Sulmuesi shqiptar, i cili aktivizohet për kombëtaren e Austrisë, Atdhe Nuhiu, ka shënuar dy gola për t’i dhënë fitoren 3-1 kësaj kombëtareje në ndeshjen si vendas përballë shpresave të Shqipërisë.Austriakët kaluan në epërsi të dyfishtë pas vetëm pesë minutash, ndërsa e trefishuan atë që në pjesën e parë të ndeshjes së vlefshme për kampionatin evropian U21, Euro 2011. 20-vjeçari nga Prishtina, Atdhe Nuhiu, solli avantazhin e parë për vendasit që në minutën e tretë, ndërsa atë e dyfishoi Andreas Weimann pas vetëm dy minutash tjera. Shumë shpejt erdhi edhe goli i dytë i kosovarit Nuhiu, i cili trefishoi rezultatin në minutën e 13-të të lojës. E gjithë çfarë arritën të rinjtë kuqezi ishte ngushtimi i rezultatit në 3-1 me anë të mesfushorit Odise Roshi.
Përfaqësuesja e Republikës Çeke ka shënuar fitore të lartë prej 7-0 ndaj San Marinos, në ndeshjen e vlefshme për Grupin e Tretë për kualifikim në Kampionatin e ardhshëm Botëror.Sulmuesi i Galatasarayt, Milan Baros, ka shënuar katër gola në këtë ndeshje, ndërsa ‘hat-trickun’ e arriti që në pjesën e parë. Vaclav Sverkos ishte lojtari tjetër çek që shënoi dy gola, ndërkohë një gol e shënoi Tomas Necid. Me këtë fitore, Republika Çeke mban gjallë ëndrrën për të siguruar vizën për në Afrikën e Jugut.
Sulmuesi i dikurshëm i Interit, Maurizio Ganz, thotë se Samuel Eto’ dhe Diego Milito do të paraqesin rrezik kryesor për Barcelonën, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve në Giuseppe Meazza.“Do të jetë një ndeshje spektakolare, përplot lojtarë të cilët dinë si ta kënaqin publikun”. “Nuk mendoj se Interi është inferior. Partneriteti Eto’o-Milito do ta dëmtojë Barcelonën”. “Interi duhet të ketë kujdes nga ‘plejmejkerët’ e Barcelonës, por unë mendoj se Mourinho është duke përgatitur një plan për ata”, ka thënë Ganz për FCinternews.it.
Mjekët ia kanë dhënë dritën e gjelbër Andres Iniestas që të kthehet në fushë, pasi kaloi gjithë verën duke u rikuperuar nga lëndimi.Pas testeve të bëra mëngjesin e sotëm, mjekët e Barcelonës i kanë thënë mesfushorit spanjoll se është i gatshëm për lojë, ndërsa pritet që trajneri Pep Guardiola ta përfshijë në skuadër për ndeshjen kundër Getafes. Iniesta është lënduar më 10 maj, mirëpo përkundër dhimbjes ai vendosi të luajë për t’u ndihmuar Balugranëve që ta fitojnë Ligën e Kampionëve. Megjithatë, takimi në finalen e Romës ia përkeqësoi edhe më shumë gjendjen, kështu që është dashur ta kalojë gjithë verën duke u marrë me fitnes. Por sido që të jetë, ai tash është i gatshëm, dhe kjo është një shtytje madhe për skuadrën kataluanse.
Sulmuesi boshnjak me pasaportë suedeze, Zlatan Ibrahimovic, planifikon të tërhiqet nga përfaqësuesja e Suedisë pas Kampionatit Botëror 2010, për t’u përqendruar te Barcelona.Suedia ende nuk e ka siguruar vizën për Afrikën e Jugut, ndërsa sulmuesi i Barcelonës është i bindur se do të luajë edhe në kampionatin që vjen, për ta kompletuar ‘hat-trickun’ e paraqitjeve të tij në kampionate botërore. Por pas Botërorit 2010 do të mendojë për t’u tërhequr: “Këtë mundësi do ta shqyrtoj pas finaleve të Kupës së Botës”. “Është me rëndësi për një lojtar të nivelit tim që të luajë me përfaqësuesen, por unë kam qenë në dy Kampionate të Evropës dhe dy Kupa të Botës”, ka thënë Ibracadabra.
