Sulmuesi i Arsenalit, Eduardo, ka fituar ankesën e tij kundër ndëshkimit me dy ndeshje moslojë nga UEFA, për mashtrim në ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve, kundër Celtic.
Braziliani me nënshtetësi kroate, fillimisht u suspendua për mashtrim të supozuar në fitimin e penaltisë në ndeshjen e zhvilluar në Emirates. Në deklaratën e UEFA-së thuhet se pas ekzaminimeve dhe dëshmive, deklaratave të referëve, si edhe videove të ndryshme, ‘trupi i Ankesave në UEFA ka pranuar kërkesën e dërguar nga Arsenali, kundër suspendimit të dy ndeshjeve të bëra ndaj sulmuesit Eduardo’. “Jam shumë i kënaqur që më në fund kemi arritur te e vërteta. E gjitha çfarë patëm nevojë të bëjmë ishte të dëshmojmë atë që ndodhi dhe e kemi bërë këtë. Ky vendim më bën të ndjehem shumë më mirë”, thuhet në deklaratën e Eduardos.
David Beckham duke mbajtur për fyti Daniel Hernandez Mesfushori anglez David Beckham do të përballet me edhe një dënim të dytë brenda vetëm një muaji, pasi ka kapur për qafe një lojtar kundërshtar para fundit të takimit në mes LA Galaxy dhe Dallas.
Anglezi, i cili morri karton të kuq për start të rrezikshëm në ndeshjen me Seattle Sounders, mund të përballet me një dënim tjetër, pasi ishte pjesë e incidentit, i cili ndodhi në fund të takimit kundër Dallas. Bashkëlojtari i tij, London Donovan, po ashtu pritet të ndëshkohet, pasi është akuzuar për goditje të qëllimshme të një lojtari kundërshtar, që ka qenë edhe arsye për të gjithë incidentin. Lojtari kundërshtar, Daniel Hernandez, më pas e ka goditur Donovan, pas të cilës ka reaguar Beckham, duke e kapur për fyti lojtarin e Dallas.
Sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet, thotë se ka ndryshuar mendje dhe se nuk dëshiron më të largohet, por dëshiron ta fitojë Ligën e Kampionëve me klubin italian.
Francezi shënoi gol të shtunën, në ndeshjen kundër Lazios, që i ka dhënë entuziazëm këtij lojtari për të mbetur me biankonerët dhe për të synuar tituj. Në prag të takimit të Ligës së Kampionëve përballë kampionit të Francës, Bordeaux, Trezeguet thotë se dëshiron ta fitojë titullin e kampionit të Evropës. “Dua të fitoj tituj me Ferraran. Liga e Kampionëve është qëllim prioritar në karrierën time. Ndeshja e parë kurrë nuk është e lehtë. Bordeaux luan futboll të mirë”, ka thënë Trezeguet. “Shumë gjëra kanë ndryshuar në kokën time. Ndoshta goli që shënova kundër Lazios do të thotë se nuk dua të largohem më. Mendova se çfarë është më mirë për mua, ndoshta më e mirë do të jetë ta përfundoj karrierën këtu. Kam folur edhe me Del Pieron për këtë”, ka shtuar francezi.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, është i gatshëm ta mirëpresë sulmuesin e Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, me një përqafim dhe thotë se nuk ka asnjë hidhërim me ish-lojtarin e tij.
Derisa tifozët zikaltër kanë paralajmëruar një “mikpritje” të nxehtë për Ibran, portugezi thotë se do ta respektojë të mërkurën mbrëma në Giuseppe Meazza. “Do ta mirëpres Zlatanin me një përqafim të madh. Sinqerisht nuk e di se si do ta presin tifozët tanë. Ne jemi rivalë, por unë nuk ndihem i tradhtuar nga ai. Falë tij ne jemi kampionë të Italisë”. “Unë nuk e harroj një lojtar si ai, unë e mbaj atë në zemër. Prandaj, do ta përqafoj para ndeshjes, por gjatë 90 minutave nuk dua të di as si e ka emrin”, është cituar Mourinho nga FIFA.com.
