ta blejnë atë brenda dy vitesh nëse paguajnë 18 milionë euro.“Ai është një person me besim të madh në vetë. Mendoj se ai ka gjithçka që nevojitet për të luajtur në sulmin e Madridit”.“Po ashtu, është vërtetë se ne e njohim potencialin e tij. Dhe mundësitë janë të mëdha që Negredo do të kthehet në skuadër brenda një ose dy sezonesh”, ka thënë Valdano.
Drejtori sportiv i Real Madridit, Jorge Valdano, ka shpjeguar arsyen e shitjes së anësorit holandez Arjen Robben, duke thënë se arsyeja ishte transferimi i Cristiano Ronaldos.
“Kur një skuadër transferon dikë si Cristiano Ronaldo, një lojtar me karakteristikat e Robben, atëherë ky i fundit duhet të largohet. Është vështirë të kesh dy lojtarë të asaj kategorie, një startues dhe një rezervë”, ka thënë Valdano për “Marca”. Robben u transferuar te Bayern Munichu në fund të afatit kalimtar veror për shumën prej 25 milionë eurosh, ndërsa shkëlqeu me fanellën e bavarezëve që në ndeshjen e parë.
Juventusi ka pësuar një goditje të madhe para ndeshjes së rëndësishme kundër Lazios, pasi që kapiteni Alessandro Del Piero nuk do të luajë në këtë përballje si pasojë e lëndimit.
“Tuttosport” njofton se lëndimi i cili e ka munduar javët e fundit simbolin bardhezi është shfaqur sërish, prandaj mjekët ia kanë ndaluar që të luajë në ndeshjen e rëndësishme kundër Lazios, e cila zhvillohet në Olimpico të Romës. Pritet që David Trezeguet ta zë vendin e Del Pieros, duke qenë se Vincenzo Iaquinta ndoshta do të lejohet të pushojë pas dy ndeshjeve me përfaqësuesen e Italisë.
Trajneri i ri i Romës, Claudio Ranieri, kërkon angazhim maksimal nga lojtarët e tij për të shënuar fitore në përballjen e fundjavës kundër Sienas.
“Duhet të reagojmë ndaj vështirësive tona sa më shpejt që mundemi”. “Për ta nxjerrë veten nga kjo situatë, lojtarët duhet të jenë të vendosur për ndryshime”, ka thënë Ranieri për “Sky Sport Italia”.
Skuadra nga MLS amerikane, LA Galaxy, dëshiron ta transferojë mbrojtësin e Barcelonës, Rafael Marquez, nga sezoni i ardhshëm.
“Sport” njofton se ekipi kalifornian planifikon ta transferojë meksikanin me qëllim që ta zëvendësojë emrin e David Beckhamit pasi mesfushori të largohet nga skuadra. Barcelona përveç se ka qendërmbrojtësit Carles Puyol, Gerard Pique dhe Gabriel Milito (që po rikuperohet), po ashtu gjatë këtij afati kalimtar, katalunasit transferuan edhe ukrainasin Dmytro Chygrynskiy, kështu që largimi i Marquez mund të ndodhë lehtë.
David Beckham ka thënë se është i kënaqur që t’ia plotësojë çdo kërkesë trajnerit të Anglisë, Fabio Capello, vetëm e vetëm që të jetë pjesë e përfaqësueses në Afrikën e Jugut.
“Trajneri gjithmonë më ka thënë se ofroj gjëra të ndryshme. Ai do ta zgjedhë një ekip dhe lojtarët të cilët do t’i fitojnë ndeshjet ose garat”. “Jam i lumtur që jam në skuadër. Ky është qëndrimi im, edhe nëse kjo do të thotë se do të luaj vetëm 20 minutat e fundit të ndeshjes”. “Prandaj jam i lumtur të jem i përfshirë në këtë skuadër, me këta lojtarë në këtë fushatë kualifikuese”, ka thënë Beckham për “The Daily Mirror”.