Mesfushori i Interit, Thiago Motta, e ka paralajmëruar ish-skuadrën e tij, Barcelona, para ndeshjes së javës së ardhme në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kampionëve, e cila do të zhvillohet në Giuseppe Meazza.“Interi do ta ketë mbështetjen e tifozëve dhe ne jemi gati të përballemi në këtë ndeshje të vështirë. Duhet të jemi në formën tonë më të mirë, ashtu që të jemi më të mirë se ata”. “Eto’o është arma jonë, por ne kemi edhe lojtarë të tjerë të cilët mund ta vendosin këtë ndeshje, dhe unë shpresoj të ndodhë ashtu”, ka thënë Motta për Puntosport.net.
Njoftimet nga Franca pohojnë se trajneri Raymond Domenech ka vendosur ta mbajë në bankën rezervë anësorin e Bayern Munichut, Franck Ribery, edhe në ndeshjen e të mërkurës mbrëma kundër Serbisë.Derisa mediat i kushtojnë shumë rëndësi këtij takimi, ku vetëm fitorja do të jepte shpresë për ‘les Bleus’ për kualifikimin e mundshëm për Kampionatin e ardhshëm Botëror, Domenech thotë se kjo ndeshje nuk është vendimtare. Nga formacioni që barazoi kundër Rumanisë, do të largohet vetëm Julien Escude, i cili është i lënduar, kështu që Domenech ka vendosur t’u besojë lojtarëve që i inkuadroi fundjavën e kaluar.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, edhe njëherë e ka ripërsëritur se është i lumtur që luan për Topçinjtë, megjithatë ai thotë se të ardhmes në futboll nuk i dihet kurrë.Thashethemet nuk kanë të ndalur në lidhje me mundësinë e transferimit të spanjollit te Barcelona ose Real Madridi, mirëpo ai është i bindur se do të vazhdojë të luajë në Emirates, edhe pse gjithçka mund të ndodhë në sezonin që vjen. “Nuk kam folur me askënd. Çka do që ndodh, ndodh, por tani për tani nuk ka asgjë”. “Nuk e di nëse do të largohem nga Liga Premier vitin që vjen. Por unë jam i lumtur këtu dhe është një vit i rëndësishëm për klubin”, tha mesfushori spanjoll.
Sulmuesi bullgar Valeri Bojinov paralajmëron Italinë që të mos presë ndeshje të lehtë në Torino, dhe është i bindur se do t’i heshtë tifozët italianë.Të mërkurën mbrëma Italia dhe Bullgaria takohen në Olimpico të Torinos, ndërsa fitorja për Azzurët do të thoshte një hap pranë kualifikimit për Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010. “E ndoqa Italinë duke luajtur kundër Gjeorgjisë, dhe ky nuk është ekipi që unë e mbaj mend. Ne duhet të jemi të qetë dhe t’i shfrytëzojmë shanset tona”. “Ky nuk është ekipi nga Kupa e Botës, ne i respektojmë të zgjedhurit e Lippit, por nuk ia kemi frikën askujt”, ka thënë Bojinov për “Sky Sport Italia”.
Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri dhe nënkryetari Agim Ademi, kanë takuar në Tiranë përzgjedhësin e Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, si dhe futbollistët e kombëtares, veçmas ata nga Kosova.Takimi ka qenë mjaft i frytshëm ku është biseduar për futbollin e Kosovës dhe synimet që edhe Kosova të ndërtojë një përfaqësuese të fortë në të ardhmen. Kuzhe ka premtuar se me shumë kënaqësi do të vijë në Kosovë për të përcjellë edhe futbollistët në kampionatin Kosovës. Sot, krerët e FFK-së me ftesë të kryetarit të FSHF-së Armand Duka, do të jenë të pranishëm në drekën e përbashkët me drejtuesit dhe futbollistët e Kombëtares së Danimarkës, që do të jetë një rast i mirë për sensibilizimin e çështjes së futbollit të Kosovës. Po ashtu, Vokrri dhe Ademi do të jenë të pranishëm në lozhe në “Qemal Stafa”, ku të mërkurën mbrëma do të zhvillohet ndeshja Shqipëri-Danimarkë.
Mesfushori i dikurshëm i Milanit, Zvonimir Boban, ka paralajmëruar një partneritet të fuqishëm ndërmjet dyshes së Juventusit, Diego dhe Alessandro Del Piero.Transferi i ri dhe ikona e Juves, ende nuk kanë luajtur bashkë, për shkak të lëndimit të Del Pieros që do ta mbajë jashtë fushe edhe në ndeshjen e të shtunës mbrëma kundër Lazios. Ndërsa Boban mendon se ata nuk do ta kenë vështirë të luajnë njëkohësisht, përkundër ngjashmërive në lojën e tyre. “Ata duhet të luajnë bashkë dhe mendoj se do ta kenë lehtë, sepse mund t’i përdorin të dyja këmbët”. “Diego mund të përshtatet si sulmues mbështetës, ndërsa Del Piero është sulmues. Të dy lojtarët janë kampionë inteligjentë dhe mendoj se ata do të luajnë bashkë me sytë mbyllur”. “Kjo ma përkujton kohën kur luaja me Roberto Baggion dhe Dejan Savicevicin te Milani”, është shprehur Boban për “Tuttosport”.
