Nga një gol në secilën pjesë, ka bërë që spanjollët e Sevillas të shënojnë fitore 2-0 në takimin e grupit G të Ligës së Kampionëve përballë rumunëve të Unirea Urziceni.I pari që gjeti portën e mysafirëve ishte sulmuesi brazilian Luis Fabiano, në fund të pjesës së parë të ndeshjes (45’), pas një pasimi të shkëlqyeshëm nga Renato. Ky i fundit ishte ai që vulosi rezultatin për Sevillan, duke shënuar golin e dytë në minutën e 70-të të takimit. Në takimin tjetër, Stuttgart edhe pse kaloi i pari në epërsi, nuk arriti ta ruajë këtë, duke nxjerrë vetëm një barazim 1-1 në fushë të vet përballë skocezëve të Rangers. Golin për vendasit e shënoi Pavel Pogrebnyak (18’), ndërsa barazimin mysafirëve ua solli Madjid Bougherra, 13 minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes (77’).
Liverpooli ka shënuar fitore minimale kundër Debrecenit në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Anfield.Të vetmin gol në këtë përballje e shënoi Dirk Kuyt në minutat shtesë të pjesës së parë. Edhe takimi tjetër i Grupit E, i zhvilluar ndërmjet Lyonit dhe Fiorentinas, ka përfunduar me rezultat identik prej 1-0. Golashënues në këtë ndeshje ishte Pjanic (76’), ndërsa duhet përmendur se gjysmën e dytë të kësaj ndeshje, Viola e luajti me një lojtar më pak, pasi që Alberto Gilardino u përjashtua me karton të kuq në fund të pjesës së parë.
Ndeshja kryesore e xhiros së parë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, e zhvilluar në Giuseppe Meazza ndërmjet Interit dhe Barcelonës ka përfunduar pa gola.Edhe pse u zhvillua një ndeshje dinamike ndërmjet kampionit të Italisë dhe trekampionit nga sezoni i kaluar, megjithatë rrjetat heshtën. Takimi tjetër i grupit F, ndërmjet Dynamo Kyivit dhe Rubin Kazanit ka përfunduar me fitoren e vendasve me rezultat prej 3-1. Të parët në epërsi kaluan mysafirët me anë të Dominguez (25’), mirëpo vendasit përmbysën rezultatin duke shënuar tre gola. Fillimisht Yussuf barazoi rezultatin (71’), ndërsa Magrao (80’) dhe Gusev (85’), fundosën skuadrën ruse.
Topçinjtë e Arsenalit janë rikthyer nga disavantazhi 2-0 për të fituar në fund me rezultat 3-2 në takimin e parë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve në udhëtim te Standard Liege.Vendasit befasuan favoritët anglezë duke shënuar dy gola të shpejtë, për të kaluar në avantazh të dyfishtë pas vetëm pesë minutash lojë. Golin e parë për belgët e shënoi mesfushori Eliaquim Mangala që në minutën e dytë të lojës, ndërsa pas tre minutash tjera rezultatin e dyfishoi sulmuesi Milan Jovanovic. Topçinjtë arritën të ngushtojnë në 2-1 anë të Nicklas Bendtner në çastet e fundit të pjesës së parë. Pjesa e dytë në përgjithësi u takoi mysafirëve. Përforcimi i verës, belgu Thomas Vermaelen barazoi rezultatin në minutën e 77-të, tre minuta para se Eduardo da Silva të shënojë golin e fitores për Arsenalin (81’). Në takimin tjetër të grupit H, grekët e Olimpiakos po ashtu kanë shënuar fitore minimale si mysafir i holandezëve të AZ Alkmaar. Golin e vetëm të takimit e shënoi Vasilis Torosidis.
Juan Sebastian Veron i ka dalë në mbrojte bashkëkombësit të tij Lionel Messi, pasi që superylli i Barcelonës është kritikuar se nuk luan për Argjentinën ashtu siç luan për Blaugranët.Argjentina e ka shumë të vështirë ta sigurojë një vend për Kampionatin e ardhshëm Botëror, duke qenë se humbi dy ndeshjet e fundit kualifikuese, ndërsa dy njerëzit më të kritikuar janë trajneri Diego Maradona dhe Messi.“Messi nuk mund të bëjë gjithçka. Barca luan ndryshe me shumë pasime të shkurtra. Në kombëtare ka lojtarët të cilët nuk janë të nivelit të tij. Megjithatë, ka lojtarët shumë të mirë, por trajneri duhet ta gjejë skuadrën fitimtare”, ka thënë ish-mesfushori i Chelseat dhe Manchester Unitedit.
