Sulmuesi kroat Nikica Jelavic duke festuar golin ndaj Hamburgut Lideri i Bundesligës, Hamburg, është mposhtur me rezultat të thellë prej 3-0 në takimin parë të Europa League, në udhëtim te ekipi austriak Rapid Vienna.
Dy gola në fund të pjesës së parë dhe një tjetër kah fundi i pjesës së dytë, iu kanë ndihmuar vjenezëve të fillojnë me fitore bindëse garën në Europa League. Kapiteni Steffen Hofmann kaloi i pari në epërsi vendasit në minutën e 35-të të takimit, ndërsa sulmuesi kroat Nikica Jelavic dyfishoi epërsinë në minutat e fundit të pjesës së parë. Christopher Drazan vulosi turpërimin e gjermanëve me një gol të shënuar 14 minuta para fundit të takimit. Për Rapidin e Vjenës në katër minutat e fundit u angazhua edhe sulmuesi shqiptar, Hamdi Salihi Edhe Celtic është mposhtur në ndeshjen tjetër të grupit C, atë përballë Hapoel Tel Aviv. Skocezët kaluan në epërsi në pjesë të parë me anë të Georgios Samaras, por izraelitët u rikthyen në pjesën e fundit të takimit për të shënuar dy gola që sollën edhe fitoren (Nemanja Vucicevic, 75’, dhe Maaran Lala, 88’).
Alberto Zapater pas shënimit të golit të parë Genoa ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në takimin e parë të Europa League, atë të grupit B përballë çekëve të Slavia Praga, derisa në takimin tjetër të këtij grupi Valencia ka barazuar në udhëtim te Lille.
Mesfushori Alberto Zapater shënoi pas më pak se katër minutash lojë, ndërsa rezultatin për Genoan e vulosi sulmuesi italian Giuseppe Sculli që në pjesën e parë të takimit (39’). Takimi tjetër i grupit B, gjatë të cilit Valencia ishte mysafir i francezëve të Lille, është mbyllur me barazim 1-1. Golin për mysafirët spanjollë e shënoi Juan Mata në minutën e 78-të të lojës, por vendasit barazuan pas tetë minutash tjera me anë të sulmuesit nga Bregu i Fildishtë, Gervinho.
Roma është mposhtur me rezultat 2-0 në sfidën e parë të Europa League, atë të grupit E në udhëtim te zviceranët e Basel.
Zviceranët kaluan në epërsi pas 11 minutash lojë me golin e mesfushorit portugez Carlitos. Pas vetëm disa çastesh pasi u inkuadrua, sulmuesi argjentinas Federico Almerares, vulosi rezultatin, tre minuta para fundit të kohës së rregullt të takimit. Për Baselin disa minuta të fundit i luajti edhe mbrojtësi nga Kosova, Beg Ferrati, derisa në stol qëndroi kosovari tjetër, mesfushori Xherdan Shaqiri. Në ndeshjen tjetër të grupit E, bullgarët e CSKA Sofia kanë nxjerrë një barazim 1-1 përballë anglezëve të Fulham.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, ka zbuluar se ai nuk planifikon të rikthehet në Spanjë në një të ardhme të afërt dhe mund të qëndrojë në Angli edhe për një dekadë tjetër.
“Kam edhe katër vite të mbetura nga kontrata ime dhe jam i lumtur këtu. Nuk mendoj se mund të rikthehem në Spanjë tash. Nuk e di, ndoshta pas disa vitesh ose pas dhjetë vitesh! Por, jam i lumtur në Angli, do të doja të luaj në Angli edhe për një kohë të gjatë”, ka thënë Torres për told Sky Sports. Sa i takon partneritetit me Steven Gerrard, Torres thotë se do të pëlqente ta shihte anglezin të rikthyer në rolin e sulmuesit dytësor, pasi kapiteni është angazhuar në rolin e mesfushorit të qendrës në disa ndeshjet e fundit.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, do të mungojë në derbin e qytetit përballë United, pasi FA ka pohuar suspendimin prej tre ndeshjeve, që do të hyjë në fuqi menjëherë.