Mbrojtësi i Interit, Maicon, do të luajë në ndeshjen e të mërkurës mbrëma kundër Barcelonës në Giuseppe Meazza, në ndeshjen e vlefshme të fazës së grupore të Ligës së Kampionëve.
Braziliani pësoi një lëndim në nyjën e këmbës së djathtë gjatë ndeshjes së të dielës ndaj Parmës. Mirëpo “La Gazzetta dello Sport” njofton se stafi mjekësor i zikaltërve ia ka dhënë dritën e gjelbër 28-vjeçarit që të stërvitet me pjesën tjetër të skuadrës dhe të përgatitet për ndeshjen kundër Barcës.
Juventusit i është dhënë një shtytje e madhe pasi skanimet e Diegos kanë rezultuar jo aq serioze sa që është menduar në fillim. Braziliani u lëndua në ndeshjen kundër Lazios të shtunën, ndërsa u mendua për një lëndim mjaft serioz, megjithatë testet dhe ekzaminimet mjekësore kanë treguar se nuk është asgjë veçse lodhje e muskulit të këmbës së djathtë. “Diego i është nënshtruar skanimit me MRI me profesor Falettin në Torino, ndërsa ekzaminimi nuk tregoi ndonjë lëndim muskulor. Lojtari po vuan nga lodhja muskulore dhe do të ketë nevojë për shtatë ditë ku do t’i nënshtrohet fizioterapisë para se të kthehet në fushë”, shkruan në faqen zyrtare të klubit.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, mund të përballet me ndëshkim deri në gjashtë ndeshje moslojë për shkak të mënyrës së tij të sjelljes pas shënimit të golit kundër Arsenalit. Në vitin 2006, Gary Neville ishte përjashtuar për dy ndeshje dhe ishte gjobitur me 5,000 mijë funte, pasi kishte festuar golin e fitores për Manchester United në ballë të tifozëve të Liverpoolit. “Unë isha në ndeshje dhe e pash atë me sytë e mi. Isha i pakënaqur pasi problemet në mes të fansave të Arsenalit dhe Adebayorit janë mirë të dokumentuara, por ai megjithatë vrapoi gjithë gjatësinë e fushës për të festuar”, ka thënë drejtori ekzekutiv i FA, Ian Watmore.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, dëshiron që lojtarët tjerë dytësor ta marrin Yossi Benayoun si një shembull, pasi izraeliti shënoi hat-trick ndaj Burnleyt.
“Yossi ka qenë në udhëtim me vendin e tij, dhe kjo është e lodhshme me shumë ndeshje dhe udhëtime. Ne kishim një bisedë më herët dhe ai dëshironte të luajë, ai dëshironte të dëshmohet në fushë dhe të marrë përgjegjësi”, ka thënë Benitez. “Mënyra për të luftuar për pozitën është duke luajtur, dhe Yossi e kupton atë”, ka shtuar Spanjolli.
Mbrojtësi i Juventusit, Fabio Cannavaro, thotë se nuk pendohet që braktisi Real Madridin këtë verë, sepse dëshiron të arrijë sukses në Itali.
“Real Madridi? Nuk kam asnjë nostalgji ose shqetësim. Kam mundur të pres deri pas zgjedhjes së presidentit dhe të bisedoj për kontratë të re, por pas ofertës së Juves nuk munda të hezitoj”.“Kemi një grup të shkëlqyer këtu dhe dëshirojmë të fitojmë dhe të ofrojmë spektakël me kampionët tanë”, ka thënë Cannavaro për “Tuttosport”.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, do të dëshironte ta shlyejë nga mendja humbjen në finalen e Ligës së Kampionëve në sezonin e kaluar, ndaj Barcelonës, dhe kërkon të përballet edhe njëherë me klubin spanjoll.