Ndeshja e shumëpërfolur e fundjavës së kaluar ndërmjet Kosovës (V) dhe Trepçës, e cila u ndërpre, si pasojë e incidenteve të shkaktuara në fushën e gjelbër, është regjistruar me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të skuadrës së Trepçës.Këtë vendim e ka marrë të mërkurën Komisioni i Garave në FFK, pasi ka shqyrtuar të gjitha shkresat nga personat zyrtarë në ndeshjen Kosova (V)-Trepça, si dhe duke u bazuar në regjistrimet televizive.“Konform nenit 49 të Propozicioneve të Garave lidhur me nenin 58 të Rregullores së Garave, ndeshja e ndërprerë Kosova (V) - Trepça, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Trepçës. Ndërkohë inicime disiplinore janë ndërmarrë ndaj: KF Kosova, anëtarit të kryesisë së këtij klubi, Abdylaziz Hoxha, ndaj KF Trepça dhe ndaj portierit të këtij klubit, Suad Përtinac”, thuhet në një fragment të deklaratës së Komisionit të Garave.Ndërkohë për shkak të festës së Bajramit, Komisioni i Garave ka marrë vendim që të gjitha ndeshjet e javës së shtatë të zhvillohen ditën e shtunë.
Ish-lojtari i Barcelonës dhe Interit, Luis Figo, mendon se ndeshja ndërmjet zikaltërve dhe blaugranëve do të ofrojmë shumë më tepër se vetëm një përballje direkte ndërmjet Samuel Eto’o dhe Zlatan Ibrahimovic.“Do të jetë një ndeshje e shkëlqyer. E vështirë edhe për Interin edhe për Barcelonën, që do të kenë motivime të ndryshme”.“Nuk do të jetë vetëm një përballje ndërmjet Eto’o dhe Ibra, por mendoj se do të jetë diçka më shumë se kjo”, ka thënë Figo për “La Repubblica”.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, beson se ylli i Milanit, Ronaldinho, së shpejti do ta kthejë formën e tij më të mirë.Braziliani e ka filluar dobët sezonin e ri në Serie A, prandaj trajneri Leonardo vendosi ta lë në bankën rezervë në ndeshjen kundër Marseille.“Mendoj se ai shumë shpejt do ta gjejë magjinë e tij, sepse ai është një lojtar i shkëlqyer”, është cituar Laporta nga “Il Corriere Dello Sport”.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, është shprehur mjaft i kënaqur me fitoren e të martës mbrëma kundër Marseille në Ligën e Kampionëve.“Kur luajmë në Ligën e Kampionëve, lojtarët janë më të fokusuar, ndërsa atmosfera që i rrethon është në nivel të lartë. Liga e Kampionëve është ADN-ja jonë”.“Vërtet e ndjejmë këtë në Evropë. Kemi luajtur në tetë finale të Ligës së Kampionëve dhe i kemi fituar pesë”, tha Galliani për “Sky Sport Italia”.
Sulmuesi spanjoll Fernando Torres thotë se bashkë-lojtari i tij Steven Gerrard është ‘futbollisti më i mirë në botë’.“Pa dyshim ai është lojtari më i mirë në botë me të cilin kam luajtur. Ai ka gjithçka. Në Liverpool ai është i pazëvendësueshëm. Secili klub ka një lojtar të tillë, një talent të dalë nga shkolla e të rinjve, ndonjë i cili gjithë jetën do t’i përkushtohet klubit”, ka thënë Torres. “Njerëzit vijnë dhe shkojnë, ai gjithmonë është këtu. Nuk mund ta mendoj klubin pa të. Ai ka gjithçka: personalitet, qëndrueshmëri, qëndrim, kontroll, fuqi, forcë, agresivitet, intensitet... mund të luajë kudo dhe mund të luajë në çfarëdo mënyre”. “Ai është një lider i lindur dhe lojtari më i qëndrueshëm në botë. E vetmja gjë që mungon në biografinë e tij është titulli i Ligës Premier dhe shpërblimet ndërkombëtare, siç janë Topi i Artë ose çmimi i FIFAs si Lojtari Më i Mirë i Vitit dhe jam i sigurt se do të fitojë një të tillë në të ardhmen. Secili trajner do të dëshironte një lojtar të tillë në ekip”, ka shtuar spanjolli.