Sulmuesi anglez Jermain Defoe e merr si shembull karrierën e shkëlqyeshme të David Beckham, për t’u përballur me zhgënjimet e tij.
Në vitin 2006, ai u la jashtë formacionit të Anglisë nga trajneri i atëhershëm Sven Goran Eriksson. Por tash pas tre vitesh, ai është shtylla e sulmit të kësaj kombëtareje, dhe tashmë ka shënuar pesë gola në tre ndeshje.“Për mua zhgënjim i madh ishte kur u lash jashtë Kampionatit Botëror në vitin 2006, dhe kur kaloni momente të tilla në jetë, është në pyetje se si do të reagoni dhe si do të ktheheni”, ka thënë Defoe.“Nëse shihni kah futbollistët më të mëdhenj, ata të gjithë kanë kaluar në këtë. Nëse shihni David Beckham, i cili morri karton të kuq në Kampionatin Botëror në vitin 1998 dhe duhej të kthehej pas këtij zhgënjimi, atë e bëri me gol kundër Greqisë dikur më pas, ai gol i solli Anglisë kualifikim në kampionat”.“Kur i shihni lojtarët si ai, mësoni. Duhet ta ngrini kokën lartë dhe të vazhdoni të punoni duke shpresuar se do të fitoni rast, dhe kjo dua të më ndodhë mua me kampionatin botëror”, ka shtuar sulmuesi i Tottenhamit.
Legjenda e dikurshme e Milanit, George Weah, mendon se Samuel Eto’o mund të bëhet "Weah i Interit".
“Për ta përsëritur veten në Itali, ai duhet të punojë shumë. Serie A është një ligë e vështirë. Te Barcelona ai ka bërë disa gjëra të jashtëzakonshme”. “Kur unë erdha nga Paris Saint-Germain, shumë njerëz ishin skeptikë për aftësitë e mia, sepse erdha nga Franca. Mirëpo unë punova shumë dhe arrita sukses edhe në Itali”. “Ia dëshiroj të gjitha të mirat, edhe pse luan për Interin”, është shprehur Weah për Repubblica.it.
Një javë par ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka sfiduar trekampionët duke thënë se ekipi i tij është i gatshëm të shfaqë fuqinë e vet.
“Zlatan vendosi të kalojë te Barcelona dhe gjithçka do të shkojë mirë, ai është një lojtar i mirë. Eto’o erdhi te ne si një sulmues me kualitete të mëdha, dhe ai e ka dëshmuar këtë duke shënuar në ndeshje të mëdha”. “Është gjithmonë e veçantë të luash kundër kampionëve të Evropës (për klube), dhe jam sigurt se do ta japim më të mirën nga vetja që të nxjerrim rezultat të mirë. Kam besim të madh në bashkëlojtarët e mi”, ka thënë Zanetti për Repubblica.it.
Njëri nga mbrojtësit më të mirë në futbollin e Kosovës, ish-lojtari i Prishtinës, Visar Berisha, ka vendosur që karrierën e tij futbollistike ta vazhdojë në Zvicër.
Berisha ka firmosur kontratë një vjeçare më FC Schaffhausen, skuadër kjo që bën gara në Ligën e Dytë te Zvicrës. “Vendosa të nënshkruaj për skuadrën zvicerane pasi që kushtet janë diçka më të mira në Schaffhausen. Shpresoj se do të jap maksimumin në këtë skuadër”, ka thënë Berisha. I kënaqur më transferimin e Berishës, është shprehur edhe menaxheri i Schaffhausen, Kristian Stubi. “Berishën e kemi parë kur ka luajtur në Winterthur dhe na kanë pëlqyer kualitetet e tij. Mendoj se kemi bërë një përforcim të qëlluar më këtë futbollistë. Qëllimi ynë është të krijojmë një skuadër stabile dhe nuk kemi ambicie që të ngjitem në elitën e futbollit zviceran”, ka thënë Stubi.