Bayern Munichu ka siguruar tre pikët e para si mysafir i Maccabi Haifas, duke e mposhtur me rezultat prej 3-0.Edhe pse pjesa e parë përfundoi pa gola, bavarezët u treguan të fuqishëm në pjesën e dytë të takimit duke mos lejuar kurrfarë befasie. Van Buyten shënoi golin e parë për gjigantin gjerman (64’), ndërsa dy golat tjerë i takuan Thomas Muller (85’ dhe 88’), i cili vulosi fitoren e skuadrës mysafire. Ndeshja tjetër e grupit A, e zhvilluar në Olimpico të Torinos, ndërmjet Juventus dhe Bordeaux, ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1. Vendasit kaluan të parët në epërsi me golin e Vincenzo Iaquintas (63’), mirëpo në pesëmbëdhjetë minutat e fundit të ndeshjes (75’), Jaroslav Plasil barazoi rezultatin për kampionin e Francës.
Real Madridi ka regjistruar fitoren e parë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur si mysafir skuadrën zvicerane Zurich.Takimi në të cilin u shënuan më së shumti gola të martën mbrëma në kuadër të fazës grupore, ishte ai ndërmjet FC Zurich dhe Real Madrid, që përfundoi me fitoren e Los Blancos me rezultat prej 5-2. Serinë e golave e filloi transferi më i shtrenjtë i të gjitha kohërave, Cristiano Ronaldo, i cili me një goditje nga gjuajta e lirë, i kaloi mysafirët në epërsi (27’). Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve, Raul Gonzalez, dyfishoi epërsinë e Mbretërve (34’). Në minutat shtesë të pjesës së parë, Gonzalo Higuan, shënoi edhe golin e tretë të Mbretërve duke e çuar skuadrën në pushim me epërsi prej tre golave. Në pjesën e dytë, vendasit u kthyen në lojë. Margairaz shënoi nga pika e bardhë (64’), ndërsa një minutë pas Aegerte ngushtoi epërsinë në 3-2. Megjithatë, fuqia e Los Merengues u tregua sërish nëpërmjet portugezit Ronaldo, i cili sërish nga gjuajtja e lirë shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për Realin (89’). Rezultatin përfundimtar në ndeshje e vendosi Jose Maria Guti, i cili në minutat shtesë shënoi edhe golin e pestë për mysafirët.
Sulmuesi Filippo Inzaghi ka shënuar dy gola për të treguar se ende është në formë, në fitoren 2-1 të Milanit në ndeshjen e grupit C ndaj Olimpique Marseille të zhvilluar në Velodrome.Veterani italian i dha epërsinë Milanit pas 28 minutash kur, i pambuluar në anën e majtë të portës, dërgoi topin në rrjet nga afërsia, pasi pranoi një harkim nga Clarence Seedorf.Marseille barazoi gjithçka katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë, kur mbrojtësi argjentinas Gabriel Heinze, i cili erdhi në Marseille këtë verë nga Real Madridi, dërgoi topin në rrjetën e Marco Storarit pas një harkimi të Benoit Cheyrou nga gjuajtja e lirë.Megjithatë, Inzaghi gjeti cakun edhe njëherë në minutën e 74-të të ndeshjes, duke shndërruar në gol edhe një pasim tjetër të bukur të Seedorf, për t’i sjellë fitoren Milanit.Në grupin C fitore në udhëtim ka shënuar edhe Real Madridi, që ka mposhtur Zurichun me rezultat 4-2, për të marrë kreun e tabelës së grupit.
Një gol i shënuar nga Paul Scholes 13 minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, i ka mjaftuar Manchester United të fillojë me fitore sezonin e ri në Ligën e Kampionëve, në ndeshjen e grupit B përballë ekipit turk Besiktas.Pavarësisht kërcënimeve të shpeshta nga United, veçanërisht nga Rooney, goli i fitores u shënua në minutën e 77-të të ndeshjes. Portieri turk Arikan mbrojti një gjuajtje të Nanit, por topi arrit te Scholes i cili nuk huqi për t’i dhënë avantazhin United.Në takimin tjetër të grupit B, Grafite ka shënuar hat-trick për t’i dhënë fitoren 3-1 kampionit të Gjermanisë, Wolfsbourg, në përballjen përballë rusëve të CSKA.Dy gola të Grafite erdhën në fund të pjesës së parë (36’ dhe 41’), i dyti nga penaltia. I vetmi që shënoi për rusët ishte Dzagoev në minutën e 76-të, por Grafite shënoi golin e tretë të tij pas dhjetë minutash për të vulosur rezultatin dhe për të çuar Wolfsburgun në maje të grupit.