“Komisioni Rregullator sot e rishikoi akuzën për sjellje të dhunshme të ngritur kundër lojtarit të Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, pas incidentit me Robin van Persien gjatë takimit kundër Arsenalit të zhvilluar më 12 shtator”, thuhet në deklaratën në faqen zyrtare të FA. “Që kur z. Adebayor e pranoi akuzën për sjellje të dhunshme, Komisioni Rregullator ia ka shqiptuar dënimin prej tre ndeshjesh moslojë, vendim që hyn në fuqi menjëherë”, shtohet më tej në deklaratë. FA po ashtu ka thënë se një pjesë e rastit për sjellje të pavend kundër lojtarit do të rishikohet në të ardhmen. Adebayor do të mund të përballet me dënim shtesë për shkak të mënyrës se si e festoi golin e shënuar në këtë ndeshje.
Sulmuesi i Flamengos, Adriano, thotë se për momentin nuk mendon për rikthim në Evropë dhe synon pjesëmarrjen në Copa Libertadores.
Braziliani së fundi u rikthye edhe në formacionin e Brazilit, pasi që kur veshi fanellën e Flamengos riktheu karrierën në rrugë të duhur pasi. “Kam marrë dhe ende marr shumë oferta nga klube evropiane, por i kam refuzuar të gjitha. Kam marrëveshje me Flamengon deri në maj të vitit 2010, dhe jam i përqendruar vetëm në klubin tim të tashëm. Qëllimi im është të sigurojmë pjesëmarrje me Flamengon në Copa Libertadores”, ka thënë ish-sulmuesi i Interit.
Ish-lojtari i kombëtares së Brazilit, Zico, është caktuar trajner i ri i kampionit të Greqisë, Olympiacos.
“Olympiacos bën të ditur se është arritur marrëveshje me Zico, i cili do ta drejtojë klubin në dy ndeshjet e ardhshme”, është shkruar në deklaratën në faqen zyrtare të klubit grek. 56-vjeçari Zico, javën e kaluar u lirua nga angazhimi i tij me CSKA Moskën, pasi klubi pati një seri të rezultateve të dobëta dhe qëndrimi i brazilianit në Moskë zgjati vetëm tetë muaj. Lajmi për ndërrimin e trajnerit nuk ka ndikuar shumë në lojtarët e klubit, të cilët mbrëmë nxorën një fitore minimale prej 1-0 ndaj AZ Alkmaar në takimin e Ligës së Kampionëve. Ish-trajneri i kombëtares së Japonisë dhe Fenerbahces, Zico, e përcolli ndeshjen nga tribunat.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, e ka përshkruar barazimin pa gola ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve si një ‘ndeshje të shkëlqyeshme futbolli’.
“E di se takimi i mbrëmshëm është një ndeshje e mirë futbolli. E di se është normale që njerëzit të mendojnë se 0-0 nuk është një ndeshje e mirë futbolli, por unë mendoj të kundërtën”, ka thënë Mourinho. “Kishte gjithçka, pjesë taktike, dhe nuk dua ta shfrytëzoj këtë fjalë por do të them luftë, fizike dhe mentale, një ndeshje për detaje, ndeshje në të cilën një gabim i vogël mund të ishte gol, ndërsa goli do të thotë fitore”. “Ekipi im iu përgjigj pozitivisht kampionit të Evropës, ishim kompakt dhe nëse shënonim gol do të fitonim, dhe e njëjta vlen edhe për kundërshtarin tonë. Andaj mendoj se barazimi ishte një rezultat i drejtë”, ka shtuar portugezi.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, e ka përshkruar fitoren ndaj Standard Liege si ‘të madhe’ për Arsenalin, pasi i ndihmoi ekipit të tij të bëjë rikthimin në pjesën e dytë.