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, pranon se fansat e të kuqve më shumë dëshirojnë që ekipi i tyre ta fitojë Ligën Premier këtë sezon se sa Ligën e Kampionëve.Liverpooli sot do të përballet me ekipin hungarez Debrecen në kuadër të ndeshjes së parë të sezonit në Ligën e Kampionëve, por Benitez mendon se kjo garë është sekondare në krahasim me ligën. “Liga Premier është prioritet për fansat. Liga e Kampionëve është një garë e madhe, megjithatë nuk do t’i harrojmë edhe garat vendore, pasi nga ky ekip pritet që gjithmonë të luajë mirë”, ka thënë Benitez. “Gjithmonë është e rëndësishme në garë të futeni me ambicien për ta fituar atë. Por, sipas fansave, prioritet për Liverpoolin duhet të jetë Liga Premier. Pastaj Liga e Kampionëve, Kupa FA dhe Kupa Carling. Nëse dëshironi renditje sipas prioritetit, atëherë kjo është kjo”, ka shtuar spanjolli. Por Benitez thotë se është i pangopur, dhe ai dëshiron ta fitojë edhe Ligën Premier edhe Ligën e Kampionëve.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, thotë se shitja e Zlatan Ibrahimovic është një biznes i shkëlqyeshëm për të gjitha palët.Sonte zhvillohet derbi i madh i Ligës së Kampionëve në mes të Interit dhe Barcelonës, ku Zlatan Ibrahimovic rikthehet në Giuseppe Meazza, por edhe Samuel Eto’o do të luajë kundër ish-ekipit të tij. Në prag të takimit të sotëm derbi, Jose Mourinho ka thënë se shitja e Ibrahimovic në Barcelona është një biznes i mirë, i cili i ka bërë të kënaqur të gjitha palët. “Ne humbëm një lojtar të madh, por sollëm një tjetër dhe ndërtuam një ekip të shkëlqyeshëm për të ardhmen, me karakteristika të tjera. Shitja e Ibras ishte një biznes ideal, për të cilin ne jemi të lumtur, Ibra, Guardiola, unë dhe Eto’o”, ka thënë Mourinho.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka kritikuar kolegun e tij të Manchester Cityt, Mark Hughes, për mënyrën e reagimit të tij ndaj goditjes së Emmanuel Adebayor në Robin van Persien.FA ka akuzuar ish-sulmuesin e Arsenalit, Adebayor, me tre ndeshje mos-lojë për sjellje të dhunshme dhe City ka kohë deri sot në mbrëmje të bëjë ankesë në lidhje me këtë vendim, por Wenger është i befasuar nga ngurrimin e Hughes për të qortuar sjelljen e Adebayor. “E pashë kur erdha në shtëpi dhe vërtet dukej keq. Pyesni 100 njerëz, dhe 99 do të thuan se ishte keq dhe i njëqindti do të jetë Mark Hughes. Mendimi im është se Adebayor meriton të ndëshkohet për atë që bëri”, ka thënë Wenger.
Njëshi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është më se i kënaqur me dy golat e shënuar në fitoren 5-2 ndaj Zurichut.“E dija se golat do të vinin, andaj isha shumë i qetë. Gjëja më e rëndësishme ishte të fitojmë në ndeshjen e parë dhe të fillojmë mirë në Evropë, dhe e kemi arritur këtë”, ka thënë lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit. “Ekipi funksionoi shumë mirë dhe jam i lumtur me rezultatin. Në pjesën e dytë u qetësuam dhe bëmë atë që nuk mund ta përsërisim në të ardhmen. Thonë se ne jemi favoritë për të fituar Ligën e Kampionëve, por duhet të shkojmë dalëngadalë”, ka shtuar portugezi.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, beson se sulmuesi Wayne Rooney është i aftë të bëhet lojtari më i mirë nënotë.“Mendoj se te lojtarët, pjesa e fundit e zhvillimit të tyre është periudha rreth moshës 25-vjeçare. Mendoj se kur ata fillojnë të fitojnë autoritet, kohë, qetësi për ndeshjen, e arrijnë kulmin”. “Madje kam parë lojtarë që e kanë arritur maksimumin në moshën 30-vjeçare. Kjo është ca vonë. Kur shoh kah Rooney, shoh dëshirën që ai ka, energjinë, entuziazmin. Ai po rritet. Ai nuk i ka humbur kualitetet që do ta bëjnë atë një lojtar të shkëlqyeshëm dhe kjo është e rëndësishme”, ka thënë skocezi.
Përforcimi i verës i Real Madridit, Leite Kaka, është i kënaqur me mënyrën se si ka filluar karriera e tij në Real Madrid.Braziliani ishte pjesë e fitores 5-2 të Realit përballë ekipit zviceran Zurich, në Ligën e Kampionëve. “Është privilegj të jem pjesë e një ekipi si Madrid. Dua të luaj ashtu siç luaja në Milan. Këtu e kam rikthyer buzëqeshjen. Jam i lumtur për golin e Raul. Ai dhe Inzaghi janë histori në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Kaka pas ndeshjes.