Një ndeshje interesante është zhvilluar të martën mbrëma në Stamford Bridge, ku Chelsea e ka mposhtur Porton, në ndeshjen e vlefshme për Grupin D.Blutë fituan me rezultat minimal prej 1-0 përballë skuadrës portugeze, e cila u tregua kundërshtar i rrezikshëm, por inferior ndaj Chelseat. Të vetmin gol në ndeshje e shënoi Nicolas Anelka, i cili me të filluar pjesa e dytë (48’) kaloi skuadrën e tij në epërsi dhe ky rezultoi të ishte goli i fitores. Takimi tjetër i Grupit D i zhvilluar ndërmjet Atletico Madridit dhe APOEL Nicosias ka përfunduar pa gola.
Kampioni i Ligës Premier, Manchester United, është duke përcjellë portierin e Lazios, Fernando Muslera.Burime nga Roma thonë se Muslera është duke u përcjellë nga Manchester Untied, si një opsion i mundshëm për të pasuar Edwin van der Sar kur ai të pensionohet. Lazio e vlerëson të riun argjentinas Muslera me 12 milionë dollarë, edhe pse portieri i Schalke, Manuel Neuer, po ashtu shihet si opsion nga menaxheri i United, Sir Alex Ferguson.
Portieri i Juventusit, Gigi Buffon, thotë se biankonerët mund t’ia dalin edhe në mungesë të Diegos, në takimin e sotëm të Ligës së Kampionëve përballë Bordeaux.Diego do të jetë jashtë fushe për shkak të lëndimit, por sipas Buffon, kjo nuk do të jetë problem që Juventusi të shënojë fitore. “Diego është një lojtar i rëndësishëm dhe ne gjithmonë do të duam ta kemi atë në fushën e lojës, por një ekip i shkëlqyeshëm nuk varet vetëm nga një lojtar”, ka thënë Buffon. “Për të qenë garues duhet të keni një ekip të madh me shumë lojtarë të cilët janë në nivel mjaft të mirë për t’u paraqitur”, ka shtuar italiani.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se mënyra e eliminimit në Ligën e Kampionëve të sezonit të kaluar, ende djeg.“Ende jam i mërzitur për Barcelonën pasi ata e tepruan duke luajtur me dorë. Mënyra se si ne luanim në mbrojtje në fund të sezonit, mendoj se ishim shembull në Evropë me Guus Hiddink. Është për keqardhje ajo që na ndodhi, por duhet të jemi burra dhe të vazhdojmë”. “Kur u eliminuam, e kisha në kokë të mos e shikoja finalen, por nuk munda. Ishte një paraqitje fantastike e Barcelonës kundër Manchester United dhe ata e merituan fitoren në fund”, ka thënë anglezi.
Sulmuesi legjendar i Milanit, Pippo Inzaghi, thotë se ai është i pakënaqur me mosaktivizimin e tij këtë sezon, por do ta respektojë vendimin e trajnerit.“Nuk më pëlqen të qëndroj në stol, sigurisht. Por Leonardo ka qenë i qartë dhe ka shpjeguar vendimin. Nuk mund ta rrezikoj ekipin për dëshirë timen”, ka thënë Inzaghi. “Jemi duke kaluar momente jo të këndshme, na mungon vetëbesimi dhe vetëm rezultatet e mira do të na shtyjnë përpara”, ka shtuar italiani.