Kampioni i Belgjikës kishte një fillim të shkëlqyeshëm dhe pas vetëm pesë minutash lojë krijoi epërsi të dyfishtë ndaj Arsenalit, por golat nga Nicklas Bendtner, Thomas Vermaelen dhe Eduardo, sollën përmbysjen e rezultatin për Arsenalin. “Gjithmonë është mundësia që në disa minuta të mos luani në nivelin më të lartë dhe kjo ndodhi në takimin e mbrëmshëm. Por ne u përgjigjëm mirë. E dinim se para nesh është një ndeshje e plotë dhe se mund ta krijojmë dallimin. Andaj nuk ishte vështirë të vazhdohet besimi”, ka thënë Fabregas. “Jemi të lumtur dhe kjo është një fitore e madhe, nëse shihet se si e filluam ndeshjen. Tash duhet të përqendrohemi në takimin në Wigan, pasi Liga Premier është më e rëndësishmja për Arsenalin”, ka shtuar spanjolli.
Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves, nuk është i kënaqur me barazimin e skuadrës së tij ndaj Interit, në ndeshjen e të mërkurës mbrëma në Giuseppe Meazza.
Edhe pse Barcelona ishte skuadër dominuese kundrejt Interit, në ndeshjen e vlefshme të fazës grupore të Grupit F të Ligës së Kampionëve.
“Barazimi nuk është asnjëherë rezultat i mirë për ne. Ne krijuam raste mirëpo nuk arritëm të shënojmë gola”. “Luajtëm mirë në çdo pozitë, mirëpo këtu është gjithmonë vështirë dhe ky nuk ishte një fillim i keq”, ka thënë braziliani për faqen zyrtare të klubit.
Francesco Totti ka bërë një deklaratë bombastike duke thënë se do të largohet nga Roma nëse Giallorossët nuk plotësojnë premtimin për kontratën e re.
“Nëse nuk ma japin kontratën, kjo do të thotë se do të largohem”, ka thënë simboli romak për “Il Corriere Dello Sport”. Roma ka premtuar se do t’ia zgjasë kontratën kapitenit deri në vitin 2014, mirëpo 32-vjeçari ende nuk e ka nënshkruar atë, dhe kërkon që paga vjetore e tij të jetë pesë milionë euro për sezon.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka kërkuar nga bashkëlojtarët që të zgjohen dhe ta shijojnë Ligën e Kampionëve.
Edhe pse Buffon ishte i jashtëzakonshëm në portë, Juventusi barazoi në Torino përballë Bordeaux. “Dëshironim të fitojmë, dhe besuam se do të mundnim, por fatkeqësisht ishin disa detaje të vogla që nuk iu kushtuam rëndësi”. “Nganjëherë në Evropë duhet të zgjohesh. Nuk është fjala vetëm kur vuan, por duhet të luash futboll më të mirë. Këtë duhet ta arrijmë duke luajtur me personalitet dhe vendosmëri”, ka thënë Gigi për “Tuttosport”.
Të enjten dhe të premten zhvillohen ndeshjet çerekfinale të Kampionatit Evropian në basketboll, Eurobasket 2009.
Sot zhvillohen dy përballje shumë interesante, ajo ndërmjet Francës dhe Spanjës dhe çerekfinalja tjetër, në mes të Rusisë dhe Serbisë. Ndërsa nesër do të përballen rivalët lokalë, Sllovenia dhe Kroacia, ndërsa Turqia do të ndeshet me Greqinë.
Maicon dhe Thierry Henry Sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry, është shprehur i pakënaqur me zëvendësimin e tij në pesëmbëdhjetë minutat e fundit, në ndeshjen e të mërkurës mbrëma kundër Interit.
“Jam i pakënaqur me zëvendësimin. Nuk dëshiroja të largohem sepse do ta kisha mundësinë të depërtoja nga krahu dhe mund të shihja në sytë e Maicon se ishte lodhur”, është cituar francezi nga “Sport”. Sido që të jetë, 32-vjeçari është shprehur i kënaqur me barazimin duke qenë se Barcelona vazhdon të jetë pamposhtur në këtë fillim sezoni.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka thënë se në fund të këtij sezoni, mesfushorin veteran Paul Scholes e pret një kontratë e re në Old Trafford.
“Nuk mendoj se ky është sezoni i fundit për Paul, jo në bazë të mënyrës si luan”. “Është vështirë të parashikohet (se sa do të luajë), sepse është vetëm shtatori, mirëpo unë po shoh një Scholesy të freskët dhe momenti më i mirë për ta shfrytëzuar atë është derisa është i freskët”. “Ai nuk do të luajë gjithë sezonin, mirëpo nëse arrij të nxjerr 25 ndeshje nga ai në nivelin që pamë të shtunën (kundër Tottenhamit), do të isha më se i kënaqur”, ka thënë Ferguson.