Nesër fillon sezoni i ri i Ligës së Kampionëve me Manchester United që do të udhëtojë te ekipi turk Besiktas. Në prag të fillimit të garës evropiane, Ferguson tashmë ka përcaktuar qëllimin e tij, të jetë pjesë e finales në pranverën e ardhshme në Santiago Bernabeu dhe do të dëshironte ta ketë përballë edhe një herë Barcelonën. “Do të më pëlqente të kem rastin të korrigjoj situatën me Barcelonën. Absolutisht. Do të më pëlqente t’i kem ata në finale”, ka thënë Ferguson për Daily Star.
Britaniku i Brawn GP, Jenson Button, i cili udhëheq në renditjen e ngasësve në Formula 1 para shokut të tij të skuadrës dhe rivalit për titull, Rubens Barrichello, shprehet i kënaqur me atë se si shkojnë gjërat, derisa afrohet fundi i kampionatit.
Button përfundoi i dytë në garën e djeshme, atë për Çmimin e Madh të Italisë në Monza, menjëherë prapa Barrichellos, i cili vazhdon të bëjë presion në shokun e skuadrës. “Është fantastike të jem sërish në podium. Do të doja të jem ku është ulur Rubens, por ai bëri një punë shumë më të mirë sot. Kam humbur dy pikë në krahasim me të, por kam shtuar shtatë në krahasim me Vettel”, ka thënë Button pas garës. “Do ta fitojmë, jam i sigurt. Do të jetë një fund i sezonit shumë, shumë ngazëllues dhe një sfidë të cilën të gjithë e synojmë”, ka shtuar britaniku.
Pasi tashmë i ka siguruar Anglisë kualifikimin për në Kupën Botërore, trajneri i kësaj kombëtareje, Fabio Capello, shpreson të takohet me vendin e tij, Italinë, në finalen e Kupës Botërore.
“Tash që kemi arritur të kualifikohemi, shpresoj se finalja do të jetë Itali-Angli. Nuk dua të jem sentimental, pasi tash jam duke punuar për Anglinë dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme”. “Sigurisht nuk do ta këndoj himnin anglez, edhe pse gjithmonë është emocionale ta dëgjosh atë. Le të themi se parashikimi im realizohet, do të jem dyfish emocional kur të dy himnet kombëtare do të luhen”, ka thënë Capello.
Clijsters feston trofeun me vajzën e saj në krah Tenistja belge Kim Clijsters ka shënuar rikthimin e saj triumf në finalen e US Open ku mposhti në dy sete (7-5, 6-3) danezen Caroline Wozniacki.
Clijsters, e cila u largua nga tenisi në vitin 2007 për t’u martuar dhe më pas për të krijuar familje, kishte luajtur në vetën tre turne këtë vit para se të triumfojë në këtë Grand Slam. 26-vjeçarja bëhet femra e parë jashtë top 10-shit të renditjes botërore, që e fiton trofeun, si edhe nëna e parë që fiton një turne të madh, që nga Evonne Goolagong e cila fitoi në Wimbledon në vitin 1980. “Nuk kam fjalë për këtë. Jam shumë krenar që u riktheva dhe mbrojta titullin e vitit 2005. Është shumë ngazëlluese për mua”, ka thënë Clijsters pas fitores.
Pamje nga ndeshja Nicolas Batum ka shkëlqyer për Francën, e cila ka vazhduar serinë e fitoreve në EuroBasket, duke fituar mbrëmë ndaj Kroacisë.
Batum shënoi 18 pikë për të ndihmuar Francën të shënojë fitore 87-79 dhe të sigurojë vend për në çerekfinale. Në anën tjetër, pas humbjes së mbrëmshme Kroacia është afër eliminimit dhe për të siguruar vend në çerekfinale duhet të mposhtë Gjermaninë, e cila është turpëruar duke pësuar nga Maqedonia me rezultat 86-75. Në takimin tjetër, Rusia ia ka shkaktuar humbjen e parë në EuroBasket Greqisë, duke e mposhtur me rezultat 68-65.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, raportohet se planifikon transferim në vlerën e 25 milionë funteve në janar për anësorin e Valencias, David Silva.