Lionel Messi ka pranuar se ka dëshirë që ta fitojë Topin e Artë. Dy vitet e fundit argjentinasi ka qenë në top-tre lojtarët më të mirë në botë, ndërsa shanset janë të mëdha që këtë vit ta fitojë Topin e Artë.“Do të dëshiroja ta fitoj Topin e Artë. Mendoj se secili lojtar i Barcës meriton një çmim të tillë këtë sezon”.“Unë kam një pozitë të mirë, sepse para dy vitesh përfundova i treti, vitin e kaluar i dyti, ndërsa këtë vit shpresoj të jem i pari”, ka thënë Messi për L'Equipe TV.Për t’ia arritur qëllimit të tij, Messi duhet të shfaqë performancë të mirë edhe në pjesën e parë të këtij sezoni, ashtu që suksesi i tij të përmblidhet për gjithë vitin.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, shpreson se blutë përfundimisht do të mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve nën drejtimin e trajnerit Carlo Ancelotti.John Terry kujton momentet e vështira në karrierë me Chelsean, kur nuk mundi të arrijë te trofeu i madh. Në vitin 2008 pikërisht penaltia e tij e humbur u kushtoi bluve me humbje nga Mancheter United. “Gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën janë ende shumë të dhimbshme. Veçanërisht e rëndësishme ishte ajo që e ruajtëm tërësinë e ekipit. Përjetuam disa momente jo të këndshme së bashku. Kuptohet, kishte edhe momente të mira, por të këqijat mbeten me ne gjithmonë. Këtë dëshirojmë ta ndryshojmë dhe ta çojmë në drejtimin e duhur”, ka thënë Terry. Carlo Ancelotti ka fituar dy tituj të Ligës së Kampionëve me Milanin, dhe Terry mendon se kualiteti i italianit do të ndjehet edhe në Chelsea. “Nëse shikoni te Milani i tij në vitet e kaluara, do të shihni se ishin shumë të organizuar. Të gjithë e dinë çfarë duhet të bëjnë në fushë dhe këtë e bëjnë në mënyrën e duhur”, ka shtuar anglezi.
Të martën fillon faza grupore e Ligës së Kampionëve, ndërsa presidenti i UEFA-s, Michel Platini, mendon se prej skuadrave italiane, Interi dhe Juventusi do të arrijnë sukses në edicionin e sivjetmë.“Juventusi e ka forcuar skuadrën, dhe të njëjtën gjë e ka bërë edhe Interi. Nga ana tjetër, Milani po vuan, ndërsa aty është edhe Fiorentina”.“Nuk do të jetë lehtë të tejkalohen ekipet angleze dhe spanjolle, por Interi dhe Juve më duken mjaft të përgatitur”, ka thënë Platini për të përditshmen torineze “La Stampa”.
Trajneri i Bordeaux, Laurent Blanc, thotë se askush nuk beson se skuadra e tij do të fitojë përballë Juventusit të martën mbrëma në Torino, prandaj francezët do të mundohen t’i befasojnë bardhezinjtë.“Fillimisht duhet të mbrohemi mirë, sepse ndeshjet në Ligën e Kampionëve kanë shumë duele”.“Skuadra që do të fitojë do ta mbajë topin më shumë. Ndërsa Juve dhe Bordeaux pëlqejnë ta mbajnë topin”.“Por do t’u befasoj kur them se ne s’kemi asgjë për të humbur- askush nuk beson se ne do të fitojmë... Është Juve skuadra e cila ka më shumë për të humbur: luan ndaj një kundërshtari më të dobët dhe duhet medoemos t’i fitojë tre pikët”, ka thënë Blanc në një konferencë për shtyp.
Christian Gourcuff, trajneri i Lorientit dhe babai i ish-lojtarit të Milanit, Yoann Gourcuff, thotë se Marseille është favorit në takimin e të martës mbrëma në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.“Milani ka një status të cilin nuk e përmbush, dhe kjo mund të shndërrohet kundër tyre, sepse mund t’i motivojë kundërshtarët”.“Kjo nuk është një klishe por fakt: Milani është një ekip ‘pleqsh’. Po vuan nga dobësi të mëdha në mbrojtje dhe bëhet shumë i lëndueshëm në momentin kur lojtarët humbin ritmin e lojës”. “Për mua, Marseille është favorit, sidomos për faktin se luajnë më ritëm dhe përkushtim për t’i nevrikosur italianët”, tha Gourcuff për “L’Equipe”.
Sulmuesi argjentinas, Lionel Messi, thotë se blaugranët janë të gatshëm ta mbrojnë titullin e Ligës së Kampioonëve këtë sezon.Pas dy fitoreve në La Liga, Messi është i bindur se kampioni i Evropës do të mund të nxjerrë fitore edhe në takimin e parë të Ligës së Kampionëve, përballë Interit, që zhvillohet të mërkurën në Giuseppe Meazza. “Nuk duhet të harrojmë se sezonin e kaluar humbëm në disa takime, por nëse i përsërisim paraqitjet e njëjta dhe luajmë në mënyrë aq spektakolare, do të jetë vështirë për të gjithë ta fitojnë Barcelonën”, ka thënë Messi për France Football. “Në Ligën e Kampionëve ne jemi favoritë dhe kjo është një prej qëllimeve tona. Por të gjithë klubet kanë dëshirë të fitojnë. Kemi nevojë të përparojmë hap pas hapi, andaj do të shohim se çfarë do të ndodhë...”, ka shtuar argjentinasi. Messi si rivalë më të vështirë i sheh klubet angleze, si edhe rivalin nga Spanja, Real Madridin.
