Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, thotë se ka dy arsye prapa fillimit jo të mirë të sezonit nga ana e ekipit të tij.
“Dy gjëra. Një ishin pritjet. Kur përfunduam sezonin e kaluar me 86 pikë, mendoj se çdokush priste që ky vit të jetë i yni. Por mesazhi është gjithmonë i njëjtë, duhet të mendojmë vetëm për një ndeshje në një kohë, të përpiqemi t’i fitojmë tre pikët dhe të shohim ku është pozita jonë në secilën javë”, ka thënë Benitez. “Nuk mund të fitoni tituj në shtator, andaj duhet të arrini në janar dhe të shihni se ku jeni, dhe pastaj prilli dhe maji është koha kur duhet të luftoni”. “Gjëja tjetër është se para-sezoni ishte i vështirë me shumë lojtarë që u kthyen në kohë të ndryshme. U përpoqëm ta menaxhojmë situatën dhe pastaj kishim edhe një pauzë ndërkombëtare, andaj nuk kishim shumë kohë”, ka shtuar spanjolli.
Presidenti i Bayern Munichut, Franz Beckenbauer, thotë se ata kanë probleme në repartin mbrojtës dhe pranon se shitja e brazilianit Lucio ka qenë gabim.
“Problemi jonë më i madh është në mbrojtje dhe shpresoj se trajneri Louis van Gaal do të vendosë kontroll shumë shpejt. Ndoshta bëmë gabim kur e shitëm Lucion. Ai ishte një lojtar i madh për shumë vite. Për momentin ai na mungon”, ka thënë Beckenbauer. Lucio u largua nga Bayerni para fillimit të sezonit dhe u transferua në radhët e Interit, pasi Van Gaal refuzoi t’i japë garanci se ai do të jetë fillestar.
Menaxheri gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, thotë se Cristiano Ronaldo ka nevojë për kohë për t’u përshtatur, siç pati nevojë edhe Zinedine Zidane.
Pritjet nga Cristiano Ronaldo, i cili erdhi në Real për 94 milionë euro nga Mancheter United, janë shumë të mëdha, edhe pse ai ende nuk ka filluar ta dëshmojë veten. “Ajo që ndodh me Ronaldon është se ai gjithmonë synon të jetë më i miri. Kjo është mirë, por duhet të pritet për të parë se kush është në të vërtetë ai. Ka nevojë për kohë për t’u adaptuar në Real Madrid, ashtu siç pati nevojë edhe Zinedine Zidane”, ka thënë Valdano.
Ish-mbrojtësi i Lyonit, Fabio Grosso, është i gatshëm të debutojë për Juventus që në ndeshjen e këtij vikendi kundër Lazios.
“Jam i gatshëm të luaj të shtunën në Romë dhe të jap më të mirën nga vetja. Të jem në Juventus është një burim i pafund i krenarisë dhe shpresoj të fitoj pasi kjo është ajo çfarë klubi meriton”, ka thënë Grosso. “Pres t’ia dal mirë dhe kemi gjithçka për të synuar më të lartat. Me përulje, do të përpiqemi t’i arrijmë këto caqe”, ka shtuar italiani.
Presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, ka konfirmuar interesimin e biankonerëve në sulmuesin e Villarrealit, Giuseppe Rossi.
“Giuseppe Rossi mund të jetë i kualitetit të Juventusit, megjithatë, më lejoni të shijoj nënshkrimet e fundit të verës së pari”, ka thënë Gigli. Cobolli Gigli është i vetëdijshëm se Juve do të ketë nevojë të nënshkruajë me ndonjë sulmues të ri, me David Trezeguet që është i gatshëm të largohet nga Torino.
Ekipi i kombëtares gjermane të femrave në futboll ka shënuar fitore bindëse ndaj kombëtares së femrave angleze në finalen e Kampionatit Evorpian në Helsinki.
Gjermanet, ku aktivizohet edhe shqiptarja Fatime Bajramaj, kanë shënuar fitore me rezultat 6-2 duke u bërë kampione evropiane për të katërtën herë radhazi. Bajramaj u aktivizua në ndeshje në pesë minutat e fundit, kur Gjermania kishte zgjidhur dilemën e fituesit.
Mesfushori i Romës, Daniele de Rossi, ka lavdëruar taktikat e trajnerit të ri të Italisë, Marcello Lippi, pas fitores së mbrëmshme prej 2-0 ndaj Bullgarisë.
“Mendoj se mund të luajmë mirë së bashku dhe gjithmonë e kemi bëtë, edhe kur kritikët kanë menduar se është e pamundshme”, ka thënë De Rossi, i cili ka shoqëruar Andrea Pirlon në mesfushën e azurëve. “Sigurisht duhet të punojmë më shumë, por frika është se në ndeshjen tjetër e cila nuk do të jetë shumë mbresëlënëse, gazetat sërish do të sjellin kundërshtimet e vjetra”, ka shtuar italiani.