Sulmuesi i Milanit, Klaas-Jan Huntelaar, ka kërkuar nga trajneri Leonardo t’i japë më shumë kohë loje dhe shpreson se do të jetë në fushë në ndeshjen e vikendit kundër Livornos.Pasi nuk u paraqit në ndeshjen e parë kundër Sienas, Huntelaar bëri një paraqitje të shpejtë në derbin ndaj Interit. Por, holandezi shpreson të luajë një kohë më të gjatë në ndeshjen e radhës. “Dua të më jepet mundësia të bëj atë për të cilën jam blerë ta bëj dhe kjo është të luaj. Jam mësuar me pak kohë në Real, por kam gjetur një situatë tjetër me Milanin. Sidoqoftë, mund të tregoj kualitetet e mia vetëm nëse më jepet hapësirë në ekip”, ka thënë Huntelaar.
Mesfushori i kombëtares së Malit, Seydou Keita, beson se Diego Maradona do të bënte një punë më të mirë duke shitur gazeta se sa duke drejtuar Argjentinën.Argjentina ia vështirësoi vetes punët për kualifikimin në Botërorin 2010 pas humbjes së vikendit ndaj Brazilit, dhe ylli i Barcelonës mendon se për t’u fajësuar është pikërisht Maradona. “Trajneri nuk luan në ndeshje, Maradona është i mirë për të shitur gazeta, por mbase si trajner ai nuk është aq i mirë, pasi nuk luan”, citohet të ketë thënë Keita.
Kapiteni i të rinjve të kombëtares shqiptare, Erando Karabeci, në një prononcim për Albaniasoccer, ka thënë ata do të kërkojnë së paku një pikë në ndeshjen e sotme përballë kombëtares U21 të Austrisë, ndeshje e vlefshme për kampionatin evropian U21, Euro 2011.“Stërvitja e fundit shkoi mirë. U munduam të adaptoheshim sa më mirë me fushën për ta pasur më të lehtë për nesër (e mërkurë) gjatë ndeshjes. Skuadra gëzon një formë të mirë si dhe optimizmi mbizotëron tek të gjithë”, ka thënë Karabeci, i cili shënoi golin e fitores në ndeshjen e kaluar kundër Azerbajxhanit. “Ndryshe nga ndeshja me Azerbajxhanin presioni nuk është mbi ne, por mbi ekipin Austriak dhe ne do mundohemi ta shfrytëzojmë sa më mirë këtë”. “Kemi ardhur këtu me objektivin për të fituar pikë edhe pse Austria mundi Skocinë në një ndeshje që u dominua shumicën e lojës nga skocezët”, ka shtuar Karabeci.
Përzgjedhësi i kombëtares së Rusisë, Guus Hiddink, pranon se ai është duke menduar për një rikthim në Ligën Premier pas fundit të Kupës Botërore 2010.Holandezi, i cili pjesën e dytë të sezonit të kaluar drejtoi Chelsean dhe kaloi disa muaj të suksesshëm në Stamford Bridge, planifikon të marrë një pushim të vogël pas Botërorit që zhvillohet verën e ardhshme në Afrikën e Jugut, por thotë se pëlqen rikthimin në Ligën Premier. “Në Angli kalova shkëlqyeshëm dhe para se të punoj në Chelsea shpesh i përcillja ndeshjet e Ligës Premier. Më pëlqen të jem në Angli dhe ta shijoj atmosferën. Sigurisht se më mungon, por po ashtu më pëlqen të punoj me djelmoshat në Moskë”, ka thënë Hiddink. “Anglia është shumë atraktive. Është e veçantë dhe niveli i konkurrencës është shumë i lartë. Por kam nevojë të mendoj nëse do të pushoj disa muaj, gjysmë viti ose një vit, ose më ndryshe. Ende nuk e di”, ka shtuar holandezi.