Argjentinasi Juan Martin del Potro ka arritur t’i bëjë ballë kampionit të pesëfishtë të Roger Federer dhe ta fitojë titullin në turneun US Open, duke befasuar publikun në Flushing Meadows. 20-vjeçari, i cili mbeti në ndeshje duke fituar dy herë në tiebreak, kishte vetëbesim gjatë gjithë takimit, për të ngritur trofeun e parë Grand Slam në karrierë, pasi mposhti numrin një gjatë takimit që zgjati më shumë se katër orë (3-6, 7-6(5), 4-6, 7-6(4), 6-2). “Kam pasur dy ëndrra këtë javë. Njëra të fitoj në US Open dhe tjetra është të bëhem si Roger”, ka thënë Del Potro pas ndeshjes, para se t’i drejtohet Federer: “Njëra është realizuar, por kam nevojë për shumë përmirësime për t’u bërë si ti. Ti luftove deri në pikën e fundit. Je një kampion i madh”. Federer, i cili në një moment ishte dy pikë larg triumfit, ka thënë pas ndeshjes, “Pata një fillim të mirë dhe kisha shumë shanse për ta bërë diferencën. Ai qëndroi aty i dha vetes shanse, dhe në fund ishte më i mirë”.
Kapiteni i Real Madridit, Raul, thotë se skuadra e tij duhet ta fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon, ashtu që ta rikthejë reputacionin në Evropë.“Liga e Kampionë është gara ynë, është gara më prestigjioze. Duhet të jemi atje, jo si në vitet e mëparshme kur nuk e kemi bërë atë që kërkon të qenit te Madridi”. “Madridi duhet ta rindërtojë reputacionin duke bërë hapa të vegjël përpara drejt marrjes së trofeut (të Ligës së Kampionëve)”, ka thënë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve (64 gola).
Agjenti i Adrianos ka deklaruar se sulmuesi i Flamengos dëshiron të kthehet në Evropë gjatë afatit kalimtar të janarit.Kontrata e 27-vjeçarit me Flamengon përfundon në maj të vitit të ardhshëm, mirëpo braziliani dëshiron që të luajë për një skuadër evropiane, ashtu që të sigurojë një vend te përfaqësuesja e Brazilit për Kampionatin e ardhshëm Botëror. “Erdha këtu që ta rigjej qëndrueshmërinë duke shënuar rregullisht. Tash e kam arritur këtë dhe ndjehem si lojtar krejtësisht tjetër”. “Jam i gatshëm për sfida të reja. Tash ëndrra ime është kombëtarja e Brazilit, dhe dëshiroj të luaj në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm”, është cituar më herët Adriano nga “Terra Esportes”.
Sa vijnë e shtohen tensionet ndërmjet lojtarëve të Interit dhe Barcelonës, të cilët i kanë ndërruar fanellat gjatë këtij afati kalimtar.Ish-mbrojtësi i Interit, aktualisht lojtar i Barcelonës, Maxwell, beson se Pep Guardiola është trajner më i mirë se homologu i tij te Nerazzurët, Jose Mourinho. “Të dy trajnerët janë shumë kërkues, por me mentalitet të ndryshëm dhe me karakter krejtësisht dallues”. “Guardiola është më i ri dhe deri para disa vitesh ishte lojtar, prandaj e ka shprehinë e komunikimit më të mirë. Është më i afërt dhe ka një mënyrë më të butë për t’i thënë gjërat”, tha Maxwell për “Sport”.