Anësori i Valencias, David Silva, ka lënë të kuptohet se është i interesuar të transferohet te Manchester Unitedi, duke qenë se Djajtë e Kuq janë një skuadër që vështirë refuzohen.
“The Daily Mirror” njofton se Sir Alex Ferguson është mjaft i interesuar për shërbimet e 23-vjeçarit, ndërsa spanjolli thotë se një ofertë nga United do të ishte diçka që nuk mund t’i rezistohet. “Është nder për secilin lojtar kur një klub si Manchester Unitedi interesohet për të dhe kjo në vete bart një vlerë të madhe”. “Jam i përkushtuar te Valencia dhe ëndrra ime është ta fitoj titullin, mirëpo në të ardhmen gjithçka është e mundur”. “Muajt e fundit Valencia i ka refuzuar ofertat për mua dhe unë jam i lumtur këtu. Mirëpo, po ashtu e di se Liga Premier paraqet një kompeticion të madh dhe është vështirë të refuzohet”, ka thënë Silva.
Chivu (djathtas) dhe Ibrahimovic. Interi ka vuajtur thuajse gjatë gjithë ndeshjes në përballjen e të mërkurës mbrëma kundër Barcelonës, mirëpo mbrojtësi Cristian Chivu është shprehur i kënaqur me barazimin pa gola.
“E gjithë skuadra bëri një punë të madhe, pikërisht ashtu siç pritej nga ne. Luajtëm mirë në pjesën e parë, ndërsa vuajtëm pak pas pushimit, por mendoj se reaguam mirë”. Chivu luajti mbrëmë kundër ish-bashkëlojtarit, Zlatan Ibrahimovic, mirëpo ai është shprehur mjaft miqësor. “Ishte mirë të takoja një mik të madh dhe shpresoj se do të arrijë sukses atje”, është shprehur rumuni për “Sky Sport Italia”.
Flavio Briatore dhe Pat Symonds kanë dhënë dorëheqje nga skuderia Renault pas skandalit të garës së Singaporit ku dyshohet se ata kanë urdhëruar Nelson Piquet të përplaset për të favorizuar pilotin tjetër Fernando Alonso.
“Skuderia Renault nuk do kundërshtojë akuzat e FIA-s në lidhje me çmimin e madh të Singaporit në vitin 2008 dhe dëshirojmë të njoftojmë se Flavio Briatore e Pat Symonds kanë dhënë dorëheqje”, thuhet në deklaratën zyrtare të Renault. Po ashtu, Renault pohon se para mbledhjes së Këshillit Botëror të FIA-s (që mbahet më 21 shtator në Paris), nuk do bëjë asnjë koment lidhur me skandalin e Singaporit.
Ish drejtori sportiv i Juventusit, Luciano Moggi, ka komentuar vendimin e Romës për të zëvëndësuar Spalletin me Ranierin, duke thënë se ky i fundit do ta mbajë anijen në kurs të duhur.
“ Nuk jam i sigurt nëse Ranieri është ideal për Romën,” tha Moggi.
“ Ai është një njeri i cili i jep qëndrueshmëri skuadrës, dhe si një trajner që është, duket shumë diskret.”
Në ndërkohë ai komentoi barazimin e Juventusit kundër Bordeaux, në Stadio Olimpico di Torino, në një ndeshje që vërtetoi se Bianconerët ndoshta nuk janë ende të gatshëm për të triumfuar në rang continental.
“ E kam shikuar ndeshjen. Është një ekip me lojtarë të mëdhenj, por jo një ekip që mund të fitoj ndeshje të nivelit Europian.” vazhdoi ai.
“ Në Itali është ndryshe. Është një nivel më i ulët. Ata i fituan disa ndeshje, me pak fat, dhe tani janë duke e kryesuar kampionatin. Për skudeton, Juve ka arritur Interin, por Nerazzurët janë shumë më të fortë.” përfundoi Moggi.