Mesfushori kosovar Valon Behrami është rikthyer në fushën e gjelbër pas gjashtë muajsh mungese, në fitoren 6-0 të rezervave të West Ham United ndaj atyre të Birmingham Cityt.Behrami mungoi shumicën e ndeshjeve në pjesën e dytë të sezonit në Ligën Premier për shkak të lëndimit dhe operacionit në gju, ndërsa javë më parë u rikthye në stërvitje dhe së fundi ka luajtur edhe lojën e parë pas rikuperimit. Për West Hamin ka debutuar edhe përforcimi i verës, Alessandro Diamanti, i cili ka shënuar dy gola, që të dyja nga gjuajtjet e lira. Debutimin për këtë ekip e ka bërë edhe përforcimi tjetër Manuel da Costa.
Sulmuesi i Manchester United, Dimitar Berbatov, thotë se Bullgaria mund ta mposhtë Italinë në ndeshjen e sotme kualifikuese për Kupën Botërore.“Pas suksesit të së shtunës, ne besojmë se mund ta bëjmë këtë, madje edhe nëse kjo do të jetë shumë, shumë vështirë”, ka thënë sulmuesi bullgar. Bullgaria u rikthye nga një gol i hershëm i Stevan Jovetic për të mposhtur Malin e Zi me rezultat 4-1 gjatë vikendit, përfshirë edhe një gol të Berbatov. “Sa i takon nivelit personal, jam i lumtur që iu jam rikthyer golave me kombëtare dhe i kam dhënë fund mungesës. Jam i bindur se kemi shanse të mposhtim Italinë”, ka shtuar Berbatov.
Ish-trajneri i Real Madridit, Juande Ramos, raportohet se është kontaktuar nga përfaqësues të Milanit.Sipas AS, ish-trajneri i Realit, Tottenhamit dhe Sevillas, është përmendur si një opsion i mundshëm për kalim në Milan. Derisa Leonardo mbetet në detyrë me rosonerët, raportohet se Ramos është pyetur nëse do të ishte i gatshëm të angazhohet menjëherë, në rast se shtrohet nevoja e zëvendësimit të menaxherit.
Mesfushori spanjoll i Barcelonës, Xavi Hernandez, tha në një konferencë për media se përfaqësuesja e Spanjës ka të njëjtën filozofi të futbollit sikurse Barca.“Filozofia është thuajse e njëjtë, dominimi, mbajtja e topit dhe pasimi”. “Lojtarët janë të nivelit të lartë me kualitet të jashtëzakonshëm teknik. Është privilegj dhe kënaqësi të luash në të dyja skuadrat (Barcelonë dhe përfaqësuese)”, tha Xavi. Të mërkurën mbrëma Spanja do ta zhvillojë ndeshjen kualifikuese kundër Estonisë, ndërsa përkundër se është favorit, Xavi paralajmëron ekipin e tij që të mos e nënvleftësojë kundërshtarin.
Trajneri Mark Hughes ka vazhduar të modelojë Manchester Cityn sipas dëshirës së tij, duke deklaruar se nënshkrimi i verës, Kolo toure, do të jetë kapiteni i përhershëm i ekipit.Pas largimit të ish-kapitenit Richard Dunne në drejtim të Aston Villas në fund të afatit kalimtar, shiriti i kapitenit do të mbetet në krahun e Toure.“Ai i ka të gjitha cilësitë që nevojiten për të qenë një kapiten i mirë, entuziazëm të madh për lojën dhe është i këndshëm dhe i zëshëm në dhomën e zhveshjeve dhe para, gjatë dhe pas ndeshjes. Dhe ai dëshiron ta çojë klubin përpara”, ka thënë Hughes.Ish-lojtari i Arsenalit pritet ta udhëheqë ekipin e ri kundër ish-klubit të tij gjatë të shtunës dhe do të tentojë të shpaguajë besimin e Hughes.
Portieri i Italisë, Gianluigi Buffon, iu është përgjigjur kritikave për ekipin azur pas fitores 2-0 ndaj Gjeorgjisë, që u arrit vetëm falë dy autogolave, duke thënë se vetëm Brazili ka një kombëtare më të fuqishme se ajo e tij.“I vetmi ekip më i mirë se ne është Brazili. Ne jemi afër kualifikimit në Kupën Botërore, andaj mund të jemi relativisht të kënaqur”, ka thënë Buffon.Derisa Brazili u kualifikua për në Kupën Botërore pas fitores 3-1 ndaj Argjentinës, në anën tjetër Italia pret Bullgarinë në Torino të mërkurën, për të marrë pikët e mjaftueshme për kualifikim. Italia tash kryeson grupin me 17 pikë.
