Sipas News of the World, Ferguson besohet se ka bërë ofertë për spanjollin në javën e fundit të afatit kalimtar, por kjo nuk u realizua. Edhe pse kontrata e Silva në Mestalla skadon në vitin 2013, klubi spanjoll është i gatshëm ta shndërrojë atë në para, në përpjekje për ta lehtësuar krizën financiare. “Është e vërtetë se ka pasur një ofertë nga një klub i madh anglez. Nëse do të ishte vetëm çështje parash, atëherë do ta kisha pranuar lëvizjen. Gjërat mund të ndryshojnë në të ardhmen, por për momentin jam i lumtur në Valencia dhe nuk kam ndonjë motiv për t’u larguar”, ka thënë Silva.
Trajneri i Milanit, Leonardo, edhe një herë publikisht e ka kritikuar Ronaldinho, pas barazimit të tyre 0-0 ndaj Livornos.
“Nëse Ronaldinho do të ishte në formë të mirë, do të dëshironte vërtet të luajë dhe do të sillej në mënyrë të duhur, atëherë ai mund të ishte i rëndësishëm për ekipin”, ka thënë Leonardo. Në ekip kishte një dallim të dukshëm kur Ronaldinho u zëvendësua në pjesën e dytë nga Andrea Pirlo, që tregoi për formën dhe ndikimin e dobët të brazilianit.
Çështjes ‘Franck Ribery-Real Madrid’ duket se po i vjen fundi, pasi që francezi ka vendosur të nënshkruajë kontratë të re me Bayern Munichun.
Pasi që dështoi ta transferonte gjatë këtij afati kalimtar, është spekuluar se Reali do të nënshkruajë me Ribery verën e ardhshme, mirëpo anësori francez thotë se mund ta rinovojë kontratën me skuadrën bavareze. “Ende nuk kemi diskutuar për rinovimin e kontratës, por kjo është diçka që do të diskutohet së shpejti”. “Unë ndjehem i dëshiruar këtu dhe besimi që ka skuadra te unë më ka bërë të ndjehem i rëndësishëm”, citohet të ketë thënë Ribery.
Mediat angleze njoftojnë se Manchester Unitedi do të tentojë transferimin e sulmuesit të Sevillas, Luis Fabiano, gjatë afatit kalimtar të janarit.
“The People” shkruan se Sir Alex Ferguson është një admirues i brazilianit, prandaj ka vendosur që në janar të bëjë ofertë për të, përkundër faktit që ai nuk mund të luajë në Ligën e Kampionëve. Fabiano ka shkëlqyer me Brazilin në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror, ndërsa furishëm e ka filluar edhe sezonin e ri në La Liga.
Flamurtari e ka mposhtur Prishtinën në derbin e javës së gjashtë në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll me rezultat prej 3-2.

KEK-u ka shënuar fitore minimale përballë Hysit, ndërkohë që Ferizaji dhe Gjilani kanë barazuar me rezultat 1-1.


Raiffeisen Superliga, java e gjashtë:


KEK-u - Hysi 1-0
Besa - Drenica 2-1
Flamurtari - Prishtina 3-2
Vëllaznimi - Liria 0-1
Ferizaj - Gjilani 1-1
Kosova - Trepça 1-0 (është ndërprerë pas pjesës së parë, për shkak të incidentit)

Valencia ka shënuar fitore edhe në javën e dytë të edicionit të ri në La Liga duke e mposhtur Valladolidin si mysafir.
Ndeshja e zhvilluar të dielën mbrëma në stadiumin Nuevo Zorrilla, ndërmjet Valladolidit dhe Valencias, ka përfunduar me fitoren e mysafirëve me rezultat prej 4-2. Serinë e golave e nisi David Silva në minutën e dhjetë të takimit duke krijuar avantazh për Los Che. Në minutën e 31-të, Nauzet Aleman barazoi rezultatin, por tre minuta më pas David Villa krijoi sërish avantazh për Valencian. Juan Mata shënoi për rezultatin 3-1 (45’), ndërsa me golin e dytë personal në ndeshje, David Villa i dha fund dilemës për fituesin (55’). Krejt çka bënë vendasit deri në fund, ishte një gol i shënuar nga Manucho (65’) për ta ngushtuar epërsinë e Los Che.