Interi dhe Barcelona do të përballen të mërkurën në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kampionëve, ndërsa sulmuesi zikaltër, Samuel Eto’o, dëshiron ta lëndojë ish-skuadrën e tij.“Që kur iu bashkëngjita Barcelonës dhe që nga ndeshja ime e parë, bëra gjithçka që munda që ta kryej punën që kërkohej nga unë”. “Asnjëherë nuk kam refuzuar asgjë, ndryshe nga disa lojtarë tjerë te Barca që thoshin JO, dhe refuzonin të luanin atje”. “Gjithmonë u kam ndihmuar të gjithëve, ndërsa sezoni i kaluar për mua ishte një vit i suksesshëm, sepse të gjithë punuam bashkë për të mirën e Barcelonës”. “Kam pasur disa probleme, por gjithçka është në rregull, edhe nëse Guardiola ka thënë se nuk kam ndjenja për skuadrën, është mendimi i tij. Gjithmonë kam qenë i përkushtuar dhe do t’ia dëshmoj atij këtë javë”, është shprehur kamerunasi.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka zbuluar qëllimin e skuadrës së tij për sezonin e ri, dhe ky është arritja në finale të Ligës së Kampionëve.“Objektivi i parë është të arrijmë në finale. Njëherë duhet të arrijmë në finale dhe pastaj të mendojmë ta fitojmë atë”.
“Nuk është lehtë të arrish në finale, por unë mendoj se ne i kemi kualitetet për ta bërë këtë. Duhet të mundohemi të japim më të mirën nga vetja. Kemi një skuadër të fortë me lojtarë fantastikë dhe me një qëndrim mental të shkëlqyer”, ka thënë ish-trajneri i Milanit.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, dëshiron të shënojë gol kundër ish-skuadrës së tij Inter, të mërkurën mbrëma në Giuseppe Meazza.“Do të bëj gjithçka që të shënoj kundër Interit, sepse tash luaj për Barcelonën”.“Do të shkoj në San Siro (Giuseppe Meazza) që të jap më të mirën nga vetja dhe shpresoj se do të fitojmë. Njerëzit i dinë kualitetet e mia dhe për mua është obligim që ta fitoj çdo ndeshje”.“Besoj se Interi është ndër favoritët për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe jam i sigurt se një ditë do ta fitojë”, ka thënë Ibracadabra për “Il Corriere dello Sport”.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, thotë se Milani ka përfituar me shitjen e Yoann Gourcuffit te Bordeaux, prandaj ai nuk ndjehet i penduar për shitjen e tij.“Nuk pendohem që e kemi shitur. Duhet të fillojmë nga e para. Milani ka besuar në aftësitë e Gourcuffit, e blemë tre milionë euro dhe e shitëm 15 milionë euro...”.“Kam folur me të para se të vendoste që të shkojë te Bordeaux. Ai më tha se frikësohej se mos mbetet rezervë te Milani. Kjo është arsyeja kryesore (e shitjes së tij)”, tha Galliani për SkySport24.
Turqia ka mposhtur Serbinë me rezultat 69-64 në kohën shtesë të takimit, për të siguruar çerekfinalen EuroBasket 2009.Lojtari i Barcelonës, Ersan İlyasova, shënoi ‘double-double’ me 22 pikë dhe 11 kërcime për Turqinë. Pikë dyshifrore shënoi edhe Ömer Aşık, 11, i cili kontruboi edhe me 11 pikë.Spanja është rikthyer nga fillimi i dobët, për të mposhtur Lituaninë me rezultat 84-70 në takimin tjetër, duke ruajtur shpresat për kualifikim në tetëshen e fundit.Në takimin e tretë të sotëm, Sllovenia ka mposhtur nikoqirin e kësaj gare, Poloninë, me rezultat 76-60 për të siguruar vend në çerekfinale të EuroBasket.
Në prag të takimit të fundit të turneut US Open, Roger Federer e di se ai nuk mund ta nënvlerësojë kundërshtarin e tij të finales, Juan Martin del Potro, derisa kërkon titullin e gjashtë radhazi në këtë turne.Federer, 28-vjeçar, ka mposhtur Del Potron në të gjitha gashtë takimet në karrierë, por argjentinasi ka qenë një prej lojtarëve më të mirë në fushë këtë sezon. Dyshja sivjet u takuan në gjysmëfinale të French Open kur Federer pati nevojë për pesë sete për të fituar titullin. “Çdo muaj ai po bëhet më i mirë. Ai po i gjuante servat e tij më mirë; nga themeli ai po bëhet më i sigurt. Ai di shumë më shumë sot se çfarë duhet të bëjë në fushën e tenisit”, ka thënë Federer para takimit të sontëm. 20-vjeçari Del Potro mposhti në gjysmëfinale numrin tre të botës, Rafael Nadal, në tre sete (6-2, 6-2, 6-2), aq sa pati nevojë edhe Federer për të mposhtur serbin Novak Djokovic në gjysmëfinalen tjetër.
