Mesfushori i Manchester United, Paul Scholes, është i kënaqur pasi shënoi golin e fitores në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve përballë Besiktas.United bëri një paraqitje solide, duke arritur te goli i fitores vetëm në minutën e 77-të me anë të Paul Scholes. “Nuk mendoj se ishte ndeshja jonë më e mirë, por fitorja është fitore. Turqia është një vend i vështirë për të udhëtuar dhe Besiktas ishte një ekip i mirë me një publik të mirë prapa tyre”, ka thënë pas ndeshjes autori i golit të fitores.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i ngazëllyer që ai mund të llogaritë në Eduardon në ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve kundër Standard Liege.Eduardo fillimisht u dënua me dy ndeshje moslojë në Ligën e Kampionëve për shkak të ‘mashtrimit’ për të fituar penaltinë në ndeshjen kualifikuese për këtë garë ndaj Celtic, por ankesa e tij gjeti mirëkuptim dhe UEFA hoqi ndëshkimin ndaj tij. “Jam shumë i lumtur që e kemi sërish Eduardon, pasi kemi shumë lojtarë ofensiv të cilët janë jashtë fushe. Kemi Andrey Arshavin, Theo Walcott, Samir Nasri dhe sigurisht Van Persie”, ka thënë Wenger. “Nëse Eduardo do t’u shtohej atyre, do të ishin shumë sulmues jashtë fushe. Kjo është arsyeja se pse jam i lumtur që ai është në dispozicion. Ishte një befasi e mirë, mund të them”, ka shtuar francezi.
Vincenzo Iaquinta thotë se si është i kënaqur që ka shënuar në barazimin 1-1 të Juventusit në takimin e Ligës së Kampionëve përballë Bordeaux.“Jam shumë i kënaqur, jam mirë dhe t’ia dal mirë gjithmonë është e rëndësishme për ekipin, por sot dëshiruam të fitojmë”, ka thënë Iaquinta. “Tash udhëheqim në kampionat, dhe kjo nuk duhet të na ndalojë. Liga e Kampionëve është një gjë tjetër e rëndësishme, ku të gjithë ekipet janë shumë të fuqishme dhe nuk ka ndeshje të lehta. Larg shtëpisë gjithmonë japim maksimumin”, ka shtuar sulmuesi italian.
Filippo Inzaghi është i ngazëllyer me dygolëshin e shënuar në fitoren 2-1 të Milanit në Ligën e Kampionëve kundër Olympique Marseille.Goli i pari ishte i shënuar nga një pozitë e dukshme jashtë loje, por Inzaghi tashmë është një ‘mjeshtër’ i vjetër për t’ia dalë në raste të tilla. “Mbase sekreti është në kënaqësinë që shijoj me futbollin dhe pastaj nga të qenit i gatshëm kur dal në fushë. Nuk kam luajtur një ndeshje të plotë për dy muaj, por kam pasur disa shërbime të mira sot dhe një mbrëmje të shkëlqyeshme”, ka thënë 36-vjeçari. “Isha ca i ngazëllyer nga forma ime, duke parë se isha jashtë lojës së rregullt një kohë, andaj të shënoj dy gola në Ligën e Kampionëve është shkëlqyeshëm”, ka shtuar italiani.
Sulmuesi i Barcelonës,Zlatan Ibrahimovic tha se nuk pret ndonjë diskutim me tifozët Nerazzurë gjatë ndeshjes me Interin në Champions League.Skuadra e Blaugranëve arriti në Milano dhe Ibrahimovic ishte i pritur nga mediat e uritura të cilat kërkonin deklarata të freskëta nga sulmuesi i Barcës.
“Është një ndjenjë e mire të kthehesh në Milano”,deklaroi Ibra për reporterët gjatë mbërritjes te aeroporti Malpensa.
“Fansat? Nuk pres asgjë prej tyre por nëse flasin për mua atëherë do të isha i lumtur”.
“Ibrahimovic nuk merakoset për kujdesin që do ti bëhet atij gjatë lojës mirëpo është i vetëtedijshëm për cilësinë e Nerazzurëve”,
“Nuk i shikoj ata.I kam parë rezultatet dhe kanë formë shumë të mirë”.
Pep Guardiola do të ketë një konferencë shtypi në ora 18:00 ndërsa lojtarët do të ushtrojnë nga ora 19:00.
















